90 vitet e komunistit të fundit, me ëndrra të fshehura dhe vetmi
Eshtë e çuditshme që ky njeri, të cilin të gjithë ne që kemi qenë bashkëkohës së tij, në ndonjë moment e kemi nderuar, e madje edhe dashur, mbetet ende një enigmë, dhe që në fund, e vetmja gjë që do të na lërë prej vetes së tij, do të jetë një abstraksion
Nga Norberto Fuentes*
Në 31 gusht 1986, pas një udhëtimi 17 orësh nga Havana, Fidel Castro mbërriti në Harare, kryeqyteti i Zimbabves, për të marrë pjesë në konferencën e vendeve të pareshtuar me asnjë bllok. U vendos në vilëzën e vogël në periferi të qytetit, që ekspertët e ministrisë së brendshme kishin blerë dhe përgatitur për të, dhe që më pas do të shërbente si rezidencë e përhershme e ambasadorit kuban. Kishte një kopësht të vogël të rrethuar me mur në krah të portës kryesore, dhe vilëza ishte e izoluar. Mesdita ishte e qetë kur Fideli doli nga shtëpia në kopështin e vogël, i mbështjellë me një rrobdëshambër ngjyrë vjollcë, që i zbriste deri tek kaviljet, dhe me pantofla.
Bëri disa hapa me duart e zhytura në xhepa, kur vuri re praninë e një dyzine bashkëpunëtorësh të tij, që kishin mbushur parkimin në krah të murit, dhe u fut me nxitim në shtëpi. Në atë moment, ai që doli ishte koloneli Joseito (Jose Delgado), shefi i eksortës së tij, i cili shkoi tek grupi dhe u tha, me një ton pothuaj lutës: “Zotërinj, ta hajë dreqi, ju lutem të dilni nga ai vend dhe të mos shihni nga kjo anë, me qëllim që ai të besojë se është vetëm”. Në të gjithë kohën që kam kaluar pranë apo bashkë me Fidelin, ky është momenti më patetik që ruaj në kujtesë. Shumë inteligjent për të mos e ditur se vetmia e tij ishte e pamundur, dukej se kënaqej që të besonte në një iluzion.