Albspirit

Media/News/Publishing

Brexit shkakton tërmet brenda Britanisë

  • Henry Rdigewell

Qeveria e Skocisë ka kërkuar një referendum të dytë për pavarësinë pas votimit të Britanisë për t’u larguar nga Bashkimi Evropian. Kërkesa vjen ndërsa shumica e skocezëve mbështesin ndarjen nga pjesa tjetër e Mbretërisë së Bashkuar në mënyrë që Skocia të mbetet pjesë e bllokut.Korrespondenti Henry Ridgwell shkoi në Edinburgh për të folur me disa prej atyre që zgjedhin Evropën mbi Britaninë.

Pamela Jenkins pa mundësi të mëdha për fëmijët e saj që u rritën brenda Bashkimit Evropian. Tani ajo është e shqetësuar nga votimi i Britanisë për t’u larguar nga blloku.

“Jam e tmerruar që vendi ku jetova ka zgjedhur ato që për mendimin tim janë arsye të tmerrshme, si ksenofobia dhe racizmi. Tani nuk e shoh më Mbretërinë e Bashkuar si një alternativë të mrekullueshme si më parë.”

Dy vjet më parë, Jenkins votoi “Jo” në referendumin për pavarësinë e Skocisë. Tani ajo ka ndryshuar mendim.

“Dua që fëmijët e mi të rriten brenda Bashkimit Evropian. Dhe nëse votimi për pavarësinë e Skocisë jep më shumë mundësi atëherë do të votojë për pavarësinë.”

Ajo nuk është e vetme. Anketat pas votimit Brexit tregojnë se gati 60 përqind e skocezëve mbështesin tani pavarësinë, krahasuar me 45 përqind në referendumin e vitit 2014.

Shumë skocezë mendojnë se qeveria e Londrës po i detyron ata të pranojnë një vendim shumë jo-popullor.

Ben Nisbet, student në universitetin e Edinburgut ka ndryshuar mendim që nga referendumi i vitit 2014.

“Do të votoja ‘Po’ për pavarësinë e Skocisë dhe kjo është diçka që më çudit edhe vetë mua.”

Nisbet thotë se brezi i tij ka përfituar shumë nga anëtarësimi në BE.

“Kam patur mundësinë të udhëtoj shumë në Evropë, shumë lirë dhe me lehtësi, pa viza. Përveç kësaj kam parë shumë kultura edhe vetë brenda Skocisë. Përsa i takon fondeve, kam një vëlla më të vogël me sindromënDown dhe BE-ja ka qënë shumë aktive në angazhimin e njerëzve në nevojë.”

Pamja e përgjithshme është më komplekse.Kënga “Scotland the Brave” dëgjohet në qendër të Edinburgut. Grupi “The Spinning Blowfish”, një treshe skocezo-italiane personifikon integrimin evropian. Por David Spiers që i bie gajdes votoi për t’u larguar nga Bashkimi Evropian pasi e konsideron atë jo-demokratik.

“Votova gjithashtu në favor të pavarësisë së Skocisë në vitin 2014. Por e pranoj që e humbëm atë votim që nuk ishte shumë larg. Nuk mendoj se duhet të ketë një tjetër referendum për të shbërë atë vendim që u mor.”

Vota e BE-së ka ndezur një debat të ashpër mbi identitetin dhe demokracinë. Çmimi i “Brexit” mund të jetë ndarja e vetë Britanisë.

Please follow and like us: