Albspirit

Media/News/Publishing

I. Fritz Radovani: 2021, VITI AT PJETER MESHKALLA S.J.

 

 

 

(1901 – 1988)

120 VJETORI KUR U Lé

N’ SHKODER I MADHI

AT MESHKALLA!

(PERGATITI FRITZ RADOVANI, 2021)

 

Pjesa I

(Biografi e shkurtë)

 

Në këte 120 vjetor kujtojmë një nga Figurat ma të mëdha, që i dha Shkodra Historisë së Lavdishme të Qytetit të Rozafës dhe asaj të Klerit Katolik Shqiptar, në Trojet e Gjergj Kastriotit!

Ky ishte Trimi i pashoq i Shqipnisë “komuniste” nen tiraninë e saj 47 vjeçare: Ky ishte At Pjeter Meshkalla i ynë, dhe ndoshta, i krejtë Lindjes komuniste nën diktaturën barbare stalinjane.

At Pjetër  Meshkalla S.J., asht lé në Shkodër me 25 shtator 1901 prej prindve të nderuem Hil’ e Age  Meshkalla, familje bujare, mjaft e vorfën qytetare, që banonte në një jerevijë në fund të rrugës së Daulles, përballë rrugës së Motrave Stigmatine, në Gjuhadol, ku ngjitë me deren e Tij ishte Sigurimi i Shtetit.

Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa ata ma të naltat teologjike i përfundoi në Linz të Austrisë. Prej vitit 1924, ka vazhdue në Goricie të Sllovenisë studime për letërsi, i shtymë nga pasioni që kishte për atë degë. Mbasi kishte vëndosë me iu kushtue Urdhnit Jezuit të “Shoqnisë Jezu” (S.J.), Ai ishte i detyruem (simbas rregullave të Urdhnit) me plotësue moshën 32 vjeçare, tue vazhdue studime të tjera mbasuniversitare, kështu që, vazhdoi përgatitjën në filozofi e teologji në Poloni, në Torino dhe në Napoli të Italisë, ku spikati si student dhe si përvetësues i gjuhëve ndër këta vende. Ishte një poliglot i vërtetë; edhe pse ishte në moshë të re. Në burgun e Burrelit ma vonë mësoi rusishten, edhe pervetsoj mirë anglishten.

Në vitin 1931 kje kthye në Shkodër, ku u shugurue meshtar pranë Jezuitëve. Po në seminarin e tyne dha mësim që nga  shkolla fillore e deri tek kurset ma të nalta, në gjuhë shqipe, letërsi, filozofi, teologji etj. Në vitin 1934 themeloi rrethin “Shën Gjon Bosko”, i shtymë nga dëshira që kishte me punue për edukimin e rinisë sonë.

Në vitin 1937 trasferohet në Tiranë dhe menjëherë atje formoi rrethin e “Shën Pjetrit”, me fëmijët e kryeqytetit. Në vitin 1938 asht aty kur inaugurohet Kisha e Jezuitëve, dhe ajo e “Zemrës së Krishtit”, që ishte edhe si qendër e famullisë. Viti 1939 e gjen në Tiranë. Okupacionin fashist Ai e priti keq, ashtu si  shumica e krejt Klerit Katolik Shqiptar. At  Meshkalla kishte kohë që pikëpamjet Atdhetare i kishte shprehë botnisht nëpërmjet predikimeve publike,  shkrimeve, revistave dhe debateve me jezuitët italianë të cilët punonin në Shqipni.

Në pranverën e vitit 1940, kur At Gjergj Fishta vizitoi shkollën dhe kuvendin e Jezuitëve e njëkohësisht edhe rrethin e “Shën Pjetrit”, At  Meshkalla u flet të rijve që mos me përshëndetë në mënyrën fashiste, madje, bashkë me At Fishtën, shprehin tek eprorët jezuitë paknaqësinë e tyne të madhe kundër dhunimit të Flamurit Shqipnisë nga Italia fashiste.

Gjatë kohës së pushtimit nazist, bashkë me Don Shtjefën Kurtin, kanë ndihmue dhe strehue popullatën e Tiranës dhe mjaft ebrej gjatë reprezaljeve dhe bombardimeve. Të dy nga komunistet u konsideruen “fashistë” e “armiqë të popullit”, madje Don Shtjefën Kurti, në vitin 1971, edhe u pushkatue me akuza fallse se: “Pagzoi një fëmijë dhe shtoi një Katolik në Shqipninë ‘ateiste’ të 1967”.

Okupacioni komunist i vitit 1944 për At Mëshkallën, ishte një okupacion diktatorial si dy të parët, por me fëtyrë nga Lindja. Në vitin 1942 shprehet haptas se partizanët që kanë dalë në mal dhe luftojnë nën drejtimin e komunistëve jugosllav dhe shqiptarë, ata nuk janë tjetër veç ushtarët e Titos dhe të Stalinit. Ata nuk do të sjellin as lirinë e vendit dhe asgja të mirë per Pushtetin “demokratik” të mbas luftës Botnore.

Në vitin 1945, në predkun me rastin e vdekjes së Imz.Bumçit, flet haptas kundër shkeljës së të drejtave të katolikëve dhe e fillon fjalën e përmortëshme kështu: “Imzot Bumçi, Ti nuk vdiqe, por, plase!…”. Në vitin 1946, bashkë me Prelatët e Klerit Katolik të gjithë Shqipnisë, bani dhe një “promemorje” për kryetarin e shtetit komunist, gjeneral kol. Enver Hoxhën, teksti i së ciles u pergatitë nga At Meshkalla dhe At Frano Kiri. Në takimet që bani me disa nga udhëheqësit komunistë shpreh haptë përsekutimin që po i bahët popullsisë katolike, rinisë, intelektualëve shqiptarë dhe klerit, tue e theksue këte edhe në shtypin e kohës, si dhe në organet shtetnore, se Kleri Katolik Shqiptar asht Atdhetar ka punue per shkollimin e rinisë sonë dhe, as nuk do të shkëputet nga Vatikani dhe Papa. Sigurisht, kjo ishte një deklaratë e të gjithë Klerit dhe jo përsonale, mbasi gjamët e këtij qendrimi do të ndigjohën shumë shpejtë.

Shenim nga Fritz Radovani: Do të vazhdojmë me materiale dhe disa dokumenta të domosdoshme që duhen me u njoftë nga Rinia Shqiptare, në ketë 120 vjetor që At Pjetri kje le në Shkoder, në vitin 1901, dhe asht konsiderue nder Figurat ma te mëdha të Kombit Shqiptar.

Melbourne, 1 Janar 2021.

 

Pjesa II

 

Arrestimet dhe pushkatimet e Klerit Katolik Shqiptar kishin fillue që në Janarin e 1945, me Don Lazer Shantojen e poetin e ambelsisë, si e cilsonte Shkodra, Don Ndre Zadejen. Të dy u pushkatuene mbrenda pak kohe me shpifje e akuza fallse.

Mbas pak muejsh edhe At Pjeter Meshkalla arrestohët në vitin 1946 dhe bashkë me Don Shtjefën Kurtin, Imz. Irené Banushin dhe Rrok Obotin, dënohen me shumë vite burg, të cilat i kaluen ndër kampe pune dhe pjesën ma të madhe në burgun famkeq të Burrelit.

At  Meshkalla u lirue plot mbas 15 vjetësh vetem mbasi plotësoi ditë në ditë dënimin e dhanun nga gjykata.

Në fund të vitit 1961, kur lirohët nga burgu, vjen në Shkodër, por pa të drejtë me sherbye si meshtar, detyrë e cila i ndalohej nga shteti komunist, por që At  Meshkalla e ushtroi pa lejën e tij me guxim dhe pa pike frike kudo që e lypte nevoja. Ai nuk ishte pajtue me  “Statutin e Kishës Katolike Shqiptare”, ndonse aso kohe ishte në burgun e Burrelit, por qendrimi i Tij, i At Donat Kurtit dhe At Frano Kirit, në vitin 1951, përballë terroristit Hilmi Seiti (aso kohe, ishte Kryetar i Degës së Punëve të Mbrendshme të Shkodrës, ku ndodhej  edhe Seksioni Katolik i Sigurimit, i vetmi në Shqipni).

Edhe pse nga hjerarkia e vjetër e Kishës nuk kishte mbetë pothuej asnjë, At  Meshkalla respektonte me përvujtni të gjithë drejtuesit e klerit dhe kur ndokush vente në dukje ndonjë të metë të ndonjenit, Ai menjëherë do të gjente anët pozitive që peshonin ma shumë se të metat. Jetoi pak vite me nanën dhe kushrinën e Tij Ganxhën, në një shtëpi përdhese në Ballabane. Gjysma e dhomës, besoj i kujtohet vizitorëve të shumtë që shkonin aty, ishte me drrasa, pjesa tjetër ishte kalbë dyshemja e ishte me dhé.

Aty punoi, aty thonte Meshë, aty rregullonte “Betlemin” për vizitorët e vogjël, aty u mësonte katekizmin e gjuhët e hueja rinisë, aty i mësonte normat e moralit, aty rrëfente, aty vehej kunora Shenjtë, aty.., kjahej halli i së shkretës Shqipni e, aty, profetizohej e ardhmja…Drita dhe perparimi…

Në 1967 me të ashtuquejtunin “Revolucion Kultural” At Meshkalla arrëstohet prap, dhe mbas një gjyqi që u zhvillue në gjykatën e rrethit të Shkodrës, pa e ndigjue njeri, u dënue 10 vjet burg, kryesisht i akuzuem për veprimtari fetare të ndalueme, por e vërteta ishte ajo që do të shtjelloj ma poshtë. Në moshën 77 vjeçare doli nga burgu dhe erdhi prap në çerdhën e vjetër, në Shkodër. Jetoi në vorfninë e zakonëshme me të cilën tashma ishte mësue. Pa dallim Feje, mund të themi ju gjetën njerëz në kohën ma të vështirë kur ishte mjaft i shtymë në moshë dhe i smurë ndër kushte të randa shëndetësore. Një vajze shkodrane, e quajtun Luigjina Leka, nuk i la asgja mangut kushrinjve shumë të dashtun që ishin rreth tij dhe i mbyllën sytë. Atë ditë ka kja Shkodra mbarë! Ai vertetë kishte moshen 87 vjeçare, po njerzit e dashtun asht shumë e vështirë me i harrue kur Ata lanë kujtime të mira! Me datën 28 korrik 1988, populli i Shkodrës, pa dallim Feje, përcolli për në banesën e fundit At Pjeter Meshkallen, Atdhetarin e flaktë dhe të vendosun në Idealin e Tij. Dijetarin mendjendritun e punëtorin e palodhun për unitetin e Atdheut, misionarin e vërtetë dhe të vendosun, ushtarin e zdathun të Krishtit, luftëtarin e demokracisë dhe të Drejtave Njerëzore në Shqipni, mësuesin e rinisë dhe kundërshtarin e pathyeshëm përballë diktaturës komuniste, që ishte nder ma të pergjakshmet që ka njohtë sistemi i dhunës dhe i vrasjeve barbare në krejtë Europen Lindore. Shqipja me kthetrat e Saja ka skalitë në një shkamb:

“Edhe një Hero ma pak!”…

Melbourne, Janar 2021.

 

 

Pjesa III

 

AT PJETRI ISHTE GUR’!

 

Mos u habitni!… Nuk asht epitet i vumë prej mejet, po asht një jetë e tanë që e provon këte thanje. Asht një jetë e njënit prej Atyne “Gurve” që nuk besoj se i vjen ma Shqipnisë sonë!

Kam dishirë me shkrue për një Burrë që thirrej “Pjetër”, që do me thanë “gúr”, e që me të vërtetë kje gúr, bash një prej Atyne Gúrëve të Kishës Katolike Shqiptare, kundër së cilës, dyert e ferrit s’muejtën me fitue. Sa do të mundëm me qitë në pàh karakterin e Tij burrnor e fisnik, e mbi të gjitha até atdhetar e fetar, kryesisht përpjekjet e Tij për unitetin e Atdheut e të Popullit, këte nuk e di, pse do të duhëj me pasë një kulturë të gjanë për me përshkrue Até, që, mjerisht, komunizmi na la pa atë kulturë. Ky asht i Nderuemi At (Padër) Pjetër Meshkalla S.J., ose si e njohu gjithë Shqipnia: PADËR  MESHKALLA.

Padër Pjetër Meshkalla S.J., Meshtar Katolik, jezuit shqiptar I “Shoqnisë Jezu – S.J.”, ka lé në qytetin e Shkodrës me 25 shtator 1901, në një shtëpi përdhese në fund të rrugës së “Daulles”, në krahun e majtë, aty ku banonte Zef Alimhilli.

Mbas mësimeve të para që mori në vendlindje, shkoi për studime teologjike në Linz të Austrisë. Atjé, në vitin e dytë u  sëmue, kështu, në vitin e tretë, u bashkue me Don Kolec Prennushin, që ka kenë daja i em dhe sëbashku vazhduen studimet deri në vitin e fundit. Don Koleci, ishte një vit ma i ri (datlindja 1 janar 1902) dhe vdiq i ri me 2 korrik 1950, mbas 11 muejsh hetuesi në Shkodër. Ai vdiq prej zemrës që, si duket, iu shkatrrue prej torturave të Sigurimit të Shtetit komunist.

Nana e Tij, pra gjyshja eme, që e thirrshim Nana Nine, çdo ngjarje të jetës së Don Kolecit dhe të rinisë studentore të Tij e lidhte me Padër Pjetër Meshkallën, që aso kohe ishte në burg, kohë në të cilën unë nuk e njihja fare, mbasi kur ishte arrestue Ai në vitin 1946, në Tiranë, unë kam kenë i vogël, 6 vjeç, në Shkodër. Gjyshja na tregonte se, kur djelmët ishin në Austri (kështu i thërriste ajo, mbasi i konsideronte të dy të vetët), gjatë Luftës së Parë Botnore, të dy kishin humbë për 10 muej dhe nuk kishin asnjë dijeni ku ndodheshin ata. Aq e kishte vuejtë atë kohë, sa për pak javë, na thonte gjyshja, më kanë rá të gjithë flokët e kresë, mbasi flitëj se atje gjendja ishte shumë e randë dhe e vështirë, madje ma keq se në Shqipni. Njerëzit vdiqnin urije. As shkolla e as konvikte nuk kishin funksionue mâ. Lufta kishte marrë përmasa përditë e ma të mëdha.

Një mjek ushtarak austriak, që aso kohe banonte në shtëpinë e  gjyshit tem, Pjetër Prennushit, ose siç njihëj nga rusnjanët, Tukja i Kolë Dedës, që ishte edhe vëllaj i madh i At Mati Prennushit O.F.M. (Provinçial i Fraçeskanëve të Shqipnisë, që u pushkatue me 11 mars 1948), i premton gjyshit se nëpërmjet ushtarëve austriakë, që shkonin me çue informacionet në Vienë, ai mund të dërgonte atje edhe një paketë të vogël me ushqime, rreth 500 gr., ku futeshin dy rriska bukë të thata dhe  në mes të tyne edhe dy rriska proshutë për me ia çue Kolecit në Linz. Paketa nisej çdo dy ditë, por asnjë përgjigje nuk vinte  prej andej mbasi ushtarët nuk këthenin ma në Shqipni. Lidhje të tjera nuk kishte. Kur mbas 10 muejsh të humbun, pushoi. Lufta, djelmët u kthyen të dobsuem, asht’ e lëkurë, në Shqipni, dhe treguen se kishin jetue në një shtëpi të një austriaku, që nuk kishte pasë bukë as për veti, por jetesa e tyne kishin kenë dy rriskat e bukës së thatë e proshuta, që shkonte nga  Shqipnia, e që njenën e kishte hangër Koleci, ndërsa tjetrën ia kishte dhanë shokut të vet, Pjetrit.

Ç’ prej asaj kohë e deri në vdekje, Padër Pjetër Meshkalla ka kenë një Mik i përjetëshëm i familjës sonë, kushrinjve me nipa e mbesa të Don Kolecit. Mbas këthimit në Shqipni, daja u ba prift. Pjetri zgjodhi rrugën e Urdhnit Jezuit S.J.

Ai vazhdoi plotësimin e moshës 33 vjeçare me studime mbasuniversitare në Poloni, Itali etj., dhe mbas Shugurimit meshtar, u këthye në Atdhé, ku filloi punën si mësues në shkollën fillore të Jezuitëve në Shkodër, e ma vonë professor po në Seminarin e tyne aty ku asht edhe sot Emni i Tij.

Kur nana e Tij, Agëja, shkonte me e pa Padër Pjetrin aty të mbyllun në kuvendin e Jezuitëve në kohë dimni, pa zjarr e pa ngrohje, zemrohej me të birin dhe i thonte: “Ik mor prej këndej, pse rri këtu! Bukuri Don Koleci, prift e me të gjitha kushtet…”. Ajo bisedonte edhe me gjyshen tême për këtë problem, por ishte kot!… Ai nuk kthehëj mâ prej rrugës që ishte nisë, rrugë në të cilën mbylli jetën e Tij plot lavdi. Kishte kënaqësi të madhe kur na të rijtë i kujtonim vëprimet e  nanës së Tij, me detaje ashtu si na i kishte shpjegue gjyshja né dikur… Fëtyra i merrte pamje tjetër, u çelte, qeshte, ma pare se çdo pjesë tjetër e fëtyrës i qeshnin sytë, që i vezullonin, e për ata që e njohën, ata sy ishin të paharrueshëm për ambëlsinë joshëse të Tyne, po edhe për shkëndijat që nxirrnin kur e lypte rasa. Besoj i kujtojnë mirë Ata sy të gjithë ata që ishin të ulun në podin e Institutit Pedagogjik të Shkodrës, e besa edhe ata që folën prej auditorit, mbasi edhe na që ishim  në rrugë, kurr nuk mund të harrojmë Burrin e shkurtë mjedis oficerëve e xhelatëve të Sigurimit, që e morën me mendimin se mosha e madhe do të bante të vetën e populli i Shkodrës, nuk do ta shihte kurrma… Po, “Trimat kanë oren çuet!”

Unë e njoha Padër Meshkallën për fëtyrë mbasi doli prej burgut të parë, aty nga vitët 1961-62, kur erdhi për vizitë në shtëpinë tonë, tashma që nuk ishte as Don Koleci, por as nana Nine, e cila kishte vdekë pak kohë ma parë, po ishin motrat e Don Kolecit, ose ma mirë me thanë edhe motrat e Tij, që i desht dhe i respektoi si një vëlla i mirë. Vinte shpesh sepse gjente ngrohtësinë e të gjithëve, dashni e ngrohtësi të cilën Ai e gjeti në të gjitha votrat e Shkodrës, ose ma mirë me thanë në secilin prag dere ku i shkeli kamba.

Kujtoj një ditë, e pashë tek dera, dhe simbas zakonit, e ftova me hy mbrend për një kafe, por ai nuk erdhi. Më diftoi se ishte nisë për vizita të largëta prej shtëpisë, po shkonte për festën e Bajramit ndër disa miqë Muslimanë. Të parën vizitë e bante tek Hafiz Ali Tari, mandej me radhë për tri ditë shkonte ndër shtëpijat e atyne Muslimanëve për të cilët ruente kujtime të mira nga jeta e burgut, që kishte kalue me tá. Edhe ata ia kthenin vizitën, por ajo që do të vê në dukje asht tjetër gja, se kur hyni të dytën herë në burg, ata e kujtuen dhe e ndihmuen edhe materialisht deri ditën që doli prej burgut. Lutja e Tij ishte e barabartë e me fryt për të gjithë pa dallim Feje.

Fjala e Tij ishte mësim e dashni për të gjithë. Ai gjithmonë personifikonte të vërtetin dhe të pagabueshmin. Fjala e Tij nuk diskutohëj prej askujt.

Ja se çfarë shkruen për Té i nderuemi Profesor Arshi Pipa: “Në kjoftë se kam shpëtue nga burgu i Burrelit e jam sot i gjallë, i detyrohem lutjeve të njerëzve si Padër Meshkalla e të tjerëve, të cilët kujtoj se kanë kontribue në determinimin e fatit tem”. (Intervistë e dhanun për revistën “Kumbona e së Diellës” Shkodër, 1993).

Tregojnë se, kur bahëj ndonjë debat në diskutimet që zhvillonin të burgosunit mes besimëve të ndryshme për problemët filozofike apo teologjike, Hafiz Ali Tari, ndër fetarët ma të kulturuem të Fesë Muslimane, u thonte të gjithve në mënyrë të preme: “Kjo çashtje qëndron kështu, sepse kështu ka thanë edhe Pader  Meshkalla”!

Shenim nga F.Radovani: Figurat si At Meshkalla, nuk kanë nevojë asnjë per sterzgjatje ngjarjesh. Besoj nuk gabohem!      

Melbourne, 12 Janar 2021.

 

Pjesa IV

 

1947: Burgu i Burrelit per rininë ishte edhe një “Universitet”.

Në burg të Burrelit, njëherë, i nderuemi Ibrahim Biçaku (ish kryeministër i Shqipnise në 1944), nuk binte dakord me të nderuemin Gjergj Kokoshi për një problem filozofik në fushën politike e për me përcaktue përfundimin e bisedës vendosën me e mbyllë bisedën ashtu si do të thonte Padër Meshkalla…

Ai me të gjithë bisedonte për çdo problem pa pritesë, madje me dashamirësi. Ai i kishte vue vedit detyrë që duhet të bajmë shka asht e mundun për përparimin dhe unitetin e Atdheut.

Po, duhej “thérë” për me dashtë me e ba me folë, atëherë, dhe ata që e njohën, besoj e kujtojnë portretin e Tij fisnik, të vendosun e të pakthyeshëm. Fliste me buzë të afrueme, paksa e shtërngonte nofullen, me një zâ të lehtë e mollzat e faqeve i kuqeshin si dy kokrra qerrshia, që e banin edhe ma të freskët fizionominë e Tij, merrte pamje me ngjyrën e bukur të një djalit të ri, si të drandofillës, ashtu si kishte forcën e Shpirtit.

Në rrethet “Shën Gjon Bosko” të themeluem në Shkodër në vitin 1934, si edhe atë të “Shën Pjetrit” në Tiranë në vitin 1937, Ai bani një punë të madhe me të rijtë, sidomos kundër ideve komuniste, fashiste, ateiste e antiatdhetare, që aso kohe po përhapëshin në Shqipni. Në pranverën e vitit 1940, kur Shqipnia ishte e pushtueme nga Italia fashiste, e cila veç tjerash kishte dhunue edhe Flamurin tonë Kombëtar, Padër Meshkalla, bashkë me At Gjergj Fishtën (që ndodhej për vizitë në famullinë e Tij, në Tiranë), u folën nxanësve që ata mos me përshëndetë në mënyrën fashiste. Për këte Ai asht konsiderue “i padëshrueshëm” nga autoritetët fashiste.

Kujtimet e nxanësve të Tij pasunojnë veprën atdhetare të periudhës së pushtimit fashist, nazist e ma vonë, atij sllavo-komunist, vepra për të cilat kanë shkrue e do të shkruejnë, mbasi ata nuk e harrojnë asnjëherë mësuesin e tyne Padër Meshkallën. Madje, ata në shênjë nderimi për veprat e Tija, me rastin e katër vjetorit të vdekjës i kanë ndërtue edhe vorrin, ku sot prehen eshtnat e Tij.

Pikëpamjet e Tij politike janë kenë të shprehuna haptas dhe të njohuna prej të gjithëve. Ai ishte kundër çdo lloj diktature. Ishte antifashist, dhe këte, përveç faktit të sipërm, e vërteton edhe qëndrimi i Tij i vendosun atdhetar dhe i premë kundër disa veprimeve në lidhje me ndonjë jezuit italian në Shkodër, gja për të cilën u transferue në Tiranë nga eprorët jezuitë në vitin 1937. Ai qëndroi në mendimet e Tij edhe në Tiranë.

Këte e vërteton letra që Ai i ka dërgue Vatikanit për largimin e Delegatit Apostolik nga Shqipnia, për pikëpamjet e tij fashiste dhe antishqiptare. Ndoshta për këte, komunistët e quejtën “fashist”!… Ai ishte kundër nazizmit dhe për këte flet fakti i strehimit të popullsisë së Tiranës në refugjion pranë qelës së Tij, kur ata po ndiqeshin nga forcat gjermane. Ishte Padër Meshkalla, ashtu si shumë klerikë të tjerë, tue perfshi këtu edhe misionarët Don Alfons Tracki e At Zef Maksen (të dy të pushkatuem nga komunistët si agjentë të nazistëve gjermanë), sepse u dolën me gjoks përpara ushtarëve nazistë, madje edhe ndaluen reprezaljet e tyne kundër shqiptarëve si dhe ebrejve që nuk ishin aq pak në Shqipni. Ai ishte kundër diktaturës komuniste dhe këte e vërteton gjithë jeta e Tij e martirizueme.

Në vitin 1945 Ai u takue në një shtëpi të Tiranës me Mehmet Shehun, që njihej një ndër terroristët e grupeve vullnetare të Spanjës, qysh në vitin 1936, dhe ishte Padër Meshkalla Ai, që i tha troç, ndër sy, se çfarë do të banin komunistët në Shqipni, porsa të forcojnë pak pozitat shtetnore. Kur Padër Meshkalla i        tha: “Ju do të kërkoni me zhdukë Fenë me dhunë, se ky asht   parimi i parë i komunistëve, aty ku ata marrin pushtetin, dhe Kishat e Xhamijat ju do t’i këtheni në klube dhe kinema”, Mehmeti iu përgjegj: -“Kjo është vetëm propagandë e atyre që nuk e duan pushtetin tonë popullor dhe kërkojnë për të na armiqësuar me popullin, kjo nuk do të ndodhë kurrë në Shqipëri!”… Më tregonte dhelpninë e Mehmetit për me muejtë me hjekë një ashkël në kokën e Padër Meshkallës, në lidhje me shkëputjen e Klerit Katolik Shqiptar nga Vatikani dhe Papa.

Përgjegja e Padër Mëshkallës merret me mend cila ishte!…

Një prej nxanësve të Tij me tregonte njëherë, se një prej  shokëve të shkollës, tue luejtë me top, kishte thye një xham.

Padër Meshkalla, sa hyni në klasë, u thotë nxanësve: Të çohet në kambë ai që ka thye xhamin me top!

Një prej nxanësve çohet dhe i thotë: -Xhamin e ka thye X-si.

Padër Meshkalla, mbasi e nxori nxanësin që foli para klasës, e ndëshkoi me një shputë dhe i tha: Unë nuk të thashë me më tregue ti kush e ka thye xhamin, por kërkova me u çue në kambë ai vetë e me më tregue, mbasi kjo që ban ti asht që ti me u ba spijuni i shokëve tuej, prandej të ndeshkova. Fajtori duhet të ketë guximin me diftue ai vetë fajin e vet! Ai ndëshkonte veset e sidoemos até të  spijunit që në shfaqjet e para. Qé pra, kjo ishte ajo edukata jezuite, që Padër Meshkalla i jepte rinisë sonë Shqiptare!

Melbourne, 21 Janar 2021.

Please follow and like us: