Marrëdhëniet racore dhe roli i Presidentit Obama
Incidentet e bujshme të javës së kaluar që lanë të vrarë një numër njerëzish, ndër ta edhe pesë policë, kanë ndezur debatin për marrëdhëniet racore dhe kanë zgjuar pyetje për rolin që po luan presidenti i parë afrikano-amerikan në vend për t’i përmirësuar këto marrëdhënie dhe për të shëruar plagët. Presidenti ka thënë se vendi ka bërë përparim të konsiderueshëm, por mbetet ende shumë punë përpara: Në shumë qytete amerikane vazhdojnë protestat ndaj asaj që shihet në disa komunitete si brutalitet policor kundër pakicave. Dy video të regjistruara me celular javën e kaluar, që tregojnë dy afrikano-amerikanë duke u qëlluar nga afër nga policë të bardhë, një në Luiziana dhe tjetri në Minesota, kanë shkaktuar revoltim dhe nervozizëm tek shumë amerikanë. Të enjten, një person i armatosur hapi zjarr ndaj policëve që ruanin rendin gjatë një demonstrate paqësore në Dallas. Pesë policë u vranë. Gjatë turneut në Poloni, Presidenti Obama tha se regjistrimet me video të përplasjeve fatale me policinë i kanë bërë njerëzit të vetëdijshëm për këtë problem që ka ekzistuar prej kohësh: “Për afrikano-amerikanët, apo latinot në epokën para telefonit inteligjent, nuk mendoj se njerëzit e dinin se kishte prova për paragjykime racore në sistemin penal. Ky fakt është dokumentuar dhe provuar”. Pas trazirave ka lindur edhe pyetja se si do të kujtohet Presidenti Obama në lidhje me marrëdhëniet racore. Ai ka thënë se rolin e tij do ta gjykojë historia, por ka shprehur gjithashtu optimizëm se e ardhmja do të jetë më e mirë për vajzat e tij, Malia dhe Sasha: “Nëse kam qenë i vërtetë dhe pozitiv në ato që kam thënë, do të shpresoja jo se mund të zgjidhen gjërat menjëherë, por që të kem ndikuar tek nxjerrja në pah e problemeve, tek përkufizimi i tyre; shpresoj që të kem krijuar forumin për t’i diskutuar dhe për t’u ballafaquar me to, në mënyrë që të gjenden zgjidhje praktike. Shpresoj që duke u nisur nga ky këndvështrim të jemi në përmirësim të vazhdueshëm”. Presidenti Obama, gjatë vizitës sot në Dallas, do të flasë në një ceremoni përkujtimore për policët e vrarë, ku do të jetë edhe ish-presidenti George Bush. Por disa figura nga komuniteti afrikano-amerikan e kanë kritikuar reagimin e presidentit, ndër ta edhe Tavis Smiley, prezantuesi i një emisioni televiziv në kanalin PBS. Në një artikull-opinion për gazetën USA Today, ai e kritikon presidentin se nuk ka vizituar Luizianën dhe Minesotën ku javën e kaluar u vranë dy afrikano-amerikanë nga policë të bardhë. Por presidenti i përmbahet bindjes se do të duhet kohë për të ndrequr marrëdhëniet e trazuara racore. Ne mbjellim një farë, thotë ai, që të tjerët një ditë të ulen në hijen e pemës.