Albspirit

Media/News/Publishing

VII. FRITZ RADOVANI: 2021, VITI AT PJETER MESHKALLA S.J.

Pjesa XLIV

 

NANË, KTHEJU!

 

Si shkambi n’për rrymë të shekujve,

muret qendrojnë jetike

ngulun për rranzë thëmeleve,

të Rozafës sonë kreshnike.

 

Dhe sot, që, féja nipave

shpresët e të Parëve ndritoi,

lè të shkruhet mbi ballë të mureve:

“Nanës, që na vorfnoi”.

 

Njâsaj, që’i ditë prej sulmeve

të kulçedrës me shtatë krena,

na u bâ mburojë e, të nêmuna

s’duroi t’ i shohë këto dhena.

 

Njasajë.., por vaj, na fajeve

në verbim s’u vume cak

e Nanës iu randue zemra,

iku edh’e la këte prak!

 

O ju, që parzme hekuri

luftuet për bésë e fé,

idhtë tue valvitun Flamurin,

Shejtnue me gjak e bé,

 

zgjonju nën rrasa të heshtuna,

ngrihnju me pa mjerim!

Ndihma e Arbënisë, e pamposhtuna ç’u ba?…

Si drita u shkim!..

 

Po a kurr, thue, ma kurr Virgjina

-me gjâmë kah thrret Shqipënia,-

s’do të ndrisë, si ndriti moteve

përbrijë Rozafës… MARIA?!

 

Tepër lënguem këso shtigjeve

si fëmija mbetë pa Nanë,

për né ma dritë nuk lëshuene

as hyj, as diell, as hanë!

 

Po a kurr, ma kurr, s’do të ngrohemi?

Pa shpresë do të rrijmë e të presim?

Po a heshtun gjithmonë vallëja

do të ngeli, në terr kah dënesim?!

 

Jo, jo! Pse qiellëve të epëra

Zoti me dorë të vet

ka shkrue: “E Zojës asht Shkodra,

e, Zoja e Shkodrës së vet”!

 

Qé, ké ato mure të ndrituna,

-zemra m’a ndiën,

-qé’i zani një populli në hov të galdimave,

tue brohoritë: “O ngâni!..

 

Ktheu, N A N A!” O, ditë

ma e bukra që Arbënia prét, ago!

Nanë ktheju, e, në mburoje të hireve

në Fé Shënjte na vëllazno!

Shkodër, 1927.

 

16 TETOR…

Afer Rozafës së Shkodres…

Zoti me dorë të vetka shkrue:

“E Zojës asht Shkodra,

e, Zoja e Shkodrës së vet”!

Melbourne, 14 Tetor 2021.

 

Pjesa XLV

Me të vërtetë, as anmiku ma i tërbuem i Pushtetit s’ka muejtë me u ba një propagandë ma anmiqësore në 22 vjet, sa i keni ba vedit”. At Pjeter Meshkalla S.J. (1967)

■“Jalta polli turpin për fizionominë e Botës së pasluftës”.

  • Vazhdojmë me dokumenta të botueme:
  • Lexoni tek libri “I dashur Stalin…” Letërkëmbimi i plotë i Fraklin D. Ruzveltit dhe Josif V. Stalinit. Radaktuar dhe pajisur me shpjegime nga Susan Butler,

Parathënia nga Arthur Schlesinger, Jr.

Përkthye nga Olgerta Visi, Shtypur nga “KRISTALINA-KH”, Tiranë 2006.

  • Faqe 240:

“Ruzvelti – 134 –

12 Tetor 1943

Mesazh personal për mareshal Stalinin

Badolio do t’i shpallë luftë Gjermanisë me 13 tetor. Bazuar në marrëveshjet e traktatit të mëparshëm, Aleatët do të sigurojnë ndihmë ajrore dhe detare në Azore. Ruzvelt

  • “Stalini – 135 – 14 tetor 1943 Stalini, drejtuar Ruzveltit

Mora mesazhin tuaj të datës 13 tetor. Ju falënderoj për informacionin e vënë nën dispozicionin tim. U uroj forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe suksese të mëtejshme.”

  • Faqe 360:

Çërçill shkon në Moskë tek Stalini. Me të mërritur në Moskë në mbremje të po asaj ditë (10 tetor 1944), i propozoi Stalinit të ndanin Ballkanin si më poshtë: “Lè të zgjidhim përfundimisht problemet tona në Ballkan. Armatat tuaja ndodhën në Bullgari… Lè të lidhim marrëveshje midis nesh – Britanisë dhe BS-së.

Si do të gjykonit, do të ishit të kënaqur sikur të kishit nën kontroll 90 për qind të Rumanisë, ndërsa né 90 për qind të Greqisë dhe, Jugosllavia të ndahej përgjysëm?”…

Më pas sipas pohimeve të Çërçillit,

  • “Stalini mori shkumsin me ngjyrë blu dhe bëri një shenjë V miratimi mbi planin e paraqitur. Gjithçka ishte zgjidhur sa hap e mbyll sytë, më shpejt se të ulesh e të ngrihësh.”
  • Faqe 399: “ Jalta. 6 shkurt 1945.

I dashur mareshali Stalin,

…Jam i vendosur të ndërmarr çdo masë të mundshme që marrëdheniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik të mos cenohen aspak. Sigurisht që pikëpamje të ndryshme do të ketë, por do të gjejmë gjithmonë gjuhën e përbashkët dhe një mënyrë për të sheshuar mospajtimet…

  • Sinqerisht i juaji Franklin D. Ruzvelt”.

Shenim F.Radovani: Në vitin 1956 sovjetikët e dënuen Stalinin, ndersa, ne vazhdojmë me i konsiderue “heronjë” pasuesit e tij terrorist’ e vrastarë tek na, edhe sot në Shqipni.

E, deri kur ky turp tue u hanger me bukë?!

Melbourne, 19 Tetor 2021.

 

Pjesa XLVI

 

■Çka parashikonte AT PJETER MESHKALLA S.J. nga këto libra Diplomatësh mbi 75 vite para?

“Shqipnia prej shiut shkoi e ra në breshën”.

Për mos me ndikue lexuesin e këtij materiali me mendimet e mija në lidhje me këto ngjarje tragjike të fatit të popujve të Botës, do të kaloj në disa dokumenta tjera shumë me rendësi, që i përkasin po kësaj periudhë historike të Luftës së Dytë Botnore.

■HENRY KISSINGER “DIPLOMACIA”, “Leximi në kancelaritë e Perëndimit, duhet të fillojë detyrimisht nga ky libër”Alan Clark, The Times.

Përkthye P. Pojani; Red. M. Raxhimi. Tiranë: Shtëpia Botuese e Lidhjes së Shkrimtarëve, 1999. Shtypur në Shtypshkronjën LAERT Tiranë, 1999.

Henry A. Kissinger asht betue me 22 shtator 1973, si Sekretar i pesdhjetegjashtë i Shtetit, detyrë që e mbajti deri me 20 janar 1977. Ka marrë çmimin “Nobel” për Paqen në vitin 1973, si dhe çmime të tjera të rëndësishme të Shteteve të Bashkueme të Amerikës.

■Faqe 333: “Stalini futi katekizmin rigoroz të formimit të tij të hershëm fetar në interpretimet e pamëshirshme të botkuptimit bolshevik dhe e shndërroi ideologjinë në një instrument politik…

Stalini ishte vërtetë një përbindsh; por në drejtimin e marrëdhenjeve ndërkombëtare ai ishte realisti më i madh – i duruar, dinak e i paepur.

Risheljeja i kohës së vet… Rreptësia e Stalinit shtrihej vetëm në ideologjinë komuniste.”

■Faqe 337: “Fobia e Stalinit u shpreh gjerësisht në eleminimin prej tij të të gjithë kundërshtarëve poltik, të mundshëm, të brendshëm dhe në vrasjen e internimin e miljona të tjerëve që e kundërshtonin atë, vetëm në fantazitë e tij”.

■Faqe: 339: “Rasti ishte Kongresi i XVIII i PK të BRSS,

…Mbledhja e parë mbas pesë vjetësh… nga 2000 delegatë, merrnin pjesë vetëm 35 nga ata të pesë viteve më parë; 1100 të tjerë ishin arrestuar për veprimtari kundërrevolucionare; ishin likujduar 98 nga 131 anëtar të komitetit qendror, sikundër edhe tre nga pesë mareshalët e Ushtrisë së Kuqe dhe 11 zëvendëskomisarët e mbrojtjes, të gjithë komandantët ushtarakë të rajoneve dhe 75 nga 80 anëtarët e Këshillit të Lartë të Mbrojtjes”.

■Faqe 343: “Çdo ushtri “çlirimtare” sovjetike do të kthehej në një ushtri pushtuese”.

■Faqe 344: “Stalini, i cili e ndjente që lufta është e paevitueshme, donte përfitimet nga lufta, pa marrë pjesë në të”.

■Faqe 370: “Çdo udhëheqës i madh ka rrugën e vet…Ruzvelti kishte krejt karakterin, energjinë e mjeshtrinë e diktatorëve dhe ishte në anën tonë”.

■Faqe 371: “Deri në raportin para Kongresit mbi Jaltën me 1945, Ruzvelti qëndronte gjithmonë më këmbë sa herë që mbante ndonjë fjalim të rëndësishëm. Duke qenë se media i përshtatej përpjekes së Ruzveltit për të luajtur rolin e tij me dinjitet, shumica dërmuese e amerikanëve, asnjëherë nuk e kuptuan sesa i gjymtuar ishte Ruzvelti ose perceptimet e tyre kishin ngjyra mëshire… Ishte një kombinim i papërcaktuar i manipuluesit dhe ëndërrimtarit politik. Ai drejtonte më tepër në bazë të instiktit, sesa analizës…”.

■Faqe 396: Ruzvelti deklaroi: “Britania e Madhe duhet të mbronte Europën, pa asnjë ndihmë nga Amerika… Unë nuk dua që Shtetet e Bashkuara të kenë barrën e rindërtimit të Francës, Italisë dhe Ballkanit…

■Në shkurt 1945, në konferencën e rëndësishme të fituesve në Jaltë, Ruzvelti qortoi Çerçillin në prezencë të Stalinit.., ai vuri në lojë qellimin e tij…”

■Faqe 410: “Ruzvelti mbështetej në marrëdhënjet me Stalinin në një mënyrë që Çërçilli kurrë nuk do ta bënte..,në Teheran nga 28 nëntori e deri me 2 dhjetor 1943, dhe në Jalta nga 4 deri me 11 shkurt 1945.

…Ruzvelti parapëlqente të shihte te Stalini më mirë një mik si xhaxha, sësa një diktator totalitar.”

■Faqe 443: “Stalini mundi të impononte kufijtë e Europës Lindore, pa ndermarrë një rrisk të tepruar, sepse ushtritë sovjetike i kishin pushtuar këto zona. Por, kur puna erdhi për të imponuar regjime të tipit sovjetik në këto territore, ai u tregua shumë më i kujdesshëm.

■Dy vitet e para pas luftës, vetëm Jugosllavia dhe Shqipëria vendosën diktatura komuniste.”

Shenim nga F.RADOVANI: Mendoni pak minuta dhe shikoni se, në çfarë llomit na zhyti komunizmi !!

At Meshkalla shpesh persëriste: “Ndaj Klerit Katolik u ushtrue një Gjenocid i vertetë, i panjoftun n’ Europën Lindore komuniste… Torturat janë kenë në heuesitë tona të pakrahasueshme me vendet tjera komuniste…

Nuk duhet me harrue fjalët e Kardinalit Minzenti, në Revolucionin Hungarez të vitit 1956, që pat thanë se, po rashë në duart e komunistëve, mos merrni asgja për bazë se çka mund të flas mbas arrestimit, mbasi torturat mund të me bajnë mos me kenë ma ky që jam sot; e sigurisht, torturat e Sigurimit Hungarez as, nuk mund të krahasohën asnjëherë me torturat e Sigurimit Shqiptar. Po, ajo që asht edhe ma keq tek na sot, edhe: Pa asnjë shpresë shpetimi” (1964).

Melbourne, 24 Tetor 2021.

 

Pjesa XLVII

1967 Mars: Mbas fjalimit të Ever Hoxhës me 6 Shkurt 1967, po pritej shperthimi i vendimeve të fazës fillestare, që zakonisht mushnin hetuesitë me të pranguem. Këte herë ishte përgatitë opinjoni i burgosjeve të Klerikve katolik, mbasi kishte mjaft që nuk ishin pajtue me mbylljet e Kishave e luften kunder Fesë…

Sigurisht, ky “Revolucion Ideologjik e Kultural”, nuk mund të mirpritej kurrsesi nga Populli Shqiptar, që nuk kishte asgja të perbashkët me ideatorët e popullit “vlla” kinez të shokut Mao.

Frika kishte trokitë fillimisht prej dyerve të zyreve të nalta dhe ishte shpernda deri nder thellsitë e shpellave nder Malsi…

Në mbledhjen e organizueme në komitetin ekzekutiv Shkoder, qendrimi i disa klerikve katolik ka tregue haptas mospajtimin e tyne me “mbylljen e Kishave e braktisjen e Fesë” me dhunë.

Pak ditë para arrestimit të dytë At Meshkalla i ka tregue Nanës s’eme se do të arrestohet, sepse i kishte shkrue një letër kriminelit Mehmet Shehu për “Revolucionin Kultural” në Shqipni… Mbasandej, “…edhe ndonjë meshtar që ka pasë kenë në burg, ka vdekë, e asht e nevojshme me hy dikush prej nesh mbrendë, se aty rinia ka shumë nevojë për meshtar, mbasi ndër burgje janë shumë të rijë dhe njerëz që janë dëshprue nga mërzia dhe pesimizmi, që janë tue kalue tash sa vite e vite nder vuejtje pafund po, edhe pa asnjë shpresë të ndrrimit sistemit.

Asht e nevojshme prania jonë aty…”.

Duhet vu në dukje se ajo amulli e pashpresë ishte edhe jashta dyerve të burgjeve dhe kampeve të punës e atyne t’ interrnimit. Kudo frikë, arrestime, pushkatime, interrnime e persekucion.

Popullit Shqiptar thonin pleqtë “i ka këndue qyqja!”… At Mëshkalla nuk u pajtue kurr me “Mbyllje të Kishave”!

Ato ditë para se të arrëstohej Mëshkalla, shkoi në një familje dhe porsa hyni në atë shtëpi, plaka që po mbante një nip të vogël (L.K.L.) në dhomë, i tha: “Qyqja, mor Padër, nuk di si flet kështu kundër këtyne, sa mirë nuk i ke frikë, sa trim je”!?

– Ai ju përgjegj: “Unë nuk jam trim, po unë po të pyes dishka, ba me ardhë dikush e me të thye shtëpinë dhe me kërkue me të marrë djalin e vogël, shka ban ti”?

–“Prite Zot!…”-Tha plaka- “as unë nuk e di shka baj për këtë djalë!…” –“E pra, kështu asht edhe puna eme, komunistët duen me më marrë Krishtin, që unë e kam në shpirt’ e në zemër, unë nuk do t’ ua lëshoj për së gjalli! E po kje nevoja unë do të nap edhe jeten të cilen, unë ja kam kushtue Atij!”.

Pa kalue pak ditë, u arrestue dhe u dënue 10 vjetë burg…

Në vitin 1977, At Mëshkalla u lirue nga burgu. Mbas lirimit erdhi përsëri në Shkodër, në “çerdhën e vjetër”.         Nuk shihej shumë si përpara. Një ditë u ndeshëm ballë për ballë, u ndala dhe u përqafuem. Me tha se më kishte pa edhe një herë tjetër, por kishte kujtue se kam frikë me u ndalue me Té. Unë nuk e kisha pa. E pyeta nëse dilte për vizita e më dha atë përgjegje që i kishte dhanë edhe nanës seme pak ditë ma parë: “…Tashti shoh se jam plakë, nuk mundëm me durue ma ato vështirësi që kam kalue në hetuesina e burgje, e do të ruhem mos me u arrëstue ma, se kam frikë se më torturojnë e me lodhin dhe nga mosha e madhe, tashti edhe mundet të turpnohem për gjithë jetën”!

I kishte mbetë në kujtesë një enciklopedi shtatë volumesh e Trecanit që i pata dhanë nga librat e Dajës Don Kolec, perpara se të arrestohej, të cilen mbasi u lirue nuk e ka marrë ma nga personi që ia ka dhanë… Kerkonte me dijtë prej mejet se shka mund të pretendoj unë si shperblim në të holla. E shikova në sy dhe mbasi u perqendrova në shikimin e Tij, e rroka fort dhe i thashë: “Shperblimin e librave ka dashtë Zoti, e kam marrë atë ditë kur mora vesht se jeni lirue dhe jeni shndosh e mirë…

Asht kenë një nder lajmet ma të gzueshme të jetës seme ardhja  Yte në shtëpi e mërritja e asaj dite, që me ankth e kemi pritë. Kalofsh me shndet e qetsi shpirtnore në shtëpinë Tande… Per shka Ju ka humbë na pastë marrë të keqen! Desht Zoti e u pame prap… Premtoi i Madhi e po Ju shof shndosh e mirë dhe, uroj të shihemi prap si perpara, e Ju ndigjofsha zanin e mirë!

***

Kur vdiq Nana, në vitin 1984, si dhe tezja Rozë, në vitin 1987, Pader Mëshkalla ka ardhë, ka thanë uratë tek kambët e Tyne dhe ka bekue Trupat e vdekun të tyne. Ai ka ardhë si vinte dikur, kur Ata ishin gjallë. Ai bashkë me né në ato ditë ndjente dhimbjen e madhe të vdekjes së Motrave të Tij, mbasi Ai kje gjithmonë një Vëlla i mirë i tyne… Kur unë i hapa biseden per pamundsinë e rrëfimeve të Tyne të Fundit, Ai bani buzen në gaz dhe më tha: “Mos u ban marak, se gjithshka asht rregullue dy tri ditë perpara. Ka dashtë Zoti e kam ardhë këtu, e asht krye gjithshka në rregull. Sikur ma ka ndij zemra perpara se u donte me ardhë me i pa dy Motrat e mija. Pushofshin n’Paqë”!

Vertetë që At Meshkalla shihej rrallë, po syni i shkelqente… Ruente kujtimet e freskëta ashtusi kishte edhe Shpirtin!

Melbourne, 28 Tetor 2021.

 

Pjesa XLVIII

“NDERGJEGJA, E VERTETA DHE E MIRA…”.

Në rreshtin e fundit të letres që i dergoi kryeministrit Pader Mëshkalla, shkruen: “Nuk me ka shty me Ju shkrue Shkëlqesë, as urrejtja, as ambicioni, as interesi por vetëm ndërgjegja, e vërteta dhe e mira.” Asht e vështirë me pranue se lexuesi të cilit i drejtohët letra ka mujtë me kuptue se Pader Mëshkalla, me këto pak fjalë, ka thanë një të vërtetë aq të madhe, që nuk mund të kuptohet nga diktatorët, tiranët a terroristët, të cilëve u drejtohej letra. Ata lloj diktatorësh që kishte mbi kokë Populli Shqiptar, nuk mund të dijnë me kuptue asnjëherë se çdo vërejtje që bahet nga një njeri nuk ka qellim kryesor urrejtje, ambicion apo interes kundrejt tyne, e sidomos nga një kundërshtar i tyne, sepse të gjitha këto kushte janë ideja, mendimi e vepra e tyne, që gjithmonë tek ata janë te lidhuna me krimin e organizuem, sepse, vetëm ashtu ata mendojnë se sigurojnë pushtetin personal të “plotfuqishëm e të përjetshëm” dhe, pa asnjë kufizim moral apo njerzor, ashtu siç ishte sistemi totalitar komunist në Shqipni, që kërkonte me çdo mënyrë përjashtimin e Zotit nga historia. Pikërisht aty ku asht urrejtja, ambicioni, interesi, aty asht egoizmi. Ku asht egoizmi, asht kriza shpirtnore. Kriza shpirtnore asht pjesë e pandame e jetës dhe veprës së diktatorëve, tiranëve vrastarë dhe terroristëve të popullit, si dhe shërbëtorëve të tyne.

Për ata monstra, fjalët e Pader Mëshkallës: “…vetëm ndërgjegja, e vërteta dhe e mira.”, as nuk ekzistojnë, janë jashtë botkuptimit të tyne, dhe jo vetëm ata nuk dijnë me i shpjegue, po as nuk dijnë me i kuptue.

Ata nuk veprojnë me ndërgjegje asnjëherë, sepse vetë ky “Revolucion Kultural”, zhvillohet nga “një pakicë e pandërgjegjeshme”. E vërteta dhe e mira janë prap dy cilësi që nuk mund të bashkjetojnë me gënjeshtrën dhe të keqën, me hipokrizinë dhe servilizmin, me torturën dhe vrasjen e kundërshtarit tyne të pafajshem.

Ndersa, ajo që asht edhe ma keq në këta raste, asht inferioriteti moral, edukativ dhe kulturor i një klase pseudointelektuale e terroriste të pashpirtë, kundrejt dijetarëve që kanë vu themelët e kulturës së një shteti përparimtar, dhe që nuk munden me kenë kurrë trathtarë të Atdheut, sepse pabesia dhe trathtia ndaj Popullit dhe Atdheut, janë themelët mbi të cilat asht i ndërtuem sistemi totalitar komunist. Te trija këto cilësi: Ndërgjegja, e vërteta dhe e mira, shkatrrohen dhe shpartallohen në mënyren ma mizore, kur “Një popull asht i lidhun për kafshatën e bukës.” Pra, kur një popull jeton në kushtet e një kafshës së lidhun tek huni i grazhdit të barit të thatë, e do të pijë ujë vetëm kur “kujtohët” diktatori, ndryshej, po kërkoj me zgjidhë litarin, e pret vuejtja, mjerimi e plumbi.

Kjo e vetem kjo, ishte jeta “e lumtur” e Popullit tonë! “Ndërgjegja, e vërteta dhe e mira”, janë e drejta, pikërisht, ajo që mungon gjithmonë aty ku mungon Zoti. e në sistemin komunist asht e padiskutueshme mungesa e Zotit. Anasjelltas, ku mungon Zoti mungon e drejta. Kjo asht edhe një ndër arësyet që ky sistem nuk pranon të drejtën e kritikës ndaj së keqës, që asht pjesë e të drejtave dhe lirive të njeriut.

Pader Mëshkalla asht i vetdijshëm se tek komunistet jo vetem mungon e drejta, po aty mungon edhe dashnia e vllaznimi, e tue mungue të gjitha këto, shpejt do të mungojë edhe uniteti kombëtar, që asht përfundimi ose shkatrrimi i pashmangshëm i Atdheut. Mosnjohja e këtyne vityteve shpirtnore asht shkatrruesi i kushedi sa kombeve e shteteve që sot kanë humb gjithshka, e jo larg kësaj katastrofe asht sot edhe shteti Shqiptar.

Në sistemin komunist “kafshata e bukës”, asht kenë dhe vazhdon me kenë piksynimi i diktatorëve barbar e shpartallues të virtyteve kombtare, të ruejtuna në gjak dhe në shpirt persa shekuj tue sakrifikue edhe jeten.

Pikrisht këta virtyte naltësuen figurat e pavdekshme të Shqiptarve Gjergj Kastrioti-Skenderbe’ e Nanë Tereza.

Melbourne, 1 Nandor 2021.

 

Pjesa XLIX

“SI T’U MBUSH MENDJA O PADER, ME I SHKRUE ATIJ KRIMINEL?!

AT MESHKALLA ju pergjegjë Nanës sime kur e pyeti per leter: “Jam mendue shumë perpara dhe, vetem mbasi Ju luta së Lumes Zojë, me më shndritë mendjen sesi me veprue, Ajo më tregoi mënyren e veprimit. U ula tek tavolina ime dhe i kam shkrue këte leter Mehmet Shehut: Ka nxjerrë një kopjo nga një sirtar dhe ja ka lexue… Tregonte Nana ime se aq ishte tronditë sa, “gati më ra njisend”! Po, a e din o Pader, se kush asht ai kriminel që i ke shkrue, e sa e sa Priften i ka vra ai në Spajë?

  • Po, po, të gjitha i dij, po ashtu më mësoj Zoja e Bekueme! Jam shumë i sigurt se Ajo më ka ndihmue gjithmonë edhe kur unë ishe në hetuesi heren e parë. Ajo asnjëherë nuk më ka lanë me gabue dhe gjithmonë më ka shpetue nga torturat mizore që hetuesit bajshin mbi ne. Persa e sa muej heren e parë, asht pak e vështirë me e besue, po mue vetem një shputë ftyrës më ka ra hetuesi. Prej asaj ditë që Ju mështeta Zojës, nuk më ka prekë ma kush me dorë. E prap tashti, i jam mështetë Asaj… Mandej, kur mendoj aq shumë të pafajshem nder ata tortura e vuejtje pa asnjë mështetje e, pa pasë kush me u lutë per ata, besoje se mendja atje më rrin! Nuk asht koha me mendue ma per vedi! O Pader, Zoja uroj që të shpetojnë, prej duerve t’ atij krimineli se, askush në Shkoder, nuk besoj se ta don të keqen!
  • Ashtu asht. Shkodra e dij se më don me shpirt! Kudo që unë kam hi e kam dalë gjithmonë kam gjetë mikpritjen! Mandej, unë nuk jam mjaftue me vizita vetem nder familjet e besimit Katolik, unë kam shkue n’ familjet e të burgosunve të besimit Mysliman, mbasi per 15 vjetë që ishe në burg unë atje kam nda të miren dhe të keqen me të gjithë njësoj, pa asnjë paragjykim fetar as krahinor e kjo, ka ba që na e kemi ruejtë unitetin tek rinia, tue e largue sa ma shumë prej fanatizmit që, nuk duhet nenvleftësue asnjëherë: Fanatizmi asht dami ma i madh që trashigohet dhe rrenon perjetsisht kombe e popuj…

Nuk ka fat ma të madh se me kujtue djelmët tonë të rij në burg të Burrelit dhe nder kampe pune, tue ndihmue njenitjetrin si t’ ishin vllazen ose kushrinjë, dhe kur ndanin me njenitjetrin një frut pergjysem ose, i piqnin miku mikut kafe si t’ishin vllazen.

E unë e kam ruejtë edhe sot miqsinë me familjet e nderueme t’ atyne vllazenve që kemi kalue vuejtjet e mnershme në hetuesi e burgje, e që koha nuk na ka lejue me i harrue asnjëherë…

Po, ajo ma e randsishmja që unë sot due me të tregue asht edhe kjo që do të shpjegoj tashti: O Vidë, po t’ flas si Motres s’eme, unë kam hi e kam dalë në gjysen e shtëpijave të qytetit të Shkodres. Kudo e kurdo gjithmonë të survejuem e t’ruejtun mbas shpine se, ku po shkojmë, ku rrijmë, me ke flasim, me ke takohemi, e madje, edhe kur shkojmë nder vorre, kujt i napim doren? E ba me i mendue të gjitha takimet tona, sot na fikum e marrim në qafë gjysen e Shkodres, tue llogaritë se të gjitha ato lidhje ka njerzë që i kanë raportue nder zyre të sigurimit…

Unë, jo pa qellim i shkrova leter atij dhe, jam i sigurt se letra e eme ka me e nervozue fort, kur ta lexojnë, mbasi nuk e pret prej meje ate që unë i kam shkrue tash atij… Ai ka me ju dhanë urdhen vartësve të vet që me më arrestue. Askush nuk mundet me ia kthye fjalen atij dhe ashtu kanë me veprue. Kështu, ata do të më arrestojnë dhe do të kerkojnë me më dënue “Vetem per letren e dergueme Mehmet Shehut…”, e kjo, asht ndihma e Zojës së Bekueme, që unë mos me i ba dam e mos me marrë në qafë asnjë njeri e mik t’emin në Shkoder. Ajo dhe Vetem Ajo, jam i sigurt, se do të më plotsojnë deshiren teme, jo vetem si Klerik Katolik, po edhe si Shkodran e bashkvuejtës i disa qinda të burgosunve, me të cilët vazhdojmë me kenë Vllazen!

Pra, kjo asht mështetja eme kryesore tek Zoja e Bekueme: Ruejtja e Nderës, e Ftyrës, e sedres, emnit të fisit në Shkoder si, dhe Emnit tim Pjeter Meshkalla në Shoqninë Jezus”.

***

Ja pra, vetsakrifikimi per shpetimin e qinda qytetarve!

Ja pra, humanizmi i vertetë i një Kleriku Katolik Atdhetar! Një parashikim i sakt dhe i persosun, sigurisht nga një mendje e ndritun dhe shumë e Nderueme në Shkodren tonë Martire! Ky ishte i madhi At Pjeter Meshkalla S.J.!

Melbourne, 4 Nandor 2021.

 

Pjesa L

KISHA KU U KUNORZUE GJERGJ KASTRIOTI SKENDERBEU

ME DONIKEN NË VAUN E DEJËS…

KISHA E VAUT DEJËS E SHEK.XIII.

30 Maji 1969 Hidhet në erë…

”VETEM KJO DERË MBETI…”

At Pjeter Meshkalla pyet:

“Vetëm këte mendoni, shka ka me thanë Europa për ju”!?

“Unë po ju them këtu se Populli nuk asht dakord me shka jeni tue ba ju, ai ka besue dhe do të vazhdojë me besue në Zotin edhe pa Kisha e pa Xhamija… Ky veprim që bani ju sot asht vetëm turp para Zotit e para Popullit, asht turpi juej para gjithë vendeve të Europës, mbasi kjo që bani ju sot këtu, bahet në pragun e 500 vjetorit të vdekjës së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Mbrojtësit të Krishtënimit! Vetëm këte mendoni, shka ka me thanë Europa për ju! Ajo e njeh Popullin Shqiptar dhe e di se ka 2000 vjet që Populli ka ndjekë e do ta ruej në zemër Fenë e Krishtit!”

(Nga Fjala e At Pjeter Meshkalles S.J., me 29 Prill 1967, ora 17, kur asht arrestue në mbledhjen e organizueme në Institutin Pedagogjik Shkoder.) ***

Shenim nga F. Radovani:

Pjesë nga fjala e At Meshkalles në sallen e Institutit Pedagogjik Shkoder, diten e arrestimit të Tij, per letren që i ka shkrue terroristit M.Shehu. Guximi i At Meshkalles zbuloi projektet e shtetit terrorist komunist… Minat e para ju vune Kishës ku asht kunorzue Gjergj Kastrioti.

Një Gjenocid i vertetë në Trojet e Gjergj Kastriotit nga tirani E.Hoxha!

Melbourne, 6 Nandor 2021.

 

Pjesa LI

 

KANGA E ARISTOTELIT

Filozofia nuk ndahët nga jeta, as arësyeja nuk ndahet nga natyra.

Zhénia e filozofit thellohët e etëshme ndër misteret e jetës, me fuqinë e mendjës mishnon në vehte të Vërtetën dhe të Mirën, që natyra i mban në gji. Até të Vërtete dhe até të Mirë, që çdo njeri i ndien në shpirt, por që vetëm zhéniu di të na zgjojë e të na e bajë të vetëdishme. Por kur zhénia e filozofit, në vrullin e spekullimeve të mistereve të natyrës dhe të ligjëve të saj, prek tèk e paarritëshmja, atëherë ai ndien gjithë Madhninë e Universit dhe, vogëlinë e tij të pamasë, por nuk epet…

Ku mbaron filozofia, fillon poezia.

Zhéniu me fletët e intuicionit e të sentimentit zhytet në Dritën e “të mëdhajave psehe”. Në këte Dritë, ajo nuk sheh ma, ajo ushqehet me shkelqimin e së Vërtetës e të së Mirës dhe i këndon Gjithësisë dhe Hartuesit të saj. Nga metafizika e thatë shpërthen Lirika si burim i gjallë.

VERSIONI I DYTË

Në mes të dy skâjeve ekstreme:

Materia e parë,

abstraksion absolut,

pa formë qénësore

pa akt, as çka, as çfarë, as sa,

dhe, Ent Suprem,

akt i pastër

i parë,

qendron Natyra:

Krejt nji botë në lëvizje,

me shkallë hjerarkike,

ku, kénja e ultë pushon

në gji të kénjes ma të naltë.

 

Natyra kërkon shkakun e kénjes së vet,

kërkon principin e jetës

që, i jep gjallëni Gjithësisë;

kërkon qellimin e sendëve,

shumën e proçeseve rilindëse,

kushtin inherent të rritjes,

dhe, të përsosmënisë së parreshtun.

 

Natyra kërkon Dritën

që, të çon té Shkaku i Parë:

I pashkaktuem imaterial,

Universal

 

infinit,

etérn!..

që, të çon té Kénja e Parë;

që, asht ajo vetë Kénja dhe Kénsia,

ajo vétë Mendje e Mendim.

 

Mendim pa fillim,

pa mbarim,

pa ndryshim;

 

Mendim vetë-krijues, në Amëshim,

Mendim jashtë-veprues, në kohësim;

“Mendimi i mendimit”,

mendimi i tashit etérn!

Pa’ té asht veç hiçi;

nëpër té, Gjithësia,

pa té, asgja nuk qëndron!

E ndien Natyra théllë

tërheqjën drejt Hartuesit,

Bota përshkohët e etëshme,

e dashunueme për Té!

 

Diçka Hyjnore

lëvizë anëmbanë

në Univers:

 

Lëvizë mbrendia kénsore e sendeve,

që, burimin ték Ai e ka e, tek Ai priret.

Këtu, thehët copë-copë;

nën peshën e Orakullit të Natyrës,

nën peshën e të mëdhajave “Pséhe”

pena e Zhéniut;

gjuha e Zhénisë

belbëzon…

nuk shpreh dot çka shijon…

Vetëm, mbi-Natyra

me zanin e Revelacionit e të Mistikës mund të na bijë,

nji “Fjalë të Ré”!..

BB, Shkodër, 1982.

Shenim FR: Versioni i Parë asht shkrue nga Autori në Burgun Burrel.

Melbourne, 9 Nandor 2021.

 

Pjesa LII

RADIO SHKODRA

Më datën 25 shtator 1992, ora 12.00, kam dhanë këte intervistë në Radio “Shkodra”, me rastin e dekorimit të At Pjetër Meshkallës S.J., prej Presidentit të Republikës

“Me Medaljën e Artë PISHTAR I DEMOKRACISË”.

Kjo ishte medalja e parë që i jepej një Kleriku Katolik Shqiptar prej një forumi të naltë të Shtetit Shqiptar, që nga themelimi i Tij.

Drejtor’i Radio “Shkodrës” atëherë ishte z. Anton Çefa, ndërsa intervistuesi im ishte z. Albert Kurti.

Pyetje: Asht ba një peticion nga një grup qytetarësh për dekorimin e të Nderuemit Padër Pjetër Meshkalla. Mëqë në këte grup keni ba pjesë edhe ju, çfarë mund të na thoni?

Përgjegje: Peticioni që kemi ba në bashpunim me zotnijtë: Anton Benussi, Kolec Çefa, Refik Bushati dhe Sandër Kaçinari nga Tirana, gjeti përkrahjën e të gjithë nënshkruesve, si në qytetin e Shkodrës, ashtu edhe në Kryeqytet. Na ndihmuen në mënyrë të veçantë: Shoqata e të burgosunve politikë të Shkodrës, si edhe Kryetari i Bashkisë së qytetit tonë, z. Filip Guraziu. Pranimi për shqyrtim dhe aprovimi i kërkesës sonë nga ana e Presidentit Sali Berisha, tregon se me të vërtetë ka ardhë koha e vendosjës në piedestalin e merituem të demokracisë, së figurës së Pader Pjetër Mëshkallës, Këtij “Biri të rrebtë, të një Nanës së ashpër”, që gjithë jetën punoi për Lirinë, Unitetin e Përparimin e Atdheut.

Pyetje: Ku konsiston vepra atdhetare e Këtij Patrioti?

Përgjegje: Pader Pjetër Mëshkalla asht ndër figurat ma të mëdha të Atdheut dhe Klerit katolik Shqiptar, të salvuem nga diktatura komuniste. Për qytetin e Shkodrës asht nder i madh që nxori një Burrë si Ky. Ai ishte atdhetar i flaktë, se primare për Té ishte kenja Shqiptar!

Që në moshë të re, rreth vitëve 1925-30, prej vjershave të para e deri tek artikujt e Tij të randësishëm, në të cilët dallohët “Udhë e gabueme”, Ai lufton fanatizmin. Ai thotë: “Vëllazën me të gjithë, këso dore kemi me provue me fakte, se asht e mundun bashkjetesa ma paqësore dhe ma e frytëshme me besimet tjera”.

Ai luftoi me gjithë shpirt ndasitë fetare në gjithë Shqipninë. Libri që do të botoj për këte figurë të ndritun ka me i vlejtë rinisë me njohë edhe ma mirë figurën e Tij.

Pyetje: Meqë materiali vlenë per rininë, a ka lidhje kjo me ceremoninë që do të zhvillohët në Universitetin tonë “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës?

Përgjegje: Sigurisht që po! 25 vjet ma parë, në “Revolucionin Kultural”, dijetarët dhe klerikët mendjendritun thirreshin po në këtë auditor dhe aty u viheshin hekurat. Pikërisht aty, me 29 prill 1967 u arrestue edhe Pader Mëshkalla, Ai Burrë që edhe i pranguem gjujzoi para Tij bishat komuniste, bashkë me ata pseudointelektualë shërbëtorë besnikë të marksizëm-leninizmit, shkatërrues të artit, kulturës dhe arsimit tonë kombëtar.

Për të gjithë qytetarët e Shkodrës dhe mbarë Popullin Shqiptar, jeta dhe vepra e Pader Mëshkallës mbetet simbol i atdhetarizmit, besës, burrnisë, fesë, trimnisë, bujarisë, fisnikisë Shqiptare dhe, Nderës ndaj Flamurit tonë Kombëtar! Ju falëmnderës!

  • Shenim FR: Botohet pa asnjë ndryshim nga intervista.

Melbourne, 2021.

 

Pjesa LIII

AT PJETER MESHKALLA S.J. DEKOROHET ME MEDALJEN E ARTË…

Në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, ditën e shtunë, me 26 Shtator 1993, në ora 18.00, Populli i Shkodrës me gëzim priti lajmin: PRESIDENTI I REPUBLIKËS SË SHQIPNISË Dr.SALI BERISHA Dekoron: PADËR PJETËR MËSHKALLËN S.J. Me medaljën e artë “PISHTAR   I DEMOKRACISË”

Melbourne, 2021.

KUVENDI POPULLOR I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË V E N D O S I :

Neni 1

Miratimin e medaljes së artë “Pishtar i demokracisë”.

Neni 2

Medalja e artë “Pishtar i demokracisë” u jepet shtetasve shqiptarë ose me kombësi shqiptare dhe shoqatave a organizatave patriotike për shërbime veçanërisht të shquara e sakrifica supreme atdhetare, të kryera në shërbim të idealeve të larta të kombit shqiptar e të demokracisë”.

Neni 3

Ky ligj hyn në fuqi menjëherë.

Tiranë, më 7.7.1992 Nr.i ligjit: 7580

Shpallur me dekretin nr.247, datë 11.7.1992 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha.

 

Pjesa LIV

ALBANIAN CATHOLIC BULLETIN

BULETINI KATOLIK SHQIPTAR

(1993 – VOL. XIV, fq. 231)

Prof. Gjon SINISHTA shkruen:

Radovani, Fritz: At Pjetër Mëshkalla, S.J.

Shtypshkroja “At Gjergj Fishta”, Tiranë 1993.

Me sa dij, ky asht libri i parë kushtue jetës e veprës së nji kleriku katolik që botohët në Shqipni mbas përmbysjes së komunizmit. Me shkrue për At Pjetër Mëshkallën, e në të vërtetë për secilin meshtar katolik të mbytun mizorisht nga plumbat ose torturat, puna e detyrueshme në kampët e vdekjes ose helmimi prej dorës së komunistave, do të duheshin volume të tana. Fritz Radovani, autor i këtij punimi të shkurtë, por të ndieshëm e plot inspirim human e fetar, e ka vu rruazën e parë në kollanën e artë t’atyne fatosave që ranë flijë për Fé e Atdhé. Tjerë autorë si Fritzi të marrin tash shembull e të vazhdojnë me ia shtue këto rruaza kollanës me shkrime e vepra të tjera për martirët tonë.

Libri At Pjetër Mëshkalla S.J., ndahet në tri pjesë.

Në pjesën e parë auktori përmbledhtas e me një gjuhë të thjeshtë e të afërme me lexuesin, si i thjeshtë e i afërm ka qenë vetë At Mëshkalla, paraqet jetën e tij si atdhetar, meshtar e jezuit me bindjet e tij të forta filozofike, fetare e humane. Radovani përshkruen këtu argumentat e të vërtetat të shqiptueme në rasa të ndryshme prej meshtarit jezuit, që janë ba tashma si legjendë e thesar shpirtnuer jo vetëm për katolikët, por për tanë shqiptarët e ndershëm e liridashës. Qé disa shembuj nga libri:

Prej melodise së lehtë të zanit të tij ruhen prap këta tinguj… “Vëllazën me të gjithë, pa dallim feje!” Asht Ati i madh, Ati i të gjithëve, muslimanë e të krishtenë, me fé e pa fé, që hapte krahët e u thontë… “Eni, eni djelmët e mij, durim, të lutemi për ta dhe t’i falim!” dhe, së bashku me të gjithë, vazhdonte vuejtjën e mjerimin e pakufi, gjithmonë si Féja e pat mësue, tue pritë delen e humbun… E kur tirani me sy të ngërthyem si mordja, na dukej n’ate skëterrë, e plot lakmi shihte rininë shqiptare, kah gjak në vetull vëllau vëllaut po i merrte si t’ishte i huej që kombin po i shklet; i Madhi Meshkalla, veç brofte në kambë e zani, si prej vorrit naltohej deri në qiell: “Na nën dhé e ju mbi dhé, por na jemi ma të forte se ju!”…

Kur britën me djegë Ungjillin – një za u dëgjue – inkuizicion…! E Ati u tha: “Digjeni po deshët, se as ju nuk keni për t’ia dalë, si paraardhësit tuej, që tash 2000 vjet veç djegin Ungjijtë, por Fénë e Krishtit nuk kanë mujtë me e zhdukë!” Mizorët terbohen ma zi kur Burri dy pëllambë i shkurtë u thotë: “Unë në Zotin besoj e do të fitoj… Ju më dënoni sa të doni, se unë prap se prap do të dal, ju shoshojnë keni me hangër, e aty asht fundi juej! Feja e Krishtit nuk mbaron kurrë”.

Kjo pjesë e librit përshkruen episode të tjera të fuqishme nga jeta e këtij martiri në pritje me u shpallë shpejt Shejt. Episode me randësi e tronditëse, që sjell libri i Radovanit, asht ajo e mbledhjës së përgjithëshme të arsimtarëve me 1967, në Institutin e Naltë Pedagogjik të Shkodrës, gjatë fushatës së turpëshme të “Revolucionit Kultural”.

“Unë jam katolik e besoj në Zotin!”, ishte deklarata e Mëshkallës, “…Se po të shprehin lirisht mendimet e tyne (njerëzit), ky pushtet nuk ka për të zgjate shumë!”, kjo deklaratë i tërboi pjesmarrësit e shumë prej tyne bërtitën “Pusho, fashist reakcjonar!”. Ndër ata që folën dhe e shanë Mëshkallën me përkushtim e zell partiak, ishte edhe Jup Kastrati, që sot mban ligjerata i ftuem nga diaspora e New Yorkut!

Pjesa e dytë e librit përmban poezi e shkrime me tema të ndryshme shkrue prej At Pjetër Mëshkallës. Qé nji poezi të cilën auktori e ka shkrue gjatë burgimit të tij në Burrel, e asht në temën e Shën Augustinit:

JETË E RÉ

Në zemrën time lindi jeta

…………………………………….

BB (Burgu i Burrelit)1954 (Shif tek Pjesa e II-të, faqe 32.)

Pjesa e fundit e librit të Fritz Radovanit për At Meshkallën, riprodhon shkrime zyrtare nga “Bashkimi” e fletore të tjera komuniste kundër këtij tribuni të pamposhtun për fé, liri e drejtësi. Poashtu, botohen disa intervista, sidhe një biografi e shkurtë e martirit.

Në fund njoftohet për dekretin e Presidentit të Republikës së Shqipnisë, Dr. Sali Berisha, me të cilin:

At Pjetër Mëshkalla S.J. dekorohet me Medaljën e Artë “PISHTAR I DEMOKRACISË”.

Libri i Fritz Radovanit asht për t’u lexue nga çdo shqiptar që mban për zemër parimet e shejta të Atdheut, Fesë e Lirisë.

Palokë PLAKU

(Pseudonimi i Prof. Gjon Sinishtës)

I dashtun Fritz!

Palokë Plaku, Lul’ash Dajçi, sidhe Agim Kosova janë pseudonime të mija. Të falëmnderës për materialin “11 Mars 1948”, të cilin do ta botoj në numur XV (viti 1994), që do të jetë i fundit nga shkaku i sëmundjës së randë që kam.

Tue t’urue shëndet e çdo të mirë shpirtnore e trupore:

Të përqafoj,

Gjon Sinishta (firma)

Shënim FR: Vuna artikullin dhe letrën e të Ndjerit Prof. Gjon Sinishta, në shenjë mirënjohje dhe respekti të përjetëshem, për vlerësimin që i ka ba punës seme modeste.

Ky asht i vetmi artikull që u botue për librin tem mbrenda e jashtë Shqipnisë!

Me nderim të veçantë,

Melbourne 2004. Autori

Shenim FR: Botohet e plotë pa asnjë ndryshim nga origjinali.

Melbourne, 16 Nandor 2021.

 

Pjesa LV

AT PJETER MESHKALLA S.J.(1964) Ka thanë:

“Kleri Katolik Shqiptar asht kleri ma heroik që ka me cilësue historia në rrugën dymijëvjeçare të Krishtit, sepse, mbas pesëqind vjet robnije nën Turqi, po të merret historikisht prej vitit 1912, kur Shqipnia u formue si shtet e deri me 1944, që këtu erdhën në fuqi komunistët, tue lanë në njëanë okupacionin fashist italian (me të cilin nuk jam pajtue kurrsesi), janë vetëm 30 vjet mundësi për me formue një Kler Shqiptar, e për 30 vjet me nxjerrë aq Heroj sa kemi nxjerrë na, nuk ka asnjë kler në Botë”.

Kur ishte i burgosun në burgun e Burrelit, shkoi atje dhe e takoi kryeministri Mehmet Shehu…Kur ai e pyeti si po e kalon, At Meshkalla ju pergjegj:

“Na jemi nën dhé e ju mbi dhé, por na jemi ma të fortë se ju”.

Në gjyqin e burgosjes së dytë, në fjalen e fundit At Meshkalla, me 19 Korrik 1967, ka thanë këto fjalë:

“Ju më dënoni sa të doni, mbasi mue nuk keni shka më bani, unë prapseprap do të dal, sepse ju shpejt keni me mbarue, mbasi shoshojnë keni me hanger e aty, asht fundi i juej! Feja e Krishtit nuk mbaron kurr”!

“Ju, Kishat rranoni, por Toka nuk lot!(1967)

PAPA GJON PALI II (1993)

Papa Gjon Pali i II, ka thanë tek Sheshi i monumentit Gjergj Kastriotit Skenderbeut në Tiranë, me 25 Prill 1993, para disa qinda e mija Shqiptarve:

“Në vendin tuej të vishkulluem ma shumë se asnjë vend tjetër nga përsekutimi asht e thjeshtë me gjetë gjurmët e katakombëve të lashta kristjane e t’arenave ku, dëshmitarët e Krishtit hidheshin me dhunë për me ushqye bishat”.

“Këtu kje një luftë e ashpër kundër Fesë, simbas një vije dogmatike të një programi shoqnor dhe politik, i mbështetun nga ideologjia komuniste”.

“Drama e Juej Shqiptarë të dashtun, zgjon interesimin e gjithë Kontinentit Europian e asht e domosdoshme që Europa mos t’ Ju harrojë”!

“Ajo që ka ngja në Shqipni të dashtun Vllazën dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e njerëzimit.”

 

NANË TEREZA Me 10-12 -1979, Kur Ju dha Çmimi Nobel.., ka thanë:

“Origjina eme asht Shqiptare.

Shtetsia eme asht indiane.

Unë jam katolike, grue fetare.

Per kah thirrja eme, unë i takoj tanë Botës. Por, zemra eme i takon tansisht Zemres së Jezusit”.

Prof. ARSHI PIPA:

“Në kjoftë se kam shpëtue nga burgu i Burrelit e jam sot i gjallë, i detyrohem lutjeve të njerëzve si Padër Meshkalla e të tjerëve, të cilët, kujtoj se kanë kontribue në determinimin e fatit tem”. (Shkoder,1993.)

Melbourne, 19 Nandor 2021.

 

Pjesa LVI

AT PJETER MESHKALLA S.J. ASHT I PAVDEKSHEM

CILI MUND TË KRAHASOHET ME TY O AT, N’ BURGJET E KAMPIT KOMUNIST?

Me ndej ditë e natë tue lexue per Ty, nuk kam të ngime per shka i ke ba Ti komunizmit.

Kush mujti me ua thanë ata shka i ke shkrue e lanë në proceset e hetuesisë dhe gjyqeve Tua, o At?

Fjala Yte o At, ishte mësim e brumosje guximi per të rinjë e pleq n’ ata hetuesi, burgje e kampe shfarosje!

Po, sa vetë keni shpetue nga dëshprimi e vetvrasja nder ata burgje e kampe të mnershme o At?

Cili mendonte si Ju: “Duhet me hy n’ burg, se “Rinia po humbë jeten e shpresen aty! Nuk duhet lanë ajo me u dishprue atje!” E Ai “dikushi” ishi Ju, o At Pjetri, Guri i pathyeshem i Atdheut e i Fesë Kastriotit!

Burr’ i fjalës, Besnik i sejcilit Shqiptar e Bujar, edhe kur kafshata e bukës ishte me gram.

Vetem tue shikue Portretin Tuej, o At Meshkalla, besohej nga të gjithë historia e pashkrueme e Klerikve tanë!

Besohej vuejtja, besohej tortura, besohej masakra e tiranit, besohej dhuna, e mbi të gjitha: Besohej shpresa e permbysjes diktaturës komuniste nga të gjithë ata që ishin rreth Teje:

“Ju më dënoni sa të doni, mbasi mue nuk keni shka më bani, unë prapseprap do të dal, sepse ju, shpejt keni me mbarue, mbasi shoshojnë keni me hanger e, aty, asht fundi juej.

Feja e Krishtit nuk mbaron kurr”! (Fjala fundit: Dosja 4191|1 Arkivi M. M. Tiranë, 1998)

Dhe, njëditë o At Mëshkalla, Ti me të vertetë dole nga burgu komunist në vitin 1977, bash kur terroristët vazhdonin me hanger kokat e njenitjetrit e kur, po u afrohej fundi.

***

At Pjetër Mëshkalla S.J., asht lé në Shkodër me 25 shtator 1901 dhe banonte në një jerevijë në fund të rrugës së Daulles.

Jeta dhe vepra Yte o At, jo vetem ishte e pakrahasueshme, po ajo ishte edhe Heroike e Atdhetare!

Një jetë e tanë plot vuejtje e mundime nder kampe e burgje të asaj diktature të pashoqe shfarosëse komuniste, ku 25 vjetë që vuejte, Ti vetem tregove forcen e karakterit të palëkundun dhe mbi të gjitha, Burrninë e pakrahasueshme të Klerikut besnik të Krishtenimit dhe t’ Flamurit Gjergj Kastriotit Skenderbeut.

Rinia Shqiptare pa dallim Feje, tek Ju shikonte Yllin e guximit, të shpresës e të Lirisë s’ Atdheut të robnuem njëgjysë shekulli! Ajo Rini Shqiptare që vuejti me Ty o Pader, gjithmonë ka me e kujtue me admirim guximin e shpresen që Ju i mësuet asaj!

E që fjalen “shpresë”, ia ngulite në Shpirt!

Qé pra, Ajo Shqipnia e vogel.., me Burra Vigaj e Trima!

Melbourne, 22 Nandor 2021.

 

Pjesa LVII

 

“28 NANDOR“

Kujtime…

Kur u ngrit Flamuri ynë në token tonë, nuk di se çfarë do të kénë mendue shumica e Shqiptarëve!? Përgjithësisht pesimizëm: Jo pse nuk donin Shqipninë e Lirë, por pse nuk e besonin.

Kur u ngrit Flamuri ynë në token tonë gjaku i nxehun që vlonte nder déj (damar) të njomë u trumhas: Një nervozizëm i egër na pushtoi; kénka pra, një Shqipni!

Nervozizmi kishte ngritë krye edhe përpara ndër fëmijët kur Shqiptarët ishin, por Shqipnia ende nuk ishte. Të mdhajët na thonin se njêllim zi… Na u gjuenim me gurë përditë e përnatë… kërkonim në vedi antagonizëm edhe ku nuk kishte…

Shkolla, mësimet, librat, kokordat (shenjat dalluese) kuq e zi, flamurthit me një gjylpanë për shtizë, kangët e lirisë, jerm, kllapi!

Paj vjerrshën “O moj Shqipni, e mjera Shqipni”, e lexova sëpari ndër banka të së dytës fillore, kah kalonte tue u strukë prej një libri në tjetrin. Kot mësuesi i ngratë shkyente zanin tue na britë: “Pandigjesë (disiplinë) e studim, ku do të përfundoni ju e Shqipnia me gjithë kangë e kokorda!?” Kujt i flet?… Por edhe na nuk kishim faj: Ishte tharmi që përzinte brumin, tharmi që shkatrron.., e pertrinë…

Binim me fjetë… Ndër “boka”(kodra) kriste pushka pa pushim, si të kishte kenë një shprazje e vetme mitralozi: Malësoret, Turku, Mali i Zi!?

Në fund të fundit qé, e vërteta: Ishte një popull, që kërkonte-ndoshta, pa e ditë mirë se si të rrnojë; por, kërkonte me rrnue si popull. Sot njëzet e sa vjet, u mbajshin andrrues ata pak “poet”, që pohonin se ka Shqipni. Sado me i pasë mpref sytë, sado me e pasë ngreh dylbinë… nuk u dukte kurrkund!

E pra, ishte shumë ma afër se u mendonte! Ndër zemrat e shumë Shqiptarëve qëndronte endè gjallë flaka e Atdheut, trashigue prej të Parëvet, por e mësheftë; ma fort se flakë, mund të quhej prush nën hi, gati me nxjerrë shkëndija. Sot, ka Shqipni e, ka edhe ndërgjegje Shqiptare!

Gacat (thëngjijtë) kanë nxjerrë shkëndia, shkëndijat edhe janë bâ flakë … Askujt nuk ia ep ma ndërgjegja me na e pré rrugën; kurrnjë Shqiptarit me u kthye dalë (mbrapa)!

Kemi endè shumë të meta; e dijmë… Kemi ba shumë gabime; kush nuk gabon? Por, tue zhdukë dalëngadalë të metat, tue njohë e tue ndreqë gabimet, a thue do të jetë kush me na thanë se po zmbrapsemi mbi gjurmët e shkeluna?! Jo, kurrë! Kjo nuk asht zmbrapsje, ky asht Përparim!

Zhvillimet e reja bijnë me vehte kurdoherë guxim, guximet të fusin shpesh në mjegull, nëpër mjegull lindin mosmarrveshjet. Dalngadalë shpërndahet mjegulla; po të jenë vullneti i mirë marrveshja lind rrugës e, mbas saj edhe bashkëveprimi.

“Përparimi nuk asht tjetër përveçse tradita në ecje”, thotë një shkrimtar francez. Por, tradita në çdo popull i ka disa baza themelore, të palëkundëshme, sepse janë të vendosuna mbi shkamb të të drejtave të natyrëshme të njeriut. Përballë këtyne të drejtave vullneti i mirë përkulet; vetëm kështu asht e mundun marrveshja e bashkëveprimi. Trinomi i lumtunisë: Vullneti i mirë, marrveshja, bashkveprimi.

Binomi i shkatrrimit: Dy kuaj të një qerrje që tërheqin, por që nuk tërheqin. Por, na nuk duem shkatrrim! Duem Përparim e Shqipni të lumtun!

Përparimi asht shkalla e lumtunisë.

Përparimi asht fryti i veprimit simbas parimeve të shëndoshta. Prej Përparimit njihet parimi si landa (druni) prej frytit: Po nuk kjenë të shndoshta parimet, tue përparue ose tue ecë përpara, rruga të nxjerrë në kaos. Përderisa natyra e njeriut asht e arsyeshme, herët o vonë e vërteta nxjerrë krye, mbetët parimi që bazohet mbi të vërtetën, i forcuem tashti të thuesh: Me provë e kundër-provë.

Ari nxirret i përziem me baltë e gurë mandej, dlirët (pastrohet). Latini thotë, sé mendja e lehtë i përngjet flamurit (banderolës). Tham se e ka gabim.

Flamuri përfaqëson përnjëheri e ma së miri Parim e Përparim: Shtiza e ngulun asht Parimi, pelhura që valvitët asht Përparimi, megjithë atë forfuri të pandalun ngjyrash e refleksësh, me atë fantazmagori dredhimesh, hollimesh, zhvillimesh e kjeshë tue thanë, gadi edhe filmash.

Kur shtiza asht e ngulun në shkamb, qëndron e patundëshme. Shkambi asht besimi. Besimi në Perendinë po se po, sepse pa ketë themel nuk ka mbështetje asnjësend; por edhe besimi në vetvehte mbështetet në forcat tona, në Ideal.

Jemi tue u ngjitë një mali thik me pyll të dendun, virgjin, të panjohun: Një copë shteg i mirë asht çilë, shumë ma tepër mbetet me u çilë, por kemi besim të ngultë se dikur do t’i kapemi majës, Idealit. Ky besim do të na bajë me vlue gjakun ndër déj, do t’u japi fuqi gjymtyrëve të lodhuna prej përpjetës, do t’i kthéjë entuzjazëm për me fluturue zemrës së lëshueme.

Na, Shqiptarët, deri tash vonë e kemi pasë një të métë fatale: kemi pasë shumë pak besim në fuqitë tona. E, atëherë, rri të rrimë!! Tue ushtue nëpër krepa e ferra na ka pikue gjaku, na ka zanë nata.., jemi kthye mbrapësht, secili në punë të vet. Rri të rrimë!..

PËRPARA!… Shteg më shteg, derisa të dalim rishtas në drejtim!

PËRPARA!… Çdo hutim paguhet shtrenjt!

PËRPARA!… Nëpër ferra, gëmusha, krepa e tërthore!

PËRPARA!… Edhe kur drejtimi të na ketë humbë!

PËRPARA!… Edhe kur balli, thêmbra e zêmra të pikojnë gjak pikë-pikë!

Disiplinë e Vullnet e, … Optimizëm!

Pesimizmi kjoftë zhdukë!

Kriza materiale na ka lodhë. Ka lodhë gjithë Botën…

Kriza shpirtnore kishte me na mbytë!

Pesimizmi thotë: “Më lëshoj zemra… Ka mbarue. Nuk ngrihet ma gja në kambë!”

Optimizmi thotë: “Zemër…Të gjitha shpresat nuk kanë humbë endè, diçka kemi ngritë në kambë… Zemër”!

Por, nuk asht optimizëm i shëndoshtë ai që thotë symbylltas:

Padyshim, gjithshka asht mbarë, ma mirë nuk ka si bahët”!

Ky do të ishte ma i rrezikshëm se pesimizmi vétë. Përkundrazi, nuk asht pesimizëm ai që çilë sytë me pa si të mirën,si të keqën.

Po! Do t’u dalim përballë fakteve me i shikue në fëtyrë ashtu siç janë; me të mira e me të këqija që zbulojnë e mshefin. Por, ky realizëm e objektivitet nuk do të ketë fuqi me shue flakën e Idealit, nuk do të na bajnë as pesimistë as indiferentë: Ideali, nuk do të na bajnë as pesimistë  as  indiferentë: Përndryshej kishte me na ardhë fundi, sigurisht!

Me vapën entuziastike të optimizmit ndoshta, sigurisht, do të dalim në breg! Egoizëm e abnegacion, edhe këto janë fjalë të hueja por, që kuptohën lehtë në rrethe shoqnore të kulturueme e të mesme.

Për me kalue ndonjë ujë hidhën mbrendë në té gurë të mdhaj e të vogjel: Të parët, të dytët, të tretët.., zhdukën e nuk shihën ma, hidh e hidh e tèk e fundit nisin me nxjerrë krye disa aty-këtu; rrëshqasin, prap hidhën të tjerë.., derisa bahet i mujtun kalimi, keq o mirë, po bahet; ka me ardhë koha që do të bahet ma mirë! Na jemi gurtë (të mëdhaj o të vogjel), të hjedhun në fillim, që zhdukën e nuk shihën ma, por janë në themel të parë! Qé, ambicioni i themelit: Me u zhdukë e mos me u pa ma! Egoizëm… Abnegacion!

Utopi, me mendue sé të gjithë sa janë Shqiptarët do të kërkojnë njëditë të mirën e Atdheut e Ndérën e Flamurit pa kurrfarë interesi egoistik. Padyshim, të gjithë e kanë për detyrë; por për me i ra shkurt, secili lè t’ia nisin ma i pari.

Utopi, me mendue sé të gjithë sa janë Shqiptarët njëditë do të puthen në ballë! Po nuk kje një antagonizëm, nxjerrë krye një tjetër; po kërkuem me zhgulë një rranjë marrin frymë e ushqim njëqind të tjera të helmueme. A nuk asht ma mirë me shndrrue antagonizmin brutal në emulacion të natyrshëm e veprues?

STAFETA: Të Parët tonë na e dorzuen të ndezun flugun (zéllin) e Atdhedashunisë lidhë me Flamurë; në vrap na e dorzuen e të bamë féle-féle (copa-copa).

Çka kishte me thanë brezi i ri që po na rritët ndër sy, po nuk ia dorzuem atij gjithnjë në vrap Visarin e Shénjtë?!

Prej të Parëve pritëm një Shqipni të Lirë!

Nipat presin prej nésh një Shqipni të lumtun!…

Psim

Psim – Asht pseudonimi i At Pjetër Meshkallës S.J.

Artikulli asht marrë nga revista “Leka” 1933, nr. XI, XII, fq. 337-340.

 

Pjesa LVIII

 

TAKIMI I FUNDIT:

FOTOKOPJE E LETRES ORIGJINALE SHKRUE PREJ AT PJETER MESHKALLëS S.J.

N’ ARKIVIN E MINISTRISë Së MBRENDSHME, TIRANë 1998. (DOSJA NR.4191/1-1967).

Padër Mëshkalla ia mbërrijti asaj ditë që pat profetizue ma parë. Ai e pa me sy shka paralajmëroi. Diktatorët me të vërtetë hangrën kokat e njeni tjetrit dhe këtij nuk patën shka me i ba. Ai dhe Ideali i Tij FITOI!

E takova edhe njëherë përkrahu me Zef Mirditën (Bukën), pak pa mbërrijtë tek dera eme dhe shkëmbyem pak fjalë rreth shëndetit, për të cilin m’u ankue dhe para se të ndahëshim e përqafova si zakonisht.

Nuk më shkoj mendja aspak në ato ditë se ai ishte kenë takimi i fundit me Té! Ai nuk kaloi kurrma andejpari.

Edhe pse kanë kalue shumë vite, shpesh e kujtoj dhe prap me veti mendoj e më duket se një ditë, unë prap do ta takoj!

Ai, bashkë me veprën e Tij, nuk vdes kurr në kujtesën teme dhe t’ atyne që e njohën ose i kanë dëgjue vetëm emnin!

Unë kam besim tek Kisha, dhe Besoj se, një ditë jo aq larg, Martiri At Pjetër Mëshkalla do të jetë në vendin që meriton! Ajo ka prova të mëdha prej Tij!

Prof. Arshi Pipa, shkruen për Padër Mëshkallën: “Por, 25 vjet burg ndër burgjët staliniste, peshojnë ndoshta edhe ma randë në kandarin e martirizimit, se pushkatimi” (1993).

Melbourne, 1 Dhjetor 2021.

 

Pjesa LIX

 

KRISHTLINDJE NË SHKODËR (1909)

KOMPANJELI I KATHEDRALES (1909)

SHKODER

 

Mbas vitit 1909 qeveria Turke, në Shkodër, për shkak të lëvizjeve shqiptare për liri, (pushka vlonte, shpesh deri në afërsi të qytetit), i ndaloi disa shfaqje tradicionale “Të Natës së Këshndellave”, tue i hjekë diçka poezisë së bukur të Festës.

Dha lajmin kumbona

me tinguj argjandi,

theu muzgun jehona,

gjithë zemrat i trandi:

Vinë festat e lume,

Krishtlindje e bekueme,

me shndet e me gëzim!

Kumbonat e randa,

kumbonat e lehta,

këndojnë me t’pasë ânda

me notat e veta:

Ushtojnë kumbonarët!

 

Larg zani përdarët

tue ra pa pushim…

Sa kandshëm dikohet

kjo valë e harmonisë,

krejt shpirti naltohet

ndër sfera të hyjnisë:

Kah shpresa e ngushllimit,

kah rrezja e shpetimit,

drejt paqës që vjen!

Në atë kupën qiellore

o hyjë xhixhilloni,

o male, prej bore

në dritë të hanës zbardhoni,

që zemrat e dlira

të gëzojne, vullnet-mira

me atë fé që na ushqen.

…….

Tarabat kërcasin,

po mbyllën dyqanët,

gra e burra hitasin,

vrapojnë përgjith-an’ët:

Përshëndetje e përgëzime,

ma të bukrat urime

gjatë rrugës ndigjon.

Tash hargjet e mbrame

s’ka mbetë kush pa i krye,

gjithkush do n’këte mbrame,

n’shtëpi ngutshëm me u kthye:

 

Shegêrti e tregtari,

ngarkue, prej Pazari

ma thekshëm vrapon.

Plot dritë janë shtëpijat

 

plot zjarmi te oxhaku,

pelcasin dëllinjat,

luejn fëmia té praku,

e gratë nuk pushojnë,

pa dá vinë e shkojnë,

vëlon puna gjithkund…

Në familje krye-pare

ka sonte gjithë të mirat,

në ato mesatare

plotësohen dëshirat;

po edhe unë fukaraja

 

në këto festa të mdhaja,

do të gëzoj edhe unë!

 

Pak baba fitimet,

pak qiti edhe nana,

e shkreta, kursimet

me blemun do gjana;

por, …erdhi té dera

dikush e, si era,

la’i shportë edhe shkoi.

Vetë bana “Betlemin”,

sa i bukur që më doli!

S’e ka kush si t’emin

Në mahall’n “Gjuhadol”:

me drrasa e pelhura,

me letra e piktura

ka kohë që unë punoj.

E tash, q’e mbarova

unë punën të tanë,

té baba flut’rova

me nanën e vëllanë,

njërendi tue shkue

gjithë sëbashku me u vu

té votra “n’gjuj të mdhaj”.

 

Dhe ngrihet em atë

qirin ndezë atëherë,

premton ndonji uratë

dhe ulët me t’tjerë,

n’sa na me ngadalë

e flasim pa u ndalë,

uraten si ai…

Por, mue nuk më zë vêndi,

lëshoj zanin e hollë,

-më rrah zemra prej shêndi-,

 

tham vjershat si n’shkollë,

nga “shpêlla”- tue ba,

nga Prindët –temena-

-andej- edhe këtej.

E, këthehëm të rrokë prindën…

por, baba ka ulë kryet,

e nana merr kînden

e shpejt i fshinë sytë…

Nuk dij çka u ndinë zêmra,

 

por, mue më dridhet thêmra,

më vlon gjaku ndër dêj.

A thue janë lot gëzimi?

A por janë lot malli?

O ndoshta pikëllimi,

pse mblue na ka halli

në ket të shkretë jërevije,

përdhese vorfnije,

si Krishti në Stan?!

Por, çka! Jezun kemi

ndër zemra të vajtueshme;

të ngrohun na jemi

me hire të hyjnueshme:

I drejti në këte jetë

ka paq’n e vërtetë,

që të tjerët nuk e kan.

Me Jezun na kjajmë,

e gëzimet ma të thêllat

me Jezun i ndajmë:

E, i lusim Këshndellat

me aqë të mira që Zoti

na i fali në ditë soti,

me Jezun e Lumë!

Oh, sa ambël sahati

rrjedh sonte në strèh’ tonë!

Kaq ambël!… por s’gjati

ra’i tingull…kumbonë…

Mesnatë!-Krisë batarja,

jehon Kumbonarja,

vlon pushka ma shumë…

Në këto vala festuese

gjithë zemrat na qeshën,

si rryma vërshuese

njerëzia rrugës ndeshën,

kumbon’t ajrin çajnë,

e, pushkët nuk ia ndajnë

për festën që na erdh’.

Na pret Kisha e Madhe

Krejt mbushë me kandile,

Vinë rradha mbas rradhe

me tuba familje,

e, në Kishë, prej pesë portash,

çdo moshe e gjithë ortash,

 

mbrendë populli u dêrdh.

Sa dritat, si ylberi!

sa jone të mallngjyshme!

Sa priftën te Elteri

me petka të shkelqyeshme!

Timjani me shtille,

naltohët drejt qielle,

fjollë-fjollëza plot!

Shkon lart si timjani, urata e lirë,

-i kangës ushton zani, me Engjujt e mirë:

-“Ka lindun Mesia, vjen paqa e dashnia!

L u m n i të N a l t i t Z O T”!

BB 1950.

 

MUTTER DES GUTEN RATES

Von Pater Pjeter Meshkala. SKUTARI 1927

 

 

A

Wie ein Fels im Strom der Jahrhunderte, bleiben die Wände stehen,

fest auf das Fundament genagelt,

des heroischen Rosafa.

Heute, wenn der Glaube der Kinder die Hoffnungen der Alten leuchten, lass es an den Wänden schreiben:

B

“O abwesende Mutter, wir fühlen uns so arm”.

Ohne dich, die an den Tagen der Angriffe

des siebenköpfigen Drachens,

Ein Schutzschild für uns wurdest,

denn du konntest unseren Leid nicht ertragen.

 

A

Für dich … unsere Joch und Klage obwohl es unsere Schuld war.

Denn in Blindheit setzen wir uns keine Grenze.

Mutters Herz schmerzte,

sie floh und verließ unser Heimatland!

 

 

B

Oh Ihr Helden, Kämpfer

 

mit dem Schutzschild auf der Brust

für Ehre und Gott, habt ihr die Fahne hoch gehissten,

gehuldigt durch Blut und Ehre,

wacht aus dem stillen Grabstein auf,

um unser Elend zu sehen!

A

 

Die Hilfe von Arbënia, die Unbesiegbare Verschwand!?

… Wie das Licht, erlosch sie!! ..

Wirklich niemals, niemals

O Jungfrau steigt unser Joch im Himmel empor?

 

Wirst du nicht mehr leuchten wie in den

Jahrhunderten neben Rosafa … O M A R I A?!

Unser Weg ist sehr steinig, verletzend

wie ein Kind ohne Mutter sind wir unterwegs,

es scheint kein Licht mehr ÜBER UNS

 

weder von den Sternen noch von Sonne und Mond!

Werden wir uns niemals deine Wärme spüren?

Werden wir Hoffnungslos bleiben und warten?

Bleibt unser Tanz vor Dir immer lautlos?

mit Dunkelheit bestraft?!

 

 

B

Nein, nein! Denn in den Himmel oben Gott mit seiner eigenen Hand

schrieb: “SKUTARI gehört der Muttergottes UND SIE gehört ihr”.

Ja, in den hellen Wänden füllt es

mein Herz, es ist die Stimme eines Volkes die emporsteigt:

Mutter, komm zurück zu mir!

O du, der schönste Sonnenaufgang!

Auf dich Wartet meine Heimat! Erscheine zur Welt!

Mutter, kehre zurück zu mir mit deinem Gnadenschild im Heiligen Glauben,

und Geschwisterlichkeit!

 

===================================

Aus dem Albanischen

Übersetzer Gjergj J. Kola

Wien, Oktober 2021

 

Pjesa LX

 

AI ISHTE!

E njofta… Ai ishte!

E pashë atë ditë tue predikue, me 29 prill 1967, ora 17.00.

Ai foli e na ndigjuem se shka do me thanë me kenë Atdhetar në Fé të Krishtit!

Ai ishte që tha: “Unë jam Katolik!” E kapën, e lidhën…

Ai ishte që shputë i ranë Fëtyrën me ia marrë.

Në vargoj e merthyen pse në Kryqin besoi.

Ai ishte, e pashë në mes tyne, në karvan të pafund, i pranguem përdore me Don Ndré Zadêjën, At Gjon Shllakun, At Giovani Faustin, At Daniel Dajanin, Don Alfons Trackin, Don Dedë Malaj, Imzot Gjinin e Bonattin, Etnit Mati Prennushi, Çiprian Nika, Bernardin Llupi, e sa e sa Martirëve të rreshtit pafund…

Përbindshit ma hovin nuk ia pret asgja, ai veç vret, veç pret e dhunon panumrim.

Edhe ndër muret e akullta të kështjellës së “lavdishme” të komunizmit të Burgut të Burrelit, do të shkruhej se, Ai ishte këtu! Me ata hekura të ngjyeme në gjak do të shkruhej Epopeja e Atyne Martirëve të pafajshëm, që bashkë me Ata Atdhetarë, pranguen edhe të Madhin At Pjetër Meshkalla S.J., vetëm pse, Ai ishte Meshtar i betuem dhe i vendosun për “Fé, Atdhé dhe Përparim t’ Atdheut”.

Prej melodisë së lehtë të zanit të Tij, ruhen prap këta tinguj:

“Vëllazën me të gjithë, pa dallim Feje”!

Bashkë me né kjo muzikë do të zbuste qinda e mija zemra djelmësh të rijë, që gjakun kishte fillue me ua turbullue dëshprimi. Asht Ati i madh, Ati i të gjithëve, Myslimanë e të Krishtenë, me Fé e pa Fé, që hapte krahët e u thonte: “Ejani, ejani, djelmët e mij, durim, durim, të lutemi për ta dhe t’i falim!”, e së bashku me të gjithë vazhdonte vuejtjen, dhunën, mjerimin e pakufi, gjithmonë si Feja e pat mësue, tue pritë delen e humbun. E kur tirani, me sy të ngërthyem si mordja, na dukej në atë skëterrë që me plot lakmi shihte rininë shqiptare, kah gjak në vetull vëllau vëllaut po i merrte, si t’ ishte i huej që Atdheun po i shklet; i Madhi At Mëshkalla, veç brofte në kambë e zani si prej një vorrit naltohej deri në qiell:

“Na nën dhé e ju mbi dhé, por na jemi ma të fortë se ju”.

Ushtria mbas Tij veç shkonte, ndër shtigje të tjera që frymën ta merrnin, por Trimi ka orën çuet! Ai s’ thehet! Ai printe përpara!

Kur bishat vërriten me djegë Ungjillin – vetëm një za aty u pat ndigjue: “Inkuizicion!”, e Ati u tha: “Digjeni, digjeni, po deshët, se as ju nuk keni me ia dalë, ashtu si paraardhësit tuej, që tash 2000 vjet veç djegin Ungjijtë e Fenë e Krishtit nuk kanë muejtë me e shue as me e zhdukë!”.

Mizorët tërbohen ma zi kur Burri dy pëllambë i shkurtë, u thotë: “Unë në Zotin besoj, e do të fitoj, ju më dënoni sa të doni, se unë prap se prap do të dal; ju shoshojnë keni me hangër e aty asht fundi juej!

Feja e Krishtit nuk maron kurr”!

Profet! Vërtetë, Ai nuk trembët prej territ, se e di se Zotin do të shohë një ditë… Prap në hekura, prap në pranga, i lidhun mbas turmës: Ai ecën, nuk ndalet, nuk trembet, nuk përkulet, mes turmës ecën, e në Veronikën nuk hasë, nuk ka kush Fëtyren t’ ia fshijë. E prapseprap çdo çast Ajo Fëtyrë, më dukej ma e pastër, ma e dlirtë e ma hyjnore se kurrë!

E, megjithatë, nuk mungoi edhe një grue, që dhimbjen e nanës harroi e zani i saj humbi në një gropë, si grueja që në dhé hyn pa Prift. Të gjithë si ishim mbërthyem dhambët e kapërdimë ato pak fjalë, që per shumë vjet i ruejtem të ndryme në zemër:

“AI ISHTE HERO”!

Vetëm një Burrë, përkarrshi i thinjun, Gurakuqi Trimi, që edhe sot e shoh të zemruem me nofulla të shtërngueme, diçka përshpriti nën mustak e buzën zuni njak kah pa që zvarrë deshtën me e marrë e, gjunjët me gjak me ia bâ, por Ai, si Lajmëtari drejt Qiejve, flutroi e në prehën të Zotit pushoi!. Ushtuen malët e u dridh toka.

Kushtrim ndër Bjeshkët e Nêmuna lëshoi si shkrepë vetima:

“O BURRA, bre, Fitova”!

Në xhips e futën për terr. Golgotë përsëri…

Ai ishte që u tha: “Ju Kishat rrenoni, por toka nuk lot, ju prishni Kisha e Xhamija, turp!

Në truell të Kastriotit çdo gja po shkatrroni, turp, për ju!

Ai Krishtënimin Europës ia mbrojti!” Por Europa, s’kujtohet.

S’kujtohet, se e di se mbrohet:

ASHT PJETRI, Meshtari, Juzuiti i Madh, Stërnipi i Gjergjit, që Fenë e mbron. Ajo nuk shqimet në SHQIPNI!

Në Shqipni asht Pjetri që Krishtin nuk mohon, jo, kurrë, se asht Meshkalla i Madh që e mbron e vedin flijon, për Krishtin veç vdes e, s’e lëshon!

Kumbonaret heshtin. Dyert e mëdha mbyllën.

Dritaret me gurë “ata” i gjuejnë. Ushtojnë kristalet që thehen, shalldanët  që  rrëzohen.  Metalurgët  shkrijnë  kumbonë,  se tingujt e tyne dëspotëve veshtë ua shurdhojnë dhe s’mund t’I ndigjojnë kah grizhën e ftojnë. Mbas Atit shkojnë! Ai ishte, që Kalvarin vazhdon pa u ndalë.

Ai ishte i urtë, i përvujtë, i palodhun, i dashtun, i pakursyem, i patrembun, e gjithmonë buzagaz.

At Pjetri i zdathun, i çveshun, i etëshëm mes vëllazënve të uritun, veç lutej: “Fali, o Zot, se s’dijnë se shka bajnë!” Djelmëve buzën e thame me ujë ua lagë, pikë-pikë, buzën e zhuritun ua zbutë, “Bariu i Mirë”, At Pjetri; uratën me ta e thotë e, kur nën Kryq Ai rrëzohët, Ata me vrap e çojnë, e marrin, e Kryqin ia mbajnë, e ndihmojnë, se Ai ishte që ju prinë… Ai ecte me ta n’errësinë, nuk ndahet, nuk ndalet, nuk kthehet, Ata janë Bijt’ e Tij.

Ai ishte Ati, që thërriste: “Ecni, ecni, Bij të e mij, se Drita s’asht larg”! Ai vetë Ju prinë për mos me ra në greminë…

Ajo nuk asht aq larg sa kujtojmë, forca, durim, ecni e të mos ndalojmë… Përpara!Ecni! Përpara! Larg shihet një Dritë!

E Brezat e ardhëshëm njëditë…

Simbolit të Atdhëtarisë, Fesë, Burrnisë, Trimnisë e Fisnikisë Shqiptare që, burrnisht me Kryqin e Krishtit, pa Ju tutë syni gjujzoi Perandorinë ma barbare komuniste per 44 vjetë, t’ asaj Europës plakë e shkretinave t’Azisë; ashtusi Parardhësi i Madh dhe i Pavdekshem Gjergj Kastrioti – Skenderbeu, që me shpatë në dorë mposhti per 25 vjetë, një Perandori Otomane vrastare nder hunj dhe, shkatrrimtare të qytetnimit ma t’ vjeter Ilir.

 

E, Shqiptarët e Vertetë:

Nderës e Besës ndaj Atdheut e Flamurit Shqipes që s’ vdes,

Tèk I.N.R.I., me shkronjat e Fishtës daltojnë:

“AT PJETËR MËSHKALLA S.J.”

Melbourne, 12 Dhjetor 2021.

 

Në mbyllje të Vitit 120 të At Meshkallës:

Falnderoj botuesit dhe të gjithë lexuesit e Vitit 2021. Mirnjohje edhe derguesve të materialeve e mesazheve. I Madhi At Meshkalla u lutët per Ju!

Me shumë respekt per të gjithë Ata që ndihmuen në ngritjen e Kësaj Permendorje.

Autori Fritz Radovani.

Melbourne 12 Dhjetor 2021.

Please follow and like us: