Alizot Emiri, njeriu, librári e gázet fisnike (10)
GAZ E THUMBA NË LIBRARI
Si kopsht zoologjik
Në prag të zhvillimit të festivalit të parë folklorik Kombëtar në Gjirokastër, në 16 tetor 1968, u realizua një investim i veçantë për rikonstruksionin e Pazarit dhe të Kalasë. Për realizimin e këtij rikonstruksioni u aktivizuan edhe specialistë, arkitektë e inxhinjerë, të sjellë nga Tirana. Në këtë kuadër u krye dhe rikonstruksion i plotë i interjerit të librarisë. Libraria u lehtësua mjaft mbas rikonstruksionit. U hoqën banaqet e larta e të rënda, me ngjyrën kafe të errët, që qarkonin librarinë në tre faqe të saj. U realizua një banak i lehtë dhe i pjesshëm, vetëm ku qëndronte librari, ndërsa pjesa tjetër u bë me një kangjellatë dekorative druri të lyer me bojë. U bënë rafte të reja me ngjyrë të çelët për librat. Gjithë libraria shkëlqente. Zotia u kënaq shumë. Ai kish bashkëpunuar me arkitektin e interjereve për gjithçka u bë aty. Nuk e fshihte gëzimin dhe i mirëpriste me kënaqësi urimet nga cilido që i shprehte ato.
Disa ditë pasi u hap libraria e rikonstruktuar, i shkuan së bashku një grup shokësh për ta uruar. Ishin ata, shoqëria e zakonshme e humorit dhe e kafesë, juristë, mjekë, lexues të apasionuar… Hynë në librari, shprehën habi, bënë vlerësime për ndryshimin radikal të saj, bënin krahasime me atë që kish qenë, i bënin qejfin Alizotit, e uruan me gjithë shpirt dhe Zotia u kënaq pa masë. Lëvizte përgjatë rafteve, mbas kangjellatës dekorative, që ndante shitësin nga blerësit dhe komunikonte me të gjithë.
– Vetëm një difekt ka në këtë rikonstruksion! – u shpreh njeri nga miqtë.
Të gjithë shtangën nga kjo vetëtimë në qiellin pa një re.
– Çfarë? – e pyeti i habitur Zotia.
– Me këtë kangjellatën që rrethon librarinë, duket sikur je futur në kafaz, njëlloj si në kopshtin zoologjik!
– Shumë e drejtë, por me një ndryshim të vogël – ia preu në moment Zotia, që e kuptoi se ku donin të dilnin me gjithë ato lëvdata e me gjithë atë tabor, që kishin mbledhur për urim.
– Çfarë ndryshimi? – e pyetën me padurim Zoten, që fatmirësisht e pranoi dhe vetë se është si në kopshtin zoologjik. Shyqyr që u kap një herë mat!
– I zoti ri brënda e kafshët përjashta!!! – i sqaroi me qetësi
Nuk pushonin të qeshurat. Uruesit nuk dëgjonin të dilnin nga libraria. Mezi prisnin të vinin të njohur të tjerë dhe ua tregonin vetë historinë e re. Qeshnin përsëri. Të ardhurit pyesnin Zoten për konfirmim, para se t’i jepnin dhenë muhabetit.
– Janë të sinqertë, nuk gënjejnë, këtë të mirë e kanë! – përgjigjej duke qeshur Zotia, që kish dalë me lezet nga “rrethimi”.
Dua një bibliotekë
Ishte vënë në pozita para shokëve. Sa ishte kthyer nga jashtë shtetit. Kishte bërë një specializim disa vjeçar. Shikohej me një lloj zilie nga kolegët, si çdo i ardhur nga jashtë në atë kohë. Nga kontaktet me të u kuptua se kishte mungesa në kulturën e përgjithshme, thuhej se nuk kish lexuar asnjë libër në jetën e tij. Kjo u mor vesh shpejt, sepse në Gjirokastër janë të pajisur të tërë me “aparat mënd-kërkus”.
Sa herë që takoheshin me të pushonte tringëllimën “aparati”, binte në gjumë të thellë. Ndaj e këshilluan shokët se duhej të krijonte patjetër biblotekën e tij personale. – Po si ta bëj? – kish pyetur.
-Për këtë mund të të ndihmojë Alizoti – e orjentuan ata. Ndaj shkoi një ditë në librari:
– Alizot, erdha të më ndihmosh të bëj një bibliotekë për në shtëpi!
– Shumë mirë bëre që erdhe, por këtu është librari e ka vetëm libra, raftet nuk shiten. Për bibliotekë do shkosh tek marangozët, tek Mane Xhaxhiu, në krye të Varoshit. Zotes i kishte kapur veshi diçka për këtë person, por bëri sikur nuk e kuptoi se si e kishte hallin, nuk e gërmoi më tutje muhabetin.
Ishin shkrirë së qeshuri shokët e tij, kur u tregoi se si e kish përcjellë Zotia. -Po pse mo, dhe raftet e librarisë kërkove t’i marrësh Alizotit…?
Pas ca kohe i shkoi përsëri në librari Ai me shokët e tij. Të gjithë blenë nga një libër, Ai ngeli i fundit. Nuk dinte çfarë libri të merrte dhe e gjeti zgjidhjen e duhur, që do ta shpëtonte nga romuzet e shokëve.
– Alizot, librin tim e dua të ma zgjedhësh ti!
– Me gjithë qejf, – u tregua i gatshëm si gjithmonë Alizoti , po, që të qëlloj në shënjë ,më thuaj se ç’libra ke lexuar.
– Nga këto që ke këtu, – i tha ai, duke mobilizuar tërë arsenalin e tij mendor për t’i kthyer një përgjigje, që nuk ja zbulonte realitetin -, nuk shikoj të kem lexuar ndonjë.
– Po pse s’thua ti që ne bashkë duhet ta fillojmë nga muhalebia!- e sqaroi gjithë seriozitet Zotia.
– Ç’është kjo muhalebi, mo Zote? – e pyeti një nga shokët.
– Abetaria! – u përgjigj Alizoti i çliruar, që gjeti, pa shumë mundim, atë libër që i takonte lexuesit fillestar.
Një natë në Broduej
– Urdhëroni! – iu drejtua Alizoti klientit, që me sa duket, më së fundi, vendosi të blente një libër pas gjithë asaj sorollatje, në heshtje, nëpër dyqan, sikur ishte në kërkim të ndonjë thesari.
– Dua atë librin “Një natë në Bordello”! – i tha klienti, që, ndoshta për këtë arsye, priti të largohen të gjithë njerëzit nga libraria. Nuk ishte e moralshme në atë kohë, që të kërkoje një libër të tillë në sy të njerëzve. Do ta kishin marrë nëpër gojë. Apo s’kishte gojë të liga Gjirokastra!
Alizoti e kuptoi se klienti ishte ngatërruar me titullin e librit “Një natë në Broduej”, por nuk nxitoi ta sqaronte, sepse ju shtua dhe një episod në linjën e tij të humorit. Vetvetiu mori një buzëqeshje nën buzë, por pa i rënë në sy blerësit, të cilit nuk donte t’ia prishte kënaqësinë se po blente në mes të ditës një libër të ndaluar, që çuditërisht ishte ekspozuar në vitrinën e librarisë. Mori nga rafti librin dhe ja dha lexuesit. Kopertinën me titullin “e turpshëm” e mbante poshtë, që të mos dukej, sikur donte të ruante klientin e ri nga sytë e këqinj të botës. Klienti pagoi dhe u largua.
Të nesërmen erdhi përsëri në librari, i shoqëruar me një shok, për të mos qenë prapë vetëm në një bisedë delikate, për atë shoqëri të mbyllur, tepër fanatike. I shkoi afër librashitësit dhe, me një pamje të qeshur e të ndrojtur, i tha, si në konfidencë:
– More Alizot, si shpjegohet që ai libri “Një natë në Bordello„ s’kishte asnjë gjë brenda. Tërë natën e shfletova, s’lashë faqe pa parë, po bordellua s’më doli asgjëkundi. Si ka mundësi? Bën vaki kjo, që në kopertinë të vihet një titull tërheqës vetëm për ta shitur librin?
– Jo, nuk ka mundësi. Në përgjithësi titulli i librit përfaqëson përmbajtjen e tij. Por po më çudit, se libri që more ti dje është pëlqyer shumë nga lexuesit. Me sa kuptoj unë, ju jeni ngatërruar pak me titullin.
Alizoti mori një kopje tjetër nga rafti dhe ia vuri përpara mbi banakun e librarisë e i tha:
– Unë e lexoj ndryshe nga ju titullin e librit.
Hunda si oxhak
Në librari, në Gjirokastër, pihej duhan, ndonëse rrinte varur dhe tabela “Ndalohet duhani”!
Pinte vetë Alizoti. Pinte shumë. Majat e gishtave i kishte me ngjyrë të verdhë në kafe nga duhani. Ndizte cigaren me cigare. Dy – tre paqeta “Partizani” në ditë. Jo vetëm që e dëmtonte në shëndet, por e ndjente shumë dhe ekonomia familjare mjaft e dobët. Ndaj vazhdimisht porosiste duhan dhe e pinte me të dredhur. I siguronin duhan “Drishti” nga fusha e Shtoit në Shkodër. Ja gjente Feriku, Ferik Shtinua, shok i ngushtë i Zotes, që banonte në Tiranë. Qëllonte që e merrte vetë Zotia tek Feriku, kur vinte në Tiranë, por në përgjithësi ia merrte Ibrahimi, djali i madh. Thoshte se pinte më pak cigare me të dredhur, nga që e vononte procesi i përgatitjes së cigarit.
Pinin dhe klientët që rrinin gjatë në librari. Shumica e pinin duhanin nga halli, si puna e Zotes. Por kish dhe nga ata, ndonëse të rrallë, që e pinin për t’u dukur burra. E thithnin fort cigaren dhe e nxirrnin tymin nga hundët, duke e mbajtur gojën mbyllur. Tymi dilte në dy shtëllunga me presion nga vrimat e hundës. I zoti i tymit krekosej për atë që bënte, tymosjen e librarisë, duke menduar se të tjerët ishin të paaftë për të bërë atë lloj “pune”. Shikonin të kapardisur rreth e rrotull duhanxhinjtë e tjerë, që i torturonin cigaret e veta në gojë, duke ua marrë shpirtin avash – avash.
Zotia i kish shumë inat njerëzit e fryrë në përgjithësi dhe nuk ua kursente romuzet. Për këtë kategori përdorte shprehjen: – Ta dinte Perëndia se njerëzit do ta përdornin hundën për oxhak, do t’ja u kishte vendosur atë në majë të kokës!
Të gjithë qeshnin me heroin e tymosjes, duke i dhënë një mësim për krekosjen.
Poli i Veriut
Në vitet 50 – 60 burimet e informacionit ishin mjaft të kufizuara për publikun e gjerë. Mungesa e informacionit i linte rrugë të lirë fantazisë, që shpesh shoqërohej me humor.
Kaman Çabej, pasi kish lexuar një artikull në revistën “L’Union Sovietique” për anijen akullthyese sovjetike, e cila kish shkuar për në Polin e Veriut, po i tregonte Zotes, se hapja e rrugës në akullnajë do bënte të mundur, që të lidhej në vijë shumë të shkurtër detare Rusia me Amerikën, nëpërmjet Polit të Veriut dhe do të lehtësohej lundrimi i vaporëve.
-Po ç’mollois kështu, mo Kaman mavria?! – ja priti Zotia. – Po nuk e di ti se ç’domethënë Pol i Veriut, mo? Pol i Veriut është një shkretëtirë e pafund akulli e suferinash të acarta, që po të hedhësh dot, ama dot, ndonjë pordhë dhe të kthesh kokën prapa, e shikon atë me sy, të ngrirë, si koqe ve.
Kamani, aktori me shumë humor i estradës së Gjiro-kastrës, fillimisht e ndoqi shpjegimin e Zotes me shumë vëmendje, i bindur se do të mësonte ndonjë njohuri të veçantë shkencore. Pastaj qeshi me të madhe së bashku me Zoten.
– Domethënë, kush ka niet të vejë në Polin e Veriut, duhet ta mbledhë mirë by… që t’i shpëtojnë pandadhonat pa çjerrë,- e mbylli duke qeshur Kamani, që tregoi se e përvetësoi spjegimin “shkencor” të Zotes.
Më lër këpucët e tua
I kërkoi dikush një sasi lekësh borxh, kur Zotia kishte dyqanin privat. Zotia e njihte personin. Në opinion, në Gjirokastër, nuk mbahej si burrë i mirë.
– Posi, – i tha Alizoti – t’i jap, po me një kusht ama!
– Po, mo Alizot, ç’të duash ti, në vënd, mos e zgjat fare. Ma thuaj! – u përgjigj i kënaqur nga gadishmëria e Alizotit borxhkërkuesi.
– Do më lësh tani këpucët e tua këtu, bile nuk e di në ç’gjëndje i ke – i tha Zotia dhe ndëri kokën për t’i parë këpucët.
– Uaaa, po unë si të iki nëpër Pazar, zbathur? Pastaj, ç’i do këpucët e mia, mo Alizot, s’e kuptoj! – pyeti i habitur borxhkërkuesi.
– Po pse mo, këpucët e mia do gris unë që të të gjej ti, për të më kthyer borxhin?! – e pyeti me seriozitet Zotia.
Kur rrëzoheshin para librarisë
Rastiste ndonjëherë, që kur kalonin njerëzit nga rruga për në sheshin me pllaka, para derës së librarisë, pengoheshin e bile rrëzoheshin. Çoheshin, fshiheshin nga pluhuri, kthenin kokën mbrapa për të parë se ku u penguan, hidhnin një vështrim rreth e rrotull se mos i kish parë njeri, nevrikoseshin po të shikonin ndonjë që qeshte me këtë skenë dhe hynin në librari me një pamje të tronditur, të inatosur, me fytyrë të ikur, të zverdhur, të revoltuar, duke turfulluar e, ç’është më e keqia, pa patur të drejtë për t’u ankuar…
Alizoti, që e kish kuptuar që nga brenda se po hynte një njeri që kish pësuar një aksident të vogël, e priste me një shprehje qetësuese:
– U vrave shumë?
– Jo mo, pak, po s’e mora vesh si u pengova, si rashë, çudi e madhe…!
– Nuk është faji jot, nuk je i pari që rrëzohesh, – e shfajësonte Alizoti.
Klienti gjente ngushëllim tek fjalët e ngrohta të Librashitësit. Pra nuk pati faj për “aksidentin”, diku gjetkë qëndronte faji, e tha dhe vetë i zoti i dyqanit, i cili vazhdonte sqarimin:
– Fajin e ka Perëndia, që u a ka vënë njerëzve sytë në ballë. Gabim i madh! Po t’ua kish vënë në majë të gishtave të këmbës, sigurisht që nuk do të rrëzoheshin.
Vizitorët qeshnin dhe çliroheshin nga gjendja e tensionuar, paçka se Alizoti nuk i kish shfajësuar plotësisht.
Karvani i deveve
Kishte raste kur në librari hynin një grup shokësh, bashkarisht. Kjo, zakonisht, ndodhte me grupe intelektualësh, që i bashkonte dëshira për dije, për të lexuar, për të diskutuar, e pse jo, edhe me Alizotin, që do t’i jepte dhe ngjyrat e humorit.
Qëllonte që kur do hynin tek dera e librarisë të bëhej ceremonia e respektit reciprok. I hapnin rrugë njëri – tjetrit. Respektohej mosha, shkalla e arsimimit, niveli intelektual, pozita shoqërore, vlerat njerëzore në tërësi. Dhe hynin në librari të vetërenditur. Zotia e lexonte falas këtë klasifikim. Shpeshherë e gjente me vend këtë lloj renditjeje dhe i vinte mirë që, “shkonte haka te i zoti”, siç thoshte ndonjëherë. Por kishte dhe renditje që bëheshin sipas pozitës shtetërore e, sidomos, asaj partiake.
Dera e librarisë qëndronte gjithmonë e hapur dhe Zotia që nga brenda dëgjonte shprehjet e respektit: “Jo, ju lutem, hyni Ju! Ooo, më vjen keq, Ju takon Ju! Mos e zgjat, është e tepërt, më falni …”! Më së fundi hynte i PARI i grupit. Mbas gjithë asaj përzgjedhjeje, me të drejtë, i PARI ndihej i kënaqur. E shprehte dhe në fytyrë. Hynte i qeshur, përshëndetej me Zoten… Dhe Zotia i priste krahëhapur, i qeshur, i dashur e plot humor. Qëllonte, që në këto raste, të përdorte një shprehje, që nuk e di se nga e kish qëmtuar. E thoshte me zë të lartë, në mënyrë demostrative, sikur e recitonte. Gjithë grupi e dëgjonte me vëmendje.
– Edhe karvani i deveve në shkretëtirë e do një gomar përpara, për t’i treguar rrugën e për t’i mbajtur ritmin!
Të gjithë qeshnin. Qeshte dhe i PARI, i porsazgjedhuri nga “devetë”, që kish mbrapa. Nuk ia merrnin për keq Zotes. Përkundrazi, kjo i hapte rrugë humorit të këndshëm, dashamirës dhe romuzeve e hidh e prit – eve, aq të zakonshme nga gjirokastritët.
Këtë shprehje Zotia e përdorte veçanërisht kur i vinin miq të hershëm, që nuk banonin më në Gjirokastër. Ata i sillte ndonjë sebep në rrethin e tyre familjar dhe mezi prisnin të takoheshin me librarin e njohur tek Qafa e Pazarit. Zotia fluturonte nga gëzimi, posa i dallonte nga xhamet e vetrinave të librarisë. Sapo hynin në librari, pasi ju recitonte “shprehjen” për karvanin e deveve, i hidhej në qafë plot mall “gomarit”, që i printe grupit të njerëzve që e shoqëronin.
Por qëllonte qe i PARI i një grupi shokësh, që hynin njëkohësisht në librari, zgjidhej thjesht për pozitën partiake, që mund të kishte për momentin. Nuk do ta eksagjeronim po të thoshnim, se nivelin intelektual të secilit librari e njihte, sepse e dinte çfarë kishin lexuar. Sikundër e dinte se kishte edhe nga ata partiakë, që lexonin ose jo, vetëm gazetën. Dhe pikërisht atëherë ishte rasti që shprehjen, gomari kryeson karvanin, Zotia ta përdorte me shumë vend. Por jo! Ruhej! E dinte mirë se pikërisht nga kjo kategori duhet të ruhej. Për injorancën humori ishte provokim. E kish provuar!
Gjoba e policit
Një polic i ri, i ardhur në Gjirokastër, hyri në librari. Ishte në detyrë. Kontrollonte zbatimin e një vendimi Qeverie, për mos pirjen e duhanit në dyqanet ku kish rrezik zjarri. E gjeti shitësin, Alizotin, me cigar në gojë! Ju drejtua atij me seriozitet:
– Shoku qytetar, jeni në shkelje të ligjit për masat mbrojtëse kundër zjarrit. Në librari ndalohet pirja e duhanit. Unë ju gjeta me cigar të ndezur. Për këtë radhë unë po ju pres një gjobë.
Dhe polici hapi bllokun, formuloi gjobën dhe ia dha Alizotit, shkelësit të ligjit. Alizoti e pa fletën e gjobës dhe, “i çuditur”, pyeti policin:
– Për ç’periudhë ma ke prerë gjobën, se s’po e shoh, të shkruar.
Polici, i habitur nga pyetja, e sqaroi:
– Xhaxha, gjoba të vihet për tani. Unë të gjeta me cigar në gojë, të vendosa gjobën sipas ligjit. Unë do të vij përsëri. Po të gjeta me duhan ndezur, do hash gjobën tjetër. Ja kështu!
– E po mua nuk më bën punë kështu kjo gjobë, – i tha Zotia. – Unë e dua të shkruhet dhe periudha, se unë do ta pi prapë duhanin. Nuk rri dot pa të. A e di ç’ke? Që të jemi në rregull dhe unë dhe ti, gjobën prema për një vit. Do ta paguaj sa të jetë. Dhe ti hajde vitin tjetër.
– Po nuk ka gjoba siç i do ti, mor xhaxha, – i tha polici, që nuk e njihte Alizotin.
-Ka, ka, – i tha Zotia. – Pyeti shefat e tu se e dinë. Më kanë gjobitur edhe herë tjetër.
Polici nuk e kundërshtoi, u largua dhe nuk i shkoi më Alizotit. Kuptohet, shefat e policit të ri, e njihnin Alizotin.