Alizot Emiri, njeriu, librári e gázet fisnike (14)
HISTORITË ME NËNTEKST
HISTORIA ME KAUBOJSIN
E kishte qejf këtë histori! E tregonte rrallë, kur i përshtatej muhabetit.
Kishte shkuar një kaubojs në kafene, si tek Klubi i Gjuetarëve këtu tek ne, (në Gjirokastër), – e aktualizonte historinë Zotia për dëgjuesit. Zbriti nga kali, e lidhi tek bitha e rrapit, i ra me pëllëmbë në vithe dhe u fut i kapardisur brënda kafenesë. U ul këmba mbi këmbë dhe porositi kamarjerin, që po falej para tavolinës, duke i shkuar koka tek maja e çizmeve të atij. Piu kafenë për qejf, u shkreh në muhabet me banakjerin, piu dhe disa gota domosdo, duke fshirë buzët e mustaqet me mëngën e këmishës dhe u ngrit për të dalë. Pagoi, doli jashtë dhe vuri re se kali i tij nuk ishte. E kishin marrë! U tërbua nga inati, u kthye nxitimthi i xhindosur, përplasi derën e kafenesë me shqelm dhe nxorri nga këllëfët të dy koburet që kish në brez. Qëlloi në tavan njëherësh. Të gjithë shtangën. Ai thirri:
– Në rast se nuk më kthehet kali për dhjetë minuta, unë do të bëj atë që bëri im atë kur i vodhën kalin!
Doli njeri nga kafeneja dhe për pesë minuta u kthye me kalin e vjedhur të kaubojsit.
Ky i futi koburet në brez duke turfulluar si me inat, që i sollën kalin në kohë. I hypi kalit i nevrikosur me veten e tij, që u la aq shumë kohë për t’i sjellë kalin. Tek kafja ishin çuar të gjithë burrat dhe po ndiqnin lëvizjet e kaubojsit të tmerrshëm. Kur e panë se po ikte pa ndëshkuar njeri, i thirrën të trembur, por gjithë kuriozitet:
– Para se të ikësh, na trego se çfarë ka bërë babai juaj kur i vodhën kalin.
– Iku më këmbë! – u përgjigj kaubojsi qetë-qetë dhe e çpoi kalin, që u lëshua në vrap për andej nga kish ardhur.
NDRIÇIMI I RRUGËVE
Tregoheshin në librari edhe histori të vjetra gazmore. Bashkia e Gjirokastrës në vitet ‘30 kishte investuar për ndriçimin e disa prej rrugëve më kryesore, të pjesës qendrore e më të populluar të qytetit. Ishin pajisur me fenerë rrugët e Pazarit, të Kalasë, të Palortosë, të Dunavatit, të Manalatit… Kishin punësuar një punonjës për ndriçimin, i cili çdo mbrëmje furnizonte me vaj dhe ndizte fenerët.
Punonjësi ishte banor i lagjes Palorto.
Kryetar i Bashkisë ishte nga lagjia Manalat.
Kishte rënë në sy se, shpesh herë, punonjësi i ndriçimit ndizte vetëm fenerët e Pazarit dhe të lagjes Palorto, që i kishte rrugës kur kthehej në shtëpinë e vet. Rrugët e tjera ngeleshin në errësirë.
Kryetari i Bashkisë, i vënë në dieni për këtë veprim, e kishte qortuar disa herë punonjësin, i cili i justifikohej. Ky justifikim është gdhendur në një bejte, të cilën e kam dëgjuar ta tregonte me kënaqësi Alizoti.
Kryetari – Të kam thirr di a tre herë/Pse s’m’i dhez ato fenerë?
Punonjësi – Më ke thirr, ësht’ e vërtetë,/Po kur ka hënë, feks vetë!
Kryetari – Po kur ka hënë kudo,/Pse i dhez në Palorto?!
BORXHLIU
Shkoi një hallexhi për të kërkuar borxh tek një tregëtar. I qau hallin. Tregëtari e njihte. E dinte që ishte njeri namuzqar, (i ndershëm) dhe ja plotësoi menjëherë kërkesën. Borxhliu i mori të hollat dhe nuk po largohej nga dyqani.
– Shkruaji në defter! – i tha tregëtarit të mirë.
– Ik! – i tha tregetari -, nuk ka nevojë të shkruaj për ty.
– Jo, jo, shkruaji! – ngulte këmbë borxhliu me namuz dhe priti sa ia plotësoi dhe këtë kërkesë tregëtari.
– Shkruaji, shkruaji, por ama, në mos t’i kthefshaaa … shuaji! – psherëtiu më në fund borxhliu, që nuk donte t’i linte borxhe familjes, në rast se jeta do vazhdonte ta nëpërkëmbte.
KOKA E MAJORIT
U ulën për të ngrenë. Majori ishte i shoqëruar në tavolinë. Erdhën porositë e para. Aroma e paçes dhe uthullës me hudhëra u shpoi hundët. Majori u bë pishman për porosinë që kish dhënë. Vendosi ta ndërronte dhe thirri kamerierin.
–Të lutem, atë kokën time bëma paçe!
Kamerieri miratoi me kokë ndryshimin e kërkuar nga klienti dhe menjëherë thirri fort direkt nga salla, që të dëgjohej në kuzhinë, para se të përgatitej porosia e dhënë pak më parë nga ky klient:
–Kokën e majorit bëne paçe!!!
Të gjithëve iu ngeli luga në dorë, kur dëgjuan këtë thirrje urdhëruese, tronditëse sa dhe rrënqethese, të kamerierit. Kthenin kokën dhe shikonin nga majori. I shikonin kokën dhe bënin llogari se sa pjata paçe do të dilte gjithë ajo kokë. Dikush që e njihte majorin dhe e dinte se, veç gradave nuk kishte ndonjë vlerë tjetër, bisedoi nën zë me shokët në tavolinën tjetër:
– Sa mirë i vajti në mënde kamerierit! Kot e kemi ofenduar majorin, se, gjoja koka e tij s’ka asnjë vlerë. Asnjë gjë s’do hedhur poshtë! Nikoqirllëkut të Gjirokastrës nuk i vete dëm as koka bosh!
MULLIXHIU GJENERAL
E tregonte këtë histori ndonjëherë, kur, në atë kohë, barra e kalit i besohej gomarit.
Gjenerali vendosi të kalonte natën në mullirin, që ndodhej në vijën e frontit. Në këtë kohë lufte ishte një eveniment edhe për mullixhiun të kishte mysafir një gjeneral. U ndje i vlerësuar, por mbi të gjitha, i mbrojtur! Nuk la gjë pa bërë për ta nderuar! Hëngrën bashkë darkën e shijeshme e të bollshme dhe biseduan gjatë. Mullixhiu s’ngopej duke e parë me atë uniformën e shkëlqyer, gjithë shirita të shndritshëm. Duke pirë nga një gotë e duke u çliruar nga emocionet, mullixhiu nuk e fshehu zilinë, që i ngjallte detyra e gjeneralit.
–Lum ti ku ke arritur! Je i rrethuar nga respekti e nga nderimet pa fund, kurse unë i shkreti punoj nat’ e ditë në mulli. Rropatem gjith kohën me thasët e rëndë në krah e në darkë bie i vdekur … !
Rakia po e ngrinte në përgjegjësi dhe mullixhinë. Nuk po i dukej më gjenerali gjeneral! Komandanti i frontit po e dëgjonte mullixhiun me buzëqeshjen, që i shkaktonte këndvështrimi naiv i mullixhiut, i cili llogariste vetëm përfitimet e atij posti të lartë në ushtri e në shoqëri.
Vazhdonin të pinin gjithë qejf dhe gjenerali filloi ta kundërshtojë mullixhinë, duke i treguar plot të mira që gëzonte mullixhiu, kur gjeneralit i duhej të përballej me rreziqe, që nuk pyesnin se çfarë grade mbaje mbi supe.
– Unë kur shkundem nxjerr baltë e gjak, kurse ti të del miell, more mullixhiu i pa kënaqur! – i tha gjenerali, që shqetësohej sa herë dëgjonte gjëmime të largëta predhash.
U ndezën keq gjakrat. Zjarrin vazhdonin ta shuanin me raki.
– Vërtet bie “i vdekur” në darkë, o mullixhi, po në mengjes ngjallesh përsëri, mos e harro!
Mullixhiu insistonte. Nuk dorëzohej as para gjeneralit.
– A i ndërrojmë vëndet? – donte ta mbyllte sherrin e panevojshëm gjenerali, tashmë i dehur tapë.
– Në vënd! – ishte në një mendje dhe mullixhiu dhe nuk e zgjatën më atë muhabet. Ndërruan veshjet.
Po gdhinte dhe mullixhiu, që nuk i shkonte më për shtat mulliri, doli jashtë i veshur me rrobat e gjeneralit. Qe errësirë. Ordinancat e shoqëruan drejt e në front.
Filloi përgatitja me artileri nga armiku. Mullixhiu nga çdo gjëmim po shkundej nga mielli i tepërt. Nuk dinte ç’të bënte! Shoqëruesit po çuditeshin me trimërinë e gjeneralit. Ai nuk po mbrohej! U plagos në kokë! Humbi ndjenjat dhe, kur u përmend, e pa veten të rrethuar nga një tufë mjekësh me përparëset e bardha, që po diskutonin me shqetësim:
– A e ka prekur plumbi trurin e gjeneralit, apo jo?!
– Po të kish tru kjo kokë kish ndënjur në mulli! – u përgjegj “gjenerali” i plagosur, që i la me gojë hapur mjekët.
ME KËTË ERË QË VJEN…
E kam dëgjuar Zoten ta tregojë shumë herë në librari. E tregonte në rrethe shoqërore shumë të ngushta. Atëherë unë isha i vogël dhe nuk arrija të lexoja nëntekstin, që mbetet aktual dhe sot.
Kishte vajtur në Itali një bej nga Shqipëria. I shoqëruar, kuptohet. Ishte pasuruar, por qe injorant. Po gjezdisnin për qejf. Shkuan dhe në Venecia. Kishin ngrënë një drekë të mirë, bile beu ishte çmallur edhe me fasulet. Pas buke dolën shëtitje me gondola. Frynte pak erë dhe gondola hidhej nëpër dallgët e vogla të Kanal Grande. Kur po e tundte varka, beu e kuptoi se qe treguar tamaqar me fasulet. I kishin pëlqyer. Ditkeshin dhe italianët t’i gatuanin! Por i duhej të shtrëngohej fort, që të mos i shpëtonte ndonjë po… Po i rrezikohej nderi! Dallgët po e tradhëtonin. Nuk e përballoi dot. I shpëtoi! Për fat, nuk u dëgjua. Humbi në zhurmën e dallgëve të detit.
Shyqyr po mendonte beu, por ndërkohë e kundërmoi era e keqe. Varka ishte e vogël dhe beu e kuptoi se të gjithë e kishin ndjerë. S’kishin se si të shpëtonin. Pordhë beu! Ata po shikonin të habitur njeri-tjetrin, sikur donin të provonin pafajësinë ndaj beut. Ndaj për t’ju hequr mëndjen nga era e keqe, beu iu drejtua gondoljerit:
– Kam dëgjuar se ju marinarët jeni njohës të mirë të motit. Si të duket? Ç’do bjerë?
– Me këtë erë që vjen, – ju përgjigj në moment gondolieri, që i qe prishur fytyra nga era e keqe -, mut ka për të rënë!
SHPREHJET QË DËGJONIM MË DENDUR
Jezit Alizot, sa bukur e lot! – ishte një shprehje, që e përdorte Zotia, sidomos kur luante shah në Klubin e Gjuetarëve. Sa herë e ndjente veten ngushtë në lojë dhe detyrohej të bënte lëvizje të sforcuar, pa ndonjë parashikim të qartë, e artikulonte këtë shprehje, për të krijuar idenë, se kjo ishte lëvizje që i siguronte atij fitoren. E thoshte me zë të lartë, sikur i dilte vetvetiu nga siguria, që i jepte kjo lëvizje për fitoren. Kështu tërhiqte vëmëndjen e kundërshtarit, të cilin, në jo pak raste, e hutonte, e bënte të humbiste besimin tek skema që po zbatonte, e çorjentonte dhe e bënte humbës. Loznin me llokume Kush humbiste i paguante. I sillte vazhdimisht llokume Klodit, mbesës së vogël, vajzës së Ibrahimit, që e mbanin në shtëpi, në Gjirokastër në moshën 2-3 vjeç.
– S’ja ndan llokumet me arra Klodit! U merr mënden e kokës atje, kur lozin. Fiton na hera, – na thoshte nëna kur shkonim në Gjirokastër.
Nuk jemi të sigurt, në se i kish të fituara apo i kish të blera llokumet, që sillte shpesh në shtëpi, sepse mbesa e vogël i hante pa pyetur, në se ishin apo jo trofe.
…Kur i vinte ndonjë shok a mik, që i kish marrë përsipër t’i mbaronte ndonjë punë, por që e binte vërdallë me spjegime e justifikime për përpjekjet e panumërta, që vazhdonte të bënte, Alizoti i drejtohej me shprehjen:
– Je si pula minxirjare, që rrëzon dizet vazo me lule, pa mezi bën një koqe ve!
…Kur i vinte ndonjë person që, ndërsa paraqitej si mik, si dashamirës, që ishte munduar t’i bënte mirë, por që Zotia e gjykonte se në të vërtetë, dashur pa dashur, më shumë i kishte bërë dëm, i drejtohej:
– S’ke ç’e do një hasëm, po të kesh një mik si ti!
… Kur ndodhte që të zhgënjeheshin me ndonjë person, përdorte një shprehje italiane, në italisht: Ma, il cane di razza, o razza di cane?!
Është qen race, apo racë qeni?!
…Kur ndonjë person kryente ndonjë veprim, që gjykohej në opinion si jo burrëror dhe dikush thoshte: – “…nuk i falet, goxha burrë, nuk e ul burri veten deri në këtë derexhe …”. Zotia shpesh herë ndërhynte dhe ju tregonte një histori:
Po çonin njerin për ta varur në trekëmbësh, në sheshin e qytetit. Kishte dalë gjithë mileti për ta parë në rrugët, ku do kalonte. I dënuari, me duar të lidhura, ecte duke u zvarrisur, i rrethuar nga rojet. Me kokën ulur, pik e vrer, po i afrohej trekëmbeshit. Pa pritur ju shkrep të qarët me dënesë. Nga turma dikush i qante hallin, dikush thosh mirë ia bënë, kur u dëgjua një zë i fortë:
– E mo, mbaje veten se je burrë. Burrat nuk e kanë zakon kështu!
– Ah, – psherëtiu fatziu, dhe iu drejtua turmës për ta justifikuar sjelljen e pa hijshme të tij, – Mos ma vini re, se e kam për herë të parë. Nuk jam varur asnjëherë!
…Kur klienti qëndronte gjatë në librari, duke kërkuar të gjente “librin e tij”, dhe së fundi largohej pa blerë gjë, ikte ngadalë prej librarisë, si fajtor ndaj mirësjelljes dhe shërbimit që i kish bërë librashitësi, të cilin e përshëndeste:
– Mirupafshim Alizot!
– Edhe pluhurin e këpucëve, kur më lënë klientët, ngelem kënaqur! – i përshëndeste dhe Alizoti duke qeshur.
…Kur shikonte se ndonjëri vinte në librari vetëm për të kaluar kohën, duke e konsideruar e shfrytëzuar librarinë thjesht si vend muhabeti, sapo ai nisej të largohej, Zotia i thoshte:
– Dilna, dilna, se na i ke rralluar vizitat, ndihet mungesa dhe mos harro, merr me vete dhe kanistrën me të qepura, mos të të shkojë koha dëm.
(Kanistra me të qepura ishte simbolike! Atë e merrnin gratë, sa herë dilnin të kalonin kohën me muhabete me njëra tjetrën në lagje. Bisedonin dhe njëkohësisht bënin punët e dorës, mballosnin (arnonin) çarapet, qepnin, bënin triko, çorape leshi me cita…etj).
…Kur klienti e kthente librarinë në bibliotekë, domethënë e merrte librin dhe e lexonte në librari, duke ndenjur për një kohë të gjatë, Zotia e merrte vesh se ai nuk do ta blente librin dhe i thoshte:
– A do ta blesh librin?
– Dale sa t’i hedh një sy!
– Po ti një sy ia hodhe, tjetri të ka mbetur. Po ke ngatrruar adresë, mo djalë, se kjo është librari, nuk është bibliotekë. Kjo që bën ti këtu është njëlloj sikur të shkosh në pastiçeri, të kërkosh një pastë, ta lëpish me gjuhë nja di herë e t’ia kthesh shitëses e t’i thuash “Na merre, se s’më pëlqeu”!
…Erdhi një lexues nga Tirana në librari. Në vitet 70. Kërkoi direkt një roman të botuar kohët e fundit.
– Ka mbaruar! – i tha me keqardhje Zotia.
– Si është e mundur, pata besim të plotë se do ta gjeja këtu, erdha me një frymë, – tha i dëshpëruar klienti i panjohur.
– Më vjen shumë keq, – i tha Alizoti, që e përjetonte dëshpërimin e lexuesit. Po ta dinte, sigurisht që do t’i kishte ruajtur një kopje – Po ku keni kërkuar gjekët dhe nuk e keni gjetur librin?
– Kam kërkuar në Tiranë, – e sqaroi lexuesi.
– Po më çudit, – i tha Alizoti… – Nuk ke gjetur në Tiranë dhe shpreson ta gjesh në Gjinokastër? Po s’e di ti, që kur Tirana qe balt’ e kuqe, Gjinokastra ishte djepi i kulturës?
…Kur ndonjëri ndërhynte në biseda duke dhënë mendi-me tjetër për tjetër, pa marrë vesh se për çfarë po bisedohej, krijohej situatë gazmore. Të gjithë qeshnin, personi ngelej i habitur, ndërsa Zotia mbante seriozitet dhe e pyeste:
-A ke bënë ndonjëherë një llogari të saktë?
– Për çfarë e ke fjalën? – kërkonte të sqarohej personi.
– Po ja, për shëmbëll, po ta kishe mënden tënde na letër… (prej letre), – dhe bënte një pauz të vogël qëllimisht Zotia.
– Po?!! – kërkonte vazhdimin i pyeturi, që zakonisht mendonte se do kërkohej të bënte konvertimin, se me sa libra do të barazohej ajo letër e mendjes së tij… Por hamendja e tij ndërpritej nga vazhdimi i pyetjes, që po bënte Zotia menjëherë mbas pauzës së vogël.
– Sa herë do kishe fshirë bi… me të?
…A nuk ma jep borxh atë mënden tënde për ndonjë javë, se kam një siklet të madh, sa ta hedh, të shpëtoj, se me siguri s’kam për ta ndjerë fare.
– Ma ke trurin si bajgë e lopës, rrudha, rrudha.
– Alizot, më ofendove, pse pikërisht si bajgë, s’gjeje dot gjë tjetër për ta krahasuar?!
– Ta gjeta për më mirë, se të kam mik. Të tjerat… janë pa rrudha. Dihet që sa më shumë rrudha të ketë truri, aq më i zgjuar është i zoti.
Por jo gjithmonë i kalonte “pa lagur” krahasimi.
– Ore Alizot, po vetëm me jashtëqitjet krahasohet ky truri tim, mo?!
– Ti, që bëre këtë pjetje, do të ta ndroj, do gjej një gjë tjetër, më duket se ke të drejtë!
…Kujdes, se ne kemi një zakon të keq!
Kur lëvdojmë, s’lëmë vënd për të sharë e kur shajmë, s’lëmë vënd për të lëvduar!
Këtë shprehje e përdorte Zotia kur shikonte se bëheshin gjykime të nxituara dhe mbaheshin pozicione ekstreme. Me miqtë diskutonin për qëndrimet e shtetit tonë, që, në raport me shtetet e tjera, kalonte nga ekstremi në ekstrem. Nga miqësia tradicionale, shekullore, e pa thyeshme, e pa vdekshme, etj… kalohej në armiq të betuar, që gjithë jetën, natë e ditë, kanë punuar për të të keqen e Shqipërisë, për të na bërë varrin… po ne na marrin të keqen!
…Për zgjidhjen e konflikteve ndërmjet individëve përdorte shprehjen:
Të të flas, më flet! Të të vras, më vret!
Më mirë me hyqymet!(shtet, ligj)
…Fukarallëku shfaqet në tre forma:
Fukarallëku i xhepit – E ndjen dhe e vuan i zoti. Është shërueshëm!
Fukarallëku i mëndjes – I zoti është rehat! E ndjejnë të tjerët, e vuajnë të afërmit.
Fukarallëku i shpirtit – Mjer kush e ka! I zoti është i lumtur, por e vuajnë dhe e paguajnë të tjerët! Është pa shërueshëm!
…Kur ankoheshin burrat për gratë e tyre në librari, Zotia ndonjë herë, që shikonte se i përshtatej rastit konkret dhe sidomos, në prezencën e grave, pasi kërkonte ndjesë, përdorte shprehjen e një shkrimtari:
Gratë jane si macet! Fërkoji sa të duash, në fund do të të çjerrin!
Mua po më digjet mjekra, ti kërkon të ndezësh cigaren!
Po të lanë për prift, bëhu dhespot!
————————————-
Portreti i Alizotit në botime
DALAN SHAPLLO: LIBRARI I QYTETIT DHE SHOKU IM VELOJA
“ Njerëz të dashur “ (fragment) Botuar “ Nëntori”, Nr. 11, viti 1984
…
Shkuam në librari, ku takuam librarin e njohur të qytetit, Alizot Emirin, të cilin e kisha takuar disa herë në Tiranë. Ky ishte një librar i moshuar tashmë, me kulturë, që dinte ta propagandonte librin dhe t’u jepte të rinjve e fëmijeve ato libra që u përshtateshin. Sa na pa, u çel në fytyrë e u gjallërua.
– Ç’bën Zote, si ke qënë? Si të vete puna?
– Mirë,o gazetarë, o kolegë të fjalës e të penës. Puna vete mirë. Si t’ju them? Kur më pyet ndonjë: ç’punë bën? i përgjigjem: – shes mëndjen e botës. Puna ime është ta di dhe ta kuptoj këtë mëndje, se nganjëherë të duket sikur e kupton, po je ende në sipërfaqe, s’merr vesh ç’bëhet brenda.
– Mirë e ke , – i tha Skënderi që ia dinte më shumë huqet dhe gjuhën – Kjo ndodh kur libri ka mënd brënda, po kur s’ka shumë, s’ke sepse të vrasësh mëndjen. Edhe ajo ngjan, prandaj ju gazetarët t’i thoni hapur kritikat. Të mirret vesh se ç’është e mirë e ç’është e keqe.
Libraria ishte e pasur. Kishte kritere në vendosjen e librave dhe Alizoti shkruante përshtypje të lexuesve në një defter.
Erdhi koha për të mbyllur dyqanin dhe Zotia na propozoi “ të rrufisnim “ nga një kafe te Rrapi.
Shkuam të tre, u ulëm pranë rrapit që fërfërinte lehtazi dhe, duke pirë kafenë, bisedonim.
– Tërë jetën e kam shkuar me libra, – thoshte Zotia, tani i rënë në mendime. – Dhe dua t’u fut dashurinë edhe të rinjve. Libri është gjë e bukur. Kudo qofsh, ditën, natën, udhës, kur çlodhesh në një hije, para se të flesh, e hap dhe bisedon me të, faqe pas faqeje. Kur është libër i mirë, kuvëndon me njerëzit, i do, i përfytyron, bie në mendime.
Atij i pëlqente shumë të bisedonte për librat. Ishte i zverdhur në fytyrë dhe nën syze, sytë i ndrisnin. Ra fjala për shëndetin dhe ai e ktheu përsëri me atë tonin e tij plot humor:
– Më tha një doktor se kohët e fundit më është zgjeruar pak zemra. E ke gabim, doktor, i thashë, unë e kam pasur gjithmonë të gjerë zemrën. Prandaj nuk dua ilaçe.
Ndenjëm sa ra muzgu në kafenenë te rrapi, pastaj u ndamë me Alizot Emirin dhe u nisëm për te Velo Kallajxhiu.
——————————-
ELMAZ PUTO: Alizot Emiri
“Një kohë tjetër” (refleksione )
Botim i dytë 2004
LUFTA E KLASAVE
Pak më poshtë Qafës së Pazarit në Gjirokastër, duke zbritur për në Sheshin e Çerçizit, gjëndej dikur një librari nga më të njohurat, jo vetëm në qytetin e gurtë, por në të gjithë Jugun. Të njohur nuk e bënin as librat e shumtë që shiteshin aty, as dyqani, por vetë librashitësi. Ky qe Alizot Emiri, një njeri nga më të kulturuarit e brezit të vjetër të viteve të mia të rinisë. Sa hyje në librari të priste jo vetëm buzëqeshja e këtij burri, por edhe gadishmëria e tij për të të servirur gjithë botimet e fundit, me të cilat sapo ishte furnizuar. Madje, kur mësonte se klienti kishte kulturë dhe interesa të veçanta, i servirte edhe botime enciklopedike, historike, apo politike, të reja apo të vjetra. Dhe të qepej, si të thuash me “bukë në trastë“. Pa blerë një libër vështirë se dilje së andejmi. Çudia e të gjithëve qëndronte në faktin se librari i vjetër të fliste për përmbajtjen e librave që të rekomandonte të bleje, edhe kur ato kishin ardhur nga Tirana një ditë më parë. Kur vallë kishte mundur t’i lexonte aq shpejtë ?! Më vonë shumë blerës i ranë hilesë. Alizoti lexonte për gjithë natën parathëniet e librave të reja që vinin, ose në mungesë të tyre, një faqe këtu e një atje.
Kishte katër fëmijë. Me shkathtësi e zgjuarsi arritën të mbaronin të gjithë shkollat e larta… Por Alizot Emiri kishte një “të metë” të madhe. Duke e parë jetën jo vetëm nga parathëniet e librave, por nga thellësia e tyre, jo vetëm nga xhamat e librarisë së tij, që gjëndej në njerën nga arteriet kryesore të qytetit, por në thellësinë e shpirtit të gjirokastritit, ai mbante qëndrime shume kritike ndaj ngjarjeve dhe njerëzve, që i shkaktonin ato. Dhe satira e tij nuk kursente njeri. Dhe kjo pat ndodhur jo vetëm për kohën qe flasim, por edhe në kohën e Zogut. Sidomos vështirësitë ekonomike atë njeri të ndjeshëm e acaronin së tepërmi.
– E mo, Alizot, e bleve frigoriferin? – e pyeti një ditë njeri nga bashkëlagjasit.
– Ç’ta dua ? – ia preu librashitësi, – të fut këpucët në të?!
Ironi të tilla, natyrisht, bëheshin barceleta në qytet. Dhe zyrtarët fanatikë, partiakët pa logjikë, ose disa pensionistë, e quanin, as më shumë e as më pak, por agjitacion e propagandë. Dhe një qëndrim i tillë dënohej në Kodin Penal deri në dhjetë vite burg!
Kështu ndodhi që, kur njeri nga fëmijët e tij kërkoi një biografi nga organizata e partisë e lagjes, ata ia “qëndisen”. Këtë ngjarje do ta mësoja disa muaj pasi të isha rikthyer në Gjirokastër nga Kolonja. Do të vinte tek unë Ibrahim Alizot Emiri, të cilin e njihja jo vetëm si bashkëqytetar, por edhe për faktin se kur isha kryetar i rrethit në Permet, ai qe atje me detyrën e shefit të Urbanistikës dhe Projektimeve. M’u ankua se e kishin hequr nga detyra, që e kryente me aq kompetence dhe e patën transferuar në ndërmarrjen e ndërtimit si inxhinier të thjeshtë. E natyrisht, diploma ishte e vështirë të të hiqej… Shkak ishte bërë karakteristika që komiteti i partisë i Gjirokastres i kishte dërguar Përmetit, fotokopjen e së cilës Ibrahimi ma vuri mbi tavolinë. E lexova me interes. Në të , pak a shumë, shkruhej se në librarinë, pronë e Alizot Emirit, në kohën e Luftës shitej literaturë fashiste, madje edhe pornografike. Shkruhej gjithashtu se pas çlirimit Alizoti kishte bërë katër vjet burg politik.. Karakteristika ishte e “fortë” dhe duheshin këllqe për ta përmbysur. Vendosa të shkoja menjëherë në organizatën bazë të partisë së lagjes Palorto, që e kishte formuluar. Komunistëve të organizatës u vura përpara ca fakte të tjera…
Që i ati i Alizotit, Braçe Emiri, kishte qenë gjithë jetën njeri me pikëpamje shume përparimtare. Në librarinë e tij në kohën e Luftës, komunistët ilegalë gjenin literaturë të gjerë për idetë e tyre, siç ishte gazeta “L’humanite”, organ i Partisë Komuniste franceze. Dhe ilegalët, që e blenin zakonisht këtë gazete, nuk u bënë kurrë objekt i kuesturës fashiste, siç gjurmoheshin e siç kishte urdhëruar pushtuesi. Vëllai i Alizotit, Myfit Emiri, kishte ngritur Flamurin Kombëtar nën hundën e fashistëve, me rastin e përvjetorit të luftës së Mashkullorës. Iu argumentova gjithashtu se asnjë librari nuk mund të qëndronte e hapur po të mos kishte midis të tjerave, edhe libra të kohës, qoftë kjo kohë edhe fashizëm. Pas debatesh sikur u tërhoqën. Po karakteristikë të re nuk pranuan të bënin. Le ta bënim ne të komitetit të partisë! Tregohej kokëfortësia e inati, por edhe heqja prej vetes e “pasojave”. Nga ana tjetër përvijohej niveli i ulët kulturor i komunistëve të asaj organizate, i cili përgjithësisht shfaqej në formën e një mëndjemadhësie të çuditshme, me egoizëm dhe, të gjitha këto së toku, ashpërsonin klimën politike dhe acaronin marëdhëniet e qytetarëve me partinë e shtetin.
Por e keqja nuk qëndronte vetëm te kjo kategori komunistësh të thjeshtë. Kishte edhe kuadro nga ata që mendonin sektarisht, sepse kishin ardhur ne organet e larta pikërisht me mënyra të tilla të arsyetuari e konseguence për t’u treguar besnikë të partisë e ideologjisë së saj. Këtu rreziku ishte më i madh…
————————————
SEVO TARIFA: LIBRARI SHËMBULLOR
“Me njerëz model “
Botuar: “Edlora”, Tiranë 2011
(fragment)
“Kam 80 vjet që lexoj dhe akoma nuk u mësova të lexoj” Gëte
Kam njohur dhjetëra librarë, por si Alizoti nuk kam parë… Mik e kryemik i librit në Gjirokastër. I njohur dhe nga “gurët e udhës”.
…Alizoti ishte njeri i dashur. I kulturuar. E kulturonte libri që lexonte. E kishte librin “bukën e shpirtit”, mikun më të mirë dhe ishte vetë mik libri. I donte lexuesit, se e donin dhe ata. E dëgjonin se i dëgjonte. Dhe “mielli” shkonte në “mullirin” e librit, në shumëzimin e miqve të librit.
Ai nuk e bënte punën e librarit për të realizuar planin financiar, por në radhë të parë për të mbushur mendjen e njerëzve me kulturë. Udhëhiqej nga një mësim i çmuar i Viktor Hygoit: “Kokën e njeriut kulti – vojeni, prashiteni, ujiteni, pasurojeni, moralizojeni, përdoreni – nuk do të ketë nevojë për ta prerë”. Kur m’i tha këto fjalë, më bëri të qesh me bukurinë e tyre. Qeshi dhe vetë Alizoti.
…E kush nuk e njihte në Gjirokastër Alizotin!. Rrallë gjëje njerëz që të mos e njihnin, që të mos kishin hyrë në librarinë shtetërore ku ai punonte. Qytëtarë e nxënës shkolle. Fshatarë e njerëz të kulturës.Të gjithë e njihnin. Dhe ja, kur unë bisedoja me të birin e tij, takuam rastësisht pensionistin dunavatas Fejzo Dabulla. Sa i thashë se “ky është djali i Alizotit”, ai e përqafoi dhe iu drejtua me fjalët: “Ka qenë zotni burrë, jeni familje e nderuar”!
Në vitet 1966 – 1969, pas 13 vjetësh, kthehesha me punë në Gjirokastër. Detyra ma donte që të mbuloja edhe sektorët e kulturës, midis tyre dhe librin. E gjeta dhe e lashë Alizotin në detyrën e nderuar të librarit, në librarinë afër “Qafës së Pazarit”…
E pyeta një ditë: si ia del që i lexon të gjtha librat, të cilat të vijnë në librari? Dhe ai më tregoi “sekretin”: “Sa vjen libri, unë lexoj parathënien e tij, shkruar nga vetë autori ose nga dikush tjetër. Aty del thelbi i librit, vlerësimi i tij dhe i autorit. Kjo më shërben për dy qëllime: të mësoj për vete, të thith kulturë dhe ta propangadoj librin ndër të tjerë. Pastaj nis leximin e tij. Vjen libri tjetër, veproj si më të parin: lexoj parathënien e tij. Dhe kështu jam në gjendje që, kur vjen njeri në librari, i them se ç’përmbajtje ka ky ose ai libër. Dhe miku i librit zgjedh dhe zgjidh: zgjedh librin që do të marrë dhe zgjidh qesen…”!
Një ditë u ula pranë tij dhe dëgjoja si i priste njerëzit dhe si propagandonte librin. Sa hynte njeri në librari, Alizoti, po të ishte ulur, ngrihej në këmbë, i thoshte “Mirë se erdhe“, buzëqeshte, merrte në dorë librin e ri që i ishte dërguar dhe i thoshte: “Ja, ky libër erdhi dje”. Dhe tregonte kopertinën, pastaj i tregonte diçka nga përmbajtja. Donte s’donte, ai që shkonte në librari, merrte librin dhe me të në dorë dilte nga libraria. S’kishte agjitator më të mirë për librin se librari Alizot!
Pas vitit 1970 e deri ne 1990, m’u dha rasti të njihesha me të gjithë librarët e Republikës. Por një librar si Alizot Emiri nuk e gjeta.
Edhe sot që libraritë janë shtuar shumëfish, një Alizot Emiri nuk e gjen, as në libraritë private. Ja pse e them me gjithë zemër, se Alizoti është një model në punën me librin. Por ai nuk ishte vetëm një librar model, por edhe një njeri i dashur, i thjeshtë, shoqëror. Me humor. Cilësia e tij ishte mirësia, e cila është shënjë fisnikërie. Kur s’kishte njeri në librari, ai dilte të dera e dyqanit dhe përshëndeste njerëzit. Njihte shumë prej tyre. Edhe atë e njihnin qytetarët. Me fjalë zemre ai bënte që kalimtarë të ktheheshin në librari dhe andej dilnin me libra në duar.
Libraria ku punonte Alizoti ishte në të përpjetën e rrugës drejt “Qafës së Pazarit”. Në atë rrugë të kalldrëmtë do kalonin të gjithë njerëzit, që zbrisnin ose kalonin te pesë rrugët e asaj qafe. Këtë përparësi Alizoti e shfrytëzonte me marifet. Me një “si u gdhive” të bënte për vetë. Me një buzëqeshje, të kthente në librari. Me një episod të bënte të merrje një libër.
Dhe me humorin e tij i tërhiqte me lezet njerëzit, e dinte kush “e ha” humorin dhe nuk ia përtonte të gjente gjuhën e përbashkët me ta!
Alizoti ishte njeri i hapur, i sinqertë, i shkuar, i fjalës së përzemërt, njeri që respektonte të tjerët dhe gëzonte respektin e tyre. Të vjen keq që njerëz të tillë ndahen shpejt nga jeta. Ai jetoi vetëm 70 vjet.
———————————-
BAJO TOPULLI: ALIZOT EMIRI (I MIRI)
“Të tregosh për Gjirokastrën e gjirokastritët…“ Botuar : “Albin”, Tiranë 2009
– fragment –
Me humor edhe kur dëshpërohej
Alizot Emirin e kam njohur në fillim të vitit 1942. Kishte një dyqan të vogël poshtë Qafës së Pazarit dhe tregtonte kryesisht kinkaleri, materiale shkollore, etj. Më bëri për-shtypje se ishte i pari që publikoi foto nga parada e parti-zanëve me 1944, kur hyri në Tiranë Qeveria Demokratike.
Atje për herë të parë e shikonim portretin e Enver Hoxhës. Ne gjer atëhere dinim dhe njihnim si të parin e partizanëve Bedri Spahiun dhe, ja tani, doli se ne krye fare ishte një tjetër, edhe ky gjirokastrit, bile për ne topullarët, i mirënjohur. E Alizoti na trgonte për të e të afërmit e tij dhe me humor shtonte : “…ky do të jetë mbreti i Shqipërisë”.
Veç kulturës, sjelljes elegante dhe mallrave të mirë në dyqanin e tij, Alizotit i kish dalë nami edhe si njeri i shakasë, humorit dhe ironisë, shpesh herë gjer në hidhësi. Por nëse gjer nga ‘ 44 me humorin e sajesat e tij qeshnin e shkuleshin shokë e miq, të njohur e të panjohur, më pas humori e ironia do t’i sillnin Alizotit edhe telashe, bile jo të lehta.
Mbaj mend kur isha në klasën e parë të gjimnazit, pas luftës italo-greke, dyqani i vellezërve Emiri ishte i mbushur plot e vazhdimisht me artikuj shkollorë, fotografi të Skënderbeut, por edhe të Duces, Viktor Emanuelit etj.
Një herë më dërgoi Kadri Baboçi me një pusullë që të merrnim harta për klasat e fotografi muri, por nga drejtoria nuk i jepnin paratë, megjithëse fondet i kishin.
– More djali i xha Jonuzit, do t’i biesh paret, apo do t’ia mbaj babait? – më tha Alizoti.
E kështu ndodhte shpesh, jo vetëm Kadriu por edhe Siri Shapllo (ishte nëndrejtor), me dërgonin mua. Zotja i qeshur një ditë më tha:
“More mos nuk mëson ti, apo do të të vënë ndonjë notë të mirë”?
I thashë: “Nuk u jep paret drejtori me kokë me xhumba”, (pra italiani.
“ Mos eja prapë pa sjellë paratë” – më tha.
Më vonë tek dyqani i Alizotit shkonin e merrnin materiale shkollore edhe shkollat e ulëta, pa paguar, se Javer Gorica nuk jepte pa para në dorë e ishte koprac.
E vërteta ishte se Alizoti dhe vëllai i tij ishin të shkathët dhe, për materialet shkollore që u duheshin e librat edhe për fshatrat, që kishin mungesa të theksuara, këta djem a burra (ashtu na dukeshin), i kishin paraprirë duke kontraktuar me kohë nga Italia. Gjithë arsimtarët e Gjirokastrës e çmonin shumë Alizot Emirin, jo vetem se ishte një njeri e shok i tyre i arsimuar, por edhe bujar, iu gjente edhe libra e romane franceze e italiane, diskutonte me ta dhe, në çdo rast, u jepte “racionin” e humorit e të shakasë. Nga dyqani i tij, pasi kishe marrë librin a ç’kërkoje, o do dilje duke qeshur, o do ikje me vrap për t’u shpëtuar batares së batutave plot kripë e sajesave miqësore të Alizotit.
Alizoti kishte edhe një vëlla, Myfitin, i cili u vra në ditën e parë kur shkelën gjermanët në Gjirokastër. Ai studjonte diku për mjekësi në Europë (Në Padova, Itali – Red.). Kishte mbaruar 2-3 vjet jashtë e qe kthyer si gjithë të tjerët në atdhe. Por e pësoi….
Familja e Alizotit ishte e respektuar dhe Ibrahim Emiri, i ati i tyre, merrej me tregëti. Me vonë mora vesh se, si shumë familje gjirokastrite, (bile që i kishin dhënë lëvizjes antifashiste), Alizotin e ndëshkuan duke e futur në burg. Se çfare kishte bërë “djali i mirë i xha Braçes“, se ashtu e quante shoku i tij i ngushtë, inxhinieri i talentuar Iljaz Babameto me humor, pak di. Por mësova se i kërkonin “florinjtë” e babait. Dikush thoshte se ishte antisllav dhe nuk i mbyllej e shkreta gojë, e aq më tepër, kur nuk publikonte e shumëzonte portretet e Titos! Kaq pak di për jetën e tij.
Alizotin më në fund e kishin rehabilituar, e kjo jo vetëm për shkak të koniukturave politike të kohës, sesa edhe për cilësitë dhe aftësitë e tij të komunikimit me njerëzit. I kishin dhënë në Gjirokastër një lokal të rëndësishëm për tregëtimin e librave, punë të cilën e bënte gjithë qejf e pasion edhe për kënaqësinë e tij, një punë që e lehtësonte edhe shpirtërisht.
Ai studionte, mësonte e përfitonte nga ato libra që botoheshin e përktheheshin dhe bëhej edhe përçues tek të tjerët për përmbajtjen e tyre. Gjithë intelektualët e Gjirokastrës, të qytetit e të krahinës, nxënësit e studentët, librarinë e Alizotit e kishin si “teqe“. Pa dyshim ishte institucioni më i frekuentuar në Gjirokastër, sepse Alizoti jo vetem dinte të afronte njerëzit e dijes me fjalën e mënçur e humorin e pandalshëm, por edhe se dinte të sillte botimet më të mira të kohës, e për miq, edhe ndonjë gjë të vjetër apo të ndaluar.
Alizoti me punën e tij fitoi simpatinë e të gjithë qytetarëve dhe dalëngadalë edhe të udhëheqjes vendore, megjithëse disa “gjuhë” djalli nuk i harronin biografinë. Ai nuk mërzitej kurrë, dhe nëpërmjet humorit të veçantë, (që vetëm ai e kishte), mbulonte edhe brengat edhe hallet që mbërthyen popullin e atë vetë.
E njoha më mirë kur unë shkoja më shpesh në Gjirokastër në vitet ‘70. Ai ishte një njeri shumë i shkathët e i zgjuar. Njihte disa nga të parët e mi, e sidomos Bajon, kur ishte kryetar bashkie. Kur pinim kafe me të dhe Iljazin, tregonte episode nga më të ndryshmet. E kisha merak po të mos takohesha me Zoten. “Ka dalë ky apo ai libër , merre e lexoje”– më thoshte. Kështu bënte me të gjithë. “Do të dëgjosh ca qyfyre të babait të Iliazit” – e fillonte e nuk pushonte.
Nëpër lagjet krijoheshin e qarkullonin, kur për humor e argëtim e kur për cimbisje apo mëri, lloj-lloj bejtesh e stro-fash satirike. Një pjesë e mirë e tyre “mbërrinte“ te Alizoti, dhe ky, si usta i humorit, ruante e “u hidhte” kripë e spec atyre më pikanteve.
Alizoti ishte për këtë lloj krijimtarie një “libër” i gjallë. Unë i thosha, “ke gjë për tonët”? (Topullarajt – Red). “Jo, – thoshte ai, – kisha plot e ia dhashë Lefterit, i ke ne muze”. Megjithatë më premtonte e gjente ndonjë fotografi. Një ditë më tha:
– More kaq budallenj jeni ju ushtarakët?
– Pse? – i thashë.
– Më erdhi një ditë një ushtarak i lartë i korpusit e më tha serbes, bile as më përshndeti: E ke atë, atë, atë Gëte Faustin?! Unë e kuptova atë, (djalin e samarxhiut), por i thashë se nga ështe ky Gëtja, nga Lazarati apo…?! Ai u skuq dhe iku… Unë – vazhdoi Zotia – e kuptova se dikush i kishte thënë se qe përkthyer e botuar “Fausti” i Gëtes.
-Prandaj , më tha, ruaju nga ai që ka lexuar vetëm një libër! Tek Zotia unë sigurova, më kujtohet, botimet e Kadarese, të Samiut e Naimit të shtypura në Prishtinë etj…
Pedagogët e rinj të gjimnazeve e donin dhe e respektonin Zoten dhe e frekuentonin vazhdimisht librarinë e tij.
Një episod më ndodhi me Zoten në vitin 1972 – 1973. Kisha marrë me vehte një oficer artilier, të quajtur Riza Drishti, i cili merrej me pasurimin e muzeut të armëve në kala. E prezantova me Alizotin, duke i thënë se me se merrej. Zotia aty për aty i tha:
“Pse ti je ai që merresh me armët e vdekura të kalasë …”. Rizai u nxeh dhe i tha: “ to janë armët e gjalla të shqiptarëve, por ti je një njeri …”.
U mundova ta qetësoja Riza Drishtin, por ai m’u kthye edhe mua: Ai është ndonjë … etj.
Pas një jave më thërret Gafur Çuci e më tregon letrën e Rizait që ia drejtonte Hysni Kapos, ku më implikonte edhe mua. Gafuri e njihte Zoten më mirë dhe duke qeshur më tha se ia kishte shpjeguar shokut Hysni se cili ishte Zotia dhe shakatë që bënte.
Në vitet 1979 – 80 e gjeta Zoten në Fier. E kishte lënë punën e rrinte te djali, dhe qesha me të se më tha: “Tani jam bërë kolonizator”.
E mora në makinë dhe hëngrëm drekën së bashku në shtëpinë e oficerëve.
——————————-
BAFTJAR B. DOBI: ALIZOT EMIRI
“Gjirokastra jonë …“ – fragment –
Botuar: “Albin”, Tiranë, 2001
Një tjetër personazh humori në Gjirokastër qe dhe Alizot Emiri.
Fillimisht ishte tregëtar i kancelerive dhe mallrat i sillte nga Italia. Mbas një aksidenti të kohës, bëri pak vite burg. Mbas burgut ai punoi si shitës librash, gazetash e revistash, në librarinë më të pasur e më të madhe të qarkut në Gjiro-kastër. Lexuesit e rregullt ai i njihte mirë dhe i vlerësonte. U ruante librat që mbaronin shpejt. Të rrallë qenë librat që mbeteshin rafteve.
Në ato vite edhe botuesit qenë të paktë!
Alizoti ishte gjithnjë i azhornuar me përmbajtjen e librave, dhe, kur kish dilema e hamendje tek lexuesit, ai i ndihmonte me dashamirësi dhe kompetencë. Por ai tallej hollë, jo rrallë, me ata që hiqeshin si lexues, ose që qenë bibliomanë, e librat i blinin vetëm për të zbukuruar raftet nëpër dhoma. Blinin libra që s’i hapnin kurrë.
∗ ∗ ∗
Një ditë, një blerës, e pyeti që nga dera Alizotin:
– Keni gazeta?
– Po – iu pergjigj Alizoti serioz.
Blerësi hyri, mori gazetën që i rekomandoi Alizoti dhe po e shfletonte. Pas pak, si duket pa dhe datën e tha si i ndrojtur:
-Po kjo është e vjetër…!
-Ç’rëndësi ka…? – tha Alizoti – Ti s’e ke lexuar! Për ti, ajo është aktuale, mo djalë!
∗ ∗ ∗
Xha Alizotin nuk mund ta shikoje asnjëherë pa cigare.
Ai pinte duhan të dredhur, që e mbante në anë të buzës.
Njëherë në Tiranë, xha Alizotin e ndaloi një djalë fare i ri e i tha:
– Ka mundësi ta nez, xhaje?
– Po – tha xha Alizoti dhe nxori shkrepsen gjithë xhentilesë. – Urdhëro!
Djali që mori shkrepsen, si e ndezi cigarin rëndë-rëndë, ia ktheu atë plakut.
– Mbaje ! – i tha Alizoti, duke shtyrë dorën – Mbaje se s’ke ku më gjen mua. Unë do iki sot për në Gjinokastër me tren! – dhe iku.
Djali mbeti i turpëruar.
∗ ∗ ∗
Një natë, kur u kthye në shtëpi Alizoti dëgjoi dhinë e racës që bërtiste. Hyn brenda dhe gruaja e shqetësuar i tha:
– E dëgjove dhinë?
– E dëgjova! – u përgjegj thatë Alizoti.
-Ka tërë ditën që bën kështu! Se ç’ka dhia… Do të jetë sëmurë, e shkreta…!
– Mirë, mirë! Shtrona bukën!
Gruaja e pakënaqur vazhdoi punët e shtëpisë. Dhia vazhdonte të ankohej. Erdhi ora për gjumë dhe u shtrinë për të fjetur. Dhia jo vetëm që nuk u qetësua, por e shtoi zhurmën. Gruan, s’e zinte vendi. Pas pak ajo tha:
– Po ngreu, mor burrë! Do na ngordhë dhia ! Nuk të vjen keq?
– Po fli, moj e uruar, fli. S’ka gjë dhia!
– Çoç ka ajo, po ngreu! – s’rreshte gruaja.
– Ajo s’do mua, moj plakë, por do cjap…ç’t’i bëj unë!
————————–
VASIL DILO: ALIZOT EMIRI, LIBRASHITËSI I FAMSHËM I GJIROKASTRËS
Jo, nuk është vënë aspak pa qëllim epiteti “i famshëm” në krye të këtij shkrimi. Sepse, vërtet, Gjirokastra e viteve të monizmit nuk mund të përfytyrohet pa disa figura popullore që i jepnin asaj një ngrohtësi të thellë njerëzore.
Libraria shtetërore ku punonte “i famshmi” Alizot Emiri, për disa dekada me radhë ishte shndërruar në një pallat të vogël kulture, në një tempull ku mblidheshin intelektualë të njohur dhe kalonin disa orë të këndshme mes bisedave e humorit.
“Do vemi te Alizoti”
Libraria që ndodhej në një pozicion tepër të favorshëm të Pazarit të Gjirokastrës, ishte bërë si një magnet tërheqës jo vetëm për vendasit, po edhe për shumë intelektualë nga vendi. “Do vemi nga Alizoti” thoshin gazetarët, kineastët apo shkrimtarët që gjendeshin me shërbim në Gjirokastër dhe shkonin me dëshirë atje ku i priste buzëqeshja e njohur e librashitësit. Miqtë e tij si D. Agolli, K. Jakova, S. Pitarka, E. Keko, M. Xhaxhiu, G. Erebara etj., venin në librari dhe qëllonte që të gjenin atje vendasit si doktor Vasilin e Madh, doktor Vasilin e Vogël, berberin simpatik Gaqo Kekezi, shoferin hokatar Galip Mene, ose plot burra të tjerë.
Dëgjonim edhe ne të vegjlit ndonjë bisedë shkarrazi deri sa na bënin shenjë të largoheshim. E kush nuk donte të rrinte atje pranë e të dëgjonte!
Vendlindja e gjeniut
Karakteristika kryesore e Alizotit qe mënçuria e fjalës së tij. Zgjuarsia e lindur dhe përvoja jetësore i kishin falur atij një logjikë mjaft analitike. Një tjetër figurë e spikatur e qytetit qe edhe gjeologu e studiuesi Isa Bajo.
Njëherë që Isai udhëtonte nga Veriu për në Jug, vuri re se romani “Kronikë në gur” i I. Kadaresë, që sapo kishte qarkulluar, në të gjitha qytetet ku kaloi, shitej me ritme të shpejta, ndërsa në Gjirokastër shitja qe e kufizuar. “Si e shpjegon ti këtë punë?” i tha ai Alizotit. “Askush profet në atdheun e vet” ju përgjigj Alizoti. “Këtu gjeniun e njohin që kur ishte në djep. Dikush e kishte në lagje, e dikush e kishte në klasë. Dhe që të gjithë e quajnë veten të barabartë me të”.
Kur ia përmenda njëherë këtë fakt Kadaresë, ai vuri buzën në gaz. “Alizoti ishte burrë i mençur, tha ai, e njihte mirë filozofinë popullore dhe psikologjinë e gjirokastritëve”!
Efekti tredimensional
Përveç gojëtarisë së tij proverbiale, Alizoti kishte edhe mënyra të tjera për të afruar lexuesin e apasionuar. Brenda kushteve ekzistuese, ndërtonte një vitrinë mjaft tërheqëse dhe për disa kohë ai kishte vendosur atje një kornizë të madhe me xham, brenda së cilës shquheshin tre portrete. Porteti i Leninin qëndronte normalisht, ndërsa portretet e Marksit e të Engelsit, që qenë vendosur bukur në formë shiritash vertikalë, shiheshin pastër po të lëvizje nga e majta ose nga e djathta. Një teknikë që ne sot do ta quanim “tredimensionale”.
Dhe meqenëse jemi tek Marksi, dua të kujtoj historinë me atë lexuesin me pretendime, po fatkeqësisht të paarsimuar. Ky lexues hyn në librari dhe mbas një hezitimi të gjatë i kërkon Alizotit librin e vështirë të Marksit “Kapitali”.
Ai ia dha librin po pak a shumë e njihte rezultatin. Nuk kaluan disa ditë dhe lexuesi i njohur shkoi në librari e iu lut Alizotit që ta kthente librin se nuk e kuptonte. “Jo vetëm që e dija se do ta ktheje, i tha Alizoti, po e dija që kishe vënë në siklet të madh tre persona: veten, Marksin, edhe mua!”.
Aromë Italie
Vëllezërit Mufit dhe Alizot Emiri, që banonin në lagjen Palorto, qenë bërë të njohur që në vitet ’40 me librarinë e tyre “Dante Aligieri”. Ata shkonin në Itali, merrnin literaturë të zgjedhur, (bile me ide antifashiste) dhe, siç më kishte rrëfyer vetë Alizoti, ai njëherë kishte shkuar deri në Torino për t’u përulur para varrit të Migjenit… Familja ime pati fatin që, jo vetëm të ishte fqinjë me familjen bujare të Alizotit, po ne fëmijët ishim edhe moshatarë me fëmijët e tij të mrekullueshëm. Fetia ishte gruaja fisnike e tij, Ibrahimi, Liljana dhe Shpëtimi janë fëmijët e mëdhenj. Ndërsa Bashkimi është fëmija më i vogël, moshatari dhe shoku im i pandarë.
Në shtëpinë e tyre modeste me shkallina prej granili dhe bahçe, do vije re ndërtime të stilit të vjetër italian, apo do gjeje relike, që të kujtonin vitet e tregut të lirë të paraçlirimit… Në këtë shtëpi shembullore do ndjeje se pjesëtarët e saj që respektonin shumë kryetarin e familjes e sidomos Anenë, ndihmonin në punët e shtëpisë, mësonin, lexonin, dëgjonin muzikë dhe, natyrisht, shijonin humorin e hollë të babait të tyre.
Kur Bashkimi dhe unë qemë ende të vegjël, në familjen tonë për hir të traditës kristiane, festoheshin akoma ditët e emrave. Në këto ditë do shikoje “myslimanin” Alizot, së bashku me gruan e tij Feten, si mplekseshin me vizitorët tanë “të krishterë” dhe kalonin disa mbrëmje të thjeshta e të bukura, pa pasur fare komplekse për dallimet fetare e paragjykimet raciste që ndajnë akoma edhe sot njerëzinë.
I tillë ishte bujari, i mençuri e shpirtmadhi Alizot Emiri. Vitet e fundit të jetës kur kishte dalë në pension, unë e takoja më shpesh e bënim shumë biseda të ngrohta së bashku. Kishte një melankoli të ndjeshme në ato vite. Sytë i lëngëzonin dhe humori i qe bërë disi i hidhur. Ndoshta kuj-tonte vëllain e tij të dashur, që e vranë gjermanët, ndoshta kujtonte vitet e dënimit të tij krejtësisht të padrejta, ndoshta kujtonte udhëtimet e ndërprera të rinisë, ëndërrimet e pashijuara. Kushedi… Megjithatë ishte si përherë i dashur, i respektueshëm, i drejtë, pa mërira e hasmërira. Dhe unë kështu dua ta kujtoj përgjithmonë. Mes librave, mes njerëzve e mes mërisë…
Marrë nga gazeta “Albania”, 17 prill 2009.