Alizot Emiri, njeriu, librári e gázet fisnike (3)
Në këtë pjesë do të lexoni kujtimet e prof. Muzafer Xhahiut,
të prof. Nasho Jorgaqit, poetit Agim Shehu dhe prof. Jorgo Bulos.
Mbresa dhe kujtime për Alizot Emirin
Prof. MUZAFER XHAXHIU: NJË JETË E LIDHUR ME LIBRIN
Disa kujtime mbi Alizot Emirin
Nga kujtimet e shumta që kam për qytetin e fëminisë dhe rinisë time, Gjirokastrën dhe njerëzit e saj, mbresa të veçanta më ka lënë dhe ajo librari e vogël që ndodhej në rrugicën që çonte ne dyqanin e madh të Zigait, e ku prej andej shkoje në lagjen Hazmurat. Ishte kjo libraria e vetme e qytetit që mbahej nga Alizot Emiri, libràri me emër në Gjirokastër, një njeri me reputacion të veçantë.
Isha në moshë të vogël atëhere, ndoshta në klasat e fillores, kur kam vizituar për herë të parë librarinë e Alizotit, që në Gjirokastër të gjithë e thërrisnin Zote. I doja librat dhe më pëlqente të lexoja historitë dhe tregimet e kohës. Lexoja shumë me ëndje dhe kërshëri çdo gjë që botohej në atë kohë, e kjo më detyronte që si fëmijë e më vonë si adoleshent, të shkoja shpesh pas shkolle në librarinë e Zotes e të zhytesha në ato rafte të mbushura plot me libra dhe revista kryesisht në gjuhën italiane. Do të gjeja atje libra historikë, romane e tregime me aventura, të cilët Alizoti nuk e di se nga i siguronte për të furnizuar librarinë e tij. Së bashku me një shokun tim të klasës, Koço Mihon, që u bë më vonë një arkitekt i mirënjohur në qytetin e Durrësit, do të shkonim shpesh në librarinë e Alizotit dhe si gjithmonë do ta gjenim atë në shoqërinë e ndonjë miku të tij duke qeshur e treguar histori, që ne ende nuk i kuptonim. Na priste buzagaz e na lejonte të ngacmonim nëpër rafte për të gjetur diçka të bukur për moshën. Shpesh na udhëzonte se çfarë mund të merrnim për të lexuar. Kur nuk kishim parà për të blerë, na lejonte të lexonim atje në një qoshe e nuk na trazonte. Lexonim ndoshta dhe me orë derisa të mbaronim një fashikull libri (atëherë shumë romane botoheshin në fashikuj, të ndarë në pjesë), pastaj shfletonim ndonjë revistë italiane, gjuhë të cilën e mësonim në gjimnaz. Vonë largoheshim duke e përshëndetur dhe falënderuar për sa bënte për ne. Nuk i vinte keq që ndonjëherë nuk blenim asgjë, sepse e kuptonte që nuk mund të blenim çdo libër të ri që na pëlqente.
Vëllai i Zotes, Myfit Emiri ishte një shoku im i gjimnazit, i cili punonte bashkë me të në librari. Të dy vëllezërit kujdeseshin dhe e mbanin librarinë me pasionin më të madh. Me Myfitin, si vërsnik që ishim, shoqëroheshim shpesh, ishte një djalë i gjallë dhe i zgjuar, fliste shumë mirë italisht dhe kishte dëshirë të studjonte dhe lexonte. Më kujtohet shumë mirë edhe babai i këtyre dy vëllezërve. Ishte një burrë i urtë dhe trupvogël, e thërrisnin Braçe dhe, si postier që ishte, e njihte mirë e gjithë Gjirokastra. Familja Emiri në atë kohë banonte në lagjen Palorto, në të njëjtën lagje ku banonte edhe familja ime. Në kohën e luftës në familjen e tyre ndodhi një fatkeqësi e rëndë. Kur nazistët hynë në Gjirokastër, shumë njerëz u larguan për t’u ngjitur në Kucullë. Ndërkohë nazistët i qëlluan egërsisht me murtaja dhe midis shumë viktimave të këtij sulmi, mbeti i vrarë edhe shoku e miku im, Mufit Emiri. Më kujtohet se të dy vëllezërit ishin njerëz shumë të mirë, të dashur e të edukuar. Alizoti shquhej për një humor të hollë dhe thumbues. Në kohën që rrija e lexoja në librarinë e tij shpesh dëgjoja të qeshura dhe gaze pa masë, ndoshta sepse Zotja shpotiste ndonje vizitor që hynte në librari.
Në vitet ’30 libraria e tij ishte një vend takimi për shumë njerëz, kryesisht intelektualë të qytetit. Në vitin 1938 kur isha 17 vjeç u largova nga Gjirokastra për të vazhduar gjimnazin në Tiranë. Vite më vonë, kur shkoja në qytetin e lindjes, tashmë burrë në moshë të pjekur, midis shumë të njohurve do të takoja në librarinë e tij edhe Alizotin. Libraria tani ndodhej në një vend tjetër, në rrugën që të çonte në sheshin e Çerçizit, në qafën e Pazarit. Atëhere më erdhi keq që libraria e fëmijërisë sime nuk kishte mbetur më po ajo. Takoheshim e bisedonim me mall duke kujtuar kohën e shkuar, flisnim për librat e vjetër e të rinj, njerëzit dhe ngjarjet e qytetit. Shpesh, kur shoqëroja ndonjë shkrimtar apo profesor të huaj dhe kur udhëtonim për në Gjirokastër, do të kthehesha pak edhe tek Alizoti e atje do i shpjegoja mikut të huaj se ky person ka qënë librari i parë dhe i vetëm i këtij qyteti të bukur e kulturdashës, dhe që është një personazh i mirënjohur në të gjithë qytetin. Alizot Emiri ishte një njeri i respektuar në të gjithë Gjirokastrën dhe atë, ashtu si edhe familjen e tij, e njihte atje i madh e i vogël. Ishte një njeri i dashur e hokatar, me një humor të hollë e shpotitës që shpesh ne si fëmijë që ishim atëhere, duhej të lodhnim mendjen për të kuptuar se çfarë donte të thoshte. Ai ende kujtohet si një njeri i respektuar dhe një personazh i veçantë i jetës kulturore të qytetit të Gjirokastrës.
Tiranë, dhjetor 2010.
Biseda me profesor Muzafer Xhaxhiun
Në Janar 2011 shkova në shtëpinë e z. Muzafer Xhaxhiu. Më priste! Më mori pranë dhe donte muhabet. Kishte lexuar shkrimin e zotit Nasho Jorgaqi “Gazet fisnike të Alizot Emirit”.
I kishte pëlqyer shumë.
-E kishte shkruar shumë bukur! – me tha dhe vazhdoi:
Është njeri i letrave Nashua. Shkrimin e përgatitur nga vetë profesor Muzaferi e kishte marrë i biri i tij, Artani për ta radhitur.
Ndërkohë i qe kujtuar një histori me Alizotin dhe donte të ma tregonte:
-Me mua bashkë, edhe djali i dajkos tim, Skënder Hajro, vinte shpesh tek Alizoti në dyqan. Një ditë Alizoti më pyet: – Skënderi pse nuk më ka ardhur?
I thashë: Skënderi, këto ditë, ka pas martesën e motrës së tij me një nga fisi Shapllo, familja e të cilit ka emigruar në Amerikë.
– Kanë shumë kohë që kanë shkuar në Amerikë? –me pyeti Alizoti.
– Nga fillimi i shekullit të njëzet. – e sqarova unë. Alizoti tundi kokën i menduar dhe u qau hallin: – Venë të shkretët, po se si u shkon fati atje ku vënë, një Zot e di.
– Eeeh, me fat është ajo punë. Ca rregullohen, ca …. – e vazhdova unë bisedën. -Do të të them diçka Alizot, e kam dëgjuar shumë herë nga nëna ime: Kishte ardhur nga Anadolli një gjirokastrit, i cili kish vite, që jetonte atje. Kur erdhi në Shqipëri, për të mos shkuar më në kurbet, dikush e pyeti: “E mor, i tha, ç’bëre atje në Anadoll gjithë ato vite”?
“Më shkoi mirë fati, – u përgjigj. -Ju s’e dini, po do t’ jua thom. Me ato që fitova kam blerë këtu në Gjirokastër di çifliqe: “Terelengun” dhe Çullon”.
(Tereleng = Pa një lek! – në gjuhën e folur të Gjirokastrës. Çullo – emri i përroit tek Zalli, tutje Palortosë).
Ai që e pyeti u habit nga kjo përgjigje dhe i tha me të njëjtën gjuhë humori:
-Po pse s’thua ti, s’të paska shkuar dëm kurbeti, paske bënë goxha bereqet!
Pas tregimit të kësaj historie reagoi Zotia, që e kish përjetuar dhimbjen e saj:
-Paska qenë i zgjuar kurbetçiu! Vërtet nuk e ka ndihmuar fati të fitojë, por, të paktën, nuk ka humbur mendjen i ziu. E ka shpëtuar hallemadhi atë!
Zotia, mor djalë, gjithë jetën vlerësonte mendjen, jo paranë, ndaja qe gjithnjë i qeshur e me humor. Ndihej shumë i pasur!! E kish mundur varfërinë me pasurinë e mendjes!
– Ç’keni të bëni me Lato Emirin? – me pyeti më pas Prof. Muzaferi.
– Kemi dëgjuar fjalë të mira, por nuk kemi të bëjmë me ta, – i thashë.
– Po me cilët “Emirë” keni të beni Ju? – me pyeti përsëri Profesori.
– Me Emirët e Kuvajtit. – ju përgjigja tërë ”seriozitet” unë.
Ktheu kokën dhe po më shikonte me buzën në gaz. – Kështu na ka thënë Zotia – vazhdova. -Po ç’e do se nuk na kanë dhënë pjesën, që na takon nga puset e naftës në Kuvajt. Na kanë harruar! Tek e fundit të na kishin dhënë vetëm një pus nafte! – po vazhdoja unë, duke imituar Alizotin. – Ky qe dhe “meraku” I Zotes, që e kujtonte me humor ngahera! – bërtisja, nga që profesori kishte mjaft vështirësi në dëgjim.
– Këto cfinat [pykat] e Alizotit i mbaj mend që në kohën e Zogut, në dyqanin e tyre. – ndërhyri Profesori, që e mori vesh “hallin” tonë. – E kupton kujt i thonë cfinë, more djali i Alizotit? – dhe, papritur përgjigje, Profesori më sqaroi: Cfinë i thonë pykës. E di, apo jo?
– Unë e di ndryshe, që pykës i thomi cfinë ne në Gjirokastër.
– i thashë unë! Profesori qeshi me kënaqësinë e një gjirokastriti të madh, që ka përjetësuar këto ditë traditën e veçantë kulturore të qytetit tonë me veprën e tij të çmuar, “Fjalori i të Folmës së Gjirokastrës”.
– Uuuu, e kam vënë në fjalor “cfinën”, apo jo? – ju drejtua së shoqes. Dhe e hapi menjëherë fjalorin me merakun e krijuesit. U përqendrua mbi fjalor dhe e gjeti.- Ja! – tha -, e kam vënë. U lehtësua! -Kur më kujtohej ndonjë fjalë, nga ato të së folmes tonë, gëzoja more djalë, sikur të kisha gjetur ndonjë flori! – më tha dhe i shkëlqyen sytë, duke përjetuar atë moment të lumtur. Ishte lumturia e gjetjes së thesarit më të madh të një populli, të gjuhës.
Më dhuroi një fjalor, ku shkroi një dedikim për Alizotin.
– Dilna prapë! – me tha, duke bërë të ngrihet e të më përcjellë me një respekt mbresëlënës.
-Do të vij! – i premtova. – Do të vij me librin e Alizotit!
Prof. NASHO JORGAQI: GAZET FISNIKE TË ALIZOT EMIRIT
(Fije kujtimesh)
E kujtoj si nëpër mjegull njohjen e parë me Alizot Emirin. Ka kaluar përmbi gjysmë shekulli që nga ajo kohë. Atëherë sapo kisha filluar punën në Shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, e cila administrativisht përfshihej në një ndërmarrje tok me shtypshkronjën dhe sektorin e shpërndarjes së librit. Mbaj mend një mbledhje të gjerë vjetore me librarët që u organizua dhe ku ishim të ftuar dhe ne, redaktorët. Drejtori i Ndërmarrjes, që drejtonte mbledhjen, i paharruari Spiro Xhai, pasi mbajti raportin, ftoi pjesëmarrësit për të diskutuar. U bë një heshtje, që zgjati dhe kur nga presidiumi i mbledhjes drejtori përsëriti thirrjen që njerëzit të flisnin, u dëgjua një zë i qartë:
“Unë propozoj që të flasim me radhë sipas rrogave. Të fillojnë ata që e kanë më të madhe”. Në sallë plasi gazi dhe veç kur dëgjova zërin autoritar të drejtorit:
“Alizot, lëri shakatë. Nuk është vendi këtu për qyfyre”.
Unë ktheva kokën prapa dhe pashë një burrë me trup mesatar e fytyrë të qeshur që tha: “E mbylla” Në pushim vura re se Spirua i kish vënë dorën në sup folësit, që për mua ish fare i panjohur dhe po qeshte. U afrova dhe drejtori ma prezantoi menjëherë: “Ky është Alizot Emiri, librari i dalluar i Gjirokastrës”. Ndërkaq, ai ia priti: “Që ka rrogë trefish më të vogël se drejtori i madh”.
Ky qe takimi ynë i parë. Më vonë do ta njihja nga gjithë ç’do të dëgjoja prej të tjerëve. Ai do të bëhej për mua një personazh anekdotik, sepse kohë pas kohe do të më vinin në vesh fjalët e bëmat e tij. Zakonisht, barsoleta të tilla vinin nga Shkodra, por ja që dhe Gjirokastra nuk mbetej prapa. Sado që ishim larg, kjo nuk na pengoi të njiheshim nga afër dhe të miqësoheshim. Ai vinte herë pas here në ndërmarrjen tonë, ndërsa unë shkoja rrallë në Gjirokastër. Vetëm me shërbime, kur më merrte drejtori, dhe në këto raste, sapo zbrisnim nga makina, shkonim në librarinë e Alizotit, që e kish në mesin e rrugës së kalldrëmtë që të çonte te Qafa e Pazarit. Ishin takime gazmore e spontane, që i bënin të këndshme orët e qëndrimit në Gjirokastër. Spirua, që e donte fort, hiqej sikur e kritikonte dhe veç kur Alizoti fillonte të fliste e të tregonte përmes humorit, që na bënte të qeshnim e të harroheshim pas tij.
Për fat të keq, nga gjithë sa tregonte Alizoti, pjesën më të madhe të tyre, unë i kam harruar tani dhe këtë e quaj një humbje të asaj pasurie humoristike, që ai krijonte krejt vetvetiu, kohë pas kohe, në situata nga më të ndryshmet.
Sigurisht, nga ato kohë të largëta më kanë mbetur vetëm disa nga ngjarjet anekdotike që i kam dëgjuar drejtpërdrejtë nga Alizoti.
Së pari, dua të them se Alizoti ishte njeri i mençur e me dinjitet, kish një personalitet që të ngjallte respekt për gjithë sa thoshte dhe mënyra se si tregonte. S’kish asgjë të shtirë e banale, ishte i natyrshëm dhe bindës dhe, ç’është më e rëndësishme, kish mprehtësinë, urtësinë dhe maturinë gjirokastrite dhe kjo e bënte humorin e tij të efektshëm, bindës dhe domethënës. Në atë kohë, humori ishte me telashe, thikë me dy presa dhe shumë herë me rreziqe, aq më tepër për Alizotin, që në vitet e para të çlirimit qe burgosur për një fjalë goje. Po ja që dhe në këto kushte, pas rehabilitimit, ai nuk mund të dilte nga natyra e tij prej hokatari, nga ironia e sarkazma, që i përcillte tek të tjerët si pa të keq, por që kishin mendim, qortim, kritikë dhe sigurisht humor të vërtetë. Kishte raste që ai guxonte të ndërmerrte iniciativa që mund t’i kushtonin. Por e vërteta është se opinioni e nderonte, e çmonte mençurinë dhe humorin e tij të shëndetshëm. Dhe jo vetëm opinioni, por dhe drejtuesit partiakë dhe të pushtetit vendor nuk ia merrnin për të keq. Madje thonë se dhe Enver Hoxha e njihte dhe ia bënte me dorë duke qeshur nga larg, kur vinte në Gjirokastër. Alizoti bile kish njohje dhe miqësi edhe me disa gjirokastritë me pozitë, me të cilët, kur i takonte, bënte shaka të kripura. Njëherë i erdhi në librari Haki Toska, anëtar i Byrosë Politike, dhe në mes të tjerash, e lavdëroi që para Çlirimit ai sillte dhe shiste fshehurazi gazeta të huaja të majta si “Humanite” etj. “E po kemi bërë dhe ne ndonjë gjë të mirë”, ia priste Alizoti me gaz në buzë. “Po këta krah derës ç’i ke, more Alizot?” e kish pyetur Hakiu. Sepse në të dy krahët rrinin ulur disa burra, zakonisht hamej apo të papunë, që lexonin gazetat e ndonjë libër që ua jepte Alizoti.
“Popull, o shoku Haki, lexojnë falas”, ia ish pritur Alizoti.
Pastaj Hakiu i ish kërkuar librin “100 përralla”, që sapo kish dalë.
“Sa bën”?
“Pesëdhjetë lekë”!
“Shumë, o Alizot”!
“Gjysmë leku përralla, o shoku Haki”, i qe përgjigjur librari.
“Po Belaminë e Mopasanit e ke”? e kish pyetur rishtazi.
“E kam o, si nuk e kam, po ti e ke marrë gruan me vete, se ai është libër me zarar për burrat”. Kish shpërthyer gazi dhe në fund Hakiu i kish thënë:
“Ore, Alizot, si nuk i le njëherë këto të hedhurat. Ke mbetur ai që ke qenë” dhe e kish rrokur në qafë.
Njëherë tjetër më tregonte: “Seç më shkoi mendja një ditë. Më kishin mbetur stok veprat e klasikëve të marksizëm-leninizmit në magazinë. Nuk i blinte njeri, veç rrallë e tek ndonjë, ndaj u ngrita dhe shkova drejt e në Komitetin e Partisë. Prita deri sa hyra te Sekretari i parë. “Hë, – më pyeti ai, – ç’e mirë të ka sjellë?
Në vend të përgjigjes, i zgjata një listë me emra. Ai hapi sytë. – Ç’është kjo? – më pyeti. – Janë emrat e anëtarëve të Plenumit të Komitetit të Partisë dhe ata të Këshillit Popullor. – E pastaj?- ia bëri ai. – Puna është kështu, shoku sekretar. Kanë mbetur në magazinë veprat e klasikëve. Nuk i blen njeri, se edhe kushtojnë.
Nuk i blejnë as kuadrot, se në radhë të parë ato janë për ta. Prandaj, kam sjellë listën me emrat e tyre, ta firmosni dhe t’i urdhëroni t’i blejnë. Përndryshe, ato do të mbeten stok. Është turp, kush ta dëgjojë”. Sekretari mbeti për një çast dhe pastaj ia dha të qeshurit.
– Po ku të ka shkuar mendja, o Alizot!? – tha.
–Po unë këtë punë kam, o shoku sekretar. – Punë me mend dhe bravo të qoftë, – më tha dhe e firmosi pa mëdyshje e pastaj u ngrit në këmbë e më shtrëngoi dorën. Nuk kaloi shumë, kur pas disa ditëve, pasi kishin marrë rrogat, erdhën bilbilenjtë një nga një dhe i blenë librat e klasikëve që flinin. Disa prej tyre kishin marrë vesh marifetin tim dhe qeshnin, kurse kish të tjerë që s’u kish ardhur mirë dhe varnin buzët”.
Ndodhi, kur u takuam njëherë në Gjirokastër, të më rrëfente një histori tjetër. Për një kohë Alizoti, veç librarisë, punonte ngjitur në dyqanin me komision, ku shiteshin sende të përdorura. “Më erdhi një ditë një prift dhe më kërkoi të blinte një raso. U ngrita dhe i zgjata një fustan të zi. Ai e veshi dhe e provoi. I vinte pas trupit. Si duket i pëlqeu dhe e bleu. Iku, kur pas disa ditësh vjen me fustanin dhe më thotë: “Ore, Alizot, po kjo s’është raso. Qënkish fustan grash”. Unë u nxeha dhe i thashë: “Po ti, uratë, s’je fëmijë që të ta hedhin. Sytë i kishe, mend po se po, atëherë pse e more?” Kur ai u nxeh më keq. “Më ke mashtruar, – thirri, – dhe do të ankohem.” “Shko, ku të duash, – i thashë. – Dhe sa për atë mashtrimin që thua, ju me raso e ata me çallmë tërë jetën na keni gënjyer nga një çikë. T’u gënjejmë njëherë dhe ne, populli”.
Iku prifti, po fjala mori dhenë, aq sa e morën vesh ata të Komitetit dhe një nga sekretarët më tha: “Mirë ia kishe bërë uratës”.
Për herë të fundit me Alizotin u takova në Fier, kur kish dalë në pension dhe kish ardhur te i biri. U ulëm në kafen e turizmit dhe u shtruam në muhabet gjithë mall, duke biseduar e bërë shaka. Kishim kohë pa u parë. Vura re se ishte disi i plakur, por si gjithnjë energjik e fjalët brisk. Më habiti kur e pashë që kish rruar kokën dhe nuk e përmbajta veten.
“Ç’ke bërë kështu, o Alizot, me kokën”? Atij i qeshën sytë dhe më tha: “Ore, si të ta shpjegoj unë ty. Kjo koka ime tërë jetën ka qenë e papjekur. Thashë ta pjek në pleqëri. E rrova dhe me kokë të rruar gjezdis nëpër diell. Them se dielli do të ma pjekë më në fund”.
Qesha me gjithë shpirt, siç qesha për afro dy orë që ndenjëm bashkë. Nga goja e Alizotit rridhnin vetëm fjalë të mençura, gjithë kuptim, me nëntekste, nga më të ndryshmet, të drejtpërdrejta ose alegorike e, ç’është më e rëndësishme, me një humor të papërsëritshëm. Ai tregonte e unë vijoja të qeshja, duke harruar kohën e gjithçka tjetër. Në fund, madje duke qeshur, u ndamë për të mos u takuar më.
Më dhëmbi sinqerisht kur mora vesh pas pak kohësh se zemra e gëzuar e Alizotit kishte pushuar. Tani, kur e kujtoj, më vjen shumë keq që shumë nga të thënat e bëmat e tij i kam harruar. Por kujtimi i tij rron akoma tek unë, si një nga kujtimet gazmore të jetës, për një njeri mendjekthjellët dhe zemërmadh, që rrezatonte humor dhe gaz fisnik.
Tiranë, nëntor 2010.
AGIM SHEHU: «S’IA DAL DOT ME TË QARË, PO ME TË KËNDUAR»
Miku im fisnik, Alizot Emiri
Në Gjirokastër ndënja 13 vjet mësues gjimnazi, e Alizoti më mbeti 13 vjet ndër njerëzit e përzemërt e të mençur. Puna e tij e ditës, që mbante familjen, qe e rrethuar nga kultura e librave që shiste. Por ai së pari kish shpirtin të kulturuar. Nuk e pëlqente shtetin e kohës dhe arsyet e tij qenë sipër nivelit në tërësi të njerëzve të zakontë rrotull tij. Kjo ftohtësirë me shtetin rrinte brënda shpirtit të tij, e palexueshme në dukje. Ajo dallohej jo te fjalët që shajnë, por te heshtja mospërfillëse, që për të qe dhe shenjë fisnikërie. Në atë mjedis me atë shtypje shteti e me atë psikologji njerëzish të rëndomtë rrotull, të shaje qe njëlloj si të ecje në udhë tërë baltë prej nga dilje zbathur pa këpucë, apo të mbaje gojën hapur lart, për të pritur yjet si karamele! Heroizmi gjer në flijim qe gjë tjetër e për rrethana të tjera sipas tij. Alizoti qe në paqe me vetveten, i heshtur me zyrtarët, i afruar me njerëzit, tërë humor me miqtë e besuar. E tillë, jeta i kalonte rrethuar brënda librave me mënçurinë e tërë botës.
Unë i kisha nxënës tre fëmijët e tij, njëri më i mirë se tjetri e ata më shtonin rastet e takimit me të atin. Në librarinë në udhën qëndrore mes qytetit, parada e njerëzve që ecnin në punë të vet i kalonte vetiu para syve. S’kish asnjë ndërhyrje në jetën e tyre, veç tek ata shihte sadopak gjëndjen shpirtërore të qytetit.
Ngjiteshin më të lartë si për dasmë e vareshin më të poshtë si në varreza… Jeta ecte njëlloj para syve të tij e ai qëndronte gjithmonë me dinjitet herë hallemadh i ditës, herë filozof i një kohe të papërcaktuar për atë qytet.
Aty, herë lart herë poshtë, ecja dhe unë me çantën e mësuesit në sqetull. Fytyra e tij e ëmbël të ftonte prapa qelqeve të dritareve t’i hyje brënda. Hyja me kënaqësinë e sigurt se do dëgjoja diçka të re të mënçur. Ende pa folur, fytyra e tij kish mirësi të çiltër e humor. Midis librave që i mbushnin raftet ai qe një «libër» më vete, që endej mes tyre për t’i rregulluar më mirë e t’ua afronte në duar pa kuptuar atyre që hynin aty. Shumë vetë librin e blenin nga turpi, se po ta kthenin në sy të të tjerëve, qe ulje burrërie!
Në buzë si fjalë të para kish humorin. Jetonte në qytetin ku njerëzit në thjeshtësinë e tyre kishin mirësi, ndërsa shteti prodhonte ligësi. Meqë asaj ligësie, e cila viktimën e ngjiste gjer te burgu i kalasë lart ai s’kish ç’i bënte, e ngarkonte mbi humor që njerëzit, si pa dashjen e tij, ta lexonin më qartë. Ishte qyteti ku samari i hamallit qe më njerëzor se gazi i komitetit.
Te Alizoti këto mund t’i mësoje saktë. Sigurisht ai dinte me kë fliste. Nga rruga, ai dukej brënda përtej qelqeve herë si picture e errët surealiste, herë si nikoqir shtëpie që mbante libra e i fliste me emër intim secilës. Me intelektualët sillej serioz e me kulturë.
Me të vegjëlit ulej i përzemërt, si gratë kur u hedhin thërrime zogjve. U tregonte pikturat e librave të tyre e ua spjegonte sadopak. Ata që hynin kot i ndiqte me sy si për t’u qarë hallin. Dikush hynte me trasta nga pazari, e së pari i pyeste me humor për çmimet e tyre! Dikujt i ra pa e vënë re një kartmonedhë e Alizoti iu lut ta ngrinte, se fshesën atë ditë ia kish marrë e shoqja në shtëpi!
Një kryetari kooperative posa hyri, sytë i mbenë te libri poetic «Fije Bari» i Uitmanit. Po e shihte me vëmendje ngaqë po vinte dhe dimri dhe ai kish përgjegjësi për sigurimin e ushqimit të bagëtive. Alizoti e ndiqte me bisht syri. «Ai bar, pse është ‘fije bari’ dhe nuk është bar i plotë, siç e do bagëtia jonë»! «Se është bar i zgjedhur» ia ktheu Alizoti. «Ku rritet ai»? «Në Amerikë, por libri të mëson që ai “bar” mund të rritet dhe këtu. Fëmijëve u bën mirë»! «S’të kuptoj» ia ktheu kryetari. «Blejua fëmijëve në shkollë dhe ata të mësojnë, për vete e për bagëtinë. Si ta kesh lexuar, eja të më thuash! Tregojua dhe kooperativave të tjera»!
Ai s’e zgjati më tej; bleu tri libra, pa dhe njëherë mos dallonte qartë fijet e barit në ballinë, tundi kokën me dy mëndje, i futi në trastë dhe u largua.
«Si do bësh me të kur ta mësojë se ç’ka brënda»? e pyeta mikun tim. Ai qeshi: «Ti e dëgjove, nuk gënjeva gjëkund, u bën mirë shkollarëve. Pastaj nganjëherë e do dhe kështu ky milet! Kur s’di të gjykojë, pse nxitohet të flasë».
Më tregoi ngjarjen tjetër: «Dje më erdhi kryetari i Lidhjes, Shuteriqi. Librin e tij “Kënga në Minierë”, që e ka shkruar si i qarkulluar në Mirditë, vera e ka zverdhur dhe dimri e ka zhubrosur. S’e merr njeri. Autori hyri me dy zyrtarë. Bëra sikur s’e njoha. Pa librat e tij në raft, s’i pëlqeu gjëndja dhe befas më pyeti për të kaluar radhën: «Si i keni punët»? «Hiç, ia ktheva, ‘’Kënga në Minierë’’ më mbeti në derë»! Ndënja serioz si i paditur. Ai ktheu krahët e u largua. Zyrtari më foli me qortim: «Nuk e di cili është ai, që i fyeve librin»? «Unë nuk jam gjëndje civile, të di e të njoh sa hyjnë këtu! Pastaj njeriu e ka me librin e tij, nëse e mburr apo e fyen të zotin! Unë jam Ali-Zoti për veten time ». Qeshi përsëri me vete. «Ora 12. Eja të rrufisim një kafe»!
Mbylli librarinë e dolëm. «Nuk të shteron humori, i thashë, nga e ke këtë»? «Nga kënga juaj labe, që më pëlqen aq shumë: “S’ia dal dot me të qarë, po me të kënduar”. Te kjo polifoni sikur më ka gjetur strehë shpirti». Për fëmijët e tij nuk më pyeste kurrë se si shkonin!
Një ditë më tha në merak: «Kam një habi a shqetësim: më duket se historinë kombëtare, bëmat e të parëve, veçanërisht kundër grekut që e kemi në kufi, fëmijët i marrin të cunguara! Nuk arrij ta kuptoj, pse në gjimnaz historinë e japin vetëm mësues grekë njeri pas tjetrit. Kush i kurdis këto!? Ti i sheh vetë, se i ke afër! E pyeta një ditë fëmijën për pushtimin nga grekët të Gjirokastrës më 1940, si hoqën flamurin tonë e vunë të tyre.
Fëmia hapte sytë si në një ëndër të stisur!». Pastaj shtoi: «Kam frikë se dhe po dolën mirë në maturë, bursat i komandon prapë një grek, mbyllur çuditërisht te mbiemri ‘‘Çami’’, si të ngjitur nga dikush! Sidoqoftë këto i dinë të tjerët e i zgjidhin ata vetë» mbylli me asnjanësi të mënçur shqetësimin e vet. I befasuar në gjetjen e tij, unë mblodha supet e po gërmoja më tej kujtesën time! «Këto s’t’i thashë që t’i ngresh në këshillin pedagogjik, shtoi me humor, se si lab ti edhe këtë mund ta shkrepësh»! Qeshi me çiltërsi e porositi dhe nga një gotë.
Siç erdhi udhëzimi nga lart, edhe në atë rreth u bë batërdia kundër fesë dhe kulteve të tyre. Befas një pijetore në anëudhë zbukuroi tabelën ku shkroi me bukurshkrim «KAFE». Po meqë guri qe i ngushtë, shkroi «KA» lart dhe «FE» poshtë, dhe që nga larg lexohej «Ka – fe». Të zotin, që e kish bërë, e thirri Partia, pastaj Sigurimi… Sekretari më i frikshëm i Komitetit, me terror në sytë gati të bardhë, shkon te Alizoti e, pasi u hodhi sytë ca librave, i tha: «Fjala ‘‘Zot’’ te emri yt është kundër vijës së Partisë! Si e mban ende ti në këtë frymë revolucionare?… Ke dhe fëmijë të zgjuar në gjimnaz» (ai vetë kish nxënëse një vajzë inteligjente e të shkëlqyer në tërë dukuritë e një vajze). Alizoti i ndodhur ngushtë iu përgjegj qetësisht: «Unë s’ kam faj për emrin tim, shoku B, ma vunë prindët kur nuk kish lerë partia e im atë nuk e kish parashikuar këtë! Por kam një pyetje: Fjala ‘‘Zot’’ është e barabartë me fjalën ‘‘Zonjë’’? Pa kuptuar ku do dilte, sekretari e pohoi: «Njëlloj, ‘‘Zot’’ mashkull, ‘‘Zonjë’’ femër».
«Ahere, shtoi qetë e me edukatë Alizoti, po t’i ndryshohet emir Heroinës – ‘‘Zonjës’’ Çurre, pas saj do ta ndryshoj dhe unë»!?… Sekretari s’gjeti fjalë në përgjigje, shfryu ritmikisht hundët në zakon të tij e u largua duke mërmëritur në inat një përgjigje, që doli ta piqte me shokët.
Dilja nga shkolla e kaloja para librarisë së tij. Ai më priste siç dukej. Më pa e më thirri me gazetën “Drita”’ në dorë. E hapi e tha me gëzim të pafshehur: «Udhëheqësi flet për Monumentin e Pavarësisë, udhëzon tre skulptorët e mburr dhe baladën tënde për Selam Musanë. Unë tani ta kam frikën, shtoi papritur». U gëzova e po e shihja në sy, ç’do më udhëzonte ai mua! «Fitove krahë të fluturosh, të shkosh më në fund në Tiranë se boll u telendise këtu… Veç tani je në shenjë nga çiftetë e ziliqarëve! Tani duhet të ruhesh! Natyrës tënde të çiltër ia kam frikën! More vetullat, por mos humbasësh sytë!»… Brenda gëzimit të natyrshëm që ndjeva, këshilla e tij m’u duk teorike, si një fjalëurtë e thënë për të gjithë njësoj e që rreziku ndahet nga pak te të gjithë, si çështje fati, në fund të fundit.
Në qytet vjen Udhëheqësi i vendit. Me bastun luksi në dorë kalon pak dhe nëpër kalldrëmet e qytetit qetë-qetë Enver Hoxha, rrethuar nga zyrtarë të çdo lloji. Trotuaret qenë mbushur me njerëz që e shihnin shumica me krenari e adhurim, të tjerë me kureshtje. Kur shihte të njohur ai e takonte apo e përshëndeste, sipas kujtesës për secilin. Para librarisë së tij rrinte dhe Alizoti. Sa e pa, Udhëheqësi i thirri në gjuhën e vëndit: «Alizot…»! Ky kaq deshi e u nis mes njerëzve ta takonte. U përqafuan bashkë, pastaj Enveri e pyeti për fëmijët e për punën. Për çdo pyetje Alizoti, edhe pa qënë mirë, thoshte vetëm «mirë». Fotografët po i merrnin në dhjetra pamje nga tërë anët e me tërë ngjyrat. Në fund Enveri e pyeti dhe një herë: «domethënë s’ke ndonjë hall»?
Duke buzëqeshur lehtë Alizoti iu përgjegj si me një intimitet që ia lejoi vetë vetes së tij: «Tani që na panë bashkë, shoku Enver, për ca kohë s’do kem dhe aq halle». Ai buzëqeshi e u ndanë.
Ngjarja kaloi gojë më gojë duke marrë dhe shtesa a zbukurime të tjera nga kureshtarët. Alizoti kërkoi nga njerëzit e Komitetit t’i jepnin ndonjë fotografi ku kishin dalë bashkë, po asnjeri s’ia dha. Ato kishin shkuar në duar të Sigurimit, ku Alizoti mbetej gjer në fund i huaj. Dikush i tha: «Bëre një lojë pa na pyetur. Mund edhe të dënohesh»! Ai ia ktheu: «E kam këtu në bllok porosinë që më dha, për çdo ankesë…»! Zyrtari bëri sikur s’kish ndodhur gjë me të e u largua.
U nisa për në Tiranë familjarisht. U takova me të e më dhuroi një fletore të mirë shënimesh, me kapak të zi e anash të kuqe, nga të kohës së Mbretit Zog: «Shkruaji këtu vitet që kalove në këtë qytet. Dhe të mirat dhe të ligat, u duhen njerëzve që t’i dinë»!
Ai vazhdoi punën aty mes librave, gjithmonë në paqe me veten e tij.
Gjenevë, dhjetor 2010.
Prof. Dr. JORGO BULO: ALIZOT EMIRI NË KUJTIME TË MIAT
Sa herë shkoj në Gjirokastër, me mallin për vitet e rinisë të kaluara në atë qytet, kur zbres nga Qafa e Pazarit për në sheshin e Çerçizit, në mënyrë krejt të pavetëdijshme kthej kokën djathtas, sikur pres të shoh Alizot Emirin në librarinë e tij dhe sikur pres të më rekomandojë një libër të ri që ka dalë. Ajo librari, shtetërore kur e kam njohur unë, ka mbetur e identifikuar me emrin e Alizot Emirit, sepse ai nuk ishte thjesht një “librar”, por një institucion, pa të cilin, ne që kemi bërë shkollën dhe kemi punuar në Gjirokastër, nuk mund ta kuptojmë formimin tone dhe qasjen ndaj librit si ushqimin bazë të plazmimit tone kulturor e qytetar. Libri dhe Alizot Emiri kanë mbetur një, të lidhur ngushtë në përfytyrimin tonë edhe sot pas më se gjysmë shekulli nga njohja e parë me Alizotin dhe librarinë e tij. Duhet të isha në vitin e parë të shkollës së mesme “Asim Zeneli” kur një ditë hyra në librari, ndoshta më shumë për të parë, se sa për të blerë ndonjë libër, ndonëse nuk kushtonin shtrenjtë, por jo dhe lirë për një konviktor që ndiqte studimet me bursën e shtetit. Me ndrojtjen sikur hyja në një tempull, u çlirova kur ndesha në buzëqeshjen e librarit që nuk më la të gjendesha keq. Përkundrazi, doli jashtë banakut, dhe zuri të pyeste nga vija e ku studioja, se ç’libra kisha lexuar, cili qe shkrimtari më i preferuar dhe ç’më interesonte. Kur i thashë se vija nga Sheperi, menjëherë filloi të më fliste për Çajupin dhe më rekomandoi të merrja botim e ri të “Baba Tomorit”, përgatitur nga prof. Dh. S. Shuteriqi, por ndërsa i tregova se si sheperjot kisha botimin e parë të vitit 1902, pashë që i pëlqeu kjo dhe më pyeti ç’kisha lexuar nga Noli dhe nga përkthimet e tij. Mua më kish rënë në dorë vetëm “Histori e Skënderbeut”, “Makbethi” dhe “Ligjëron Fan Noli” me ligjërata të tij, mbledhur nga Lefter Dilo. Atëherë nxori nga poshtë banakut “Rubairat” e Omar Khajamit, botimin e vitit 1926 dhe më tha:
– Ky nuk është një libër që shitet, lexoje dhe ktheje kur ta mbarosh. Do të të pëlqejë.
Unë nuk dija si ta falënderoja, jo vetëm për librin e çmuar që më dha, por sidomos për besimin që tregoi ndaj meje. “Rubairat” nuk ishte një libër i ndaluar, por as i rekomanduar nga shkolla për lexim. Unë dhe disa shokë konviktorë të dhomës e përpimë dhe kur ia ktheva e folëm rreth librit, më habiti njohja që kishte për të dhe për personalitetin e Omar Khajamit. Mund të them se qysh nga ajo ditë u bëmë miq dhe kur kaloja përpara librarisë së tij, po të mos kthehesha vetë, do të më thërriste ai. Në mos më rekomandonte ndonjë libër të ri, do të hapte një temë rreth letërsisë, rreth ndonjë autori, ose ngjarjeje a debati të jetës letrare.
Alizoti të linte përshtypjen se s’linte gjë pa lexuar. Sapo dilte një libër i ri, sidomos një përkthim i ri nga Balzaku apo nga Dantja, nga Molieri, nga Dikensi ose nga Remarku ai ishte në gjendje të fliste për të. Më vonë arrita të kuptoj se një pjesë të mirë të librave që përktheheshin ai i kishte lexuar më parë në gjuhët që njihte, kurse librave të rinj të letërsisë shqipe, sapo vinin, ai u bënte një lexim diagonal, por kishte aftësinë të kapte thelbin e mesazhit e të subjektit të tyre dhe ndonjë hollësi që e përdorte si “grackë” për të nxitur kuriozitetin tënd që ta lexoje.
Alizot Emiri nuk ishte një librar i zakonshëm, jo vetëm për kulturën që kish fituar më shumë si autodidakt, por dhe për mënyrën dhe “didaktikën” e paraqitjes së librit te lexuesit, te lexuesit e thjeshtë po e po, por dhe te lexuesit e kualifikuar. Ai e ndjente veten të sigurt e të barabartë me ta; më shumë mateshim ne kur bisedonim me të se sa ai me ne.
Kështu që libraria e Alizot Emirit ishte bërë si të thuash “teqeja” ku faleshim të gjithë, jo vetëm nxënës të shkollave të Gjirokastrës, jo vetëm mësues të gjuhës e të letërsisë, por specialistë të fushave të ndryshme, mjekë, inxhinierë, juristë, ekonomistë, agronomë, por dhe qytetarë e fshatarë të thjeshtë. Ai kishte intuitën e rrallë t’i rekomandonte secilit atë libër që do t’i hynte në punë, por dhe që u përshtatej shijeve të çdo kategorie lexuesish.
Alizot Emiri ka mbetur i paharruar në kujtesën tonë si një personazh i veçantë dhe i dashur. Ai ishte një bashkëbisedues i këndshëm, me një inteligjencë të rrallë, me një humor spontan që i buronte së brendshmi, ironik, disa herë dhe i hidhur, por gjithsesi i qeshur dhe fin. Sikur të mblidheshin gjithë thëniet, batutat, meseletë dhe paravolitë e Alizot Emirit, do të dilte një libër i rrallë i mençurisë popullore.
Uroj që këtë ta bëjnë, në mos e kanë bërë, djemtë e vet, që të ruhet jo vetëm kujtimi, por dhe shpirti i tij.
Tiranë, shkurt 2011.