Alizot Emiri, njeriu, librári e gázet fisnike (6)
SHKOLLA, ARSIMI & KULTURA
Ç’ËSHTË SHKOLLA
Hapeshin shpesh diskutime për shkollën në librari. Arsimimi ishte preokupacion i përgjithshëm në Gjirokastër. Shkollimi shikohej si rruga e vetme për të siguruar një jetesë optimale dhe me dinjitet. Diskutohej për mbarëvajtjen e fëmijëve, përmendeshin me respekt nga të moshuarit emrat e nxënësve të dalluar, e sidomos kur thuhej se ishin mjaft të varfër. “I lumtë, bravo i qoftë, nuk kanë ngopur barkun me bukë…”! Diheshin emrat e tyre. Por përmendeshin dhe raste të thyerjes së disiplinës nga ndonjë nxënës, si ngjarje që ulnin vlerat e qytetit. Pa le po ta kish bërë vijë ndonjëri.
Qyteti shqetësohej! Dhe ndodhte që prindërit e lodhur e të vuajtur nga jeta, ndiheshin të pafuqishëm ndaj rezultateve të dobëta të fëmijëve të tyre.
– Hajde, hajde se do ta pjekë shkolla, si të tërë! – ngushëllonin të pranishmit prindin e shqetësuar, të cilit nuk i mësonte fëmija, apo kish thyer rregullat e shkollës.
-More po ç’e dini shkollën ju? – u ndërhyri Zotia një ditë kur unë ndodhesha në librari. -Mos i bini në qafë kot! Shkolla është tamam si një furrë dhe pjek atë që fut. Ta zëmë, po fute birek, nxjerr birek të pjekur, po fute shapkat, nxjerr shapkat të pjekur.
S’ka bënë vaki gjer më sot, që të futësh kungull në furrë e të ta nxjerrë mish të pjekur! Në asnjë vënd të botës! Çdo prind e di mire se ç’mall ka çuar në shkollë.
Të pranishmit i dhanë të drejtë Zotës, ndonëse qeshnin me krahasimin e bërë prej tij, por Zotia s’kish mbaruar:
-Shkolla të jep miellin, thesin duhet ta kesh vetë! Po vajte me thes, thesin të mbush! Po vajte me trastë, trastën të mbush. Po e pate thesin të shpuar, do dalësh me thesin bosh, po s’është faji i shkollës, ama!
MBARËVAJTJA E FËMIJËVE
Si prind, Zotia ishte mjaft kërkus ndaj fëmijëve. Kjo u duk që me fëmijën e parë, Ibrahimin, i cili shkëlqeu prej klasës së parë deri në përfundim të fakultetit. Unë vazhdova shkollën tre vjet mbas të parit. E kisha marrë vesh, se në shtëpinë tonë s’mund të hynte tjetër, veç notës maksimale, pesë. Po hajde t’i merrje ato “të shkreta pesa”. Pedagogët e nderuar të asaj kohe nuk e lëshonin pesën për qamet. Nuk kam njohur më kurnacë!!
Ndaj do ketë dalë dhe ai nami për Gjirokastrën…!
MESATARJA E NOTAVE
Vazhdonin dëftesat e shkollës për Ibrahimin me të gjitha pesa. Mbaroi filloren, shtatëvjeçaren dhe filloi gjimnazin. Vlerësimet bëheshin në dy semestra veç e veç dhe në fund plotësohej rezultati vjetor. Me rezultatet e semestrit të pare Zotia u mërzit shumë, sepse në një lëndë ishte vlerësuar me notën katër. Në lëndën e Fiskulturës. Ishte katra e parë. E vërteta ishte se djali i Zotes ishte trupvogël dhe vlerësimi i bërë nga pedagogu i fiskulturës ishte jo vetëm i drejtë, por dhe dashamirës. Mirëpo hajde të mbajë katrën! U prish rregulli.
Zotia nuk ishte thjesht formalist në këtë aspekt. Ai parashikonte se kjo do ndikonte në uljen e mesatares së notave për djalin dhe do ta vështirësonte për të drejtën e studimit. I duhej patjetër, që dëftesa të ishte me të gjitha pesa, që të kishte të drejtën të luftonte, për ta kërkuar vazhdimin e shkollës së lartë. Koha tregoi se kishte shumë të drejtë.
Mezi priste që t’i shkonte pedagogu i fiskulturës në librari. Zotia e dinte se i biri nuk kish çfarë të bënte më shumë. Tek ushtrimet e kaluçit mund të ngelte kur të doje.
Nuk ishte faji i tij. Vetë Zotia e kish bërë më të vogël se ç’duhej. Ku i kishte patur sytë?! Nuk bëhen punët me sy mbyllur!
Erdhi pedagogu në librari për të marrë gazetën dhe Zotia e pyeti për djalin. Pedagogu i foli shumë mirë, por ai nuk i plotësonte disa norma të moshës. Zotia ia shprehu shqetësimin, që me notën e fiskulturës i prishej komplet rezultati. Nuk do mund të thuhej më, “me të gjitha pesa”, dhe kjo do kishte pasojat e veta. Pedagogu në pozicionin e vet ishte mjaft korrekt. Sipas asaj që i kërkonte prindi i nxënësit të vet, i takonte që në lëndën e fiskulturës të mos vihej notë tjetër veç pesës. Pra në fiskulturë mjafton që të shkoje, se nuk kishte fare rëndësi se çfarë bëje. Ky do të ishte zhvlerësim i plotë i lëndës. Kjo ishte e pamundur të bëhej edhe po të donte pedagogu. Zotes i duhej të gjente një zgjidhje individuale, ndaj përdori humorin :
– Unë çuditem pse nuk jep rezultate në shkollë ai djalë. Në shtëpi ai ecën në litar si pelivani Ali Xhixha dhe, ç’është më e rëndësishmja, s’ka rënë asnjëherë nga litari. Paraqet një formë të qëndrushme.
– Si ka mundësi? Jo, kjo është e pamundur! – i tha pedagogu, që u ndje ngushtë edhe për faktin, sepse nuk kish arritur të dallojë këtë aftësi të veçantë akrobatike të nxënësit të vet, Ibrahimit. Ishte detyra e tij të zbulonte talentet.
– Posi mo, është e mundur që ç’ke me të! E kalon çdo ditë, – i tha i sigurt Zotia.
– Më fal, Alizot, po ku e lidhni litarin, sa i gjatë është, sa lart nga toka…? – e pyeti pedagogu që vazhdonte të shprehte habi.
– Unë, në të vërtetë, në vënd të litarit, i vizatoj një vijë me shkumës në mestë dyshemesë dhe e vë që të shkojë mbi të – e sqaroi më në fund ushtrimin akrobatik Alizoti.
Të pranishmit në librari ja dhanë gazit, sapo kuptuan se “akrobacinë” e kish bërë Alizoti dhe jo i biri. Qeshi dhe pedagogu me fabulën e improvizuar. Ai e kuptoi mesazhin e Zotes. Si prind ishte i ndërgjegjshëm për mundësitë e fëmijës, por kërkonte një lëshim formal, sepse, siç i tha vetë, nuk do ta çonte djalin në Institutin e Fiskulturës. (Këtë pedagog, Nasin [Thanas Koçi], e kam të ngulitur në kujtesë si edukator të dashur, të aftë dhe mjaft serioz. Orët e mësimit të fiskulturës, me këtë pedagog dhe Nevro Angonin ishin orë mësimi të njëjta me të gjitha lëndët e tjera. Ata kishin ditur të fitonin respektin e gjimnazistëve. Diti të ndërtojë edhe marrëdhënie të shëndosha shoqërore me ta, duke e ruajtur të pacënuar autoritetin si pedagogë).
Ç’ ËSHTË BOTA
Vajza e Alizotit, Liljana, ishte emëruar mësuese e gjeografisë në fshatin Nepravishtë, Gjirokastër. Shkonte e kthehej me “korierat”, automjete të zakonshme transporti, në karrocerinë e të cilave ishin vendosur stola. Konsiderohej privilegj fakti që kthehej çdo ditë në shtëpi mbas mbarimit të mësimit. Për pasojë, ajo i merrte me vete detyrat e nxënësve dhe i kontrollonte në shtëpi.
Zotia ishte shumë kurioz të dinte se sa interes tregonin fëmijët e asaj zone për dije, ndaj e pyeti një ditë Lulunë.
– Janë të mirë, Zote. Ka nxënës shumë të mirë, por ka dhe ndonjë që s’mëson fare, si njeri, që i kam vënë dysh në provim me shkrim sot.
-Përse ja u ke bënë provimin – e pyeti Zotia.
– Iu bëra provim në gjeografi në klasën e katërt fillore, për mësimin e ditës. Tema e mësimit ishte për botën, ç’ështe bota…! Të gjithë kanë shkruar dy tre faqe, ky më ka shkruar dy rreshta! I vura dysh dhe e ka shumë!
– Po ç’ka shkruar në ato të shkreta rreshta? – e pyeti Zotia.
– U u, ç’ka shkruar thotë, se është edhe për të qeshur, – po e sqaronte Luluja -, po ja ,thoshte : “Bota është një rëmudhë me dhe [tokë] e me ujë…”!
– Bravo, – bërtiti Zotia -, qënka qerata i madh, e paska kuptuar shejtani që tani. Ka të drejtë. Bota ashtu është vërtet, rëmudhë e madhe nga të katër anët. Meriton një pesë të mirë!
– Si do ti vë pesë, mo Zote, po s’më ka shkruar asnjë fjalë nga mësimi.
– Sakën se i vë dysh! – e mbylli bisedën Zotia.
NË Ç’KLASË JE?
Gjallërohej kur i shkonin në librari nxënës shkolle, sidomos ata të fillores, apo të shtatëvjeçares.
U shërbente me kënaqësi të veçantë dhe entusiazmohej nga sinqeriteti i moshës së nxënësve e dëshira e tyre për të
mësuar. Por kishte qejf t’i ngacmonte. U bënte pyetje të ndryshme. Bisedonte si bashkëmoshatar. Bënte humor me ta, që të qeshnin së bashku. Edhe nxënësit e donin xha Alizotin. Kur nuk kishte kohë të mjaftueshme për t’i begenisur me bashkëbisedim, mjaftohej vetëm me pyetje të thjeshta:
– Në ç’klasë je?
– Në të tretën. – përgjigjej, përshëmbull, nxënësi.
– Uaa, po kur vajte në të tretën ti mo, ti vjet ishe në të ditën! – I pyeste si i habitur xha Alizoti.
Nxënësit në fillim hutoheshin pastaj e sqaronin gjithë seriozitet:
– Po mo xha Alizot, vjet në të ditën, sivjet në të tretën, tamam!
Një herë ngeci me një nxënës. Zotia i bëri pyetjen formulë:
– Në ç’klasë je?
– Në të katërtën.
– Po kur vajte në të katërtën, ti vjet ishe në të tretën!
– Jo,mo xha Alizot, edhe vjet në të katërtën isha unë, po mbeta në klasë, se më kishte inat mësuesi! – e sqaroi me durim nxënësi, që doli ndryshe nga shokët.
Mbeti dhe Zotia si nxënës i hutuar. E gjeti fare pa përgatitur. Edhe kush? “Mbetësi”!
Më prishi formulën, – tha Zotia – ma hodhi qeratai!
FRËNGJISHTJA
Më takoi një herë djali i Telo Mezinit, doktori, Bidua.
Erdhi në ndërmarrjen “Triss – Ndërtim”, ku punojmë unë dhe Ibrahimi, për të aplikuar taksa për higjenën. Problem pune. Iu bë qejfi, që pati të bënte me ne për atë problem, për të cilin kishte ardhur dhe kishte dëshirë të fliste për Alizotin. E kujtonte shumë mirë për komunikimin e dashur me nxënësit, por dhe për humorin. I kishte mbetur në kujtesë një rast.
-Shkova në librari, si zakonisht, për të blerë libra, fletore etj. U interesova edhe për një libër, jashtë klase në gjuhën frënge, sepse bënim frëngjisht në gjimnaz, – vazhdoi tregimin Bidua.
– Në ç’klasë vajte, – më pyeti Alizoti -, cili mësues ju bën frëngjishten, ç’metodë po përdorni…
Unë i përgigjesha për secilën pyetje. Më pyeti diçka për të vënë në provë njohuritë e mia në asimilimin e gjuhës frënge: -Si i thonë frëngjisht kësaj shprehje?… dhe me tha një shprehje të thjeshtë në shqip. S’e kujtoj saktë shprehjen, por kjo nuk ka rëndësi. Unë e formulova në frëngjisht atë shprehje, por formulimi im nuk ishte plotësisht i saktë, u ngatërrova, e korrigjova, u hutova dhe ngela disi i turpëruar.
Kur Alizoti, që atë priste, ma preu me të qeshur:
– Çoç të pandeha, po nuk më dole siç të doja unë. Si ka mundësi?
Në Francë edhe fshatari më i humbur e flet frëngjishten më mirë se ti.
Alizoti më dha të fala për prindët dhe unë u largova i mërzitur. Gjithë rrugës më mbeti në mëndje krahasimi që më bëri me fshatarin më të humbur të Francës. Më mirë të kisha marrë notë të keqe në klasë se sa të mos përgjigjesha tek Alizoti! Shkova në shtëpi dhe ia tregova mamasë se ç’më kish ndodhur këtë radhë me xha Alizotin. Them këtë radhë, se në çdo herë do ta kishim ndonjë gjë me të. Mamaja, si më dëgjoi, qeshi.
– More budalla, – më tha -, po s’e kuptove Alizotin, që të ka ngacmuar? Pse, nuk e di ti që fshatarët francezë nuk flasin shqip?!
NË FAKULTETIN E INXHINIERISË
Ishte viti 1964, qershor. Zotia ndodhej në Tiranë. Ibrahimi, i biri, qe student në vitin e dytë të fakultetit të inxhinerisë së ndërtimit. Ndodhej në sezon provimi.
Zotia e përjetonte me mjaft tension tërë periudhën, kur Ibrahimi kishte provime. Në Gjirokastër, ai bënte hajde – eja tërë natën në divan [ salloni i shtëpisë ], po të mos i kish ardhur përgjigja e provimit. Dhe nuk ishte e lehtë të njoftoje brenda ditës nga Tirana në Gjirokastër atëherë. Komunikimi bëhej me telegram ose me telefon nga kabinat e postës të qyteteve, po të arrije të bëje prenotim. Ky siklet vazhdoi edhe kur shkova unë në fakultet.
Meqenëse ato ditë provimesh Zotia ndodhej në Tiranë, këmbët e çuan avash – avash drejt e në godinën qendrore të Universitetit. S’kishte qenë ndonjëherë. Mendonte se do mund të takohej me të birin student, kur të dilte nga provimi i fizikës.
Ngjiti shkallët e jashtme, që kanë një pamje madhështore, monumentale, hyri brenda në katin përdhe, pyeti në informacion dhe u ngjit në hollin e madh të katit të dytë.
– Xha Alizot! – u dëgjua ta thërrasë dikush. Ktheu kokën.
Drejt tij po vinte Darvin Doraci, djalë i lagjes Palorto, shok klase me Ibrahimin. U takuan, u përshëndetën, u pyetën.
– Imia (kështu e thërritnin shokët Ibrahimin), është brënda në provim. Besoj se do dalë shpejt. – e sqaroi Darvini.
Në koridor lëviznin studentë. Darvini u bëri shënjë të afroheshin. Ishin shokët dhe një shoqe të kursit të Ibrahimit.
U prezantuan. Shoqja e klasës arriti të lexojë, në pamjen e Zotes, tensionin dhe shqetësimin e një prindi, që meraku i madh e kish sjellë deri tek dera e sallës së provimit. Ajo, një vajzë çapkëne, e dashur, mjaft e emancipuar, iu hodh Zotes në qafë dhe u mundua ta qetësojë babain e shokut.
– Për Ibrahimin je munduar deri këtu? – e pyeti shoqia e Ibrahimit. –K e ardhur kot fare! Po atëhere për ne duhet të vijë tërë fisi! Ibrahimi është student i shkëlqyer, është më i miri, mos ki merak! Do marrë notën dhjetë me siguri!
Zotia u çlirua nga emocionet, u çtensionua si pasojë e rrethit të ngrohtë që iu krijua, veçanërisht nga shoqja e djalit, Violeta nga Durrësi. Erdhi në vete dhe doli në ujërat e veta.
– Unë ju falënderoj shumë për fjalët e mira, që më thoni për djalin. Edhe unë e njoh tim bir dhe në të vërtetë nuk kam fare merak për provimin, por kam merak tjetër, prandaj erdha vetë gjer këtu.
-Pse, çfarë meraku keni për Imen? – e pyeti menjëherë Violeta, që u familjarizua më tepër me babain e shokut.
– Po ja, kam merak se mos më plikset me ndonjë vajzë si puna jote e do më bëjë t’i vë zjarrin shtëpisë! – iu përgjigj me humor Zotia.
Buçiti holli i fakultetit nga të qeshurat rinore të studentëve.
U afruan dhe studentë e studente të tjera, që ndodheshin në atë kat. U befasuan nga humori i natyrshëm e mjaft i këndshëm i Zotes. Batuta mori dhenë. Kthenin kokën gjithë vajzat kur kalonte Ibrahimi, i biri. Ç’a fati! Bëhet sebep babai të të duan vajzat! Mua s’më erdhi asnjëherë në universitet Zotia! Po nejse, të kthehemi tek holli i fakultetit me shoqërinë e Imes.
Natyrisht që më tepër se të gjithë u kënaq Violeta, të cilës iu adresua dhe batuta, që përmbante mjaft komplimente për shkathtësinë, për zgjuarsinë, për bukurinë e për emancipimin e spikatur të saj. U bënë të njohur. Zotia i dërgonte të fala me Imën. Ajo gjithashtu. Zotes i bëhej zëmra mal kur merrte vesh rezultatet shumë të mira të saj në fakultet dhe në jetën e saj familjare.
TRE PESA E NJË KATËR
Kisha filluar klasën e pestë, viti 1958. Mësimin e zhvillonim në shkollën “Koto Hoxhi”, në lagjen Varosh. Pra, kasha kaluar nga shkolla fillore në shkollën shtatëvjeçare. Kisha ndryshuar shkollë, ishin ndryshuar mësuesit. Nga një mësues në fillore, tani kisha shumë mësues, nga një për çdo lëndë. Kuptohet, njëlloj si të gjithë moshatarët e mi. Por Zotia i vlerësonte këto momentet e kapërcimit dhe donte që të ruanim vijushmërinë në rezultate, të mos pësonim thyerje.
Më kujtohet, veç të tjerash, përdori dhe stimulin material, ndonëse morali i kohës po e luftonte këtë lloj stimuli.
– Për çdo pesë, që do marrësh, ke një pesëlekshe! – më tha në fillim të vitit shkollor.
Fillova nga pesat në shkollë dhe ai e mbajti fjalën. Aq sa pesa mora në mësime, aq pesëlekshe më ishin dhënë. Po bëhesha i pasur! Me djersë e kisha, nuk po i vidhja! Po mësoja si qen, siç thoshnin vetë. Por të pasurit nuk i donte ai sistem. Nuk ju qeshi kurrë buza. Mezi priste, që t’u gjente anën e t’u ulte kokën. Dhe nuk vonoi.
U ktheva nga shkolla shumë i gëzuar. Gjatë rrugës po mendoja se çfarë do të bleja me nëntëmbëdhjetë lekët, që do të më jepte Zotia. Aq më takonin. Kisha marrë tre pesa dhe një katër atë ditë në mësime. Për një lek do kisha marrë njëzet lekë të pathyera. Ta kisha marrë dot pesë dhe atë katrën, po ç’e do, kisha bërë një gabim në ushtrime. Faji ishte imi.
Kisha mjaft kohë të bëja dhe gjyqe rrugës, se që nga shkolla në Varosh deri në krye të Palortose, në shtëpi, duhej gati gjysmë ore. Sa mbërrita në shtëpi, e gjeta Zoten tek divani, duke dalë për në punë.
– Hë, – më tha -, si vajte sot në shkollë? Ishte pyetja standard.
– Mirë, – i thashë unë me modesti. Ama në të vërtetë më takonte të mburresha.
– Si mirë? – më pyeti. Oh, sa mirë, po thosha me vete, që më pyeti vetë. Po të mos më pyeste, unë nuk mund t’i thosha vetë, se dukej sikur e bëja për nëntëmbëdhjetëlekshin. Do t’i kisha humbur kot, por ja, më ndihmoi fati!
– Mora tre pesa dhe një katër, – i thashë.
– Ku e more atë katrën, mor mut? – më pyeti ai dhe iku pa pritur përgjigje e pa më dhënë çekun.
Ngela si m… tek dera. Harrova të hiqja sandalet dhe më mbeti çanta me libra në dorë. Dëshmitare në divan ishte vetëm macja e shtëpisë, që po qëndronte pa lëvizur dhe tundte bishtin e ngritur përpjetë.
Edhe ti me atë je? – iu drejtova maces, që e tundte bishtin kërcënushëm, sikur vazhdonte të kërkonte llogarinë e lënë përgjysëm nga i zoti. Jo, ti s’ke faj ,xhanëm, se ta bie Zotia ushqimin përditë nga restorantet e Gjirokastrës. Ti s’ke marrë ndonjë katër edhe kur e ke çjerrë atë! Dhe më dukej sikur macja mbahej me hatër në atë shtëpi!
Më mbeti mëndja: More, more! Një palo katër shuajti tre pesa!
TAKIM ME PRINDËRIT
Në takimet që organizonte shkolla, me pjesëmarrje të prindërve dhe nxënësve njëkohësisht, Zotia nuk vinte kurrë. Vinte nëna. Ai takohej me pedagogët tanë pothuajse çdo ditë në librari, qoftë dhe kur ata blenin gazetën. Ishte i informuar për mbarëvajtjen e fëmijëve. E vërteta është që ne, të gjithë fëmijet, kemi patur rezultate shumë të mira në shkollë.
Vetëm një herë erdhi Zotia në takim me prindët në klasën time. Unë isha në klasën e shtatë. Mësimet i zhvillonim tek ndërtesa e shkollës së mesme “Asim Zeneli”. Mësues kujdestar kishim zotin Kiço Leka. Presor Kiçua (kështu e shqiptonim fjalën profesor) na jepte lëndën “Gjeografia e Shqipërisë”. Na e bëri shumë të dashur vendin tonë me atë shpjegim të rrjedhshëm e pasionant. Dinim përmendësh emrat e të gjithë maleve, fushave e lumenjve dhe pozicionet e tyre në hartë, ndonëse me këmbë kishim shkelur vetëm Mashkullorën, Erindin dhe “fushën e aeroplanit” (kështu i thoshnin fushës përballë qytetit). E kam kujtuar shpeshherë këtë pedagog, e sidomos kur jam takuar me ndonjë nxënës të sotëm, që kanë bredhur tërë Shqipërinë, por që e njohin pak gjeografinë e vendit.
Dola nga tema, por s’mund të anashkalohet kujtimi i mësuesve! Do më falni!
Filloi mbledhja. Klasa e kabinetit të gjeografisë ishte mbushur plot me prindët dhe nxënësit. Erdhi mësuesi kujdestar! Të gjithë u çuan në këmbë, prindër e nxënës. Heshtje e plotë. Pedagogu i qeshur, u ndje borxhli nga respekti që shprehnin prindët e nxënësve, të cilët ishin më të moshuar se ai vetë. U ulëm. Mësuesi foli për mbarëvajtjen e nxënësve, për rezultatet e tyre, për dobësitë, për detyrat në vazhdim dhe ua dha fjalën prindërve. Ky ishte dhe qëllimi i këtij takimi. Ishte një formë e bashkëpunimit të shkollës me familjen për të rritur përpjekjet dhe rezultatet e nxënësve. Dhe nuk ishte një formalitet! Kur prindi i drejtohej fëmijës së vet, në mes të këtij auditori dhe nuk hezitonte t’i nxirrte në shesh gënjeshtrën, që mund të kish përdorur në klasë, nuk kapërdihej lehtë nga asnjë nxënës, sado i padisiplinuar të ishte.
Krijohej një situatë prekëse kur dëgjoje sakrificat mbinjerëzore, që përballonin prindërit e shumëvuajtur, vetëm që fëmija i tyre të vinte në shkollë i ushqyer, i larë, i veshur, me librat dhe me fletore njëlloj si të gjithë. Të ndihej i barabartë! Prindët ndiheshin fajtorë për rezultatet e dobëta të fëmijëve të tyre. Ishte e dhimbshme. Angazhoheshin para auditorit, se do t’i lehtësonin fëmijët nga punët e shtëpisë. Do t’i përballonin të gjitha vetë, vetëm që fëmija të mësonte më shumë.
Ishte kohë me shumë fukarallëk, me mjaft mungesa serioze, por me një dëshirë të madhe për të mësuar. Dëshira e prindërve që fëmijët t’u mësonin,ishte një epidemic kolektive, që kish përfshirë gjithë shoqërinë. Shkolla ishte e shenjtë dhe mësuesit të respektuar nga të gjithë. Por ishte dhe koha kur prindi këshillonte fëmijën, e jo fëmija prindin!
I erdhi radha Zotes, prindit tim. Si prind ai ishte në kushte komode në këtë takim. Nga pedagogu dëgjoi vetëm fjalë të mira. Ndaj dhe kur mori fjalën e ndërtoi ligjeratën në përgjithësi, që të ndikonte pozitivisht tek gjithë nxënësit. Bëri krahasim me shkollën në kohën e tyre, që nuk kishte të krahasuar me kushtet tona.
– Mësonim me kandile, – tha Zotia – s’kishim drita. Edhe sot e kësaj dite, kur kruajmë hundët, na del akoma kapëneja (bloza) e tymit të kandiles…
Qeshën!
– Mor po ku e gjeti këtë krahasim, – thashë me vete – Tamam për të edukuar nxënësit! Domethënë, le ta krahasojnë po të duan nxënësit e sotëm, çfarë nxirrnin nga hundët prindërit e tyre, me atë se çfarë nxjerrin ata sot! Hajde baba, hajde! Më erdhe dhe nga libraria, sa u ndave me shkrimtarët më të mëdhenj të botës!
Ua tregova dhe në shtëpi, sapo mbërrita. – Na nderoi babai sot në mbledhjen e prindërve, – u thashë -. Hajde dëgjo shokët nesër, kur të më pyesin : Hë mo, Pupe, si jeni me nxjerrjen e kapënesë?
Jemi mirë – do t’u them – se po punojmë pa hile, gjithë familja, të mëdhenj e të vegjël.
– U, të rraftë një pikë, djalëë! – më tha nëna -. Po pse mo, na këto muhabete bëni në shkollë ju? Pse s’thua, mashalla…, birko (shumë mirë). Dale, dale pa ua ndreq unë juve te Zotia, në darkë!
SIKUR TË ISHA MBRET!
Në Gjirokastër bëheshin kurse për përvetësimin e gjuhëve të huaja nga intelektualët e qytetit. Kryesisht në frengjisht. Frengjishtja ishte gjuha e huaj, që mësohej në shkollën e mesme “Asim Zeneli”.
Në librari vinte dhe literaturë në gjuhë të huaj, sipas porosisë së bërë nga individët në katalogët periodikë të literaturës së huaj, si dhe pjesë të ndryshme letrare, përralla etj. Për këtë literaturë interesoheshin pikërisht ata që kishin kryer studime jashtë si dhe ata që mësonin gjuhën e huaj në Shqipëri. Zotia njihej me të gjithë lexuesit, por sidomos me ata të letërsisë në gjuhë të huaj dhe bënte çmos t’u siguronte librat e porositur.
Një ditë, kur po ju shërbente në librari disa intelektualëve të qytetit, i pyeti edhe për nivelin ku kishin arritur me frengjishten. E mori fjalën Ai, miku i Zotes, që ishte me i avancuar se shokët. E sqaroi Alizotin se ndiheshin mjaft mirë, kishin përfunduar metodat, po lexonin literaturë…!
Zotia donte t’i ngacmonte. Ai e dinte mirë se ç’do të thotë të mësosh mirë një gjuhë të huaj, kur përditë e kupton se ke mangësi në “gjuhën e nënës”. Miku i doli në “shteg” me atë entusiazmin që shprehu.
– Po ja, për shembull, e përktheni dot një shprehje të vogël nga frëngjishtja në shqip?
– Thuaje ta dëgjojmë një herë, – ju përgjigj përsëri miku i Zotes në emër edhe të shokëve të kursit të gjuhës, që ndodheshin bashkë me të në librari.
– Si zhete rua! – shqiptoi Zotia në frëngjisht shprehjen që shkruhet “Si j’etai roi”?
– Sikur t’isha mbret! – u përgjigj me zë të lartë dhe i kënaqur ai, që mundi ta përkthente shprehjen e provës, duke u nderuar para Alizotit dhe të pranishmëve.
– Do na ruaje… vreshtat! – iu përgjigj Alizoti thirrjes dëshirore “Sikur të isha mbret”, të sapo përkthyer.
Të gjithë qeshën me grackën plot humor, ndonëse me nënkuptim banal, që i ngriti Alizoti miqësisht. Mesazhi i kësaj “gracke” u bë shkak të vazhdojë diskutimi i përbashkët për pafundësinë e gjuhës.
SHKOLLA E NATËS
Në kuadrin e masivizimit të arsimit, politikë kjo e ndjekur në vitet 55 ÷ 75, u hapën shkollat e natës. Në të njëjtat shkolla, ku bëhej mësim ditën me nxënësit e rregullt, bëhej mësim dhe natën, për ata që ishin në marrëdhënie
pune. Kështu punëtorët e specialistët e ndërmarrjeve të ndryshme ekonomike, pasi kishin realizuar detyrat në punë, shkonin mbasdite në shkollë nga ora 16 deri 20. Pas mësimit shkonin në shtëpi, kuptohet shumë të lodhur, e duhej të mësonin e të bënin detyrat e shtëpisë për ditën tjetër të shkollës. Mësimi ishte i organizuar një ditë po, një ditë jo.
Kuptohet, niveli në shkollën e natës ishte më i ulët se ai i shkollës së ditës, ndonëse sistemi i konsideronte ekuivalente. Ky problem, i cilësisë së mësim-dhënies e veçanërisht, i mësim-nxënies nga nxënësit – punëtorë, diskutohej shpeshherë.
U hap kjo temë kur unë po ndihmoja Zoten në librari. Po debatohej ekuivalenca e shkollës së ditës me atë të natës. U krijuan vetvetiu dy grupe që argumentonin këndvështrime të ndryshme. Zotia u shmangej diskutimeve në grupe me njerëz të pa njohur mirë prej tij. Edhe në këtë rast, ndonëse problemi ishte mjaft i thjeshtë, vështirësia qëndronte tek politizimi, që i bëhej nga fanatikët dhe injorantët. Sido që të jetë, Zotes ju kërkua mendim dhe diçka duhej të thoshte, qoftë dhe me variantin as mish as peshk. Po Zotia e kish të rëndë konformizmin, po që se fliste, dhe u tha:
– Nuk më mbushet mëndia që shkolla e natës të ketë të njëjtën vlerë si ajo e ditës. Më duket se nuk e bën dot hëna punën e diellit.
Dhe dielli është diell! Edhe kungulli që është kungull, i do tre muaj diell që të piqet!
ARSIMI DHE KULTURA
Rastiste që njerëz me arsim të lartë të mos reflektonin kulturë edhe në sjelljet më të zakonshme. Kjo në Gjirokastër binte menjëherë në sy. Dhe ca më tepër kur kjo rastiste brenda në librari. – Nuk i falet, është dhe njeri me kulturë! – u shpreh dikush nga të pranishmit, sapo doli nga libraria një person, që nuk i respektoi ata.
– Ah, mos i ngatërroni gjërat! – iu hodh Zotia që, me sa u duk më vonë, nuk ishte i të njëjtit mendim me të -. Me sa di unë, ai ka mbaruar shkollën e lartë për…
– Po pse, pak është, mo Alizot, ç’duhet të bëjë tjetër ki, mo? Mos duhet të bëjë ndonjë fakultet tjetër, që të mësojë të përshëndesë, kur hyn në librari në mes të njerëzve? Uu, mos thotë tjetri as mirdita!
Dhe një pa shkollë nuk e bën atë që bëri ai me ne. Unë çuditem me ti, Alizot, që i del në krah! – shfaqën vëndalinjtë pakënaqësinë, që u ngjalli edhe një detaj i vogël i sjelljes jo të mirë të një individi.
Ndodhi të tilla nuk ishin të shpeshta në Gjirokastër. Romuzet karakteristike të qytetit nuk i favorizonin ato. Kjo mund të ndodhte përkohësisht me ndonjë të porsaardhur, ose ndonjë tjetër, që nuk dëgjonte nga ai vesh.
– Ndaj thashë, që mos t’i ngatërroni gjërat. – vazhdoi arsyetimin Zotia. – Ai ka bënë shkollën e lartë, domethënë është arsimuar dhe ka mësuar një profesion. Po ta ketë mësuar mirë, mund të quhet njeri i arsimuar, ose profesionist i mirë dhe s’është pak! Kurse me kulturën, me sa kam vënë re unë, s’e lidh gjë fare atë. Ti shikoje, në librari futet një herë në vit dhe blen a s’blen një gazetë. Një njeri, që ka mbaruar shkollën e lartë e që s’lexon një libër… s’di ç’emër t’i vë! Apo e kam gabim? – kërkoi mendim nga të tjerët Alizoti dhe e pa se po e miratonin me kokë.
– Po ngatërresa time ku vajti, mo Alizot, se më duket po thomi të njëjtën gjë e s’po merremi vesh ? – e pyeti bashkëbiseduesi.
– Nuk po themi të njëjtën gjë, këtë dua të shpjegoj. – i tha Alizoti – Ti të erdhi keq sepse e konsideron njeri me kulturë, ndërsa unë po them tjetrën, që ai ka arsim po s’ka kulturë. Le ta marrim shtruar. Ti fole për sjelljen. Po ne e dimë mirë se edukata mësohet në familje, ta mëson gjyshja, që s’ka asnjë klasë shkollë, po ka kulturën e trashëguar nga të parët, që ka brënda sjelljen e mirë, ka komunikimin e ëmbël, ka dashurinë për njerëzit, di të respektojë, ka eksperiencën e jetës… Këto janë pjesë të rëndësishme të kulturës. Këto që i mungojnë atij. E që ta mbyllim këtë muhabet, mos harroni se ndaj i thonë “Ministria e Arsimit dhe e Kulturës” pra, ka arsim, po ka dhe kulturë! Aq sa janë të lidhura, janë dhe të ndara me njera – tjetrën. Ne nuk e dime akoma se Arsimi është vetëm një pjesë e vogël e Kulturës. – e përfundoi bisedën Alizoti.
* * *
Sa e sa herë e kam dëgjuar Zoten të diskutojë në library për arsimin dhe kulturën. Atij i vinte keq, që disa njerëz e konsideronin se arsimi i lartë ishte gjithçka, që përmblidhte dijet dhe kulturën. Ata nuk kishin faj. Brezi i tyre pati liceun francez arsimimin më të lartë në qytet. Dhe atë nuk kishin mundësi ekonomike ta ndiqnin të gjithë, ndonëse e kishin ëndërr. Por dhe ky lice u transferua nga Gjirokastra në Korçë. Kurse për shkolla të larta nuk bëhej fjalë. Ato mund të bëheshin vetëm jashtë Shqipërisë nga fëmijët e të pasurve, që përveç pasurisë, kishin edhe mend.