Albspirit

Media/News/Publishing

Alizot Emiri, njeriu, librári e gázet fisnike (8)

 

SHËNDETI DHE PUSHIMET

NË SPITALIN Nr. 2, TIRANË

Në vitin 1969 Zotia u sëmur nga prostati dhe Doktor Vasili i Madh e dërgoi për një ndërhyrje kirurgjikale në Tiranë, në klinikë të specializuar tek Prof.dr. Ferdinand Paparisto, kolegu dhe miku i tij.

Sapo pa letrën e Vasil Labovitit, doktor Paparisto tregoi një kujdes të veçantë për Zoten e u tregua mjaft konfidencial me të. Çdo ditë Paparistua e takonte në pavion dhe bisedonte me shumë kënaqësi me Zoten, duke shijuar humorin e shokut të Vasil Labovitit, për të cilin ruante respekt të veçantë, që nga koha kur kish punuar si mjek i ri pranë tij në Tiranë.

 

Me infermieren

Ditën e parë të shtrimit të Zotes në spital u fut infermieria në dhomë dhe thirri:

– Krevati katër!

– Unë! – u përgjigj Zotia, që po qëndronte në këmbë.

Infermieria i zgjati dorën me tableta dhe ia dha për t’i pirë.

– Për kë janë këto ilaçe?

– Për krevatin katër, – iu përgjigj ajo dhe mori të largohej.

– Krevati nuk pi ilaçe, – i tha Zotia -, po për cilin pacient, po të pyes, si e ka emrin?

– Emrin e ke të regjistruar tek dhoma e mjekut, – e sqaroi ajo.

Me ilaçet në dorë shkoi aty dhe kërkoi sqarim. E kontrolluan kartelën dhe rezultoi se tabletat, që po mbante në dorë Zotia, i takonin një pacienti që kish patur të njëjtin krevat, por që pat dalë atë ditë nga spitali.

– Puu, – thirri Zotia -, si nuk e arrita ta takoja atë. Ishte që ishte, të operohej në vëndin tim!

 

Në sallën e operacionit

Para se të fillonte operacioni në sallë, Zotia, i impresionuar nga pamja e sallës, nga personeli me maska, nga tërë ato pajisje e instrumenta, që cilido mendon se do t’i përdorin mbi trupin e tij, i drejtohet Dr. Paparistos:

– Doktor, të lutem, kam dy kërkesa: Kam dëgjuar se, ku është filli i hollë, këputet.

– Është e vërtetë, – iu përgjigj doktori -, pse, ku e ke hallin?

– Jo mo, mu kujtua ashtu kot, po tani që do më hapësh, po ma pe gjakundi “fillin” të hollë, lidhe bëje komb, aman të keqen, se jam edhe djal’ i vetëm.

– Mos u baj merak hiç, Alizot, kur ta shoh të hollë, do ta lidh, do ta baj nyje dy herë.

– Edhe atë gjakun e kam merak të madh. – vazhdoi Zotia.

– Ça meraku ke me gjakun, Alizot?

– Po ja, a do më hidhni gjak?

– Po, po u desh, do të të hedhim. Pse pyet?

– Zgjidhmani një çikë, që të mos jetë gjak evgjiti, se jemi dhe racë trimash e mos e prishim kot.

– Qënke shtëpi pushke, Alizot?

– Çudi si nuk e ke kuptuar, doktor! Edhe një pushkë të vjetër që kishim në shtëpi, ia hoqëm tytën dhe e bëme fisë për të fryrë zjarrin në oxhak.

 

Dalja nga spitali

E njoftoi mjekja e pavionit një ditë para, se të nesërmen duhej të largohej nga spitali. Ia kishin plotësuar dokumentet. Pra, ishte bërë fakt i kryer. U shqetësua shumë. Ndihej akoma mjaft i dobët, për të dalë menjëherë mbas atij operacioni që kish bërë, sidomos kur mendonte se do shkonte nga Tirana në Gjirokastër. Rruga ishte shumë e gjatë dhe e lodhshme për një të porsaoperuar. Si të bënte? Do takoj Papariston, mendoi.

Doktori ishte në operacione. E priti sa doli, i shkoi në zyrë.

– More doktor, – i tha -, mos më kanë ngatruar gjë mua këto punonjëset, që merren me nxjerrjen e pacientëve nga spitali?

– Pse, si është puna? – e pyeti Paparistua.

– Më njoftoi të përgatitem për të dalë nesër nga spitali.

– Mirë kanë ba, ti tani je mirë e mund të vazhdosh në shtëpi, me çfar të kanë ngatëru, mor Alizot?

– Po them se më kanë ngatërruar me domatet e eksportit – ju përgjigj Alizoti -. Ato po, i këpusin jeshile këtu në Shqipëri dhe skuqen rrugës, deri sa mbrijnë në destinacion, mbas një jave, në Europë. Unë nuk u vë faj punonjëseve këtu. Siç duket kanë marrë vesh se dhe unë kam rrugë të gjatë për të bërë, deri në Gjinokastër dhe kanë menduar, se gjer sa të mbrij atje, do jem shëruar. Do t’u ketë dalë fare na mëndia, se rrugës ka dhe skarcitete. Nuk harinë të tëra shëndoshë. Pandaja, po deshe, shikoje dhe një herë vetë këtë punën time e, po munde, mos më nxirr jeshil nga spitali, lemë të kuqem dhe një çikë këtu. Të lutem!

Doktori e thirri në moment punonjësen dhe i tha:

– Ky pacient do dalë kur të të them unë! (Në atë kohë eksporti i prodhimeve bujqësore ishte çështje kombëtare. Në rrugët nacionale, autobuzat e linjave interurbane, me të cilat lëviznin njerëzit nëpër vendin tonë, këmbeheshin dëndur me automjetet me karoceri, zakonisht makina “ZIS” (zavod imjeni Stalin – uzina me emrin Stalin), të prodhuara në Kinë, të mbushura me prodhimet bujqësore, si domate, shalqin, agrume, presh… Njerëzit ishin krenarë, që Shqipëria furnizonte Evropën me prodhimet e veta. Domatet çanin bllokadën, por sidomos preshi! Ai na nderonte! Dhe ne prisnim të lumtur radhën kur do delnin këto prodhime në treg edhe për ne. Si prindi që ulet për të ngrënë pasi ka rreshtur fëmijët, edhe ne, shqiptarët, rehatonim një herë Europën, pastaj hanim vetë, ç’të mbetej).

 

Në spital në Gjirokastër

Spitali i Gjirokastrës ka qenë një ndër spitalet më të mirë në Shqipëri. Një ndërtim shumë i mirë për atë kohë, me hapësira të bollshme, kate të larta, me ngrohje qëndrore. Shkëlqente nga pastërtia, mbizotëronte rregulli e disiplina dhe, mbi të gjitha, përkushtimi e profesionalizmi i mjekëve. “Kishte në themel një traditë të krijuar nga mjekët e talentuar, të mëdhenjtë e mjekësisë shqiptare: Dr. Aleksandër Kalivopulli – patolog, Dr. Vasil Laboviti ose Vasili i Madh – kirurg dhe Dr. Vasil Jorgji ose Vasili i Vogël – pediatër”. (Këtë fragment e kam shkëputur nga shkrimi i Dr. Kristo Pandovskit “Ata që më mësuan mjekësinë e vërtetë”, botuar në gazetën “Shekulli” më rastin e 60 vjetorit të spitalit të Gjirokastrës.)

Në vitin 197… Zotia u sëmur. Pati probleme me tensionin e syrit. Ju vështirësua shikimi. Kur shikonte përpara një figurë i bëhej tre… I kishte thënë mjekut okulist, doktor Adem Harxhit: -Po më bëhen tre Fete (emri i gruas së tij), – hiqmi di, lemë me atë që kisha.

 

Në repartin e okulistikës

E shtruan në spitalin e Gjirokastrës, në pavionin e okulistikës. Në orarin e vizitave të pacientëve e thirri mjekia e pavionit. Shkoi, nuk njihej me mjeken, ishte e porsaardhur.

Ajo e pyeti për shqetësimet që ndjente dhe e vizitoi. Ja përshkroi Alizoti me hollësi çfarë i ndodhte me shikimin, të shoqëruar dhe me marrje mendsh, duke përsëritur me shqetësim disa herë shprehjen:

– Me humbi shikimi, me iku shikimi, ç’qe kjo hata që më gjeti…! Në përfundim të vizitës mjekia e qetësoi: – Mos u mërzit, xhaxha, shikimi do të të vijë gradualisht!

– Moj, po a më thua dot se ku më ka vajtur mua shikimi, – iu drejtua Alizoti mjekes, që u tregua shumë e sjellshme dhe korekte -, se s’pres të më vijë unë, po dërgoj ta marr ku të jetë. S’ju mundoj fare juve, kam një radhë fëmijë, që s’përtojnë për të tilla gjëra. Edhe ju s’keni ç’të bëni më përpara me ne të sëmurët. Si e do njeri, s’e do tjetri.

Mjekja, që nuk e njihte Alizotin, qeshi me këtë pacient dhe e nisi në dhomën e pavionit, ku ishte i shtruar, pa ia zgjatur. Kur u takua me doktor Harxhin, i tha duke qeshur:

– Në pavion na ka ardhur një pacient me probleme mendore, por jo i rrezikshëm e mjaft i respektueshëm, që më bëri të qesh gjatë vizitës. – dhe i tregoi se si pacienti do dërgonte fëmijët t’i gjenin shikimin e humbur e t’ia sillnin sa më shpejt.

– Cili pacient, si e ka emrin, në ç’dhomë e kemi? – pyeti nxitimthi doktori, që dyshoi menjëherë, se mund të ishte miku i tij.

– Alizot Emiri! – u përgjigj mjekia pasi pa në kartelë. – Obobo, – thirri doktor Harxhi, që kish goxha miqësi me Zoten -, mos e bëj muhabet me asnjeri, se do mbetesh, pa dashur, në histori në Gjirokastër – dhe e sqaroi mjeken se kush qe pacienti me probleme mendore. E thirrën Zoten tek dhoma e personelit, e prezantuan me mjeken e re dhe bënë një copë herë bisedë sa serioze, aq argëtuese.

– More Zote, po akoma s’fute këmbët, mo derëzi, edhe në spital s’do rrish rehat ti? Dhe shiko, se mos më dalë nga mëndia mua, mos i mundo kot fëmijët, – i tha me qesëndi doktori -, prit të ta biem ne atë shikimin tënd, që të ka ikur! Edhe mbaj mëndjen e kokës në vënd, se kujtojnë që je budalla!

 

Radha e qymyrit

Në dhomën e spitalit, në pavionin e okulistikës ku qe shtruar, Zotia rastisi bashkë më tre djem të rinj nga Përmeti, që ishin dëmtuar në sy nga një aksident i vogël në punë. U fut menjëherë në botën e tyre. U tha se kishte djalin e madh, Ibrahimin, inxhiner në Përmet. Ata e njihnin “inxhon”, kështu i thërrisnin! Zotes iu bë qejfi shumë. I kënaqi me histori e muhabete. Qeshnin gjithë ditën, se edhe dëmtimi i vogël, që kishin në sy, po u shërohej shpejt. Pacientët e shtruar në këtë spital trajtoheshin në kushte mjaft komode, krahasuar me kushtet e vështira në dimër, në shtëpite e tyre të ftohta. Ngrohja qëndrore në atë kohë ishte shumë e rrallë. Djemtë e dhomës e ndjenin këtë privilegj sa herë që vinin njerëz nga jashtë duke u dridhur nga të ftohtit e hidhur të fund-nëndorit në Gjirokastër.

Një ditë para se të delnin nga spitali djemtë, që tashmë ishin shëruar, Zotia mendoi që, para ndarjes të bënte një lojë me ta. Hyri gjoja shumë i mërzitur në dhomë dhe djemtë e vunë re menjëherë. Ata e shikonin Zoten në dritë të syrit. Nuk dinin se si t’ja bënin qejfin më mirë, e respektonin shumë, u kish fituar zemrat me afërsinë e madhe që mbante me ta, ndonse ishin evgjitë.

– Ç’ke kështu, mo xha Alizot, të shohim shumë të mërzitur, do ndonjë gjë, të ndihmojmë dot ne? – po e pyesnin djemtë.

– Po jo mo, po më erdhi inat më veten kur më thanë. Duhet ta kisha menduar dhe vetë.

– Po pse, ç’të thanë? – s’po duronin dot çunat. – Do t’ua u shpjegoj më ngadalë juve, që të mos mërziteni siç u mërzita unë. – filloi sqarimin Alizoti dhe vazhdoi -. A nuk kemi diskutuar plot herë bashkë, që sa kushte të mira kemi? Po! A kemi thënë që në këtë spital më shumë shërohesh nga ngrohja qëndrore, se sa nga mjekimet?

– As që diskutohet ky muhabet, e kemi thëne që ç’ke më të, o! – u përgjigjën djemtë.

– E po, që të funksionojë si sahat kjo ngrohja, duhet të kontribojnë edhe të sëmurët si puna jonë, që nuk kanë sëmundje të rënda, po vuajnë një çikë nga sytë apo nga veshi, e të tjera si këto. Kot nuk thonë: nuk çalon gomari nga veshët. Këtë rregull unë nuk e dija, se është hera e parë që shtrohem në spital. Kur ma thanë, u ndodha bosh dhe u mërzita.

– Po ç’të thanë? – mezi prisnin të mësonin shkakun e mërzitjes së Alizotit.

– Nesër dhoma jonë ka radhën e qymyrit! – ua tha më në fund Zotia.

– Ç’është kjo radha e qymyrit, mo Alizot? – e pyeti një nga djemtë e Përmetit me buzën në gaz -, se andej nga ne e përdorin për dashurinë këtë punën e qymyrit. Përshëmbëll, thonë filanin e ka zënë qymyri me filankën. Po ne, më kë na ka zënë…?

– Po jo, mo shejtan, – i tha Zotia -, po me që të ka vajtur dhe mëndja, do ta provojmë nesër që pa gdhirë. Do shkojmë tek kaldaja e spitalit dhe do bëjmë furnizimin me qymyr. Është punë e lodhshme fizike, do bëhemi për ibret, tëre hi e kapenè (blozë ), mos e pyet.

– Ama, për këtë je mërzitur kaq shumë ti, o xha Alizot?

– Po për këtë, pse e pakët ju duket kjo? Ku kam fuqi unë të bëj punë të rëndë fizike! Apo që s’jam shëruar akoma…

– Pse, të ka lënë mëndja ti, o? Si e mendon ti, që ne do të të lëmë ty të punosh më lopat’o? S’kemi vdekur akoma ne! Atë punë ne e bëjmë me qejf, zaten ajo është puna jonë. E dimë ne si do ta bëjmë kaldajën e spitalit nesër, që të mbahet mënd.

– Mirë mo djem, paçi uratën! – u tha Zotia dhe më pas u interesuan se nga do dilnin, ku ishte kaldaja, etj. Pa zbardhur mirë djemtë u ngritën pa zhurmë, që të mos e zgjonin Zoten që gërhinte, morën nga një batanie, që të mos ftoheshin dhe dolën me shumë kujdes. Zbritën në katin përdhe, shkuan tek porta e madhe e hyrjes së spitalit,që qe e mbyllur. U bë zhurmë me dorezën e derës, u zgjua roja i spitalit, që po dremiste në karrike. Pa tre njerëz me pizhamet e spitalit dhe me batanie në kokë. U trëmb! I shkoi pështyma keq dhe mezi nxorri fjalët:

– Po ju, ku veni kështu mo, në mes të natës?

– Kemi radhën e qymyrit! – i thanë djemtë të vendosur.

– Shiko, shiko, – qeshi roja, që e kuptoi parullën e të rinjve të asaj kohe, megjithse ishte i përgjumur.

– Po ku e keni lënë takimin?

– Tek kaldaja, – u përgjigjën djemtë pa ua bërë tër syri.

– E di unë ç’doni ju dhe jua tregoj unë qymyrin mirë pastaj. Ju doni të njoftoj policinë dhe të veni të bëni dashuri në biruca. U bëtë dhe ju evgjitët e mu…, me rrobat e spitalit, paskeni marrë dhe bataniet, domosdo, tamam për “qymyr”.

Djemtë po e dëgjonin të habitur dhe e morën vesh se roja u keqkuptua, ndaj me qetësi e sqaroi njëri prej tyre, se ku po shkonin dhe se ngrohja e spitalit varej nga ata. Do mbante përgjegjësi kush i pengonte.

– Kush ju tha se sot keni radhën e qymyrit? – i pyeti me qetësi roja, që i kish dalë gjumi mirë.

– Xha Alizoti.

– Cili Alizot, mo?

– Alizot Emiri, jemi bashkë në një dhomë. Do vinte dhe ai, po nuk e lamë ne.

– Kur qënka shtruar në spital Alizoti, s’e kam marrë vesh fare – tha roja që çalonte nga një këmbë. Banonte ne Palorto, në të njëjtën lagje me të.

– Djema, qënkeni kënaqur me Zoten ju në një dhomë më të, po ja që bën dhe nga këto prapësite ai. Kthehuni në dhomë se për kaldajat e spitalit ka menduar tjetër kush, nuk mbeti spitali në dorë të Alizotit, që do t’i dalë për zot me evgjitët e Përmetit.

 

Nuk dal nga spitali…

Gjatë ditëve të qëndrimit në spital, Zotia lëvizte nëpër pavione për të thyer monotoninë. Takonte të njohur, ndërronte ndonjë muhabet. Kishte gjetur dhe një arsimtar të vjetër, dropullit, që i shkonte në librari, por që ishte mjaft naiv. Ai ishte në pavion tjetër.

Një ditë, kur Zotia po ngjiste shkallët, takohet me të. Ai po zbriste, i veshur me rrobat e tij dhe me një torbë në dorë.

– Po ti?! – e pyeti Zotia.

– Po dal nga spitali, ndihem me mirë. Edhe ne vizitën qe me benë mjekët sot, kete me thanë, me dhanë ca poros …

– Unë të dija burrë me mënd ti – ja preu Zotia -Po pse, shumica që rrinë në spital, janë më të sëmurë nga ti?

– Sigurisht Alizoti, përse mund të rrinë tjetër këtu, më thuaj te lutem.

– Siç rri unë! Pse si kujton ti, që unë, në këtë gjëndje që jam, s’mund të rri në shtëpi? Po ku të vete, shtëpitë tona janë akull të ftohta, nuk dëgjojnë të ngrohur gjer në behar. Këtu ushqimi falas, ngrohja ngrohje. Vërtet e ha nga një gjëlpërë në ditë, po pun’e madhe, sikur s’kemi vënd ku të na i bëjnë!

Arsimtari po e dëgjonte me vëmendje. Alizoti kish të drejtë. Sa mirë i kish shkuar mendja! Po shejtan ai, si gjithmonë.

– Mirë e ke ti, mo Alizoti, po mjekët? Po s’të shtroi mjeku në spitali, si do rrish, të lutem? Spitali nuk është hoteli!

– Qënke budalla i madh ti, s’të kam ditur. – i tha Zotia – Po mjeku di të vizitojë, po se ku të dhëmb e se sa të dhëmb shpirti, e di ti. Ti po i the që s’më dhëmb gjëkundi, përse do të të mbajë doktori, edhe ti të jesh. Unë e kam gjetur për veten time, përditë i nxjerr nga një avaz, po ma vazhdojnë atë gjëlpërën, pun’e madhe, mirë më bën, keq s’bën.

– E si të bëj unë tani që me nxorrën?

– U, pika që s’të bie! Ik, mirupafshim tani, bëj si të duash, puna jote.

Sa pa mbërritur në katin e tretë, ku kish pavionin, Zotia dëgjoi të bërtiturat që vinin nga poshtë. Duke qeshur me vete shkoi në dhomë e po lexonte. Pas një ore e thirrën tek dhoma e mjekut dhe i thanë:

– Alizot, ose thuaj këtij shokut tënd të dalë nga spitali, ose do dalësh dhe ti bashkë me të!

Më pas Zotia po qeshte me mjekët, që e kishin vizituar “shokun” e tij dhe po i tregonin se si ai ankohej për dhimbjet, që nuk i dolën dy herë në të njëjtin vend.

– Fajin e pata unë, që nuk ja caktova që në fillim vëndet me dhimbje! – pranoi Zotia.

 

SHPREHJE PËR SHËNDETIN

Mosha bënte të vetën. Më të vjetrit ankoheshin për shëndetin. Ju shtoheshin sikletet. Rrallonin daljen në Pazar, pastaj mbylleshin brënda në shtëpi e, më vonë, “zinin stromën”. Në këto faza kalonte zakonisht një pleqëri e gjatë në Gjirokastër. Dhe Zotia e përshkruante kështu gjëndjen e tij, kur kish kaluar të gjashtëdhjetat. “Kemi hirë në fushë të minuar. Po shkelim mbi mina. Shiqir që s’na ka plasur nonjë e madhe, se kështu na ato të voglat na kanë zënë plot.” “Jemi bënë si ato shtëpitë e vjetra (të Gjirokastrës). Dëgjohen të kërciturat e trarëve, sidomos natën. Bëjnë krr, krrr. Na janë hapur pika në çati. Ka zënë të kalbet qeresteja. Na janë varur strehët. Dhe ustai që vjen ta rregulloje, zë një e hap di pika të tjera. Tani kjo punë është me ne, gjer sa të na zëjë çatia brënda”! “Kam merak se mos ngrihem ndonjë ditë me gojë të ikur mënjanë, duke folur arabisht e s’do më kuptojë njeri”.

  • • •

Kur sëmurej Zotia merrej vesh, se do rrinte libraria mbyllur. Kjo ka ndodhur shumë rallë. Ai dilte edhe i sëmurë nga shtëpia. Nuk e mbaj mend të ketë ndënjur i sëmurë në shtëpi. Ishte i detyruar të dilte në librari edhe për faktin se duhej të shiste gazetën e përditshme. Miqtë dhe shokët, kur e merrnin vesh se kish qenë i sëmurë, i bënin atë urimin e zakonshëm:

– Të shkuara, Alizot!

– Ah, thosh Zotia, s’qenë të shkuara, po qenë të shpuara! Kjo nënkuptonte se sëmundja nuk kish kaluar vetëm me tableta, por ishin dashur edhe gjëlpëra.

  • • •

E di si është puna e doktorit? – tha Zotia kur ra muhabeti në librari -. Doktori është si puna e gjahtarit. Del me çifte në krahë për të gjuajtur. Sëmundja është si një ferrë, ku mjeku duhet të gjejë kafshën e egër, të fshehur brenda saj, të cilën duhet ta vrasë. Prapa ferrës ai dallon vetëm dy maja veshësh. Doktori e mbush çiften me saçme, sa për të vrarë një lepur, e shkrep çiften dhe rri pret. Kur largohet tymi kontrollon prapë. Po që se veshët janë përsëri prapa ferrës, domethënë që s’ishte lepur. E mbush çiften përsëri, por këtë radhë me saçme derri, e shkrep dhe pret përsëri sa të ikë tymi. Po të kenë rënë veshët, mirë, në mos po do shtojë saçmet deri sa të pastrohet ferra. Ka dhe doktorë që e mbushin plot me saçme që në fillim dhe kur shtien me çifte, mund të shkulin jo vetëm veshët e lepurit, por ferrën me gjithë të zotin bashkë! Kështu e mbledh mënden një herë e mirë dhe doktori dhe pacienti. Tek i keni doktorët, zgjidhni kë të doni, keni nga të gjitha sojet! – e mbylli Zotia krahasimin në prani të mjekëve që ndodheshin në librari duke qeshur.

  • • •

Pasi dëgjonte ankesat e zakonshme të moshës së thyer nga ndonjë mik, e pyeste si i interesuar dhe plot kuriozitet:

– More, s’të kam pyetur, kur ngjit Qafën e Pazarit si i mban duart, të lëshuara, apo i lidh të dia na mbrapa?

– Të lidhura mbrapa, ose i mbështet mbi vithe e ngjitem avash – avash – iu përgjigj një i moshuar një ditë. -E kam më të kollajtë ngjitjen.

– Mbi vithe the? E pse s’thua ti që ma more të keqen, vajte dhe ti, vajte me të shumtit, po mos u bë merak se rojte sa deshe! – ia priti menjëherë Zotia, duke e ngushëlluar me të qeshur.

– Uu, rrofsh mo Alizot, se më ke dhënë një sihariq të madh! S’ma kish thënë njeri këtë që më the ti. Po zaten ti të takon, se je dhe njeri i librave. Po unë në vithet e mia i vura duart, s’i vura në të botës. Edhe këtë do na ndaloç? Ishin miq, që ngacmoheshin gjithmonë.

  • • •

Kur mungonte disa ditë rresht ndonjë shok, pensionist e i moshuar, nga të Klubit të Gjuetarëve, bëheshin merak. Pyesnin njeri – tjetrin me shqetëssim:

– Pse s’ka dalë në Pazar? Mos është i pamundur? Kush e ka afër? Kë të pyesim një çikë? Çoku vete dhe na klubi i …., mbi hanin e Stavros. Jo, s’ma zuri siri, qeç’u ati.

– Shini një herë tek shtillat e elektrikut, – ju tha një herë Zotia -, se kushedi…! Lexoini një herë ato lajmërimet…! Për të dalë ka emri tonë tani, s’është ndonjë çudi. Mos ka vatur e ka zënë radhën, se, për të folë mos qoftë, është dhe gjyna t’ja kujtoç tani, po tip i nxituar ishte lumëmadhi!

– Qeshën si me pahir me këtë palo shaka të Zotes, që e bëri punën të mbaruar.

– More Zote, po ku më kërkoje mua ti, mo, në shtillat e telefonit? – iu drejtua kur u kthye shoku i sëmurë dhe pastaj vazhdoi humori me të gjithë.

  • • •

Zotia vuante nga hemoroidet. Kishte periudha që sëmundja acarohej dhe Zotia përballonte me mjaft vuajtje gjëndjen e keqe shëndetësore. Me doktor Vasilin takoheshin përditë dhe merrte këshilla e mjekim prej tij. Doktori i kish dalë borxhit shumë herë, duke i thënë të operohej, por Zotes nuk ja mbante! Dhe nuk kishte faj. Tamam atë, ( by…. ) që duhej t’ja mbante, Zotia e kishte me difekt!

Një herë u hap ky muhabet në librari. Zotia po i qante hallin, doktorit. Këtij nuk iu durua dhe i tha:

– Po të kam thënë njëqind herë, mo Zote. Hajde në spital, se do të të bëj një bithë, që të mos e ketë njeri në Gjirokastër. Do ta kenë zili të gjithë!

– Po pse, mo doktor ç’u bë bi… time, bi… gjimi, se je bënë si Malo Pafillxhiu e mezi pret të mballosësh bi… e botës?! Pastaj, ç’është ai muhabet, që do më kenë zili? Ti s’je i marrë të ma bësh më të mirë se tënden!

  • • •

Më dërgoi mua për të më vizituar doktor Koçua. Kishte biseduar me të. Unë kisha patur dhimbje të forta barku, që m’u ndërprenë mbas dy ditësh. Pasi përfundova vizitën tek mjeku, shkova në librari. Ishte plot me njerëz.

– Hë, – më tha, sapo më pa që hyra – u vizitove?

– Po. – iu përgjigja.

– Ç’të tha doktori? – më pyeti gjithë merak.

– Ke mëlçinë, më tha – e sqarova unë.

– Jo more, ç’paska gjetur! – më tha Zotia – Po pse, si e dinte ai, që të kishim bënë pa mëlçi ti neve? Mirë, mirë, se do llafos vetë me të.

 

NË PUSHIME

Në Kampin e Punëtorëve

Kishim shkuar për pushime në plazhin e Durrësit si familje. Familja Emiri. Mund të ketë qenë viti 72. Ibrahimi, djali i madh, kishte siguruar një apartament në një “Vilë” nga kontigjenti i Përmetit, ku punonte si përgjegjës i zyrës së projektimit, ndërsa unë kisha siguruar një fletë kampi nga ndërmarrja N.N.I.Ballsh, ku punoja si inxhiner. Fletën e kampit ia dhamë Zotes, që të ishte në kushtet më komode, ndërsa ne u mblodhëm në “apartamentin”, që përfaqësonte thjesht një dhomë e një sallon, ku hanim dhe flinim të gjithë, si dhe një banjë. Ndiheshim të privilegjuar! Kishim vilë!! Plazhin e bënim bashkarisht si familje. Në orarin e drekës shoqëronim Zoten deri tek hoteli i punëtorëve, ku ai do të drekonte e do të pushonte. Të njëjtën gjë bënim dhe në darkë. Në fushën familjare prindërit tanë i kishin të korrat të mbara! Kaluam një pesëmbëdhjetëditësh të paharrueshëm së bashku.

Me shokët e dhomës

Me fletën e kampit në dore, Zotia po mbante radhë për t’u regjistruar në hotelin e puntorëve. Para se të mbrinte tek sporteli dëgjoi t’i thërrisnin në emër. Ktheu kokën dhe pa dy miq të tij, gjirokastritë, pedagogun e talentuar në gjimnazin “Asim Zeneli” dhe inxhinerin kimist, që punonte në sektorin e kërkimit shkencor të pasurimit të fosforiteve. – Po ti ç’do këtu? – pyetën të habitur miqtë.

– Po regjistrohem. – u tha Zotia,që iu hap syri kur i pa.

– Ç’ne ti në kampin e punëtorëve?

– Hë për hë, edhe ne, dembelët do pushojmë tek kampi i pushimit të punëtorëve, sa të bëhet dhe kampi jonë – u tha me qesëndi Zotia.

– Me kë je në dhomë, o Zote?

– Nuk e di, kush të më bjerë – u përgjigj me indiferentizëm Zotia, sikur të mos kishte asnjë rëndësi për të. – E ke seriozisht, apo tallesh? Jo,s’ka mundësi!

– Po, po, seriozisht e kam. Dua dhe vetë të ri me njerëz të pa njohur. Më të mirë se ju do jenë domosdo – filloi t’i ngacmojë Alizoti.

– Dil nga radha shpejt, se do hymë bashkë në një dhomë. Na ke ardhur si me porosi, – dhe nxorrën Zoten nga radha, e ia morën fletën e kampit.

Zotia u hoq më shumë “i shqetësuar” se i gëzuar, që rastësia e bashkoi me kësi miqsh dhe i kundërshtoi. – Juve ju falemnderit shumë, por unë do futem prapë në radhë. Do regjistrohem në një dhomë çfardo, sepse unë çohem natën dhe s’dua t’ju bezdis ju, ndërsa gjithë ditën rrimë bashkë, kënaqemi. E ndërsa Zotia po u kërkonte fletën e kampit, ata u futën në radhë e bënë regjistrimin. Dolën me çelsat e dhomës në dorë dhe u ngjitën të sistemonin gjërat. Zotia me valixhen e drurit preferoi krevatin afër derës, meqenëse do çohej natën.

– Do dalim të psonisim ndonjë gjë, – u tha Zotia -, se s’i mirrnim dot të gjitha gjërat me vete nga shtëpia. Ç’të marrësh më përpara. Një valixhe e shkretë është. Apo s’peshon më shumë valixhia e drunjtë se plaçkat!

Dolën gjithë qejf nga kampi i pushimit dhe shkuan tek dyqanet e plazhit “Apollonia”. Dy shokët nuk kishin gjë për të blerë. Zotia u afrua tek një kioskë me veshje e kinkaleri plazhi dhe pyeti shitësen me zë, që ta dëgjonin dhe dy shoqëruesit:

– Shoqe, të lutem, keni oturak për të rritur?

– Jo, nuk mbajmë ne nga ato.

– Po ku mund të gjej, ju lutem?

Zotia, “i mërzitur” e i heshtur, mori rrugën për tek blloku i dyqaneve karshi. E shoqëruan nga mbrapa të dy shokët e dhomës, gjithashtu të heshtur e të habitur nga artikulli, që kërkonte të psoniste Zotia. U fut në dyqan, u futën menjëherë pas tij dhe shokët. Zotia e pyeti shitësin me zë të ulët:

– A mbani oturaqe për të rritur, ju lutem?

– Jo mor shok, nuk mbajmë.

– Po ku mund të gjej një copë, a mund të më ndihmoni?

– Veç po pate ndonjë mik në spital, nuk di ça me t’than vëllai jot – ju përgjigj shitësi, që i erdhi keq për hallexhiun.

Zotia doli nga dyqani duke turfulluar. Po fliste me vete:

– Ç’qe kjo që bëra unë këtë radhë, si e hëngra këtë koqe ulliri… – More Zote, po ç’e do oturakun që ditën e parë?! Interesohemi gjatë kësaj kohe dhe të na i sjellin nga Durrësi, para se të ikim në Gjirrokastër.

– S’e dua për Gjinokastër, e dua për këtu. Në Gjinokastër i kam takëmet në rregull unë. Po si u gënjeva që s’e mora, bëmë dhe fjalë në shtëpi. Ç’e do këtë, më thanë, se të është ciflosur një çikë te buza, është turp na shokët e dhomës. Merr një të ri në Durrës, që ta kesh për nga hera, për të dalë, kur vete mik… Po tani?!

– Po ç’e do oturakun këtu? – e pyetën të shqetësuar shokët e dhomës.

– Po unë prandaj s’doja që të rrija me ju në dhomë. Unë jam i moshuar e mosha të nxjerr avaze. Unë kryej nevoja natën. Që të mos gremisem, se më merren mëntë, e që të mos thyej ndonjë këmbë a dorë, s’vete fare në nevojtore. Ndënë krevat mbaj oturakun, të pastër llams. Ngrihem, mbaroj punë dhe e mbuloj oturakun me mukafa (karton) të prerë bukur, me formë. Nuk vjen erë fare.

Dy gjirokastritët u tmerruan kur morën vesh se ç’do bënte shoku i dhomës gjatë natës. Nuk u qetësuan që Zotia pat marrë dhe masa të rrepta për të mos dalë ajo era e keqe.

–Or, është ai Zotia që njohim ne apo jo?! Në librari s’ta jep kurrë këtë përshtypje ky. Pse s’thua që duhen dizinfektuar gjithë librat, që blejmë tek Alizoti! – po jepnin e merrnin me veten e me njeri tjetrin ata.

– Zote, mos e çaj kokën fare. Natën na ke ne, – i ndërhynë ata në mënyrë imponuse. – Në çfardo kohe që të duash, ne do të të çojmë nga krahu në banjo, koridoret janë me drita, harroje oturakun. Ti s’do që të na bezdisësh, por ne na takon të të shërbejmë ty.

E mbyllën këtë muhabet. Pas darkës, dolën shëtitje në bregdet dhe pastaj shkuan për të fjetur në dhomë. U shtrinë seicili në krevatin e vet.

-Ta lëmë një dritë ndezur, që të shoh kur të ngrihem natën? – i pyeti Zotia.

– Mos fli me merak të thamë, sapo të lëvizësh ti, ne na ke në këmbë, ndezim dritën dhe vazhdojmë. – e qetësuan Zoten miqtë e tij, që e treguan vërtet veten si të tillë. Mbyllën dritën, natënemirë, natënemirë. Në mëngjes, kur kish zbardhur mirë, u zgjua Zotia dhe u ngrit ndenjur në krevat. Sa dëgjuan zhurmë brofën të dy shokët e gatishmërisë së shërbimit.

– Ç’keni mo, ç’ju gjeti kështu, që u hodhët si të tromaksur? – i pyeti Zotia që ishte ngopur me gjumë.

– Do shkojmë në banjo? – e pyetën të merakosur shokët, që fjetën me një sy hapur.

– Pse, në ushtri jemi këtu? Në banjo do vemi kur të kemi punë për të e jo kur të jepet komanda.

– Ore Zote, po ti natën nuk u ngrite fare për të vajtur në banjo, ke gërhitur tërë natën, pushoje vetëm kur rrotulloheshe. Ti ne na le dezhurn, rrahëm dynjanë për oturak për by… tënde. Si ta shpjegojmë këtë?

– S’keni ç’i shpjegoni fare, është e shpjeguar vetë. Oturaku ishte për natën e parë. Për netët në vazhdim do merrni detyra të tjera, që t‘ja u mbaj trurin të freskët, se ju, inteligjenca, një çikë po t’ju lësh në rehati, e humbitni toruan.

– Të thashë që mos na bën ndonjë nga ato të tijat Zotia? – po qeshnin që pa gdhirë, duke kujtuar dyshimet, që i kishin çfaqur njeri tjetrit shokët e dhomës.

– The mo the, po qe shaka me zarar ajo, se, po të qe i vërtetë halli i Zotes, sot do vinte komunalia të pastronte dhomën tonë, do kërkohej autori. Të siguroj unë, që një nga ne të dy do ngarkohej me faj. Apo u kursye në të ngrënë ky. Dukej sikur po hante për inatin tonë. E fshiu pjatën. E shikoja gjithë inat. Po ky, thoshja me vete, edhe e di se çfarë halli e ka zënë, edhe nuk rezervohet fare. Te paktën në darkë të mos hante. S’e mendoja se mund të arrija ta urreja ndonjëherë Zoten!

– Të shkuara, të haruara, – u tha Zotia -, po shyqyr, e patët të lehtë këtë radhë, pa temperaturë, e hodhët shpejt sëmundjen… – dhe po qeshnin e po ngacmoheshin se ç’do t’u vinte më mbrapa.

A e njeh shokun…

Dilnim në plazh bashkarisht, si familje. Niseshim në rresht nga vila për në plazh, zgjidhnim një vend, ngulnim çadrën dhe shtriheshim në rërë, si të gjithë.

Një ditë drejt nesh po vinte një burrë. Ishte me veshje normale, me pantallona e këmishë e jo me rroba banje. Ecte, ndalonte, kthente kokën gjithandej, shikonte, hidhte disa hapa, ndalonte përsëri. U afrua tek këmbët tona, gati për të na shkelur.

– Po kërkoni njeri? – e pyeti Zotia, si për ta përmëndur.

– Po, – tha i panjohuri, pa i hequr syzet e diellit.

– E njeh atë që kërkon? – vazhdoi të pyesë Zotia.

– Posi nuk e njoh, e kam shok të ngushtë. Më vjen keq! – reagoi përnjëherë burri me pantallona, i cili mendoi se kishte lënë përshtypjen, që kish dalë të bënte sehir njerëzit e zhveshur në plazh.

– More, a e njeh nga by…, të pyes unë? – e sqaroi Alizoti.

– S’po të kuptoj! – tha i panjohuri, që hoqi syzet e diellit dhe uli kokën në drejtim të Zotes, për ta parë e për të komunikuar më direkt me personin, që i foli në mënyrë të çuditshme.

– Po ti e sheh vetë, – vazhdoi Zotia -, këtu ka vetëm by…, ndaj të thom, po qe se e njeh nga by…, kërkoje, po s’e njeh nga by…, lodhesh kot, po humbet kohën e po piqesh i veshur në diell.

Hallexhiu ia dha gazit me te madhe, apo s’kishte dhe një zë për t’i dhënë alarmin ushtrisë. U zgjuan ata që dremisnin në rërën e nxehtë, po e fshinin rërën, që u qe ngjitur nga djersa në ballë e në faqe dhe po shihnin si të trembur.

– Ke shumë të drejtë, kam mbi një orë që po kërkoj shokun, por është e kotë. S’po e përcaktoja dot shkakun se përse nuk po arrij ta gjej. Nuk po i vija dot emrin. Në fillim u ofendova, se m’u duk provokuese pyetja Juaj. Por jo! Ke pas të drejtë!

– Jo të gjitha të këqiat vinë na koka, – i tha Zotia mikut të ri, – ja që mund të të bëhet sebep edhe by…, prandaj, këndej e tutje, njihi më mirë shokët, se ja si vjen terezia, sos që s’mbaron punë, po turpërohesh për hiç gjë!

Shëtitja në plazh

Kishim dalë për shëtitje në mbrëmje, buzë detit. Kishte lëvizje të madhe pushuesish. Ishte e pamundur të kalonim grup gjithë familja. Duhej të ndaheshim të paktën në dy pjesë. Dhe Zotia, duke përfituar nga rasti, i thote Fetes, nënës tonë:

-Ik përpara se kujtojnë se je gruaja time, – duke bërë aludimin se nuk i përshtatej atij.

– Uu, më març të keqen e m’u bëfç kurban, m’u bëfç, – ja ktheu duke qeshur Fetia -, të më thuash mua ti, që të mbusha shtëpinë me këta trima! (e kishte fjalën për ne!)

Zotia vazhdonte të qeshte me reagimin e Fetes. Ndoshta dhe nga që Fetia na konsideronte ne trima, “trimat e nënës”. S’e morem vesh mirë. Nuk na i mbajti ta pyesnim. I takonte Ibrahimit, djalit të madh, të sqarohej. Po të qe trim, do ta kish pyetur!

Në Kampin e Pionierëve

Në vitin 1955, kur Ibrahimi mbaroi klasën e katërt, shkolla e kishte caktuar ta çonte në kampin e pionierëve në Libohovë, si nxënës të dalluar.

Ibrahimi u gëzua shumë, se nuk ishte larguar kurrë nga Gjirokastra. Bashkë me shokun e tij, Sejdo Tartalen, i sistemuan bashkë në një valixhe druri gjërat, që do të merrnin me vete dhe prisnin me padurim ditën që do të niseshin. Kishte dalë për ta përcjelle e gjithë familja, sikur kushedi ku do shkonte! Ja ku qe Libohova!

Hipja në makinë e pionierëve bëhej sipas listës emërore, që e lexonte udhëheqësi i pionierëve. Sa dëgjoi leximin e emrit të tij, Ibrahimi, që mezi tërhiqte valixhen e drurit, u bë gati të ngjitej në makinë, kur një burrë e ndaloi, duke i thënë: Zbrit! Ti nuk do shkosh në kamp, se e ke babanë privat! Ibrahimit i ra pika! Zotia u mundua ta sqaronte se Ibrahimi ishte caktuar nga shkolla si nxënës i shkëlqyer në mësime, por ishte e kotë. Burri i Bashkimeve Profesionale, ai që i qe dukur Ibrahimit burri më i shëmtuar në botë, nuk hante pyka.

Ibrahimi zbriti, hapi valixhen e përbashkët të drurit, hoqi prej saj gjërat e tij, dhe ia la valixhen Sejdos, i cili nuk pengohej për të shkuar në kamp.

Mbas tre vjetësh, pas shumë përpjekjesh, Zotia më në fund arriti të sigurojë një fletë kampi, për në kampin e pushimit të pionierëve në Durrës, me emrin e Ibrahimit, si nxënës i shkëlqyer në mësime. Ibrahimi kishte mbaruar klasën e shtatë. Në këtë kohë Zotia kishte mbyllur aktivitetin privat dhe kish filluar punë, si librashitës, në ndërmarrjen shtetërore të librit. Për pasojë tani, fëmijët e tij lejoheshin të merrnin pjesë në aktivitete shoqërore, njëlloj me të gjithë pionierët. Ishte një eveniment i jashtëzakonshëm të shkonte një nxënës nga Gjirokastra për pushime në Durrës.

Qe hera e parë që e largonin djalin nga shtëpia. U morën masa për t’i krijuar “pajën” e nevojshme. Nuk ishte e lehtë. Nuk kishte rroba banje në treg. Ato duhej t’i sajonin vetë. Kjo në Gjirokastër nuk ishte njëlloj si në Durrës. Nuk kishin fare eksperiencë për rroba plazhi, nuk dinin format për t’i prerë e qepur…! Po të shikoni fotografitë, që bëri Ibrahimi në plazh, në Durrës, dhe nuk ju pëlqejnë, të mos u shkojë mendja, se nuk është i bukur! Të jeni të sigurtë se e shëmtojnë rrobat e banjës.

Më së fundi e bënë gati dhe dolën ta përcillnin tek Sheshi i Çerçizit me atë valixhen e vogël prej druri. Pionierët shkonin po i fusnin në autobus një nga një, duke ua thirrur emrat me listë nga udhëheqësi i pionierëve, Tomor Kotoni.

Mbasi iu lexua emri, Ibrahimi hypi në shkallën e parë të autobuzit. E ndihmuan për të ngritur valixhen dhe Zotia s’po e lëshonte nga dora. Udhëheqësi ndërpreu leximin e emrave të tjerë dhe u drejtua nga Alizoti.

– Pse s’e lëshon, mo Zote, apo u bëre pishman?

– Jo, mo Tomor, s’u bëra pishman, po kam për ti një “aman”!

– Ma thuaj! – i tha Tomori, që kish muhabet me Zoten.

– Do ma keç kujdes djalin!

– Po domosdo, mo Zote, sikur je vetë, pa merak fare, – u angazhua Udhëheqësi.

– Prit një herë të të sqaroj, – e ndërpreu Zotia.

– Urdhëro!

– Djalit i kemi lidhur një gjalmë të kuqe te siri i këmbës, dëgjon?

– Po?! Për çfar’ i duhet gjalma?

– Gjalma do jetë sinori i ujit të detit. Domethënë, po kaloi niveli i detit mbi gjalmë, djali është në rrezik të mbytet.

– Po, jo mo Zote, se do ta pjekësh djalin në diell me atë sinor që ke caktuar.

– Dëgjo këtu ti, Tomor, edhe në shtëpi kur e lajmë në legen me ujë, nuk e lëmë t’i futë të di këmbët njëherësh, jo, në asnjë mënyrë. Do fusë një, pa një.

Qeshi Tomori dhe të gjithë prindërit qe e dëgjuan, se ç’masa parandaluse kishte menduar Alizoti.

Please follow and like us: