Albspirit

Media/News/Publishing

Alizot Emiri, njeriu, librári e gázet fisnike (13)

EPISODE NË FAMILJE

 

KOMUNIKIMI ME FËMIJËT

Të gjithë fëmijët e kemi thirrur në emër, Zote. Edhe nënën e kemi thirrur në emër, Fete. Nuk na mësuan t’i thërresim nënë e baba. Bënte përshtypje në librari, kur ne, fëmijë të vegjël, e thërrisnim babanë në emër: O Zote!

– Si i lejon të të thrrasin në emër, mo Alizot?

– I kam shokë! – përgjigjej.

Dhe ne nuk kemi asnjë keqardhje, që nuk u kemi thënë kurrë “nënë” e “baba”. Nëna dhe babai ynë kishin emra të përveçëm!

 

ME NUSET

– Vetëm mos më ktheni fjalën, kaqe dua unë na juve. Kur t’ju jap nonjë porosi, përgjigjuni me vrap:” Si urdhëron, siurdhëron!„ dhe shkoni prapa derës dhe thoni: “S’dua, s’ta bëj e të pëlcaç!„, po me zë të ulët ama, që të mos e dëgjoj unë dhe ikni shikoni punën tuaj ju, lereni porosinë time!…

– Alizot, sa do qëndrosh? – e pyesnin shokët kur vinte tek ne, në Përmet apo në Fier, ku kishim krijuar dhe jetonim me familjet tona.

– Të sho si të më mbajnë! – përgjigjej duke qeshur Zotia. – Po pashë që të më vënë përpara, di ditë rresht, gjellë me kungull, ditën e tretë, që pa gdhirë, dola në rrugë dhe, me makinën e parë që të më dalë, ika për Gjirokastër…

– Nuse, të keqen, po e pe që u bëmë të bezdisur, më mirë të na i thuaç me terezi, se pastaj ikim vetë ne. Se mos na i bëç si njëra, që hante ullinj dhe farët i hidhte nëpër shkalla, se mos thyejmë nonjë këmbë a nonjë dorë e do zëmë stromën…

– Nuse, të lumçin duart, e ke gatuar me shkollë të lartë! – e përdorte shpesh. Kënaqej dhe nuk harronte asnjëherë t’i vlerësonte ato.

 

PËR HATËR TË MACES

Ishim vetëm ne të dy. Zotia po bënte ecejaken e zakon-shme në Divan, hollin e shtëpisë, në Gjirokastër. Macia e shoqëronte duke ju përkëdhelur nëpër këmbë me bishtin e ngritur përpjetë. Unë po përgatitesha për të shkuar mbas-dite në shkollë. Isha në Odanë e Re, në anën tjetër të shtëpisë. Dëgjoja mjaullimat e zgjatura, lutëse, të maces, që ja drejtonte Zotes.

– Bjemë një gjë t’ia hedh maçes! – më thirri Zotia që nga Divani.

– Ja, ja! – ju përgjigja unë, që nxitoja të bëhesha gati.

– Bjemë, mo një gjë të vogël, të thashë, se më çorri pandallonat kjo! – thirri pas pak, përsëdyti, Zotia.

– Ja, erdha, – e qetësova unë, që nuk isha veshur tamam. Macia i kish shtuar mjaullimat, sepse ishte mësuar që Zotia sillte ushqim përditë.

– Po bjema, të thashë, atë ushqimin e maçes, se s’e duroj dot, se më she në dritë të sirit, si ndonjë njeri! – më thirri për herë të tretë Zotia, që nuk e dinte se unë kisha ngecur.

– E mo dhe ti, bëj sikur s’e shikon sa të vi unë! – e “këshillova” që nga odaja Zoten me “gjuhën e tij” . Ai ishte nevrikosur nga vonesa ime. Mendova se do mërzitej ngaqë unë, që tani, pesëmbëdhjet vjeç, jo vetëm s’iu binda në kohë, po edhe e qesëndisa. Por jo! Humori e tjetërsonte në moment atë.

– Eja mo, të dhjefça biçimin, – më tha -, pse, dhe me maçen do bëjmë shakara tani ne?

 

KUR ISHIM TË VEGJËL

Kur ishim të vegjël binim në sy në Gjirokastër. Zotia na aktivizonte në punë. Donte të kultivonte tek ne edukatën e punës, të mësoheshim të jepnim kontribut në familje, pa cenuar aspak vlerësimin maksimal në mësime.

Shisnim bileta llotarie dhe gazetat e ditës në rrugët e pazarit dhe në të gjitha klubet, restorantet e kafenetë e qytetit. Na mësonte Zotia të përsëritnim me zë të fortë nëpër rrugë ndonjë lajm sensacional, për të bërë të interesuar blerësit. Ktheheshim në librari me lekët e shitjeve dhe merrnim gazeta të tjera e dilnim prapë. Na mësonte ta rrihnim pazarin nga drejtime të ndryshme. Jo të dy bashkë në një vend.

Shpesh qëllonte që i mërzitnim njerëzit me gazeta në pijetore, ua linim në mes muhabetet, ua thyenim qejfin, që s’ishte kollaj ta “kolisje” (ngjisje) prapë dhe kjo nuk kalonte pa pasoja. Do të na ngulnin ndonjë peronë.

– Prapë erdhe ti, mo, harrove që na i dënde (rrase) një gazetë?

– Jo, unë tani erdha këtu, – i sqaroja me sinqeritetin prej fëmije.

– Po seç qe një tjetër mo, turirin tënd kishte dhe ai.

– Ka qenë vëllai!

– Të kutja jeni ju, mo?

– Djemtë e Alizot Emirit.

– Pse mo, sa fëmijë ka Alizoti?

– Katër jemi.

– Do na vinë dhe ata di të tjerët sonde të na çajnë bi… me gazeta?

– Jo, jo, janë të vegjël akoma.

– E po, shiqir thuaj, që ta pimë rehat këtë të shkretë.

Ne nuk na bënin përshtypje këto, nuk e kishim problem të shkonim përsëri, ashtu siç ishim, me pantallona të shkurtëra, duke qeshur, në të njëjtën pijetore, por ishim mjaft të kujdesshëm, që të mos i shkonim dy herë një personi. Këtë lloj pune e kishim filluar që kur Zotia kishte dyqanin privat. Na niste me kanistra në qafë në Bashtenë e Teqesë ditët e pazarit. Kanistrat na i mbushte me kinkalerira të përdorimit të përditshëm si karfica, krehëra, gjëlpëra, gjishtëla, biçakë, penjë, zarfa, lapsa, cingarishte, etj. Sasia ishte fikse, nga dhjetë copë për çdo asortiment. Kur ktheheshim në dyqan dorëzonim lekët e mallit të shitur. Qëllonte që të kishte njerëz në dyqan dhe atyre u bënte përshtypje ky lloj aktivizimi, që bënte fëmijët, jo vetëm konsumatorë në familje.

– I paske shumë të shkathët fëmijët, Alizot!

– Ashtu të duken, se janë të vegjël e janë si kriçi i Nastradinit. Sa të rriten dhe një çikë dhe do bëhen gomarë, si shokët.

– Pse jo, edhe si babai! – i ndërhyri njeri Zotes. Qeshën ata, kurse në shikonim njeri-tjetrin me vëllain dhe kukuriseshim. Si kriça, që ishim, na lejohej!

– Pse qeshni?– na pyeti Zotia.

– Qeshim me veten tonë, – i tha vëllai i madh, duke e siguruar babanë, se nuk po qeshnim me atë që sapo u tha për të.

– Ti do bëhesh gomar, i pari! – i thashë Ibrahimit, që ishte katër vjeç më i madh se unë.

Ibrahimi shtrëmbëroi turinjtë, shqeu sytë dhe i erdhi për të qeshur.

Ia plasëm përsëri gazit të dy. Unë po bëja llogaritë se sa kohë donte që të më vinte radha… Isha ende shumë i vogël e nuk arrija të kuptoja se mund të bëhesha gomar edhe para vetë Ibrahimit.

– Dilni një çikë përjashta! – na tha babai, që nuk na lejonte të shqetësonim klientët, ndonse dhe ata vazhdonin të qeshnin…

– Fëmijët i paske të mirë, Alizot! Më kujtojnë atë shprehjen “Nga gjëmbi del trendafili”! – i tha një mik Zotes, për t’i bërë qejfin e për ta ngacmuar.

– Po mos harro, se vetëm nga gjembi i trëndafilit mund të dalë trëndafil, jo nga çdo lloj gjëmbi! – ju përgjigj aty për aty Alizoti.

 

I PASKE NGJARË BABAIT!

Pedagogu i historisë, zoti Nasho Ksera, i paharruar në kujtesën e nxënësve e gjimnazistëve, shpjegoi në klasën e shtatë mësimin, që fliste për feudet, të cilat funksiononin si mikroshtete, me ligje e rregulla të diktuara nga feudalet. Për shembëll, tha pedagogu ndër të tjera, për të kaluar lumin me trapin e ndërtuar nga feudali, udhëtarët duhej të paguanin taksë. Kur mbaroi shpjegimin ju drejtua nxënësve:

-Kush ka ndonje pyetje?

-Me leje! – thërriste Bashkimi, djali i vogel i Alizotit, me dorën e ngritur e me dy gishtrinjtë gjithë mellan, (bojë shkrimi) të shtrirë lart.

Urdhëroni, ju lutem! – i dha lejen pedagogu me atë komunikimin e tij plot edukatë e mirësjelljen e tij të mirënjohur.

– Po ata, që kishin trapin e tyre, a duhej të paguanin taksë? Gjithë klasa shpërtheu në të qeshura. Pedagogu gjidthashtu, mbuloi fytyrën me duar dhe u kthye nga dërrasa e zezë, për të mos e parë nxënësit. Ai nuk po e ruante dot figurën serioze të mësuesit, nga që s’po mbante dot të qeshurën. Mbas pak, pedagogu e mblodhi veten dhe në atmosferën gazmore të gjithë klasës, ju drejtua Bashkimit:

– Mendoj se jemi keqkuptuar, Bashkim!

Ky sqarim i pedagogut u bë shkak për një dallgë tjetër të qeshurash nga nxënësit dhe pedagogu e gjeti te udhës të dilte nga klasa para se të binte zilia, duke e qortuar Bashkimin:

Ah, more shejtan, që i paske ngjarë babait!

Në të vërtetë Bashkimi e ka mohuar deri vonë dykuptimin e kësaj pyetjeje. Po kush e beson, sa kohë dihet se është djali i Alizotit!

 

LIBRI I GABUAR

Ishte botuar libri “Arti i kuzhinës”, përkthim nga një botim i huaj. E solli një kopje Zotia në shtëpi dhe ne, fëmijët, ia lexonim gjyshes. Aneja dëgjonte e qeshte, duke tundur kokën e duke i folur me qesëndi autorit.

– Të keqen e mëndes! Po ç’qe ki libër, që më prure mo Zote, të keqen. – i tha Zotes, kur erdhi në shtëpi.

– Pse, mi Ane, nuk të pëlqeu? Unë për ty e solla! Të na bësh gatime me shkollë.

– S’bën fare! Kështu, si ki, i ke tërë librat, që shet në diqan, mo Zote? – e pyeti të birin.

– Kështu! Ki është na librat e mirë. Shikoja çmimin na mbrapa, është më i shtrenjtë na të tjerët.

– E pse s’thua, që ke marrë në qafë tërë dunjanë, thuaj. Se ta thom u, kush ka marrë mënden e librit, ka mbetur pa tenxhere e pa tigan në shtëpi!

Gjyshja jonë kishte të drejtë. Në atë kohë fukarallëku, po ta vije tiganin në zjarr, me “Artin e kuzhinës” në dorë, do harrohej e do digjej tigani, në pritje për të gjetur ato që thosh libri, kur dhe vaji hidhej me pikatore, jo vetëm në Gjirokastër.

Kur interesoheshin lexuesit për atë libër në librari, Zotia i sqaronte, i lejonte ta shfletonin dhe, kur e shikonte se lexuesi llafosej me vete, pa harruar të tundëte dhe kokën, u thoshte si për t’u shfajësuar:

– S’keni faj! Këtë libër e ka mallkuar edhe nëna ime!

 

SI TA UL TRASTËN?!

Ibrahimi u emërua me punë në Përmet. Vinte çdo fundjave në Gjirokastër. Vinte duar plot! Herë pas here i sillte Zotes shishe me raki e me verë. Zotia kënaqej! Ibrahimi, sa zbriste nga autobuzi, shkonte në librari të takohej me Zoten, linte trastat me gjëra dhe dilte të takonte shokët.

Ishte bërë rit i zakonshëm. Zotia bëhej kureshtar në se i biri i kish sjellë ndonjë shishe raki. Nuk e pyeste hapur, por, kur Ibrahimi i jepte trastën e rëndë mbi banakun e librarisë, për ta futur brënda, Zotia i bënte pyetjen e “koduar”:

– Si ta ul?!

Kur Ibrahimi i përgjgjej: Me kujdes!, Zotes i ndrinte fytyra…

 

KAFJA PA KUSUR

Kur u ndërtua hoteli 15 katësh në qendër të Tiranës, pirja e një kafeje aty ishte ngjarje e madhe. Zotia me Feten kishin ardhur në Tiranë, për të bërë një vizitë mjekësore. Kur mbaruan vizitën dhe konkluzioni i mjekëve ishte i mirë, domethënë Fetia nuk kishte gjë të keqe, Zotia, i lehtësuar nga shqetësimi i madh që kishte, e çoi Feten tek 15 katshi për të pirë një kafe.

Për nënën tonë, që ishte një grua e thjeshtë provinciale, e urtë, e mbyllur në hallet e mbëdha të familjes, vajtja tek 15 katshi përbënte vërtet një eveniment.

– Nuk të kam shpurë dot nëpër lokale luksoze në rini, – i tha Alizoti -, po e korigjoj tani në pleqëri, prandaj s’ke gojë të ankohesh.

– Vërtet! – i tha Fetia, sikur vërtet po i kompensoheshin të gjitha argëtimet në ambiente shoqërore, që i munguan tërë jetën, mbasi ambienti i kafes i u duk i jashtëzakonshëm.

Porositën nga një kafe dhe kamerjeri i veshur shik e gjithë mirësjellje ua solli menjëherë.

– Sa bën një kafe këtu? – e pyeti Fetia, që i dogji pamja madhështore e hotelit.

– Nuk bën shumë, – i tha Zotia -, po rri rehat tani.

E piu Fetia kafen si Zonjë e ndrojtur, ndërsa Zotia e rrufiste si zakonisht avash avash, duke biseduar. Kur vendosën për të ikur, Zotia thirri kamerjerin, i dha 50 lekë dhe kamerjeri u largua.

– Ngreu të ikim! – i tha Zotia Fetes.

– Prit, – i tha ajo -, të na kthejë kusurin kamarjeri.

– Hajde të thom, – i tha Zotia -, se në këtë kafene kusurin ta kthejnë tek dera, kur të përcjellin.

Kur dolën nga dera dhe nuk po vinte njëri t’i përcillte, Fetia i tha:

– Nuk po vjen njeri të na përcjellë, mo Zote!

– U ka mbetur qejfi se nuk u lamë bakshish! – u përgjigj Zotia.-Nuk e vure re se si u nxi kamarjeri?

– Uaa, pika që s’u bie! Pse, nuk i arritën ato që morën, 50 lekë për di kafe? More për bakshish na i marrin të keqen ne, këta! – po fliste si me vete nëna jonë, që e dinte mirë, se në kushtet ekonomike të familjes sonë, këto dy kafe ishin lluks i tepërt.

– Punën e bakshishit o ta kenë kuptuar që kur dhamë porosinë, që i thamë – di- kafe. – e sqaronte Zotia. – Se e duan me –y- këta kamarierët e Tiranës. E mori vesh, që jemi klientë na Gjirokastra e që s’na lidh gjë me bakshishin ne. E ka mbledhur mënden që në fillim ai.

 

ME NËNËN

Nuk e dinim! Na e tregoi në datën 24 Nëndor 2010 Argjirulla Çabej (Bezhani) në darkën e ish gjimnazistëve maturantë të vitit 1962.

Gruaja e Alizotit hyri me një frymë në shtëpi. Kthehej nga turni i dytë, mbas orës 22.00. Punonte në rrobaqepsinë ushtarake, tek Qafa e Pazarit. Rrugët shkretë! Dëgjonte nga mbrapa hapat e dikujt tjetër dhe mend i theu këmbët, që të arrinte shpejt në shtëpi. U tremb shumë. I merrej fryma.

– Si s’më dole një çikë përpara, mo Zote ziu! Të paktën këtu në krye të rrugës në lagje, që është xëc (errësirë).

– Pse, mi Fete zeza, ne s’e kemi bënë avaz këtë punë, që të të dal përpara të të

– M’u tha gjaku. Dëgjoja hapa gjithë rrugës. Më ndiqte një nga mbrapa.

– Po rruga qe e ndriçuar?

– S’kish faj rruga, mo. Të gjitha llambat dhezur ishin.

– Po e dallove kush të ndiqte?

– Po, jo mo Zote, s’e ktheva kokën fare, erdha ër e ër me vrap të thom.

– Aty e ke gabimin!

– Uaa, si do ktheja kokën mbrapa mo, ç’thua?

– Po ta ktheje kokën në atë zonën me më shumë ndriçim, edhe ti do kishe parë ç’qe ai zabërhan, që të vinte nga mbrapa, po edhe ai do të shikonte surratin tënd e do qe kthyer vetë na rruga! 

– U, more Zote! Mbete gjithë jetën me një mënde. Unë të qaj hall, ti qesh me mua!

 

LOJËRA TË NDALUARA

Kur ishim të vegjël donim të loznim. Nuk kishim lojra të gatëshme. Topat e llastikut ishin shumë të rrallë, ndaj ato, shpesh, na i sajonin me lecka. Lojrat në atë kohë i krijonin vetë fëmijët.

Loznim “fshehot”, ku njëri nga ne mbyllte sytë deri sa të numëronte psh. gjer në 20, ndërsa të gjithë të tjerët fshiheshin ku të mundnin rrotull, sa më larg që të mund të iknin, deri sa të mbaronte numërimi me zë të lartë i symbyllurit, që do t’i kërkonte kur të hapte sytë. Këto ishin lojra pa shpenzime. Terreni i çuditshëm i Gjirokastrës ishte më se i përshtatshëm, që ne fëmijët të kënaqeshim duke luajtur pa asnjë lloj lodre!

Lojë tradicionale ishte “Kut e pingël”, që kërkonte një lloj investimi, për të përgatitur “kutin”, një copë shkopi të trashë, sa të mbushte dorën dhe “pingli”, që ishte sa gjysma e kutit si gjatësi e trashësi, por me të dy majat të mprehura, që e bënin të kërcente përpjetë, sapo e godisnim me kutin në një anë. Shpesh loznim me fëndyell, të cilit i ngulnim majën në tokë me lëvizje të ndryshme të dorës e deri me dhëmbë. Më të rrallë shkonim rrëshqisnim tek lukuramat mbi Kallfatët, nga ku ktheheshim me rroba të çjerra. Kur ishte koha e mirë loznim me rrathë teli duke vrapuar nga xhamia e Palortosë deri tek përrroi i Shametate. Me karrocat me kushineta ishte privilegj të luaje. Ishin shumë të rralla.

Kush ishte më i shkathët, krijonte lojra të reja. Në shtëpinë tonë fantazisti i lojërave ishte Naxhiu, Naxhi Kasoruho, djali i hallës, që shumicën e kohës qëndronte në shtëpinë tonë. Ishte më i rritur se ne. Ne, më të vegjëlve, na merrte “zvarrë” edhe për shkak të diferencës së moshës, por edhe për aftësitë e veçanta krijuese në lojrat fëminore. Nënën tonë, Feten, e thrriste teze. Edhe ne, fëmijt e Fetes, e kemi thirrur atë ca kohë, nga ky shkak, jo nënë, po teze.

 

Loja me kinema

Në fillim ndërtuam “kinemanë”.

Kështu kishte vendosur Naxhiu, që ishte rreth 12 – 13 vjeç! U mobilizuam të gjithë, jo vetëm ne fëmijt e shtëpisë, por edhe të lagjes. Ishte normale! Po bëhej kinemaja. Ishte “vepër” publike, do t’i shërbente gjithë lagjes. U vendos edhe stimuli. Po shikohej kontributi i secilit. Do të kishte diferencime edhe në vendet, që do zinim kur të shfaqej filmi. Po sikur të të linin në fund të kinemasë, (ishte nja dy metër e gjatë)?

Jo, ishte e turpshme! S’duhet ta bëje veten!

U ngrit një copë mur i thatë në kopësht, paralel me murin e shtëpisë së gjitonit. Grumbulluam fier për ta mbuluar. U sajua një ndarje për “xha Xhevatin”, operatorin, që ne fëmijët e identifikonim me z. Xhevat Mezini, operatorin e vjetër të kinemasë në Gjirokastër dhe pjesa tjetër e “sallës”, kasolles, për spektatorët. Tek ndarja u vendos një letër e lyer me vaj, që e bënte atë trasparente. Ndërkohë po vazhdonte puna për të krijuar imazhet filmike. U vizatuan lloj lloj figura shpendësh e kafshësh dhe u prenë me gërshërë në konturin e tyre. U prenë fotografi nga revista të vjetra. Të gjithave iu vendos një thupër e hollë në fund të figurës, duke e përshkruar dy herë letrën. U bë njoftimi për shfaqen e filmit. Kishte pjesëmarrje. U ndanë biletat sipas meritave. Çudi e madhe, nuk munguan padrejtësitë. Kush e kish mirë me Naxhiun u fut i pari. Domosdo! U preferuan dhe gjitonët. “Salla” u mbush plot! Unë e nja dy të tjerë mbetem jashtë, por “ekranin” e kinemasë e shikonim. Ishim prapë të kënaqur! Mezi prisnim të fillonte filmi. Operatori, Naxhiu, kishte marrë ndihmës Ibrahimin. Ndërsa operatori lëvizte figurat e prera mbas “ekranit”, ndihmësi mbante një kandile të ndezur mbas figurës, që të dilte imazhi, hija e figurës, në ekran. Kështu ne po kënaqeshim shumë, që nuk po shikonim më figurat e bukura, por po shikonim hijet e deformuara të tyre. Sa qejf! Naxhiu, i entuziazmuar nga ovacionet e “publikut”, donte ta bënte edhe më interesant “filmin”, ndaj shtoi lëvizjet e figurave, duke vazhduar me komente, sipas fantazisë së tij. Ndihmësi shoqëronte me kandile lëvizjet dhe nuk vonoi rënia e zjarrit në kinema. Gjethet e thara të fierit u ndezën.

U evakuua kinemaja menjëherë. Shpërtheu poteria e spektatorëve. Dolën menjëherë nga shtëpia jonë gjyshja, halla e nëna me të bërtitura e me gjyma me ujë dhe shuan zjarrin, që mund të bëhej shkak për të ndezur çatinë e shtëpisë së gjitonit.

– More ditëshkurtër, ju porositëm një milë herë! – dëgjoheshin qortimet e gjyshes.

Ajo kishte shumë të drejtë të na qortonte. Ky rreziku i rënies së zjarrit ishte diskutuar edhe në dy kinematë, që kishim ndërtuar para kësaj, në pozicione të tjera, para e mbrapa shtëpisë.

Ndihmuan të gjithë për shuarjen e zjarrit. Mburreshin më të nxirët nga tymosja në “betejë”! Në fund, kur nën këmbët tona vazhdonte vetëm tymi, operatori ngarkoi me faj ndihmësin, “duartharin”, që i vuri kandilen “çatisë” dhe ia pat lënë filmin përgjysëm. Ndihmësi shikohej me sy të keq nga ne. Ai qe zjarrvënësi. Më vonë sikur u zbut disi situata. A nuk qe djegur disa herë filmi në kinemanë e qytetit? Poo! Bile, kish dalë vetë operatori i ri, Petrua dhe u kish thënë spektatorëve, ndërsa po dilte tym nga dy kuadratet e hapura të projektimit të filmit:

– Filmi m’u dogj! Doni t’ua u tregoj përfundimin?

Sa njeri i mirë ky operatori i kinemasë! Po kujt i foli se.

– Ik mo, me gjith përfundimin tënd, të dhj…. mu në përfundim, edepsëz! Ati vajte e dogje mo, te pjesa kriesore? S’gjete vënd tjetër për ta prerë?– i qenë përgjigjur, njëri pas tjetrit, disa spektatorë të revoltuar, që flisnin “në emër të popullit” të mërzitur, që u ngrit e u largua me qetësi e pa u ndjerë.

Po kinemaja verore a nuk ishte në rrëzë të gërmadhave të Prefekturës së djegur? Poo!

Kështu ndodhte me kinematë! Dihej! I ndiqte zjarri kudo që t’i bëje! Qe e shkruar!

Mbase prandaj bëheshin kinematë, për t’u djegur!

Ç’e do, na u prish loja jonë aq e bukur! Po tani ç’do bëjmë?! Sytë nga Naxhiu.

Atij i takonte të mendonte për këto punë. Dhe s’vonoi. Udhëheqësi, po udhëheqës!

 

Loja me ushtri

Do ngrëmë ushtri! – na tha ditën tjetër Naxhiu, sapo erdhi nga Cfaka, lagjia ku kish shtëpinë e tij.

O sa u kënaqëm! Do ta bënim njëlloj si tek Sheshi i Mejdanit. Edhe aty qe ngritur ushtri. Komandant qe Mazia, zëvendësa ishin Naxhiu me Beqon, vëllain e Mazes. Nuk u fol se sa ushtarë kishin. Mund edhe të mos kishin, se në fillim ngrihet komanda, se ushtarë gjen sa të duash!

– Komandën do ta bëjmë mbrapa shtëpisë, – tha Naxhiu, që kish menduar edhe vendin.

– Komandant do jem unë! – vazhdoi, duke u vetëzgjedhur, siç bëjnë në përgjithësi komandantët.

Dhe krijoi shtabin e caktoi dhe gradat. Për vete u bë gjeneral. Nuk dinte në se mund të kishte gradë më të lartë! Ibrahimin, nëntëvjeçar, e gradoi kolonel. Nuk pati kundër-shtime, ndonëse flitej që meritonte më shumë, se ishte i pari i klasës. Ymer Roqin, gjitonin moshatar me Imen, major. Kishte rezultate më të dobëta në mësime. Ymeri nuk pati pretendime për momentin, por tha se do t’i përmirësonte notat! Ushtarë të thjeshtë mbetëm unë, Uxhi, (Novruz Kallfa) dhe Uzni Roqi. Ne të tre rrinim me kokë të varur, por nuk kundërshtonim, se mund të merrej dhe masë për të na përjashtuar nga ushtria. E tmerrshme! Na kish zënë veshi dhe ne fëmijëve, kur të rriturit, duke biseduar, thoshnin se filanin e xhveshën nga ushtria dhe kjo shkaktonte një hata!

– Jo more, si është e mundur, ai ka qënë dhe partizan!

– Partizan, po kishte shfaqur pakënaqësira….

Unë nuk e dija, se nuk mund të përjashtohesh, pa qenë i pranuar më parë. Domethënë, nuk e kuptoja se pa u veshur, nuk mund të zhvisheshe në ushtri. Më tërhoqën vrejtjen, që të mos rrija me turinj të varur. Mua sa vente e më vareshin më shumë. Nuk i ngrija dot as vetullat e as buzët kur zëmërohesha.Pse e mërzitni djalin, more gjidilerë, ç’ju bëri? Lëreni të zinë se është i vogël, merreni me të mirë! – u tha tezia, nëna, kur më pa.

Më së fundi deshi fati, që nga komanda të rishikohej problemi im. U vendos të më gradojnë toger, si Asafi, qiraxhiu në shtëpinë tonë. Unë isha i kënaqur. E kisha parasysh Asafin me uniformën e bukur, me grada. U mobilizova, isha 6 vjeç. M’u besuan plot detyra. Mbuluam me fier, së bashku me dy ushtarët e tjerë, çatinë e komandës. Bëmë linjën e ndërlidhjes me penjë nga “komanda”, kasollia, deri në majën e pemës më të lartë të kopështit, çerçemit (caracës), ku u caktua dhe pika e vrojtimit.

Mua më besuan pikën e vrojtimit në majë të çerçemit, sepse atje rrija edhe para marrjes së detyrës ushtarake. Duhet të njoftoja me “telefon”, (një rodhan penjësh bosh), që ishte i lidhur me fillin e perit deri tek “komanda”, kasollia. Distanca e pikës së vrojtimit me komandën ishte rreth dymbëdhjetë metra! U ngjita menjëherë në majë të çerçemit. “Me një dorë mbaja rodhanin, me tjetrën mblidhja dhe haja çerçemet e pjekur, të ëmbël, pis të zez. Disiplina ushtarake ishte akoma e dobët. Mund të haje fruta në pikën e vrojtimit! Shtabi ishte futur në “komandë” dhe bënin plane. Pun’e tyre! Mua po më mërzitej detyra. Mbi shtëpinë tonë, si zakonisht, asnjë lëvizje. Një qen i zi po sorollatej nën koshtrat e xha Selfos, Selfo Kallfës. Njoftova komandën, nuk po vlerësohej. Tundja rodhanin. Hiç! Zbrita nga çerçemi dhe shkova drejt e tek “komanda”. U shqetësuan udhëheqja ngaqë kisha lënë pikën e vrojtimit. Po shqetësimi im ishte më i madh. Unë nuk mund të lija pa vënë në dieni komandën për praninë e qenit të zi.

– Hiqeni nga pika e vrojtimit këtë, -i tha Naxhiu zëvëndësit, se tani do vijë nga mali kopeja me bagëtitë e lagjes dhe do na bjeri nga çerçemi me këtë mëndje që ka ky!

– Si urdhëron! – u përgjigj Imia. Më dukej se po flisnin për mua!

 Në mbrëmje u përgatitën gradat e para. U bënë gradat e togerit, se ishin më të thjeshta, një vijë dhe dy yje. I qepën tek këmisha ime me mëngët e shkurtëra. E vesha këmishën e shkoja tek pasqyra e dhomës së miqve. E harrova faktin se grada ime ishte më e ulëta e ushtërisë tonë. Po të tjerët që ishin akoma pa grada, bile edhe vetë komandanti, Naxhiu! Hëngra bukë darkën si ushtarak!

Po më vinte gjumi. Po rezistoja. Prisja të vinte të më shikonte babai. Sa do kënaqej! Erdhi babai në shtëpi, dëgjohej kur po hiqte këpucët tek dera e madhe e hyrjes. Pas pak hyri në odanë e dimrit, ku po e prisnim ne. Sa më pa me gradat në këmishë u nevrikos si rrallë herë.

– Ç’janë këto grada, kush t’i ka vënë, hiqi shpejt! – bërtiti dhe m’i nduki nga supet të dyja letrat e vizatuara e të qepura në këmishë.

– Leji mo Zote, se janë të vogjël, gëzojnë, mos i llamanis fëmilën, të keqen! – i tha gjyshja e mirë.

– Nuk janë për ne këto lojra, mi Ane. Ju e kuptoni njëlloj si unë. Do thonë: “Shikoni si tallet Alizoti me ushtrinë”. Ju e dini se sa kam vuajtur unë nga ata, që janë me grada! – po e sqaronte me ton të lartë edhe gjyshen dhe dolën nga odaja në divan, ku Zotia po vazhdonte të debatonte, por me zë të ulët:

Më kanë mbajtur varur kokë poshtë…! Pse m’i kujtoni prapë, pse më detyroni të urrej fëmijët e mi?!

 Ne fëmijët ishim bërë një grusht në odanë e dimrit. Babai ynë nuk na rrihte, por kishte hije të rëndë. Ishte mjaft autoritar. Një e bërtitur e babait ishte gjithëçka! Nuk besoj se e rrahura nga prindi do të kishte më shumë efekt mbi fëmijët. Nuk na u dha rasti ta provonim. Sa keq! Qoftë edhe një herë të ishim rrahur, së paku vetëm për ta krahasuar. Sa të pa kujdesshëm janë treguar prindërit tanë!

-Nuse, rreshti fëmilën dhe shtroju stromët të bien për të fjetur! – thirri gjyshja e mençur, që e kish tërhequr Zoten, të mos e dëgjonin fëmijët.

Të nesërmen në mëngjes, sa u ngritëm nga gjumi, dolëm tek divani, ku Zotia i qeshur, sikur nuk kish ndodhur asnjë gjë, na përshëndeti: Mirmëngjesi!

 

* * *

I kemi rikujtuar me njeri tjetrin, ne, fëmijët, këto detaje të marrëdhënive të Zotes si prind dhe kemi vlerësuar se ai i kushtonte rëndësi të madhe harmonisë në familje. Nuk lejoi të mbahej mëri, në shtëpinë tonë. Këtë cilësi ai e impononte me qëndrimin e tij. Ishte ai, që nuk mbante mëri. Ndaj na kish pritur ne fëmijve atë mëngjes, që t’i thoshnim njeri tjetrit “Mirmëngjesi” menjëherë mbas asaj përplasje, që patëm mbrëmjen e shkuar.

 

Loja me bilbil

Nuk na lejonte t’u frynim bilbilave, kur ai ndodhej në shtëpi. Nuk mund t’i dëgjonte!

I kujtonin gardianët e burgut!

– Mjaft me ato bilbila, se më kanë torturuar katër vjet, s’mund t’i duroj dhe në shtëpi! – na thirri vetëm një herë, kur ne si fëmijë po bënim gara, se kush i frynte më fort bilbilave me llamarinë, që bënte Malo Pafillexhiu në Gjirokastër.

 

GURGULLIMA, QË NA RESHTI ATË NATË

Ibrahimi ka kujtuar shpesh një rast, kur ne të dy ishim shumë të vegjël. Unë Shpëtimi nuk e kujtoj, mund të kem qënë rreth tre vjeç. Babai ishte në burg. Në shtëpi ishin vetëm tre gratë, gjyshja, halla e nëna dhe ne, dy fëmijët e parë të Alizotit.

Kishim uri! Kërkonim për të ngrënë në mbrëmje. Unë qaja. Më merrnin me të mirë: – Pusho të keqen, ja po e bën nëna darkën gati, duro dhe një çikë! – por unë vazhdoja të qaja.

Në shtëpi nuk kishte asgjë për të ngrënë! E pa imagjinueshme! Si i kishin katandisur ato tre gra aq të zonjat. Jo vetëm lypja, por edhe borxhi në familjen tonë ishte i pa pranueshëm.

Gjyshja mori një tenxhere, e mbushi me pak ujë dhe e vuri në zjarr. Filloi të dilte avulli lart.

E shikonim me gojë hapur atë avull ne fëmijët e uritur. E dinim se pas atij avullimi do të na vinte ushqimi. Po dëgjohej gurgullima e ujit të valuar, që po “gënjente” gurgullimën e zorrëve tona. Unë pushova së qari. Po rreshtesha!

– Ja dhe një çikë, se po bëhet, të keqen nëna, – thoshte gjyshia dhe avullimi e gurgullima vazhdoi deri sa na zuri gjumi.

Me sa dhimbje ato nëna zgjodhën të gënjenin fëmijët me imazhin e ushqimit!

Çfarë heroina kanë qënë ato gra, që gjenin forcën dhe mençurinë të na rreshtnin ne fëmijve, që ende nuk kuptonim se sa e vështirë ishte jeta.

Pyesim veten sot: Çfarë bënë nënat tona atë natë, kur ne, fëmijëve, na zuri gjumi të pa ngrënë, të gënjyer nga avulli e zhurma e gurgullimës? A mund t’i zinte gjumi edhe ato? A mund të mbylleshin sytë e tyre? A i lejonte rrëkeja e lotëve të uleshin kapakët e syve? Sa lotë janë derdhur e avulluar atë natë nga sytë e gjyshes, nënës e hallës sonë?

Ishte kohë vërtet e vështirë.

Sa brejtje ndërgjegjeje i shoqëroi ato kur vunë kokën në jastëk? Si “gulçonte” shpirti i tyre nga zjarri i brejtjes, se kishin gënjyer fëmijët? Çfarë torture shpirtërore përballonin? A mundet të gënjente nëna fëmijën për të mos i dhënë ushqim?!

Po, çfarë mund të bënin tjetër atë natë ato tre gra?

E ndërsa avulli dhe gurgullima e ujit të nxehtë, na vuri në gjumë ne fëmijët e pa ngrënë e të gënjyer, avulli i lotëve të përvëluar dhe gulçimi i shpirtit të tyre i ka mekur në dënesë të mbytur mbi jastekët e njomur nënat tona “gënjeshtare”.

Sa e gjatë ka qenë ajo natë për nënat tona?

Po sa ditë e netë kanë qenë si ajo natë në shtëpinë tonë?!

 

ÇOKANISJA

Nuk thanë kurrë se jemi të varfër! Përkundrazi! Me siguri, kur të lexohen këto rreshta, shumë njerëz, që kanë njohur Alizotin dhe familjen e tij, do shprehin habi.

Nuk e ulnin kokën. Nuk donin që t’i vinte keq kërkujt për ta.

“Ka plot Perëndia!” – ishte shprehja e zakonshme e gjyshes, me të cilën ajo mbyllte çdo situatë pasigurie në familje. Aneja na e ka treguar shumë herë veprimin që bënte Zotia, për të treguar tek gjitonët rreth e rrotull, se familja jonë nuk jetonte keq.

Në lagje merrej vesh kollaj se kush gatuante mish. Mishi çokanisej me satër (sopatë e vogël) mbi një dhogë (dërrasë) dhe goditjet e satërit dëgjoheshin në tërë lagjen. Në shtëpinë tonë kishte kohë që nuk dëgjohej çokanisja. Kishte nga ata gjitonë që e kishin vënë re këtë. Për sedër, Zotia herë pas here merrte dhogën e mishit, dilte jashtë në krye të kamerjesë dhe çokaniste me satër dhogën pa mish, por duke vendosur në vend të tij disa lecka.

Kështu “qetësoheshin” gjitonët tanë të mirë, që u dhimbte fukarallëku i të tjerëve.

 

AUTORITETI NË FAMILJE

Ishte mjaft autoritar me ne, fëmijët! Kërkonte të kishim rezultate maksimale në mësime, por kjo nuk mjaftonte. Donte të ishim të disiplinuar e korrektë. Na ka mbetur në mendje një rast:

Qe viti 1961. Ishim nxënës. Ibrahimi, djali i madh, ishte në vitin e tretë gjimnaz, ndërsa unë në klasën e shtatë. Po shkonim nga shtëpia në librari për t’i çuar ombrellën Zotes. Koha po bëhej gati për shi. Kur kaluam para gjimnazit tonë, “Asim Zeneli”, dëgjuam orkestër.

— Oou, paska “mbrëmje” në gjimnaz! – më tha vëllai i madh, që qe me antena të ngritura për aktivitete kulturore. – Hajde shohim njëherë se mbase futemi dhe ne. Kemi kohë për t’i çuar çadrën Zotes gjer në orën tetë, që do mbyllet libraria.

Nuk e kish keq! U ngjitëm në gjimnaz, e gjetëm sallën e mbrëmjes nga tingujt e orkestrës. Kishim vesh muzike! Mbrëmja e vallzimit bëhej tek palestra. Paska ardhur dhe xhezi, më hapi horizont vëllai i madh, që me sa duket, kish filluar t’i njihte istrumentat kryesore. Na lanë të hynim edhe ne, sepse Ibrahimi ishte i njohur, jo vetëm si nxënës i shkëlqyer, por dhe si recitues e si aktor në teatrin e shkollës, etj. Kishte ardhur orkestra e ushtrisë. Ishte eveniment! Zakonisht mbrëmjet e vallzimit bëheshin vetëm me një fizarmonikë. Orkestrën e kish sjellë Jaçe Lula, oficeri artdashës, që kishte lidhje shoqërore me gjimnazin. U përfshimë në kënaqësinë e argëtimit rinor në mbrëmjen e bukur të vallzimit.

– Unë do ngrihem të kërcej me këtë, ti hidhu të marrësh filanen për të kërcyer,– me orjentonte vëllai i madh.

Unë i vdekur s’isha! S’kisha pse ta turpëroja vëllanë. Për të mirën time më thoshte. Nuk mbaheshim! Hareja rinore sa vente e shtohej. Lëshoheshim me vrap për të marrë vajzat për vallzim, sapo dëgjonim tingullin e parë të orkestrës. Pa le kur e kishin radhën ato. Kënaqësia qe më e madhe kur vinin na ftonin në vallzim. Na bënin shënjë para se të niseshin. Sa lezet! Nuk është vendi të mburrem, por nuk kam arsye për ta fshehur, patëm mjaft kërkesa! Mezi po ia dilnim. Nuk kuptohej se si ikte koha. Kishim harruar shiun, çadrën dhe babanë! Po mendonim vetëm për vete. Kishim dhe ne qejfin tonë! Doemos! Kur pyetëm për orën, kish kaluar tetë e gjysëm. Ibrahimit i ra pika për babanë, mua për të dy, për babanë e për Ibrahimin! Dolëm me vrap përjashta. Shiu litar! Shkuam në librari, duke menduar se do ta gjenim Zoten atje, në pritje të ombrellës tonë. Libraria qe mbyllur dhe dritat ishin të fikura!! Zotia ishte nisur nëpër shi në shtëpi. U bëmë «esëll»! U nisëm për në shtëpi dhe mendonim se si do justifikoheshim. Nuk kishim asnjë argument. Ç’t’i thoshnim, apo që e lamë qejfin përgjysëm e t’u vinte keq për ne?

– “Ju dhj…. mu në vallzimin tuaj, more brekë mu…! “– mund të na thoshte. Jo, më mirë të mos ndiheshim fare. Do t’i thoshnim na fal, po qe se do na linte të flisnim! Jo, jo, ai do jetë nevrikosur. Ka të drejtë! Hajde dëgjoje tani! Mbritëm në shtëpi, në krye të Palortosë. Trokitëm lehtë tek dera. E hapi menjëherë nëna jonë e shqetësuar.

– Ku ishit gjer në këtë orë, more gjidilerë (shejtanë, rrugaçë)! – dhe, në vend që të na linte të hynim brenda, doli dhe ajo përjashtë, duke na qortuar si asnjë herë tjetër:

– Ku do futeni, mor të zes, na babai. Do t’ju vrasë fare. E latë babanë në shi. Ku zabërhanisnit (bridhnit) pa lejen e tia gjer në mes të natës (ishte ora nëntë!)?

E ndërsa Ibrahimi e sqaronte, nëna na nduku në drejtim të katoqit.

-Në katoq e keni vendin sonde nga babai! Shshshsht!! Vuvosuni (mbyllni gojën) ju thom, se mos ju dëgjojë Ai!! – i zuri gojën Ibrahimit, që donte të sqaronte gabimin tonë.

Nuk kishte diskutim. Dënimi ishte dhënë i formës së prerë, pa të drejtë apelimi. Zbritëm pa zhurmë tek katoqi. Nëna na shtroi ca kartone mbi pllakat e ftohta të gurit, u shtrimë dhe na mbuloi me një rrobë, që e mbante në dorë, kur po na priste ne mbrapa derës.

– Edhe mbollisuni (vonohuni) prapë si sonde po deshët, pa ja u ndreq Ai! – na tha nëna dhe mbylli derën e katoqit.

Kur mbyllej ajo derë nuk mund të hynin dot në katoq kafshët e mëdha. Në brimat e asaj dere mund të hynin lirshëm vetëm macet dhe qentë! Ishalla nuk kishin zbuar ndonjë qen gjitonët, që të vinte të gdhihej me ne, “qentë” e Zotes! S’e besoj, nuk kish patur ndonjë “mbrëmje” në lagjen tonë.

Nuk na zinte gjumi. Ishte hera e parë, që flinim në katoq. Ishte frikë nga cfurqet (akrepat), nga ndonjë mi, apo nuse lale! Na doli qejfi nga hundët. Kot kish dalë ajo fjala e urtë “Qejfi ha kumbëlla të tharta”. E ç’kumbulla mo! Ku m’i ke?! Qejfi të hedh të flesh si qen në katoq! Mendonim arsyen e dënimit, vallzimin. Ahh! Ama kishim kërcyer në mbrëmje, sa ishim shqepur! Oj të rrotulluar që bënim! Ibrahimi s’mbahej fare… Nuk i merreshin fare mentë. Nuk e di pse. Qe i zoti! Aq i zoti sa na bëri për katoq!

Na zuri gjumi… Dëgjuam zërin e nënës në mes të natës:

– Ngrehuni shpejt, qepeni golën (gojën), mos zgjohet Ai! – dhe na çoi në stromët (dysheqet) tona, lart në oda. – Do ngriheni që me natë, të ikni pa u zgjuar babai! – na porositi ajo e merakosur, e prirur, si gjithë nënat, për amnisti. Ramë për gjumin e dytë. Si na u duk stromaaaa, pa le jastëku!

 

LUFTA PËR MBIJETESË

Kishte siguruar me shoqëri një punë artizanale, që ne e bënim në shtëpi. Prodhonim kuti kartoni për të amballazhuar veshje për eksport. Na sillnin me kuaj kartonin. Punonim të gjithë pa përjashtim. Kishim ndarë detyrat për secilin, që nga Zotia deri tek më i vogli, Bashkimi, që ishte vetëm 8 – 9 vjeç. Edhe sot kam parasysh gishtat e njomë të vëllait të vogël, të mbushura me të çara nga shiritat e hollë të llamarinës, që i paloste për t’i përdorur si kapëse në formimin e kutive. Nuk mund të neglizhonte asnjëri, sepse bllokonte të tjerët. Në mëngjes ne çonim me krahë, kutitë e prodhuara natën, në destinacion, mbi Qafën e Pazarit, ndënë obelisk. Nuk ishte aspak e lehtë, sidomos kur binte borë e ngrinin rrugët.

Me këtë punë ne përmirësuam sado pak gjëndjen mjaft të keqe ekonomike. Unë isha gjimnazist. Çdo ditë, mbasdite, studioja deri në orën 20.30 në gjimnazin “Asim Zeneli”, në kabinetin e fizikës, ku isha caktuar si asistent i pedagogut të paharruar, të apasionuar, shumë të nderuar e të respektuar të fizikës, zotit Luiz Çene. Pas studimit shkoja me vrap në shtëpi dhe vazhdoja punën për përgatitjen e kutive deri në mesnatë. Punoja me qejf, plotësoja detyrën dhe bija i drobitur për të fjetur. Në mëngjes ngrihesha më herët, sepse do çoja 12 kuti, të lidhura në dy dengje, mbi Qafën e Pazarit dhe duhej të kthehesha me vrap në gjimnaz, para ardhjes së nxënësve, që të kryeja dhe ndonjë punë të vogël për kabinetin e fizikës. Pavarësisht se gjithçka e bëja me dëshirë, gjumin nuk e plotësoja. Më kapiste gjumi duke punuar mbi kartonat. Ishte stërmundim për moshën.

Një natë Zotia përjetoi një skenë të frikshme. Ishte duke mbërthyer kutitë, i ulur mbi minderin e divanit të shtëpisë. Unë punoja në gjunjë, duke prerë për gjysmë kartonat e shtrirë në dysheme, me një thikë të mprehur mirë, në vijën e vizuar më parë të përthyerjes, për t’u formuar kutia. Më lodhej shumë mesi dhe herë pas here çohesha në këmbë, që të ç’mpihesha. Atë natë mua më zuri gjumi në këmbë me thikën e mprehtë në dorë. Zotia përballë, dy metër larg, ngriu! Mendonte se mos rrëzohesha dhe mund të çahesha me thikë. Nuk merrte guximin të thërriste për të më zgjuar, se mund të trëmbesha. Kjo mund të ketë qenë punë sekondash, por Zotes i qenë dukur shumë. Pas pak m’u hapën sytë, ashtu siç isha në këmbë. Zotia më foli me ngadalë:

– Ç’bën ashtu, mo budalla?

– Pashë një ëndër! – i tregova Zotes pa u menduar, ashtu siç isha gjysëm i përgjumur. Po, po, kisha parë ëndër ashtu në këmbë, i pa mbështetur asgjëkundi. Po çuditesha dhe vetë. Qënkish e mundur!

– Ç’ëndërr pe? – më pyeti Zotia, kur më pa se më doli gjumi.

– Pashë ëndër sikur ti na solle gjellë nga restoranti, shumë të shijshme, ashtu siç ta bëjnë nga hera, më shumë vaj ulliri. – i thashë sikur doja të kënaqej dhe babai.

Unë vazhdoja ta jetoja kënaqësinë e ëndrrës. Po lundroja në naivitetin dhe pafajësinë e përgjumjes. Kisha ende në sy enën e aluminit me tre tasa me kapak, që Zotes ja mbushte guzhinjeri i restorantit, ndonse Zotia paguante vetëm një racion. Sa na shijonte! Ishin vitet, që ishte hequr vaji i ullirit nga tregu vendas. Shteti e eksportonte atë dhe ne konsu-monim vaj kikiriku, si për gjellë, që mezi u mësuam dhe për sallatë, që, me patriotizëm aritëm ta “pëlqejmë” më shumë se vajin e ullirit!

Po shikoja Zoten, që vazhdonte të qëndronte si i ngrirë, me kapset dhe kutinë në duar. Ndërkohë mbas gjumit unë po ndërgjegjësohesha. Vura re se po shkëlqenin qelqet e syzeve optike të Zotes. Jo… nuk ishte shkëlqim i qelqeve. Sytë e babait ishin njomur!

U bëra esëll. U ndjeva fajtor. Sa gabim! Nuk duhej t’ia tregoja ëndërrën! Ai ishte prind. Ajo ëndërr e të birit, nuk ishte argëtim për atë. Ai nuk mundi të bënte shaka si zakonisht me këtë skenë. Nuk mund të qeshte, kur i biri shikonte ëndrrën e të uriturit. Uli kokën të mos e shihja unë dhe bëri të vazhdojë punën. Edhe unë u ula në gjunjë dhe vazhdova të prisja në gjysëm trashësie kartonat. Më vinte shumë inat me vehten time. Pa dashje unë e kisha lënduar. Pa të drejtë! Nuk ishte faji i tij, që ne ishim të varfër. Unë e dija! E kishin varfëruar “të varfërit”. Ai po sakrifikonte. Ishte me dy brinjë të hequra. Si më shpëtoi ëndëra në përgjumje? Si nuk e mendova?

Pas pak më thirri:

– Lere tani, hajt të biem, u lodhëm!

Atë natë nuk e kishim kryer detyrën ditore.

 

NËNA JONË – (Fetia)

 

 

Please follow and like us: