Dr. Sadik Bejko: Disidentët e rremë (1)
KREU II
Dy replika
Përgjigje për çështjen Trebeshina
Me që replikat mbi shkrimin tim “Fabrikimi i disidentëve të rremë” qenë me sulme dhe me kërcënime, detyrohem të them dy fjalë mbi to.
Nga replikën e gjatë e Nuri Dragoit prita shumë, por nuk doli ndonjë gjë e re. Kur sjell një mal me dokumente si provë që dikush ka qenë kundër regjimit, ndërkohë që të tjerë njerëz atëherë i zhduknin, i linin dhe pa varr, për një të qindtën e këtyre që ka thënë ky kundërshtar i regjimit, ti i shton dhe më tepër dyshimet mbi të. Pse atë e kanë lejuar të jetë i tillë? Vallë se ka qenë disident i lejuar? Se nuk e kanë marrë shumë seriozisht? Këtë kam thënë në shkrimin tim. N. Dragoi ka vërtetuar me dokumente të reja tezën time.
Në këto replika nuk u tha asgjë e re për denoncimet e Trebeshinës ndaj M. Ndojës dhe të tjerëve. Pra, u pranuan.
Nuk u soll asgjë e re për dy vrasjet e Trebeshinës. Veç u ngrit doza e sharjeve kundër të vdekurve. Mirë ua bënë. Të vdekurit nuk kanë gojë të flasin, të përgjigjen.
Nuk u mohua që Trebeshina ka qenë oficer i Sigurimit, hetues dhe kryetar dege, as që ka shkruar vepra të realizmit socialist, poemë për Stalinin. Pra, u pranuan.
Nuk doli gjë e re dhe për atë që ai është një shkrimtar i rëndomtë dhe që me intervista, me deklarime, sidomos me veprën “Mekami”, ka fyer shqiptarët, Shqipërinë dhe ikonat e rëndësishme të historisë sonë.
Më e rëndësishmja: panegjeristët e Trebeshinës edhe pas një jave me replika nuk na e provuan që “Promemorja” e shumëpërfolur ekziston. Pra, me që nuk ekziston, ata kanë bërë një mashtrim publik me sajimin e saj, mashtrim që sot ende vazhdon të serviret si i vërtetë në tekstet shkollore.
Sa për sharjet, hakërrimet, kërcënimet ndaj meje, me to nuk po merrem. Le t’i marrin mbrapsht.
Që kur një njeri mburret se është shtëpi e parë, me që i ati ka firmosur vrasjen pa gjyq të 22 vetëve për t’u bërë i tillë, nuk më mbetet asnjë koment tjetër për të dhe për “shtëpinë e parë” të tij. Hakërrimi dhe revanshi nga “shtëpitë e para” komuniste nxori prapë krye nëpër replika. Në shkrimin tim pikërisht për këtë kam paralajmëruar shoqërinë shqiptare, për t’i thënë stop këtij hakërrimi komunist, për t’i thënë stop fabrikimit të disidentëve nga radhët e tyre. Përgjithësisht jam kundër mitizimit të cilitdo prej të gjallëve, të cilët deri sa janë në tokë, bëjnë gabime a faje. Vetëm martirët janë në qiell, atje ku shkojnë pak nga ne tokësorët.
Unë i kuptoj vuajtjet tokësore të Trebeshinës, por i mbroj ato që kam thënë për të. Sidoqoftë, një shkrim si ai imi në “Panorama”, shkrim i hedhur në publik, veç të tjerash, është dhe ftesë për debat. Përndrazi, në disa nga replikat pashë vetëm përjashtimin e mendimit tjetër, pashë mungesën e prirjes për dialog, kthim te teza enveriste: ai që nuk mendon si ne, duhet sharë, kërcënuar, përjashtuar. Pashë vështrimin manikeist të fakteve dhe të problemeve, ndarjen e tyre në absolutisht të bardhë ose në krejtësisht të zinj. Ky vështrim na ka çuar te armiq, të cilët nuk janë fare armiq ose te heronj që janë veçse antiheronj. Fatkeqësisht, kemi plot të tillë. Nuk kemi pse të shtojmë të tjerë.
Përgjigje Ardian Klosit. Dokumente të reja
E pandehja të mbyllur një polemikë që u ngrit me rastin e shkrimit tim “Fabrikimi i disidentëve të rremë”, botuar në gazetën “Panorama” gjatë muajit gusht, por Ardian Klosi, pas replikës së tij në këtë gazetë, e rihapi atë në revistën “Klan” me shkrimin “E vërteta sipas meje”.
Klosi mund të ketë të vërtetën e tij, e cila është e ndryshme nga ajo e imja. Dhe le ta shprehë atë. Por kur, veç tonit fund e krye arrogant e spitullaq, e mbush shkrimin e tij me trillime, atëherë ky shkrim i tij duhej titulluar jo e vërteta, por trillimi sipas meje. Trillimi nga kreu deri në fund.
Si fillim, po ndalem shkurt mbi ato që Klosi thotë për mua.
Sipas tij, kam qenë falsifikator dhe spiun. Po e them prerë dhe qartë: nuk kam qenë i tillë. Kush të dojë, le të provojë të kundërtën.
Jam krenar që nuk kam qenë spiun. Vetëm kaq. Por as hero i asaj kohe nuk kam qenë. Isha dhe jam veç një i mbijetuar.
Atij shteti i jam nënshtruar. Ishte një shtet që të shkatërronte me gjithsej. Dhe dy herë ma ka rrënuar, ma kthyer përmbys e kokëposhtë rrjedhën e jetës. Më 1967-69 më dërgoi ushtar në brigadë pune. Shkula lisa për të hapur tokë të re në Kongrazhd të Burrelit, mbolla e shkula patate nëpër male: në Stërblevë, në Tërnovë, në Mbasdejë . Herën e dytë më degdisi gjashtë vjet në minierë (1974-80). Në vende nga të cilat nuk mund të dilje i gjallë, më çonin të punoj atje në nënokë. Por prapë mbijetova. Ja, kështu: kam bërë tetë vjet punë krahu, tetë vjet punë të rëndë.
Të parët e mi nuk kanë qenë ballistë. Edhe sikur të ishin të tilla, për sot kjo nuk përbën ndonjë gjë të keqe. Mbas lufte, meqë kishin pasuri, vëllezërit e gjyshit tim u shpallën kulakë dhe u shpronësuan. Ky mallkim, sado të përpiqesha, do t’më ndiqte pas në gjithë jetën time.
Më 1971-74 isha redaktor i poezisë në Radio Tirana. Pas Festivalit të 11-të më çuan në minierë. Pas minierës në një fshat majë malit Bureto, në Hllomo… Kam ndërruar njëzet vende pune … Nuk më zinin këmbët dhe. Kjo është historia ime.
Ai shtet bëri ç’deshi me mua. Por spiun nuk më bëri dot. Të tjerët më kanë spiunuar. Dhe të tillët ishin tipa si A. Klosi, tipa që të shkatërronin, po t’iu bëje nga pak hije në rrugën e tyre.
Rrugët e mia me të Klosit kanë qenë të kundërta. Po ai sot kujton se prapë mund të më bjerë më qafë kot së koti. Ashtu si dikur Sigurimi. Meqë Klosi më përmend spiullëkun dhe me që ai ka ca lidhje të ngushta (siç do të dëshmohet më poshtë) me sigurimsat, le ta provojë, le të nxjerrë një dëshmi sado të vogël që të vërtetojë se kam qenë ashtu siç thotë ai. Ndryshe… ndryshe thëniet e tij mbeten fjalë. Fjalë rruge dhe asgjë më shumë.
Si përballemi me të kaluarën tonë
Atëherë ç’e detyron këtë njeri të shfryjë kaq egërsisht mbi një tjetër? Veç asaj që personaliteti i Klosit në këto vite shquhet për agresivitet të dhunshëm ndaj kujtdo që nuk është i një mendjej me të, shpifjet e tij ndaj meje e kanë një arsye. Në shkrimin tim në “Panorama” zbuloheshin ca të vërteta që Klosin e kanë prekur veçanërisht.
Taktika e tij e sulmit asgjësues ndaj kundërshtarit është e vjetër: ta nxijmë me bojë të zezë atë që ka thënë ca të vërteta të hidhura për ne, se kështu rrënohet dinjiteti i akuzuesit dhe bashkë me të, rrëzohen dhe dëshmitë e tij ndaj. Kështu Klosi ka luajtur dhe luan me bllofin. Dhe me aksesin e tij në media. Në Shqipërinë e sotme po të kesh miq në media, mund të shndërrohesh nga kriminel në viktimë dhe e anasjellta. Mund të kesh denoncuar e varrosur njerëz, me që je figurë e mbështetur prej mediave mund të bëhesh deputet, nder i kombit a mjeshtër i madh i punës.
Edhe sikur të isha ashtu siç thotë Klosi, nuk jam unë që e akuzoj atë, janë dokumentet arkivore. Dokumente që i kanë publikur disa gazeta (Panorama, 55-a). Këto dhe dokumenta të reja do t’i paraqes më poshtë. Dhe me faksimilet përkatëse.
Objekti i shkrimit tim mbi disidentët e rremë në “Panorama” nuk ka qenë Klosi. Qëllimi i atij shkrimi ka synuar që të ndihmojë shoqërinë e sotme në përballimin e saj me të kaluarën.
Popozoj që t’i dalim ballas së kaluarës sonë, ta pranojmë tmerrin e saj me ndjesën tonë, me përgjegjësinë tonë, pa falsifikime dhe pa fabrikime idhujsh dhe disidentësh të rremë. Të kemi kurajon të korrigjohemi.
Dhe, dhe…Të gjejmë një taban mbështetës të vërtetash thelbësore për të sotmen dhe për të ardhmen. Pa të vlera të qendrueshme një shoqëri nuk mund ta ndërtojë veten e saj. Shqipëria historikisht ka pasur dhe e ka ende një mentalitet revolucionar. Fanolistët dikur luftonin me zogistët, zogistët më pas përndoqën fanolistët, komunistët erdhën dhe i përndoqën deri me plumb të gjithë të tjerët më përpara tyre.
Kjo histori disi ndryshe vazhdon. Fitimtarët e sotëm në zgjedhje, rrënojnë jetët, profesionet dhe bizneset e atyre që i humbën zgjedhjet. Ku do të vemi kështu? Me siguri, asgjëkundi.
Shqipëria vazhdon të jetë atdheu i të fortëve. Hasim të fortë të rrugës, të lagjes, të fshatit, të medias a të shtetit, të cilët pa mëdyshje nëpërkëmbin çdo ligj dhe kanun. Para tyre duhet të ngujohesh, ose të emigrosh. Mëkatë që këtë kulturë të dhunës e bëjnë të tyren dhe njerëz të sferës së dijes, të shkrimit.
Veç ekstremistëve në të dy krahët e shoqërisë, që stimulojnë atmosferën e kacafytjes së të fortëve, ka tek ne dhe një hapësirë publike që kërkon paqëtim, bashkëpunim, ligj, begatim dhe frymëmarrje.
Ata që janë në ekstreme e kënaqin veten në urrejtjen e ndërsjellë ndaj njëri-tjetrit. Vallë me këtë pjesën e mesit, me këtë pjesën e butë të shoqërisë, ç’do të bëhet? Cilat janë vlerat që do t’i propozojmë asaj? Te kjo shtresë, hyjnë të rinjtë e paskomunizmit dhe gjithë të tjerët që nuk janë të infektuar e të molepsur në urrejtje. Çdo të bëjmë me këta? T’iu ngjitim dhe atyre urrejtjen e vjetër me burim nga padrejtësitë e përgjakshme të kohëve?
Unë mendoj se një shoqëri ka mundësi të korrigjohet, po të dimë të ndërtojmë vlerat më të mira të së kaluarës sonë (ato që janë) dhe po të pranojmë dhe një bllok normash morale dhe të vërtetash thelbësore me përmbajtje të qëndrueshme dhe me përmasa universale. Vlera me energji për të sotmen dhe për të nesërmen. Vlera që na përballin me të sotmen dhe të nesërmen pa idhuj të kotë dhe pa fabrifikime e falsifikime. Pa antivlerat që trashëgojmë, pa të vërtetat e rrejshme të idhujve të politikë të ditës, vlera të cilat siç e shohim, janë krejt relative dhe të vjetërueshme e të ndërrueshme si stinët. Kështu janë ato dhe njerëzit e së përditshmes që i mbartin.
Na duhet një taban i thellë vlerash që të zenë vend në zemër të shoqërisë jo në sipërfaqe të saj.
Klosi është ndër ata që me qëndrimet e shkrimet e tij do të krijojë idhuj të rremë. Me publicistikën e tij, me shfaqjen në media do të prodhojë një mentalitet konfliktues e rrënues ndaj gjithçkaje që nuk i vjen sipas dëshirës apo sipas shijeve dhe kuptimeve të tij mbi jetën, mbi mendimin shkencor për gjuhën, për personalitetet dhe për figura të historisë sonë. Dhe është veçanërisht i hidhur, arrogant e zemërak gjer në rrafshim me ata që i dalin kundër. Ai mbart filozofinë e mentalitetit revolucionar: ngri një palë kundër palës tjetër, që të asgjësohen mundësisht që të dy krahët. Këtë ai synon ta arrijë me çdo mjet. Edhe përmes shpifjeve. Dhe me përdorimin e arrogancës dhe të përçmimit të kundërshtarit në vend të përballjes përmes argumentit.
2.Pse Klosit nuk i pëlqejnë dokumentet arkivore?
Pse i duhet kaq agresivitet dëshpërues këtij njeriu? Mendoj se kjo e ka burimin te e kaluara e tij. Te e kaluara e famljes së tij. Te vetja e tij.
Që në rininë e tij ai ka qenë i mpleksur në ca punë jo fort të pastërta. Dhe bëjmë fjalë për atë personalisht, jo vetëm për familjen e tij. Ndryshe, hidhtësia e tij do të ishte e papërligjur. Edhe ekspozimi i tij kundërproduktiv mediatik. Susta shtytëse për veprime të tilla rrënuese e ka burimin te frustacionet e një të shkuare që ai kurrë nuk do ta shkundë dot nga supet.
Për sa thamë, po iu referohemi dokumenteve. Dosja me numër 168/1 në Arkivin e Policisë, veç të tjerash, ka tri materiale për A. Klosin.
Nga kjo dosje del, që Klosi ka kallëzuar Valer Dyrzit në Sigurim, me që këta të dy, së bashku me Sokol Ngjelën, kanë lexuar një broshurë të huaj ku jepeshin mendime fyese për Enver Hoxhën dhe udhëheqjen e lartë të asaj kohe. Ky dokument është botuar në gazetën “Panorama”.
Në një dokument të dytë, botuar ky në gazetën “55”, jepen deponimet në hetuesi të Sokol Ngjelës. Edhe aty pohohet broshura në fjalë. Thuhet dhe se A.Klosi në ato vite ka pasur marrëdhënie fare të ngushta me një gazetar anglez, sa Sokoli dhe shokët i kishin vënë Klosit nofkën ”gomar anglez”. Ja që ky Klosi na paska pasur ca huqe që ajo kohë nuk para i honepste. Por për këto më mirë të flasim.
Klosi për këtë dokument të botuar thotë që ai nuk ekziston. Do e bën, do dhe hiqet edhe sikur nuk e ka parë të botuar atë. Me që ende nuk beson, i sugjerojmë atij që të shkojë në Arkiv, ta marrë në duar origjinalin dhe ta shohë me sytë e tij. Këto nuk janë më dokumente sekrete. (Shih faksimilen e këtij dokumenti).
Këtu po sjellim për herë të parë dhe një dokument të tretë nga kjo dosje.
Dokumenti (faqet 45-51 të dosjes 168/1) mban datën 2.3. 1979, ka shtatë faqe dhe është i nënshkruar nga drejtori i Drejtorisë së Parë të Tiranës, drejtori i Sigurimit, Nysret Dautaj.
Dokumenti “sekret” i drejtohej degës së shtatë të kësaj drejtorie dhe e informonte atë për veprimtarinë armiqësore të një grupi ku implikoheshin 14 persona. Dokumenti bën dhe klasifikimin një për një për secilin prej të implifikuarve. Disa prej tyre duhet të arrestohen, si: Sokol Ngjela, V. B, S. J, Veron Duma etj. Të tjerët duhet të përpunohen (të përndiqen) dhe disa të tjerë duhet të thirren si dëshmitarë në këtë gjyq.
Dhe si e klasifikon Ardian Klosin Drejtoria e Sigurimit? Le të lexojmë faqen 48:
“Sokol Ngjela në shtator 1977 ka ardhur nga internimi në Tiranë dhe ka takuar (…), Ardian Klosin dhe (…) kanë shkuar në kodrat e liqenit duke ndënjur deri në orët e vona të natës, duke pirë konjak”.
Ardian Bilbil Klosi, i dt. 1956, student në fakultetin e gjuhëve të huaja… në mes të tjerash, është lidhje e ngushtë e Sokol Ngjelës. Kur këta kanë qenë në Gjimnaz, Sokoli i ka dhënë një broshurë shkruar nga një këshilltar anglez që ka qenë pranë shtabit të përgjithshëm gjatë Luftes N.cl. ku ka shkruar keq për udheheqësin e Partisë dhe të Qeverisë. Këtë e ka lexuar, diskutuar dhe janë prononcuar me këtë broshurë me pëërmbajtje armiqësore. Kanë dëgjuar e komentuar muzikë dhe filmat që kanë parë në televizorin italian, etj.
Mendojmë të thirret dëshmitar.
(Shih faksimilen).
Vëreni: Klosi është lidhje e ngushtë e Sokol Ngjelës. Edhe pse ishte i tillë. Drejtoria e parë e Ministrisë së Punëve të Brendshme për Tiranën (drejtoria e Sigurimit) vendoste që Ardian Klosi të thirrej si dëshmitar i shokëve, disa prej të cilëve mbetën në burg deri më 1991. Përse? Cili ka qenë roli i vërtetë i Klosit në këtë grup shokësh?
Klosi në reagimet e tij ka ngulur këmbë që broshura angleze ku fyhej udhëheqësi i Partisë, nuk ka ekzistuar. Kë duhet të besojmë, dokumentet apo reagimet emocionale të Klosit? E përsëritim: dosja e plotë është në Arkivin e Policisë, kushdo mund ta shohë.
Klosi në shtyp ka mohuar që ta ketë takuar S. Ngjelën, pasi ai u internua, por në këtë dokument del se ai dhe dy të tjerë e kanë takuar atë fshehtaz në shtator 1977.
Ka ndonjë gjë tjetër në këtë histori, për të cilën Ardian Klosi vazhdon të na gënjejë? Faktet të lënë të mendosh se këtu ka edhe diçka tjetër.
3.Dëshmitar në gjyqe politike dhe…
Në ligjet e sotme të të gjitha vendeve të Europës Lindore, edhe në ligjin e Kuvendit të Shqipërisë “Mbi pastërtinë e figurave” të vitit 1995, dëshmitarët e gjyqeve politike të kohës së komunizmit klasifikohen të një shkalle me informatorët e Sigurimit. Kjo se shumë nga këta “të thirrur si dëshmitarë” kanë qenë të infiltruar prej policisë në radhët e atyre që shteti mendonte t’i dënonte me burg.
Argumentet e A. Klosit se ai ka qenë shtëpi e parë, se ata kanë qenë çuna blloku, çuna ministrash, se ai ka qenë nipçja i gruas së Ramiz Alisë, janë foshnjarake. Policia e asaj kohe i gjuante dhe i fuste në rrjetin e saj edhe birçebenjtë e nomenklaturës. Dosje atëhere kishin deri edhe më të mëdhenjtë e shtetit. Kur këta binin nga fiku, iu numëroheshin edhe sa fustane mbanin nuset e djemve të tyre, edhe ku kishin ngrënë drekat e darkat. Klosi, sipas kritereve të policisë së kohës, ka qenë njeri me huqe. Sipas dokumenteve, i pëlqenin “gazetarët anglezë”. Tipa të tillë bëheshin lehtë kontigjent i policisë.
Ka dhe një arsye tjetër që e ka shtyrë Klosin të flirtojë me policinë. Babai i Klosit në ato vite u pushua nga puna “për paaftësi”. Diktatori, si për shumë të tjerë, edhe për të atin e A. Klosit nuk pati mëshirë. Bilbil Klosi i kishte shërbyer një jetë të tërë diktatorit. Me gjyq e pa gjyq kishte çuar në plumb me qindra armiq të Partisë dhe, ja, tani atë po e pushonin nga puna “për paaftësi”? Të paktën, mund ta mëshironin me formulën pushohet “për arsye shëndetësore”. Por jo…
Ky motivacion shkarkimi nga puna e thoshte fare hapur se Ai atje lart tashmë Klosët po i shihte shtrëmbër. I binte të birit, Ardianit, që të bënte ca shërbime si ato që bëri i ati, për të vënë në vend lëkundjen e pozitave të familjes.
Dhe Klosi e filloi duke dëshmuar kundra shokëve, S. Ngjelës, V. Dyrzit etj. Dha prova. Pastaj e nisën për studime jashtë, për të bërë doktoraturën në Austri. Praktika ka qenë që studentët për studime jashtë Shqipërisë niseshin në grupe të përbërë të paktën nga dy vetë. Që të mbanin nën kontroll njëri-tjetrin. A. Klosin e nisën vetëm.
Praktika dje dhe sot në gjithë universitetet e botës është që ta mbrosh doktoraturën për dy vjet, Klosi i vazhdoi studimet katër vjet. Pse këto përjashtime për A. Klosin?
Ardian Klosi mburret se ka qenë në shoqërinë e Martin Camajt. Në shoqërinë e një “krimineli të arratisur”, e një njeriu që kishte qenë i afërt me grupin e “kriminelëve fashistë të E. Koliqit”? Kështu thuhej zyrtarisht për ta atëherë. Edhe E. Çabej, edhe Kryetari i Akademisë së Shkencave e kishte të ndaluar të tokte dorën me të tillët, jo më të shoqërohej me ta. Si i bëhet që A. Klosit këto i lejoheshin? Se ishte bir i nomenklaturës? Po edhe jo.
Më shumë këto lëshime iu bënë për diçka tjetër. Se po vazhdonte traditën familiare për t’i shërbyer partisë, duke u infiltruar në “strofkën e armikut”? Pra, Klosi, veç që ka qenë me studime, ka kryer andej edhe ca shërbime të tjera.
Derisa sipas ligjeve të gjithë Europës Lindore ai si dëshmitar në gjyqe politike klasifikohet i një shkalle me informatorët e sigurimit, pse mos ta besojmë këtë që edhe jashtë shtetit ka kryer shërbime të tilla për sigurimin?
Klosi ia arriti që të shoqërohej e deri të futej në familjen e Martin Camajt. Shënojmë se futja e Klosit në familjet e shkrimtarëve të shquar ka qenë një nga specialitetet e vjetra të tij. Por për këtë mund të flasim një herë tjetër.
- Klosi dhe Trebeshina
Që Klosi ka ende dobësi për sigurimsat, që edhe ata nuk të kanë faj, vdesin për të, kjo u pa nga mënyra se si disa prej tyre ia bënë forra, reaguan nxehtë e zjarrshëm në mbrojtje të tij, me rastin e botimit të shkrimit tim në “Panorama”. Kuadro të lartë të Sigurimit, të lidhurit ngushtësisht me kryekupolën e Sigurimit, i dolën në krah atij dhe Bilbilit, atit të tij. Me këto lidhje të vjetra dashurie dhe shërbimesh të Klosit me “armën e dashur të Sigurimit” mund të shpjegohen dhe fabrikimet e “disidentëve” si Dhora Leka dhe e “disidentëve” si Trebeshina.
Dobësia gati patologjike e Klosit për Trebeshinën, veç lidhjeve të tyre familjare, shpjegohet dhe me këtë dashuri të vjetër me rrënjë në kriminalitet, shpjegohet dhe me filozofinë e helmët konfliktuale që i karakterizon ata të dy.
Si Klosi edhe Trebeshina kanë ca dëshira apokaliptike. Trebeshina, për shembull, do që të zhduket nga faqja e dheut një qytet i yni, të rrafshohet baraz me tokën, të zhduket me gjithë njerëzit e tij të gjallë e të vdekur. Do edhe më shumë. Të fshihen nga historia e kulturës sonë Skënderbeu, Naimi, dhe shumë nga virtytet historike të shqiptarëve.
Klosi pa sjellë asnjë provë vazhdon të na thotë se Trebeshina nuk ka qenë sigurims, se ekzistoka dhe ajo e ashtuquajtura Promemorje e Trebeshinës, e shkruar më 1953. Promemorje që ka qenë e dyshuar prej kohësh. Dhe vazhdon të mbetet e tillë. Më poshtë po rendisim disa nga argumentet që e thellojnë dyshimin mbi të:
E para, arkivi ka një dosje voluminoze mbi Trebeshinën e viteve 1953-54. Gjen aty dhe copëza letrash të shkruara me dorë prej tij, veç Promemorjen nuk e gjen.
E dyta, Promemorja nuk dëshmohet as nga prova indirekte. Ajo nuk përmendet në deponimet hetimore a gjyqësore të Trebeshinës, gjashtë muaj pasi pretendohet se është shkruar. Edhe më pas në asnjë rast ajo nuk përmendet kurrë si akuzë a si fakt kundër tij.
E treta, Promemorja nuk mund të shkruhej nga ai më 1953, nga që përmbajtja e saj është antistaliniste. Atëherë Trebeshina ishte ende ithtar i Stalinit. Stalinizmi i tij provohet nga poema kushtuar Stalinit, Prometeut të ri, siç e quan ai më 1953. Provohet edhe nga një dokument tjetër nëntë muaj më pas, më 1954, në kërkesën për apelim drejtuar Gjykatës së Lartë. Aty Trebeshina shkruan: “Kundër meje duhet zbatuar masa që shoku Stalin mori ndaj poetit Demjan Bjedni. Më tepër modesti! Ndiqni vijën marksiste-leniniste.” (N. Dragoi, Dosja Trebeshina, fq. 187). Mundet një stalinist i tillë të shkruante një promemorje antistaliniste? Nuk mundej. Trebeshina antistalinist do të vijë pas viteve shtatëdhjetë.
E katërta, promemorja nuk i qëndron as qasjes filologjike. Ajo siç është botuar një herë, nuk është botuar herën tjetër. Prapë vërehet se stili dhe gjuha e saj janë shumë të përpunuara. Si e tillë, ajo ndryshon dukshëm nga shkrimet e së njëjtës periudhë të autorit, të cilat nuk e kanë këtë shkallë përpunimi dhe janë plot me shmangie gjuhësore dhe ortografike. Shmangie të dukshme. Pra, mendojmë se edhe filologjikisht promemorja është e dyshimtë.
Por Klosi thotë se e beson edhe pa prova. Duhet t’ia marrim seriozisht? Përse?
Gjithmonë duke iu drejtuar pjesë së mesme të shoqërisë sonë, mendoj se ajo nuk e do urrejtjen, negativitetin, pshtjellimin, fabrikimin. Ajo e do këtë vend, e do dhe historinë e kulturën e tij. Ajo nuk mendon se zhgënjimet a frustimet nga komunizmi duhet të na çojnë në nihilizëm, në mohim të vlerave tona. Pjesa e butë e shoqërisë sonë nuk ka dëshirë që t’ia helmojnë fëmijët me urrejtje dhe me tekste poshtëruese për vlerat tona siç bëjnë disa nga tekstet që dalin nga pena e Trebeshinës. Tekste të tilla nuk ka pse të përfshihen në antologjitë shkollore. Tregimi “Pse fshati ynë nuk u bë qytet” (shih te antologjia “Maja e çelur”, fq.187-191, tekst për shkollat e mesme) satirizon gjithë historinë e Shqipërisë, parodizon “Historinë e Skënderbeut” të Naim Frashërit. Aty me “bricjapin” aludohet për Skënderbeun, një hajdut zarzavatesh, që lufton me “bishtkalin”, Ballabanin. Më tej “bricjapit” (Skënderbeut) shqiptarët ia prishin varrin dhe eshtrat ia varin në qafë. Ndërsa “bishtkalit” i ngrenë një tempull ku i ndezin qiri. Është i pafre inati i Trebeshinës për Skënderbeun, kur, dihet, varrin e Skënderbeut nuk e prishën shqiptarët. (Shih më poshtë fragmente nga ky tregim).
Idetë fikse kundër Skënderbeut dhe kundër figurave të tjera kombëtare Trebeshina i përsërit edhe në një vëllim me tregime, edhe në prozën e gjatë “Mekami”, një nga satirat më të hidhura antishqiptare. Kasëm Trebeshina mund të ketë cilëndo pikëpamje mbi historinë, por këto nuk ka pse të hyjnë në shkollat tona.
Por Klosi prapë ka dobësi për Trebeshinën, për një ish-oficer sigurimi të kthyer në shkrimtar. Ka dobësi për atë histori të së shkuarës që i bën bashkë ata të dy. Këto lidhje të së shkuarës e çojnë Klosin deri atje sa të bëhet panegjerist e si i dalldisur pas një idhulli të rremë si Trebeshina. Dhe kjo të çudit. Sjellje të tilla gati dashurore, si ato për Trebeshinën nuk janë në natyrën e tij. Madje janë e kundërta e natyrës së tij. Klosi ndaj shumë të tjerëve, për të mos thënë ndaj gjithkujt, tregohet cinik, nihilist dhe gjithmonë me shkopin e agresivitetit në duar.
Faksimile V
Arkivi i Ministrisë së Brendshme, dosja 186/1. Dokumenti mban nënshkrimin e drejtorit të Sigurimit për Tiranën. Drejtoria e Sigurimit për Tiranën vendos që Ardian Klosi të dalë si dëshmitar në procesin politik të shokëve të tij
Faksimile VI
Deponime të Sokol Ngjelës mbi Ardian Klosin dhe Valer Dyrzin
Arkiv i Ministrisë së Brendshme, Dosja 186/1
Kreu III
Tri tekste. (Dy të Kasëm Trebeshinës)
Promemoria e dyshuar për Enver Hoxhën
Ngjarjet e fundit më kanë bërë të mendohem seriozisht, sa për faktin që ndodhën, aq edhe për shkaqet që bënë të ndodhnin. Mendoj se edhe ju duhet të mendoheni për këto gjëra dhe, më shumë akoma, se ato nuk duhet të ndodhin në një shoqëri socialiste.
Këtu nuk është fjala se u bënë veprime të shëmtuara kundër meje, kundër një shkrimtari, nga një Lidhje Shkrimtarësh dhe në mënyrë të organizuar. E keqja është se këto sulme të këtyre shkrimtarëve u bënë të drejtuara nga ju dhe në emër të një shoqërie të ndërtuar ideologjokisht dhe politikisht nga ju, në mënyrë që nuk mund të pranohet që është socialiste.
Kështu sa më sipër, del se problemi konkret na paraqitet në dy pamje të përcaktuara mirë. Njëra nga pamjet na paraqitet përmes atyre rrjedhimeve që vijnë drejtpërsëdrejti nga qëndrimi juaj teorik në lidhje me letërsinë, qëndrim që ju e keni paraqitur në formën e një ligji, që nuk mund të diskutohet; kurse pamja tjetër paraqet, gjithashtu, në formën e diçkaje absolute pikëpamjen tuaj politike për ndërtimin e shtetit dhe të shoqërisë. Duhet të pranojmë sinqerisht se në të dyja rastet ndeshim në mënyrë të pagabueshme me absolutizmin e Luigjit të Katërmbëdhjetë.
Në këtë fillim tetori dhe duke u nisur nga dëshira e mirë që ju të mos shkelni në rrugë të gabuara, që do të kishin pasoja tragjike si për vendin tonë, ashtu edhe për ju personalisht, vendosa që ta shkruaj këtë ”promemorje” dhe t’a nis pa humbur kohë.
Tashti le të shikojmë veças secilën nga pikëpamjet tuaja kryesore, atë lidhur me artin dhe atë që ka të bëjë me këtë realitet të ndërtuar prej jush. Kam bindjen se ju nuk e keni vetëdijen e rreziqeve që vijnë prej këtij realiteti të ndërtuar në mënyrë të tillë.
Të gjithë këtu në Lidhje, në harmoni edhe me ata përfaqësues tuaj, që sollën këtu porosinë tuaj, këndojnë në mënyrë të përsëritur një himn për një realizëm të quajtur ”socialist”. Pa qenë nevoja të jesh shumë i zgjuar, këtu arrin në përfundimin e pashmangshëm se, ose ekziston një ”realizëm” ose, që prej momentit që ai ka nevojë t’i vihet një bisht, ai pushon së ekzistuari. Realizmi ose është realizëm, ose nuk është fare i tillë! Që këtej del se kjo rrymë letrare, që në fillim të saj, niset shtrembër dhe kuptohet se çfarë gjëje e përbindshme do të dalë më tej.
Vetë emri realizëm socialist bëhet garanci për shtrembërime të përbindshme që edhe tashti kanë nisur të duken me tërë qartësinë e formës dhe të përmbajtjes së tyre.
Le të shikojmë konkretisht ç’përmbajnë veprat letrare të realizmit socialist, qoftë edhe ato më të mirat. Nje inxhinier i mirë, një inxhinier i keq dhe një i gabuar që ndreqet!… Një fshatar i mirë, një i keq dhe një që ndreqet!… e kështu me radhë. Një i mirë, një i keq dhe një që ndreqet!…
Komunistët janë gjithmonë heronj të situatave, ata vijnë në faqet vetëm për të na recituar monologë me përmbajtje heroike!…
Le të kthehemi prapa në histori dhe le të shohim se si qëndronin punët në kohën e Luigjit të Katërmbëdhjetë. Aty ishin ndarë punët në mënyrën më të qartë . Mbretërit dhe Princat e kishin siguruar pjesëmarrejn e tyre në veprat më serioze. Ata lëviznin vetëm nëpër tragjeditë, kurse populli, të gjithë ata që ishin më poshtë se mbretërit dhe princat, e kishin vendin e tyre në veprat qesharake. Ata ishin objekt gazi, përqeshjeje dhe fyerjesh të të gjitha llojeve.
Tani a mund të pranohet si e drejtë që një gjë e tillë të zbatohet në shekullin e njëzetë dhe në një shoqëri që pretendon se është socialiste?
Mesa më sipër, del qartë se realizmi socialist ka lidhje të drejtpërdrejtë me idetë e absolutizmit francez, qoftë si teori, qoftë si praktikë. Megjithatë gjëja më e keqe nuk na shfaqet në praktikën e shgarravitjeve letrare, se ato si vepra të dobëta do të zverdheshin në vitrinat e librarive dhe shumë shpejt do të harroheshin edhe nga vetë autorët e tyre. Gjëja më e keqe, sipas mendimit tim, vjen nga fakti se e gjithë puna letrare po organizohet sipas modeleve mesjetare të urdhrave fetare të murgjëve.
Kështu Lidhja e Shkrimtarëve është e organizuar si një urdhër murgjish mesjetarë. Në krye të Lidhjes është një Mjeshtër i Madh dhe të gjithë janë të detyruar ta dëgjojnë, përderisa vazhdon funksionin e Mjeshtrit të Madh.
A nuk e kuptoni se është një koncept dhe veprim mesjetar të ndash në këtë mënyrë ”funksione” dhe ”privilegje”
Le ta shikojmë si keni vepruar ju gjatë këtyre viteve.
Ju vendosni në Komitetin Qendror që Kolë Jakova të jetë një shkrimtar i madh dhe të gjithë përposh aprovojnë mendimin tuaj. Kritika thërret e çirret që ”Halili dhe Hajrija” e Kolë Jakovës është një vepër e madhe!… Pastaj vëmendjen tuaj, së bashku me favoret i fiton Dhimitër Shuteriqi, si kryetar i Lidhjes dhe si…
Më mirë le ta lëmë këtë pikë!…
Shkrimtarët janë qytetarë me të drejta të barabarta me gjithë të tjerët dhe nuk është e drejtë që në mënyrën më të paligjshme t’i përgjigjen një çensure nga më të çuditshmet. Në qoftë se për një arsye ose për një tjetër ju ngulni këmbë që të ketë çensurë, atëherë ajo të krijohet si një institucion dhe t’i ushtrojë hapur funksionet e saj. Këtu nuk është fjala për një ose dy shkrimntarë, për mua ose për ndonjë tjetër, këtu del në shesh fakti se, pa u kuptuar, po ndërtoni një letërsi mesjetare, me konceptë mesjetare të trashëguara nëpërmjet absolutizmit francez. Ka ardhur koha që të kuptohet se një letërsi si ajo që po kërkoni ju, na kthen mbrapa në kohën e Luigjit të Katërmbëdhjetë. Prandaj ka ardhur koha të hiqet dorë nga praktikat si këto që po vihen në jetë në shoqërinë tonë dhe të kuptohet një herë e mirë se arti, duke qenë i një natyre specifike nuk mund të përfshihet në format organizative të partisë. Ai, arti, megjithëse është superstrukturë dhe lind nga një strukturë e caktuar, nga vetë forma e paraqitjes merr vlera dhe forca të tilla që e bëjnë të jetojë në mënyrë të habitshme edhe pasi të ketë vdekur struktura që e lindi!… Shoqëria e vjetër greke ka vdekur me kohë, por përjetësisht të gjalla janë veprat e Homerit, Eskilit, Sofokliut e të tjerëve. Të njëjtën gjë mund të themi edhe për Danten që nuk pësoi ndonjë gjë me vdekjen e Mesjetës.
Që këtej del se nuk janë të pranueshme ndërhyrjet brutale në punët e artit, sidomos nga njerëz që nuk kanë asnjë kuptim më të vogël rreth natyrës së tij të veçantë. Formave monarkike të ndërhyrjeve të ndryshme duhet t’u jepet fund dhe të lihen të qetë shkrim-tarët që kërkojnë nëpër shtigje të vështira rrugët e vërteta të artit. Nuk është mirë që të ndërhyni, duke u shtuar vështirësive reale në art vështirsi të tjera artificiale me anë të funksionarëve të huaj, që njohin vetëm, praktikën e përditshme burokratike, se arti nuk mund të jetë një ushtrim zyrtar i disa veprimeve të planifikuara nga një qendër e plotfuqishme. Prandaj ju nuk duhet ta trajtoni Lidhjen e Shkrimtarëve të Shqipërisë si një zgjatje organizative të hallkave të ndryshme që ka organizuar PPSH.
Lidhja e Shkrimtarëve është një organizatë njerëzish të lirë, por jo një hallkë në një shoqëri feudale, ku ushtrohen në mënyrën më të çuditshme të drejta dhe detyra feudale. Lidhur me këto të drejta dhe detyra do t’ju jap më poshtë një, shembull që nuk duhej të kishte vend në shoqërinë tonë.
Dihet se romani im ”Rinia e kohës sonë” është shkruar që më 1948, kurse romani tjetër ”Mbarimi i një mbretërie” është shkruar më 1951. Por nuk duhet harruar se romani ”Harbutët” i Sterjo Spasses është shkruar që më 1946!… Atëherë pse Partia vë këmbën dhe i ndal këto shkrime më të hershme dhe i jep kohë Dhimitër Shuteriqit që të shkruajë në 1952 romanin e tij pa asnjë vlerë ”Çlirimtarët”?…
Pse Partia ia boton me një zhurrnë shurdhuese këtë roman? Pse mobilizon gjithë kalorësit feudalë të kritikës për ta trumpetuar si romanin e parë në gjuhën shqipe?… Dhe jo vetëm si romanin e parë, por si një roman të letërsisë shqipe…. Dhe dihet se në Shqi-përi janë shkruar edhe më parë, edhe shumë më parë romane… Edhe në gjuhën shqipe!… A është e denjë që të merrej një, parti e tërë nëpërmjet funksionarëve të saj kryesorë me gjëra të tilla?
Historia ka ligjet e saj të pashkruara dhe nuk i ka dhënë ndonjë njeriu të drejtën që të sillet si të dojë me artin. Edhe Luigji i Katërmbëdhjetë nuk e gëzoi ndonjë të drejtë të tillë. Prandaj veprimet e bazuara në një strukturë feudale nuk mund të kenë vend në shoqërinë tonë dhe ju duhet t’i braktisni. Duhet t’i varrosni kohët e errëta dhe të ktheheni në shekullin e njëzetë, për idealet e të cilit u bë një luftë e madhe dhe u sakrifikuan gjërat më të shtrenjta.
Është pranuar nga të gjithë se, sado i mençëm dhe i zoti që të jetë një njeri, ai kurrë nuk mund t’i dijë të gjitha. Shoqëria është një grumbullim individësh me mendime të ndryshme, që plotësojnë një të tërë në lëvizje. Po qe se një njeri i vetëm kërkon t’i zhvendosë të gjithë të tjerët, atëherë rruga të çon në mënyra të pashmangshme tek pushteti njëdorësh. Besoj se ju nuk keni për qëllim që të arrini një gjë të tillë, prandaj duhet të merrni të gjitha masat, duke ndërprerë të gjitha ato veprime organizative që çojnë në drejtimin që thamë më sipër.
Së pari, një parti që merr urdhra të prera dhe të padiskutueshme nga lart nuk është më një parti, por një repart kazerme. Në parti është një gjë e pamohueshme e drejta për të diskutuar gjerësisht për të gjitha problemet që ka shoqëria. Vetëm kur t’a kemi diskutuar çështjen gjer në fund, ajo mund të vihet në votë dhe pas votimit do të vihet në jetë vendimi i shumicës.
Po si veprohet praktikisht tek ne?
Le të kapim rastin e fundit lidhur me luftën kundër meje vetëm gjatë këtij viti. Të gjithë të deleguarit që nga prokurori Njazi Shehu, që erdhi në fillim, dhe gjer te sekretari i KQ. Manush Myftiu, ishin njerëz që nuk merrnin vesh fare nga arti dhe letërsia, Atëherë si erdhën këta njerëz të diskutonin çështje, për të cilat nuk ishin fare të përgatitur?
Në një numër shumë të madh antarësh partie ekziston mendimi pa bazë se nuk ka kala që nuk e marrin komunistët, por këta njerëz harrojnë faktin e thjeshtë se ata nuk mund të bëjnë , bie fjala, një filxhan të thjeshtë kafeje!… Megjithatë duke u nisur nga bindja se mund të marrin çdo kala, vijnë në Lidhje të Shkrimtarëve si ”nënoficerë” dhe ”oficerë” dhe na kujtojnë se jemi ”ushtarë të partisë”.
Në këtë qëndron një gabim shumë i rëndë. Në qoftë se ne do të pranonim se jemi ushtarë të partisë, siç bëjnë me mburrje shumë njerëz, pa u thelluar në një gjë që shkon shumë larg, atëherë do të na duhej të pranonim se ka oficerë… Pastaj do të shkonim më larg, ne do të pranonim se ka edhe gjeneralë dhe, mbi të gjitha, një kryegjeneral!…Dhe ç’do të bënin të gjithë këta njerëz të mbyllur në këtë piramidë të çuditshme?
Kuptohet!… Do të asgjësonin njëri-tjetrin!… Dhe për këtë duhet të mendoheni ju, që jeni në krye të piramidës!
Duke qenë se e njëjta gjë ndodh edhe me ndërtimin e pushtetit, që nga qendra e gjer në bazë, do të kërkohet gjithnjë e më shumë shtypja e çdo mendimi, gjer sa të arrihet që të mos ketë më asnjë mendim, përveç mendimit tuaj. Kjo do të ishte një gjë shumë e rrezikshme për ju personalisht dhe për të gjithë popullin.
Thuhet se financat e Francës i ngriti sistematikisht kardinali Risheljë dhe i shkatërroi me luftat e jashtme Luigji i Katërmbëdhjetë. Shqipëria nuk është në gjendje që të luftojë me ndonjë shtet, rrjedhimisht do të luftojë në mënyrë të çuditshme me veten e saj dhe në këtë mënyrë financat e saj do të shkatërrohen plotësisht.
Megjithatë, unë mendoj se shkatërrimi më i madh do të ndodhë në botën shpirtërore shqiptare. Njerëzit do të humbasin besimin te shteti dhe te udhëheqja, do të mbyllen në veten e tyre dhe, që të bëhet i mundshëm sundimi mbi ta, do të lindë nevoja për të krijuar një shtet të ashpër policor.
Dhe ky nuk do të jetë veçse fillimi. Prandaj duhet hequr dorë, dhe sa më parë, nga rruga e Luigjit të Katërmbëdhjetë, nga Versaja dhe shtypja e mendimit, edhe brenda rradhëve të partisë.
Nuk është çështja për fëmijët e varfër që ne i shohim nëpër rrugë, por për atë shtypje të mendimit që po bëhet sistem dhe që do të sjellë si përfundim lindjen e një monarkie të re. Kur të arrijë puna aty, varfëria do të bëhet e tmerrshme dhe vetëm regjimi i një terrori të pashembullt mund të bëjë që të qëndroni në pushtet. Por ai regjim do të jetë shumë më i rezikshëm për atë vetë. Ftohja dhe largimi i popullit do të sjellë një lëkundje edhe brenda rradhëve të udhëheqjes, që do të transformohet dalngadalë në një kastë të mbyllur në kornizën e një monarkie pa kuptim në realitetin historik të shekullit të njëzetë.
Në përfundim të këtij proçesi historik ju do të detyroheni të vrisni njëri-tjetrin dhe populli do të mbytet në gjak.
Mendoj se jemi plotësisht në kohë që ta shmangim një të keqe kaq të madhe dhe kjo është arsyeja që po ua dërgoj këtë “Promemorie” të shkruar në mënyrë të ngutshme.
Duke shpresuar se ju do të më kuptoni drejt dhe nuk do t’i keqinterpretoni mendimet e mia.
Mbetem me respekt, Kasëm Trebeshina, Tiranë, 5 tetor 1953
Stalinit
Si vetëtim’ mbi globin lajmi shkon:
“Stalini…” – Jo! Nuk mund, nuk mund të jetë!…
“…parmbrëm’, papritur”… – Hidhërim’ i thellë
gëzimin e lë prapa me të shpejtë.
Nënës kur i thonë se djal’ i vetëm
i vdiq, hutohet dhe nuk i besohet,
më von’ i bindet lajmit, ngashërehet,
me lot’ kërkon atë që nuk ndryshohet.
Dhe ne dëgjojmë lajmin por s’e duam,
e largojm’! S’ikën! Rishtaz lajmëron!
Goditj’ e dhëmbëshme na rëndon zemrat,
korenti-ngjethje trupat na përshkon.
Fjalën e prindve foshnja sa dëgjon
“Babi, Stalini ç’ka!” – pyet i habitur.
Ata shihen në sy, po nuk guxojnë
t’i japin lajmin që i ka tronditur.
Ngul këmbë foshnja me “pse” pambarim,
po fuqi “pse”- ve t’u përgjigjen s’kanë
dhe mundohen me fjalë të tërthorta
përtej, ku s’duhet, t’a nxjerrin mënj’anë.
Armiqt’ gëzohen e s’guxojn’ t’a thonë,
Zagarët lehin rrotull dhe s’mbarojnë.
Po le të lehin! Për ata ne kemi
zëmrimin dhe kamxhikun kur ulrojnë! –
Prej polit gjer te poli lajmi shkon :
me besim barkën drejton peshkatari!
Minatorët, dokerët shtrëngojnë grushtat,
më me guxim lirin mbron luftëtari.-
Po sillet vdekja! Po veten gënjen!
Jo! Prometheu s’vdes sa njerëz t’ketë,
gjersa një tym i vetëm ngrihet qiellit
nga zjarri që ai hodhi në jetë. –
Ti Promethe nuk more vetëm zjarrin,
Ti perëndit’ nga Olimpi i rrëzove;
zjarrin dhe botën njërzve u dhe
e tyrja ishte, në ‘të i qëndrove!-
Dhe vdekja sillet, por vetëm gënjen!
Natyra çfaqet prap e përtërirë,
po pret që ne në lule t’a mbulojmë,
jetën të ngjallim dhe në shkretëtirë, –
Se fëmija sa lindi ajrin thithti
dhe zemr’ e sajë për luftim trokiti,
një brez i tërë në shekull u ngrit
mendimi yt plot drit’ atë e rritit! –
……………………………………..
Mëngjez’ i sotshëm një mbledhje kërkonte,
një datë donte kohëve t’u vërviste,
një çast që burrat në provë t’i vinte
syt’ e papërlotur në lotë t’u ndriste! –
Burra që s’qanë qajnë dhe ngashërehen,
po për këtë njeri s’çuditet sot!
Enveri?!… Po! Po qan! – Të gjithë qajnë!
Si foshnjë qan Mehmeti, s’mbahet dot! –
Marrshi funebër qytetit jehon.
Në grumbuj presin për herën e tretë
t’a dëgjojn’ lajmin që zemra s’e qas.
Por ja! s’e duam dhe ësht’ e vërtetë! –
Rrotull sheh trima n’beteja provuar,
nxënsa shkollash akoma parritur,
fytyra t’ashpra në punë kalitur, –
me buzë-drithtur, nga lotët vaditur. –
Nëna dhe foshnja dhëmbjen sot e ndjejnë,
mustaqesh thinjur lotët sot po shkojnë,
për atë që në bot’ rrugët zbuloi –
rrugët e gjëra ku popujt’ krijojnë. –
Mendimi qiellit çan dhe fluturim
majat me bor’ dhe fushat i kalon.
Pushim nuk do po ecën nat’ e ditë,
padukur, roje afër të qëndron.-
Njerëz shikon të krrusur, të menduar,
heshtur si lumi në fushën e gjërë,
në lotë lagur, si pylli nga shiu, –
ecin e ndalin! Jasht’ një det i tërë! –
Popull i madh, me ty ne pranë jemi!
Me ty përshkojmë sallën zi-mbuluar!
Prisin e gjallë – të heshtur shikoni,
në pavdeksinë kurrorash rrethuar!-
Ja! Oqean në dallgë popujt ngrihen!
Pallatet madhshtore ishuj mbetën!
Bashkuar zëmrat sot përkundin valët –
në ‘to idet’ e tua mbollën jetën! –
……………………………………….
Kush vdekjen tënde mund t’a mendojë?
Ne shihnim veprat që kurrë nuk vdesin
dhe para shkonim nga ti udhëhequr
në rrugën e lavdis që shekujt presin. –
Kishim të drejtë që vdekjen s’e shihnim!
Ne shohim jetën që me ty ndërtojmë,
ne shohim botën, paqen, shohim diellin,
me pamjen tënde ne shekujt ndriçojmë. –
Ne shohim fusha betejash kreshnike,
ne shohim veprat e gardës-mburojë,
ne shohim jetën tënde si një këngë
që popull’ i përjetshëm do këndojë! –
………………………………………..
O shok i madh në gjunj do bëjm betimin
për rrugën tënde gjer në Panteon!
Dhe ja! buçitj’ e madhe popujt ngriti:
Lavdia jote në shekuj kalon! –
Gjëmojnë topat! Përzishëm gjëmojnë!
Ne sot më gjunjë po bëjmë betimin.
Po t’apim lamtumirën shoku Stalin –
Nuk ndahemi e s’mbajm’ dot mallëngjimin. –
Vështrimin hodha, monumentin pashë:
Si at i dashur ti po na vështronje…
Nga vështrimi m’u duk se ishje i gjallë,
m’u duk sikur si at na ledhatonje. –
Muzika bije shtruar, më të qarë!
Po pse bije vallë? As un vet s’e di!
E di, e di! – mendimi më troket,
Stalini më nuk ësht! Më vjen çudi! –
Shtrënguar radhët të kemi rrethuar, –
me dashuri na sheh o at i mirë!
Koha e ndarjes erdhi e nuk shtyhet –
e rëndë qenka mal kjo lamtumirë! –
Kur e mendoj se më nuk je në jetë
me gjith sa më rrethon çuditem sot,
nga dashurija vdekja s’më besohet,
se je i madh pa vdekjen s’e qas dot! –
…………………………………….
Shpërthen mbi detin me tërbim tufani,
po në gji deti tufanin pushton,
fortas përplasen e nga gjiri del
dallga që përpjekjen vazhdon.
Lindja dhe vdekja së bashku jetojnë,
mbi vdekjen jeta fiton pambarim,
në bij’ e nipër me ty do të jemi –
gjithnjë të gjall’, të gatshëm, në luftim! –
Shënime:
Poema është marrë nga “Letërsia jonë”, nr. 3, muaji prill, 1953, faqe 45 – 48.
Për herë të parë kjo poemë është botuar në gazetën “Zëri i popullit” më 7 mars 1953, dy ditë pas dhënies së lajmit të vdekjes së Stalinit. K. Trebeshina ishte i pari shkrimtar shqiptar që shkroi për vdekjen e Stalinit. Me admirim të thellë ai vëren se dhe udhëheqësit shqiptarë të kohës, Enveri dhe Mehmeti, qajnë për Stalinin.
Trebeshina vdekjen e Stalinit e përjeton si tragjedi botërore dhe përforcon mitin e Prometeut dhe të atit, të ndryshuesit të botës (Ti perëndit’ nga Olimpi i rrëzove) dhe të Baba Stalinit, mite kryesore të propagandës komuniste. Stalini do të mbetet “at i gjallë në monument”, ai “si at na ledhatonte”. Fjalimi sekret i Hrushovit mbi krimet dhe mizoritë e përgjakshme të vrasjes së miliona njerëzve prej Stalinit, do të indinjonte gjithë botën. Në Shqipëri, përkundër, “ati i dashur Stalin” mbeti i gjallë në monument deri më 1990.
Letërsia jonë, botim i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, ishte revistë e përmuajshme; më vonë ajo mori emrin Nëntori. Ky numër i revistës, (Letërsia jonë, prill 1953), një botim i posaçëm, i kushtohet tërësisht vdekjes së Stalinit. Aty gjen fjalimet funerale e përkujtimore mbi Stalinin, fjalime të udhëheqjes së lartë komuniste, si: fjala e Enver Hoxhës, e Molotovit, e Malenkovit, e Berias… përmban dhe poezi e prozë nga gjithë shkrimtarët e rëndësishëm shqiptarë të kohës, nga Dh. Shuteriqi, M.Gurakuqi, A. Varfi etj.
Më vonë, këto dhe poezi të tjera mbi këtë temë do të botohen në një antologji për Stalinin.
Poema e Trebeshinës ka 31 strofa katërshe, gjithësej 124 vargje 11-rrokëshe. Pika të heshtjes (…………) në formën e rreshtit përsëriten katër herë në trup të poemës; mbase ato shënojnë nëndarje të saj.
Këto faqe të revistës Letërsia jonë, faqet 45-48, duken të zhubravitura nga përdorimi, nga që shumë lexues i kanë marrë nëpër duar. Në hapësirat bosh anash vargjeve mbi njërën fletë të revistës dikush ka vizatuar me dorë një zarf të vockël, më tej sheh dhe vijëza, e shkarravina të pakuptueshme; vargu 125 i poemës, (strofa 29) “nga dashurija vdekja s’më besohet”, është i nënvizuar po me stilograf, me bojë blu, mbase nga ndonjë lexues i kohës.
Vjersha, siç po e japim këtu, i mbetet besnik botimit të revistës në fjalë, nuk e kemi prekur në asnjë shkronjë, as në shenjat e pikësimit a në shenja të tjera. Shmangiet nga norma në gjuhë dhe në pikësim janë të tekstit të botuar; lëkundjet drejtshkrimore, përdorimi i së njëjtës fjalë në trajta të ndryshme brenda vetë vjershës janë të autorit. Mendojmë, se këto mangësi shprehin gjendjen e atëhershme të shkrimit të gjuhës, nivelin gjuhësor të vetë autorit, pa përjashtuar dhe atë që shmangiet ndonjëherë duhen parë dhe si liri poetike: nga ajo që autori donte t’i mbetej besnik vargut 11-rrokësh.
Gjatë këtij viti në këtë revistë Trebeshina ka dhe tri tekste të tjera : në njërin, lëvdon poetin “komunist, revolucionar” Majakovskin, në tjetrin, një prozator sovjetik dhe, i treti, sjell një vështrim kritik mbi letërsinë e letrarëve të rinj shqiptarë të kohës. Autori, në të kundërt me atë që pohon, ka shkruar letërsi “pornoburokratike”, po të përdorim një term të tij për realizmin socialist. Po ashtu, përkundër asaj që thotë, se i është kundërvënë letërsisë sovjetike, në shkrimet e kësaj reviste shohim se e ka lavdëruar letërsinë sovjetike të realizmit socialist.
Poema më lart dhe tekstet e tjera të tij të viteve 50 mund të përdoren nga specialistët në filologji për të bërë ekspertizën tekstuale të Promemorjes së dyshuar. Siç kemi thënë, gjuha e kësaj “Promemorjeje” është shumë më e përpunuar se sa këto tekste.
Tomas Elioti në esenë “Ndotja e poezisë” ka sjellë analizën e poezive të disa prej romantikëve më të shquar anglezë, të cilët e kanë ndotur ideologjikisht poezinë. Trebeshina, siç shihet më lart, e ka ndotur poezinë që në fillimet e krijimtarisë së tij. Por, si duket, këtë e ka harruar.
Një lutje gati dymijëvjeçare, thotë: “na i fal fajet tona ashtu si edhe ne ua falim fajtorëve tanë”. Raporti këtu është i dyfishtë: jemi fajtorë, ndaj duhet të kërkojmë falje për veten tonë, pastaj të falim dhe ata që janë fajtorë ndaj nesh. Ky qëndrim shënon abecenë e moralitetit. Të pranosh që je fajtor, të kërkosh ndjesë dhe të falësh.
Me poemën “Stalinit” Trebeshina është kryekëput i ndotur. E botoi poemën menjëherë pas vdekjes së Stalinit. Nxitoi të dilte para gjithë të tjerëve. Kur vetë ka shkruar me kaq zell poezi të tilla, a duhet të kërkojë ndjesë?
Vrit ose do të të vrasin
(Tekst nga Nuri Dragoi)
Sikur të mos i mjaftonin të gjitha këto peripeci, kur u kthye nga fshati Belinë, pranë njësitit atë e priste një ballafaqim tragjik, ku mësoi se akti i faljes nuk duhet të aplikohet kurrë për rebelët dhe tradhtarët, të cilët gjithmonë janë të prirur të përfitojnë nga fisnikëria e tjetrit. Me këta njerëz mësoi postulatin e njohur: “Vrit ose do të të vrasin”. Si edhe thënien e ebrenjve “Atë që nuk e lë të vdesë, ai nuk të lë të rrosh”.
Ishte pikërisht njëri prej shokëve të njësitit, i cili kishte nisur të shfaqte shenja të thekssuara të bajraktarizmit individual duke shpërfillur detyrimet që buronin nga betimi luftarak. Ky rebel kishte kohë që refuzonte çdo detyrë që i ngarkonte njësiti si edhe të gjitha detyrimet që buronin nga përgjegjësia e e ikuadrimit në radhët partizane. Kur mbërriti Kasëmi, ai pa se po zhvillohej një debat i madh mbi të rebeluarin, i cili nuk bindej të dëgjonte, madje kundërshtonte me nota të rënda fyese.
Unë nuk pyes më asnjerin prej jush dhe kini kujdes se do t’ju vras të gjithëve ndonjë ditë, u bërtiste ai shokëve të njësitit.
Dhe ndofta për atë çast, kaq i mjaftonte Kasëmit për ta kuptuar se gjërat kishin shkuar tepër larg. Plasaritja e marrëdhënieve të tyre nuk mund të ndreqej më. Dhe kur shokët e njësitit i kërkuan ndihmë Kasëmit, ai po kafshonte gishtërinjtë duke e përmbajtur disi nervozizmin, për të mos e shfaqur të plotë atë. Sepse tjetri bënte dikur pjesë edhe në rrethin e mqve të tij. Megjithatë, Kasëmi shqiptoi fjalët:
“Nëse rebeli do të vazhdojë të refuzojë zbatimin e urdhrave, atëhere do ta vras si një lepur”.
Por dukej se ky kërcënim publik nuk ndikoi shumë tek i pabinduri, sepse ai vazhdoi edhe më tej të lëshonte ultimatume dhe të ngjallte panik midis shokëve duke u bërë kërcënime për vrasje. Për këtë arsye shokët vendosën t’i bëjnë gjyqin special ushtarak. Gjyqi ishte i shkurtër dhe nuk kishte kaluar as gjysmë ore nga fillimi i tij, kur u dha vendimi: Të dënohet me vdekje!
Megjithëse rebeli kishte disa lidhje familiare me krerët e shtabit të përgjithshëm, përsëri gjyqi nuk e ktheu vendimin e pushkatimit. Madje për këtë u ngarkuan dhe dy nga shokët e grupit, të cilët ishin Luto Sadiku dhe Gramoz Kaloshnja. Por rebeli nuk donte t’ia dinte për ndëshkimin. Ai, madje nuk besonte se ky vendim do të ekzekutohej dhe iu drejtua Kasëmit:
– Ti i ke fishekët e lagur, ndërsa këta të tjerët janë të gjithë burracakë.1)
Më vonë rebeli kërkoi të ikte drejt qytetit, dhe për këtë arsye, ose për faktin se rebelimi i tij i kishte kaluar caqet e durimit, shokët e njësitit ngarkuan Kasëmin që ta pushkatonte. Dhe Kasëmi mori menjëherë detyrën, duke menduar për një çast se sa e vështirë është të qëllosh mbi një njeri, i cili deri dje konsiderohej shoku yt i barrikadës. Por, sidoqoftë, ligjet e luftës ndëshkojnë menjëherë dezertorët dhe ata që kthehen kundër idealit të përbashkët. Sepse rebelimi i tyre mund të degjenerojë në akte dhune kundër vizionit çlirimtar. Megjithatë, në ato momente kur Kasëmi po shoqëronte “të pabindurin”, tek ai u përshfaq ideja për ta falur atë dhe aty për aty mendoi ta linte të ikte përtej kënetës për të shpëtuar kokën. Sepse në atë çast sensibiliteti i poetit mundi vendosmërinë e luftëtarit dhe Kasëmi ishte gati t’ia thoshte këtë gjë, ia tha pak a shumë, kur papritur ndodhi ajo që nuk mund të përfytyrohej. Ose ndodhi ajo pabesi, që dikush tjetër mund ta parashikonte, por çiltërsia e Kasëmit jo. Papritur rebeli i vuri Kasëmit grykën e pushkës te kolona vertebrale duke e kërcënuar:
– Unë tani do të të vras.
E gjithë kjo ngjarje e shpejtë e befasoi poetin, por mjaftuan vetëm dy minuta që ai të bindej se për kundërshtarin nuk duhej pasur kurrë mëshirë dhe se në luftë ekziston formula “vrit ose do të të vrasin”. Dhe në atë çast Kasëmit iu kujtua fabula, kur një fshatar kishte dashur të shpëtonte gjarpërin, i cili më vonë e kishte helmuar atë. Sepse për gjarpërin nuk duhej ushqyer asnjë ndjenjë mëshire apo vrasje ndërgjegjeje. Gjarpëri duhej vrarë përpara se ai të lëshonte helmin. Kur rebeli e urdhëroi të shkonte drejt kënetës, Kasëmi e kuptoi se ai kishte bërë plan që ta vriste atë pa asnjë shenjë mirënjohjeje për aktin e faljes që i kishte bërë luftëtari i ri. “Atë që nuk e lë të vdesë, ai nuk të lë të rrosh”, thonë hebrenjtë.
Në rrethanat e reja o duhej të pranonte të vritej si kafshë e egër nga një bandit që e kuptonte luftën si një mundësi për të realizuar hakmarrjen personale, ose duhej ta vriste tjetrin, duke zbatuar kështu dhe vendimin partizan… Kasëmi në kujtimet e tij shkruan:
“E kuptova që ai mendonte të më vriste në anë të kënetës dhe shkova përpara, duke e ndjerë në shpinë tytën e pushkës së tij. E lamë pyllin dhe thirrëm lundërtarin, që erdhi menjëherë. Ai, rebeli, ishte një ujk i vjetër, por unë isha ustai i tij. I gëzuar, duke parë nga këneta, ai e humbi vigjilencën dhe, sa të hapësh e të mbyllësh sytë, unë u ktheva dhe e qëllova në mes të ballit!… Në moment e çarmatosa, pastaj e flaka të vdekur në tokë.
– Varrose atë! – i thashë prerë lundërtarit dhe shkova në fshat. Në rrugë takova Luton dhe Gramozin.
– Ku është?
– Është atje, i vrarë!…”
Një lloj ndëshkimi e shoqëroi këtë histori edhe pas çlirimit, kur drejtuesit e Byrosë Politike e rehabilituan rebelin duke e cilësuar pushkatimin e tij si një gabim të gjyqit special të luftës.
(N. Dragoi, Dosja Trebeshina…, Naim Frashëri, Tiranë, 2006, fq. 80-83)
1) Pse i ka fishekët të lagur? Sipas të dhënave të mia, deri tani jo plotësisht të afirmuara, “rebeli” në fjalë, Sulejman Xhelili nga fshati Dukat i Vlorës, ka akuzuar udhëheqjen e njësitit dhe vetë Kasëmin, se kanë përvetësuar florinjtë që patriotët i kishin dhënë si ndihmë për partizanët.
Kreu IV
Dokumente dhe letra
Shteti dhe Trebeshina në vitet ‘50-‘70
Biografët dhe heroi i tyre
Biografët-kushërinj të Trebeshinës ngulmojnë në atë që ai ka qenë hero në luftë. Madje hero dhe nën diktaturë. Ata sjellin dhe vargun e Volterit (!) “Rron ai rron atje në male”. Ky varg, edhe pse na duket sikur është i bullgarit Kristo Botev, jo i Volterit, po e pranojmë ashtu siç e thonë biografët, se kur flitet për një hero, ai patjetër duhet të jetë i gjallë e ndër të gjallët dhe në një lartësi me malet.
Se si ka qenë në të vërtetë ky hero, atë më mirë se kushdo tjetër e thonë letrat që ka shkruar me dorën e tij, kur është ndeshur me diktaturën. Dhe letrat do t’i paraqesim më poshtë. Këtu po sjellim ndonjë mendim pak më të ndryshëm nga ai i biografëve për heroin.
Ne nuk mendojmë se Kasëmi nuk ka qenë fare-fare hero në luftë. E pranojmë që ka luftuar… dhe shumë. Ne, siç e thotë vetë, e kemi mbajtur shënim edhe atë tjetrën, atë që ndonjërin nga shokët e rebeluar ai e ka vrarë me dorën e tij, dhe që ndoca të tjerë i ka vënë në grykën e pushkës, por i kanë shpëtuar ndërhyrjet e shefave më të lartë, se sa heroi i biografëve tanë.
Si rregull, heronjtë e tipit që na e përshkruajnë biografët tanë, janë xhahilë me ata poshtë vetes dhe servilë me ata sipër tyre. Nuk e dimë sa është tipike kjo për heroin në fjalë. Fakt është se heroi ynë në vitet ’60, u përulet dhe u bëhet baltë atyre që ka përsipër. Letrat ua nis njëra pas tjetrës shefave, komandantit, partisë. Janë një dyzinë me letra të tilla. Të gjitha i ka shkruar heroi ynë. Janë dhe të ruajtura në Arkiv. Arkivi, në se mund të themi kështu, nuk ka ndonjë faj që i ka ruajtur letra të tilla. (Shih dhe faksimilet, faqe ).
Një hero i poshtëruar (jo ai heroi-mal i biografëve tanë), kur e sheh veten pisk, ka tri rrugë përpara vetes: o të marrë armën dhe të qëllojë mbi ata që e poshtërojnë, o ta kthejë armën nga vetja, o shtrëngon dhëmbët dhe e duron burrërisht fatin e keq që i ra mbi kokë. Ka edhe një rrugë tjetër: të përulet e të kërkojë falje prej atyre që e mundojnë. Heroi i biografëve tanë ka zgjedhur këtë rrugën e fundit. Në vend të armës, ai ka marrë penën dhe ka kërkuar mëshirë. Këtë që ka bërë ai atëherë, ne sot mund të mos kemi të drejtë ta diskutojmë. E ka bërë dhe aq. Mund të mos e kishte bërë, por ja që jeta është gjë e madhe… jeta është jetë, heroizmat janë heroizma.
Dikush mund të bëjë pyetjet: Po ai ishte një hero(?). Po, kur përulen heronjtë, ç’mbetet për të tjerët? Mund t’iu themi: po, mbase ka qenë hero, por hero vetëm në luftë, dhe kjo… kjo s’është pak. Iu themi dhe atë tjetrën: heronjtë e luftës jo domosdo janë të tillë edhe në paqe. Madje në paqe disa katandisen si karikatura të këqija të asaj që ishin në luftë.
Shkurt, heroi ynë zgjodhi jetën, para heroizmave dhe për ne mirë ka bërë.
Biografët-kushërinj mandej i referohen Stendalit për atë që Trebeshina është egotist, jo egoist. Domethënë është një egoist i zbutur, i ëmbël. Po të donin mund të shkonin dhe më tej me Stendalin. Diku ai thotë se vulgariteti është krim. Krimineli me pushkë vret një njeri a një dyzinë njerëzish, vulgariteti vret mijëra e miliona. Per shembull, vulgariteti ideologjik i komunistëve vrau gati një kontinent të tërë për 40 e ca vjet.
Sa vjet burg ka bërë Trebeshina
Biografët – kushërinj shkruajnë për një jetë të tërë të Trebeshinës nëpër burgje. Një metaforë, një hiperbolë. Po e lëmë mënjanë këtë zbukurim stilistik: sa vjet burg ka bërë Trebeshina?
Kudo për Kasëm Trebeshinën thuhet se ka bërë 17 vjet burg. I ka bërë vërtet? Siç del fare qartë nga dokumentet më poshtë, deri më 1981 ai ka bërë 11 muaj burg dhe dy vjet e ca muaj internim.
Më 1945 ai ka dalë nga burgu pas 11 muajsh. I janë falur të gjitha dhe partia është treguar e butë me të. Në vitet 1955 – 1962, nuk bën asnjë punë. Kasëmi shpesh e braktiste punën. Megjithëse organizatat e Frontit e dinin që nuk punonte, nuk ndërmerrnin gjë kundër tij. Partia që i përndiqte “parazitët”, ata që nuk e donin punën, nuk përdori ndaj tij asnjë lloj trysnie për ta detyruar të punojë. Dhe ishte koha kur bejlerët, “borgjezët”, intelektualët e padëshiruar madje edhe fëmijët e vegjël të tyre, u detyruan të hapin kanale, të thajnë moçale nëpër gjithë Shqipërinë. Po K. Trebeshina ishte ndryshe.
Një sjellje e tillë kompromentuese, “kokë më vete”, e Trebeshinës, sidomos në opinion, çoi në marrjen e një mase administrative. Më 18 maj 1962 komisioni i internim – dëbimeve e dënoi atë me 5 vjet internim.
Nga kjo kohë fillon një letërkëmbim intensiv i Trebeshinës me udhëheqjen e lartë të PPSH-së. Manush Myftiu dhe njerëz të kupolës së Sigurimit i japin të drejtë Trebeshinës në ankimet e tij. Çuditërisht, letrave të tij iu kushtohej vëmendje e posaçme në aparatin e KQ të PPSH-së, vëmendje deri dhe nga autoriteti më i lartë i vendit në atë kohë.
Internimin nuk e bëri të plotë. Ai asnjëherë nuk ka bërë dënime të plota. Nga Zvërneci e çojnë në një rreth që nuk përdorej aq shumë për internime, në Gramsh. Me këto lëshime, këtij Trebeshine që e quante veten vazhdues të “traditave perëndimore”, nën regjimin më të egër të Lindjes, i kushtohej një kujdes me të vërtetë i veçantë për kohën. Apo jo?
Luftëtarë, të dështuar në paqe
Letrat e Trebeshinës janë një logori e vërtetë. Pse qan dhe ankohet kaq shumë Trebeshina më 1962-63? Fundja, në Gramsh është. Mësues është. Sejfulla Malëshovën e kishin degdisur në një magazinë të pistë ku shiste patkonj, kapistra dhe samarë për kuaj e gomarë. Vetëm Trebeshinës po i ndodhte një fat i tillë? Sa heronj si Trebeshina ishin vrarë e internuar më 1948? Sa të tjerë e kishin pësuar pas Konferencës së Partisë së Tiranës më 1956? Edhe Bedri Spahiu kish zënë burgun. Biografët e Trebeshnës na e paraqesin gjëndjen sikur hero na paska qenë vetëm Trebeshina.
Trebeshina veç që ndihet i poshtëruar, është i trembur aq keq më 1962. Ai, luftëtari i çartur, i plagosuri tri herë, tashmë është një i trembur për vdekje. Ankohet dhe jargavitet në letra. Kuptohet, atë po e nëpërkëmbnin kot dhe po e nëpërkëmbnin pa mëshirë. Dhe ai kërkonte mëshirë. Po a ekzistonte mëshira, humaniteti në atë kohë, kohë që e kishte të shpallur me të madhe se ligjin e bënte pushka, gryka e pushkës? Humaniteti komunist ishte vrasës. Vrasës për hiç gjë. Po t’ua thoshte truri se je armik, komunistët të vrisnin. Vetë Kasëmi i kishte vrarë me dorën e tij “rebelët” në luftë. Kishte vrarë dhe më pas. Tashmë ky “hero” i luftës është një dështak dhe i zgërlaqur në paqe. I ndodhte kështu nga që i dhimbsej vetja apo se kishte dështuar projekti i tij për botën, se kishte dështuar ideali i tij?
Heronjtë si Trebeshina kujtonin se me ardhjen e tyre në pushtet, bota po fillonte nga e para. Botë e re, njeri i ri, regjim i ri… Në emër të këtyre ata grabitën shtëpitë e pasuritë e “ borgjezëve”. Pastaj disa nga ata i shfarosën, disa i rrasën në burgje. Deri gratë dhe kalamajtë e tyre të mitur i nxorën nga shtëpitë, i flakën rrugëve. U hodhën në erë edhe varret, u vunë minat në memorialet familjare.
Ishte koha e ndërrimit të gjakut, e kultit të gjakut të ri, e gjakut të partisë. Koha e vrasjes së gjakut të vjetër, e vrasjes së alternativës. Trebeshina kishte kontributin e tij të gjakut. Ndaj në letra ia kujton komandantit kohën kur ka qenë i tillë, kur ka derdhur gjak armiku.
Me politikën, derdhja e gjakut (lexo: lufta e klasave) e forcon partinë, “heronjtë” me yll në ballë që erdhën nga lufta, pasi shijuan në masakra derdhjen e gjakut të armiqve ideologjikë, u kthyen dhe vranë kë mundën, u zhyen dhe në banjën e gjakut të tyre. Partia u shpall më e rëndësishme se njeriu. Para saj hi e pluhur le të bëhej njeriu, njerëzimi, Shqipëria. Paqja që vret jo armikun, por që vret cilindo që për ideologji a për politikë shpallet armik, ishte tragjedia më e madhe e atij brezi luftëtarësh. Ata vranë veten në paqe.
Kasëm Trebeshina ishte një ndër viktimat e kësaj filozofie dhe praktike terroriste. Por, kur nga një terrorist komunist e pa veten në anën tjetër, në anën e armiqve, Trebeshina vuri maskën e njeriut që nuk e mohon sistemin, partinë, autoritetin. Pranonte se kishte bërë gabime, por nuk e pranonte se ishte armik.
Ishin vitet ’60. Partia ende nuk ishte kthyer nga derdhja rëndshëm e gjakut brenda vetes. Kjo maskë prej të përvuajturi, kjo katandisje për të ardhur keq e një heroi, frika derisa t’i lëpinte duart Enver Hoxhës, Trebeshinës i dolën për mbarë. Atë e mëshiruan. Kjo situatë mbase e shpëtoi atëherë atë.
Por edhe diçka tjetër… Mbase, nën tavolinë, në bisedat me gjeneralët e mëdhenj të sigurimit që shkonin dhe e takonin në vendet e internimit, ai ka pranuar që të bëjë edhe shërbime të tjera për partinë. Shërbime të fshehta. Mbase. Kush e di?
Për të ilustruar sa thamë deri tani, më poshtë po japim disa nga letrat e tij të viteve ‘60.
Letrat e Trebeshinës drejtuar udhëheqjes
Letra e 8 tetorit 1963
“Shokut Enver Hoxha
Sekretar i Parë i KQ të PPSH-së.
Duke qenë se vuajtjet e mia kanë mbërritur gjatë 2 vjetëve të fundit pikën e tyre më të lartë, po u drejtohem sa më poshtë:
Pas tentativave për të më kuruar me forcë, pas 40 ditësh grevë urie dhe pas 3 muajsh burg, m’u hoq masa e internimit të izoluar duke m’u kthyer në një masë internimi si mësonjës në Gramsh. Më 30 shtator 1963, një funksionar i MPB më njoftoi se për këtë ishte marrë një vendim që nuk mund të kthehej prapë, prandaj unë duhej që patjetër të shkonja “gjashtë muaj dhe më pakë” atje ku më urdhëronin. Kjo shkuarje (gjithnjë sipas tij) ishte një “urë e domosdoshme” shkaktuar nga greva e urisë dhe për opinionin publik.
Kjo gjë është e padrejtë se kundër meje është marrë një masë, pasi kundërshtova një internim të mëparshëm. Me këtë rast dua të them dy fjalë për internimin tim në ishullin e Zvërnecit.
Gjatë gjithë kohës që kam qenë në parti, nuk kam shfaqur shenja intriganti, karrieristi ose fraksionisti. As edhe më vonë nuk jam fshehur para Partisë ose organeve shtetërore. Opozicioni im ka qenë i shkaktuar tërësisht nga aktiviteti letrar dhe nga pakënaqësitë që lindnin prej tij. Në lëmin e letërsisë kam punuar me vetëmohim, duke kujtuar se i bënja një shërbim të mirë shoqërisë. Shoqëria ka ngulur këmbë vazhdimisht se aktiviteti im letrar nuk duhej dhe unë me anën e kësaj letre, sjell në dijeninë tuaj, se këtej e tutje heq dorë nga ky aktivitet.
Tashti po kthehem te masa e internimit tim në Gramsh. Për të treguar edhe një herë bindjen time para autoriteteve shtetërore, po shkonj atje ku më kanë caktuar (ashtu siç shkova më 7 qershor 1963 në ishullin e Zvërnecit). Por nga ana tjetër pasi të vejë në vend vendimi i marrë kundër një njeriu që ka mbajtur vazhdimisht një qëndrim të qartë si qytetar i bindur për të zbatuar politikën e Partisë dhe të Qeverrisë, kundër një njeriu që nuk ka kryer asnjë krim, lutem të më hiqet sa më parë ky persekutim i fundit politik dhe të kthehem në Tiranë për të bërë një punë në dobi të familjes sime dhe të atdheut.
Mbetem me shpresën e ndërhyrjes suaj, për të evituar ndonjë fatkeqësi personit tim dhe familjes time.
Tiranë 8 tetor 1963, Me respekt, Kasëm Trebeshina”.
Bashkëshortja: Kasëmi “nuk është armik dhe as kundërshtar i pushtetit tonë”
Letra e gruas së Kasëm Trebeshinës drejtuar Enver Hoxhës më 22 tetor 1963 “E nënshkruara Zydije Trebeshina, parashtroj lutjen sa më poshtë:
Burri im, Kasëm Trebeshina, për afro një vit e gjysëm ka qenë internuar dhe tani është dërguar me privim lirie në Gramsh, ku jep disa orë mësimi në shkollën 11 vjeçare atje.
Kohët e fundit, gjendja e tij shëndetësore është keqësuar shumë dhe vetmia e jeta larg familjes po e shkatërron edhe më tepër.
Unë si bashkëshorte e tij kam besim, duke e mbështetur këtë edhe në bisedimet me të, se ai nuk është armik dhe as kundërshtar i pushtetit tonë. Partia e njeh biografinë e tij, luftën dhe përpjekjet për çlirimin e atdheut.
Sigurisht, im shoq mund të ketë pasur disa divergjenca lidhur me shkrimet e tij me njerëz të ndryshëm dhe kjo krijuar dyshime në organet përkatëse, por unë jam e bindur se ay siç e fakton edhe vetë, ka qenë dhe do të mbetet besnik ndaj pushtetit tonë.
Një pjesë e dënimit ay e vuajti. Ju lutem që të paktën tashti që është në gjendje të keqe shëndetësore, të kthehet në gjirin e familjes dhe të bëjë një punë çfarëdo në dobi të atdheut dhe të familjes.
Mbetem me shpresë se lutje ime do të merret në konsideratë”.
Sekretari personal i Enver Hoxhës, Haxhi Kroi, interesohet për Trebeshinën. Ai u shkruan kështu shokëve të partisë në Gramsh:
“Kasëm Trebeshina i internuar në rrethin tuaj, me anë të një letre që i drejton shokut Enver, kërkon t’i hiqet masa e internimit dhe të kthehej në Tiranë.
Të njoftohet i sipërmenduri nga shoku Emin Shuli që e di çështjen, se kërkesa e tij u studiua dhe rezulton se masa e internimit është e drejtë për arsye të fajeve dhe gabimeve të rënda që ka bërë, për të cilat është dënuar me burg nga organet e drejtësisë. Ai përpara ka shprehur pikëpamjet e tij reaksionare në vjershat e pjesët e tij letrare, duke përbuzur atdheun e vet ai pat kërkuar të lejohej të shkonte në Zvicër, gjoja si vend neutral, por që dihet se është vend kapitalist, ka dorëzuar dokumentin e partisë pasi nuk ka dashur të jetë anëtar partie, etj, dhe këto faje akoma nuk po i kupton si duhet, nuk i dënon duke i justifikuar se nuk ka çështje e pretendime politike.
Heqja e masës së internimit është e lidhur e varet direkt nga qëndrimi i tij, nga njohja e fajeve që ka bërë dhe nga përpjekjet që do të bëjë për të kryer sa më mirë punën që i është ngarkuar. Shoku Rita Marko porosit që t’i hiqet dhënia e mësimit të letërsisë dhe të caktohet për të dhënë lëndë të tjera që mund t’i bëjë. Kjo të mos i thuhet atij, por të merren menjëherë masa në këtë drejtim”.
Informacioni i 14 nëntorit 1963 drejtuar KQ të PPSH-së për çështjen e Trebeshinës nga Vangjelo Sotiriadhi. V. Sotiriadhi ishte përgjegjëse për letrat nga populli në KQ të PPSH.
“Sipas porosisë së shokut Rita Marko, shkova në Gramsh dhe së bashku me shokun Emin Shuli – sekretar i dytë i Komitetit të Partisë, takuam Kasëm Trebeshinën. Nga bisedimi me të rezultoi:
Kasëm Trebeshina nuk e konsideron të drejtë internimin e tij në Gramsh duke pretenduar se nuk ka gjë politike dhe u mundua ta justifikojë duke thënë se nuk ka qenë kundër vijës së partisë për këtë nuk është çfaqur asnjëherë dhe nuk ka pikëpamje apo plaftormë tjetër nga ajo e partisë. Si fakt tregoi se në vitin 1956 kur u zhvillua konferenca e Tiranës e më vonë kur u bë kundërrevolucioni në Hungari, ai ka mbajtur një qëndrim të mirë dhe në këtë kohë i ka drejtuar një letër shokut Mehmet Shehu me të cilën si qytetar i Republikës Popullore të Shqipërisë solidarizohej me qëndrimin që mbante partia. Tha që kur ka dalë nga burgu nuk është shoqëruar me asnjë njeri por ka bërë jetë shumë të kufizuar duke ndenjur në shtëpi me përjashtim të ndeshjeve sportive që ka frekuentuar vazhdimisht. Theksoi disa herë se pakënaqësitë i ka pasur për çështjet letrare dhe për çështjet politike nuk ka pasur asnjë pretendim. Në fillim tha se ka qenë shkrimtar, poet realist, por me kalimin e kohës u bë idealist. Me qenë se si anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve, nuk iu botuar asgjë, e kërkoi këtë çështje personale në mënyrë shumë të nxituar derisa arriti të dorëzojë teserën e partisë. Dorëzimin e dokumentit të partisë e konsideron një çështje personale, si veprim shumë të nxituar dhe të bërë nga ana e tij nga gjaknxehtësia e mendjemadhësia. Prodhimet letrare që ka pasur tha se i dogji të gjitha sa gjeti shtëpi dhe këtej e tutje nuk do të merret më.
Përsa i takon vendbanimit disa herë e përsëriti se nuk i jepte rëndësi, veç t’i hiqet masa e internimit, e cila tregon se mbahet si njeri që tregon rrezikshmëri gjë që nuk i përgjigjet realitetit. Më në fund, tha se do t’i pëlqente të shkonte në Maminas të Shijakut atje ku ka shkuar edhe Mehmet Myftiu. Por nga bisedimi u kuptuar se po t’i hiqet masa e internimit mund të banojë në Tiranë se këtu ka familjen, gruan dhe fëmijët. Sipas porosisë së shokut Rita, unë i thashë për rrethet ku mund të dërgohet dhe veçanërisht në Tiranë i thashë se nuk ka mundësi.
Për qëndrimin e tij në Gramsh nga bisedimi që bëmë me zv/shefin e degës së Punëve të Brendshme dhe me nëndrejtorin e shkollës 11 vjeçare, rezultoi se nuk ka ndonjë gjë. Drejtori i shkollës ka shkuar dy herë për kontroll në orë të mësimit dhe ka konstatuar se mësimin e jep sipas librit. Banon në një dhomë së bashku me drejtorin e nëndrejtorin e shkollës dhe me një arsimtar tjetër. Jep letërsi në shkollën 11 vjeçare dhe për këtë çfaqi mendimin se nuk i pëlqen të japë letërsi, pasi nuk dëshiron të merret me këtë punë e se do të ishte më mirë të japë histori. Shoku Emin tha, kur u largua Kasëmi, se këtë çështje e kishin parë që kur vajti në Gramsh, por nuk kishin mundur ta zgjidhnin për arsye se arsimtari që jep histori jep edhe rusisht e po t’i hiqnin historinë, punë tjetër nuk bënte dot e i mbeteshin shumë pak orë”.
Letra e Kasëm Trebeshinës drejtuar udhëheqjes ku thotë: “E di Partia ç’kam bërë deri më 1947. Hetuesi i Sigurimit të Shtetit më 1963: Kasëm, ti je shoku ynë.
Më 14 dhjetor 1963 i ka drejtuar një letër Komitetit Qendror të PPSH-së, Kasëm Trebeshina, i kujton Partisë se ajo e di mirë se ç’ka bërë ai deri në vitin 1947. I kujton kohën kur ka shërbyer aktivisht në organet e Sigurimit të Shtetit. Kjo letër i është sugjeruar nga zyrtarët vendorë. Më 4 dhjetor 1963, e kishte thirrur në zyrën e tij, në Komitetin e Partisë për Rrethin e Gramshit, sekretari i parë i këtij rrethi, e, ndër të tjera e kishte këshilluar t’i drejtohej Komiteti Qendror për të kërkuar zgjidhjen e punës së tij. Duke e ndarë letrën e tij në 9 pjesë, në pikën e parë, Trebeshina shkruan:
“1-Aktiviteti im gjer më 1947 dihet nga ai komitet, prandaj nuk po e prek”.
Po japim fragmentet më poshtë:
“3- Pasi humba të ardhmen time si ushtarak, u mundova të gjenj një rrugë tjetër në jetë dhe zgjodha pasi u rropata pak (duke bërë edhe gabime të dëmshme, psh lënia e shkollës) letërsinë. Këtë e zgjodha sepse kur isha i vogël kisha bërë gjëra të ndryshme. Që nga 1948 – 1952 shkrova disa vepra me përmbajtje të shëndoshë socialiste si “Reforma” (1948), “Mbeturinat” (1949), “Të rinj të kohës sonë” (1949). Dy të parat pjesë teatrale dhe e treta roman. Në mënyrë të pakuptueshme për mua, u luftova dhe nuk pata asnjë përkrahje, përkundrazi më trajtuan me një mosbesim të theksuar dhe me ofeza të vazhdueshme (nga ana e shkrimtarëve të ndryshëm). Pasi kërkoi me këmbëngulje organizata e partisë e teatrit popullor, komiteti i partisë për Tiranën mori romanin tim “Të rinj të kohës sonë” dhe ia dha Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë për t’a parë. Në përfundim më 31 maj 1951 më thërritën në Komitetin e Partisë shoqja Fiqret Shehu më komunikoi opinionin e Lidhjes së Shkrimtarëve (opinion i shfaqur nëpërmjet ish-kryetarit të Lidhjes, shokut Shefqet Musaraj): “Vepra është shumë e bukur, e shkruar sipas metodës së realizmit socialist dhe në të duket një analizë psikologjike e hollë prej mjeshtri. Gjuha është shumë e bukur, si ajo e Naimit”. Megjithatë edhe kjo vepër nuk e pa dritën e botimit. E pabotuar mbetet edhe sot e kësaj dite.
4- I dëshpëruar nga sa më sipër, fillova të pi dhe të bëj një jetë të pahijshme, jetë që unë e dënoj pa rezerva dhe në është se nuk e zgjas më shumë, këtë e bëj se më vjen turp t’i kujtonj atë gjëra kur kam kaluar nga Don Kishoti tek sentimenti. Ishte në këtë kohë që ika nga Partia duke mos gjetur as kohën dhe as vendin për të zgjidhur punët e mia. Ai veprim si dhe veprimet e mëvonshme që më çuan gjer në burg, kanë qenë të pafalshme dhe të dënueshme. Megjithatë nuk duhen që të merren tepër seriozisht se vijnë era budallallëk dhe nga ana tjetër, unë nuk vë ndonjë vend tjetër mbi vendin tim, qoftë ky edhe Zvicra! Unë jam shqiptar me të gjitha të mirat e të ligat dhe këtu dua të vdes pranë njerëzve të mi. Pra veprimet e mia kanë qenë të nxituara, jo të arsyeshme dhe përbëjnë gabime të rënda. Si përfundim unë si anëtar partie, kam kryer veprime të dënueshme. Prandaj para Partisë, për këto veprime, nuk mund të dal i larë.
Botimi i “Krujës së Çliruar” pas dëbimit nga partia ka qenë i pamjaftueshëm për dy arsye:
Se vepra nuk ishte nga më të rëndësishmet.
Se duhej të ishte bërë më parë që unë të mos mbetesha me kokë mënjanë para anëtarëve të tjerë të Lidhjes (më 2 prill 1953 u konsiderova si njeri që nuk mu kishte pasur puna të dukë – nga Dh. S. Shuteriqi dhe para opinionit publik.
Pasi kam dalë nga burgu jam munduar se mos gjej ndonjë rrugë afrimi dhe pajtimi me shoqërinë. Në këtë drejtim nuk kam gjetur rrugën më të shkurtër dhe më të mirë, po shkrova disa poema sipas metodës së realizmit socialist, si “Në katër stinët”, “Majë preshit”. Duket edhe me këto nuk kam ditur, i ndryshuar shpirtërisht të shkoj më tutje. Këtu duhet të përmend edhe këtë fakt: në mbledhjen e fundit të organizatës bazë të Lidhjes, unë pyeta: “A u duhen veprat e mia të realizmit socialist, apo t’i djeg?”. Shoku Manush Myftiu m’u përgjigj: “Mund t’i djegësh kur të dojë qejfi”. Kështu unë kur dola nga burgu i mblodha të gjitha dhe i dogja. Por për të dëshmuar për periudhën e parë timen, kanë mbetur disa vepra që nuk munda t’i gjej në kohën e djegies. Më në fund pas një peripecie të gjatë erdhi edhe botimi i fundit, ai i “Artanit dhe Mines”. Nuk dua të them asnjë fjalë për veprën, por vargje më të dobëta se kërkesa minimale artistike, aty nuk ka; prandaj ofeza që më bënë duke më paguar me 8 lekë (si folklor) gjysmën e veprës ishte e pavend..
Më 1956, në mars, shoku Manush Myftiu më ka komunikuar se unë nuk kisha ndonjë faj, por gabime dhe sherre me shkrimtarët, gabime që rëndonin gjysëm për gjysëm mbi mua dhe mbi ata. Po atëherë më tha që të kërkoja vendin ku donja të punoja dhe kur unë e lashë në dorën e tij, më premtoi se do të më gjenin një vend të mirë, sipas mundësive dhe aftësive të mia. Ky premtim nuk u vu në jetë asnjëherë. Më vonë kur e pashë se nuk u bë gjë, kërkova disa herë me radhë që të kalonja si përkthyes, pasi puna në bibliotekë më dëmtonte rëndë shëndetin. Për këtë gjë m’u përgjigjen se nuk kishte vend, kur në të vërtetë pak më vonë u muar një njeri tjetër. Nuk mund të mos arrij në përfundimin se ai vend, nuk m’u dha vetëm e vetëm për të më mbajtur nën presion. Kjo gjë më ka habitur dhe dëshpëruar shumë, sa edhe tashti ndjehem shumë i prekur.
Më 18 maj 1962 u internova. Gjatë vjetëve të fundit, unë kam qenë një njeri i izoluar, me lidhje fare të pakta me jetën, prandaj u çudita shumë kur më internuan, sidomos kur gjeneralët Nevzat Haznedari dhe Petrit Hakani së bashku me kolonel Filat Muçon më prekën në çështjen e revizionizmit dhe të Hrushçovit. Nuk e kam parë, nuk e shoh dhe nuk do ta shoh me vend që si rrjedhim i izolimit tim, të merret kjo masë e rëndë internimi. Unë protestova kundër kësaj dhe më 6 qershor 1963, kur mbahesha jashtë ligjit, erdhën shokët Nevzat Haznedari dhe Raqi Zavalani dhe më komunikuan se do të më lironin dhe më pyetën se në cilin qytet do të dëshironja të rrinja përkohësisht, sa të bindeshin për të më kthyer në Tiranë. U përgjigja se për mua kjo ishte e barabartë me vdekjen. Të nesërmen biseduam prapë me shokun Nevzat dhe unë i përsërita kërkesën time për të më vendosur në Tiranë, si mësues ose si përkthyer i inglishtes. Ai më tha se këto gjë do ta referonte më lart. Kjo bisedë vazhdoi po me shokët e lartpërmendur dhe më 11 shtator 1963 dhe më 13 shtator 1963 në spitalin e burgut Tiranë. Aty më komunikuan se do të shkonja në Gramsh, i lirë si mësonjës, më garantuan se nuk më hiqej pasaportizimi nga Tirana dhe se kur të kthesha do të më vendosnin si përkthyes në ndërmarrjen e botimeve. Sikurse u kam shkruar edhe në letra të tjera (udhëheqjes), nuk e kam pranuar këtë hedhje në Gramsh. Në bisedën që kemi më 30 shtator 1963 me shokun Raqi Zavalani, po në spitalin e burgut, më tha: “Ti je shoku ynë, po në nuk mund të të sjellim menjëherë në Tiranë. Puno gjashtë muaj në Gramsh dhe pastaj hajde këtu të të vendosim në ndërmarrjen e botimeve. Kjo shkuarje atje është e domosdoshme për opinionin publik” (korsivi është yni, S.B.)
Po këtë gjë ia kishin komunikuar edhe familjes sime. Përfundimi i bisedës së 13 dhe 30 shtatorit 1963 qe ky: unë do të rrinja 10 ditë në Tiranë, pastaj do të nisesha në krye të detyrës, i lirë me pasaportizim në Tiranë dhe në fund të marsit do të vendosesha difinitivisht në NSHB Tiranë. Nga këto nuk u bë asgjë. Këtu më komunikuan se isha dënuar me 5 vjet internim.
Më 12 shtator 1963 shoqja Vangjelo Sotiriadhi më komunikoi përgjigjen e letrave të mia udhëheqjes dhe më tha të vendosesha (me ose pa familje), në Elbasan, Rrogozhinë, Kavajë dhe Shijak. Kjo formë tjetër internimi nuk m’u duk e drejtë dhe u përgjigja se kërkonja të më hiqej çdo masë internimi, pasi nuk kam kryer asnjë krim politik, dhe pasi internimi ishte një masë shumë e madhe karshi një njeriu që ka bërë për 9 vjet një jetë të izoluar prej oshënari.
Duke e përfunduar këtë letër, unë i lutem atij Komiteti Qendror që të më heqë çdo masë internimi, pasi gabimet e mia të rënda letrare që nuk arrijnë në një nivel teorik, nuk janë bërë me qëllime të caktuara. Nga ana tjetër unë heq dorë nga çdo aktivitet letrar dhe prej momentit të lirimit do të shikoj vetëm detyrat e mia familjare dhe detyrimet që kam karshi shtetit. Duke qenë shumë i sëmurë dhe në paaftësi pune, u lutem që për një periudhë prej të paktën gjysmë viti të mbetem pa asnjë angazhim në punë. Përveç kësaj unë jam gati që me t’u liruar të mbyllen për gjithnjë në shtëpinë time.
Duke e mbyllur këtë letër, po ju lutem edhe njëherë që të ndërhyni për lirimin tim, duke pasur parasysh se me vendimit tuaj do të më shpëtoi nga një fatkeqësi.
Mbetem me shpresën e përgjigjes suaj,
Me respekt, Kasëm Trebeshina, Gramsh, 5 dhjetor 1963.
Letra e 19 dhjetorit 1963 e Kasëm Trebeshinës
Komitetit Qendror të PPSH-së
Për të treguar respekt dhe bindje ndaj jush, ndërpreva grevën e urisë dhe u drejtova një letër më 5 dhjetor 1963. Në pritje të përgjigjes suaj, shpenzova për t’u ushqyer, të hollat që kisha. Pas datës 19 dhjetor 1963 jam i detyruar t’a pres përgjigjen tuaj pa ngrënë, pasi nuk kam më me se të ushqehem. U lutem t’i përgjigjeni letrës sime sa më parë duke urdhëruar lirimin tim nga çdo formë internimi.
Me bindjen dhe me shpresën e përgjigje suaj,
Mbetem me respekt, Kasëm Trebeshina, Gramsh 19 dhjetor 1963.
Trebeshina më 1954 apelon në Gjykatën e Lartë
Vendimi i marrë nga Gjykata e Faktit të Qarkut Tiranë, me numër 67, datë 25.06.1954, nuk më duket i drejtë për këto arsye:
Në veprën time nuk janë elememntet e agjitacionit dhe të propagandës, por ka vetëm shkelje të disiplinës së partisë… Kundër meje duhet zbatuar masa që shoku Stalin mori ndaj poetit Demjan (Bjedni)… Më tepër modesti! Ndiqni vijën marksiste-leniniste.
Nuk kam kryer asnjë krim. I zemëruar nga qëndrimi i padrejtë i Lidhjes së Shkrimtarëve mund të kem bërë ndonjë gabim… Ka gjëra që muns të kenë dëmtuar partinë, por jo krim dhe armiqësi.
Nuk jam udhëhequr nga dëshira për të bërë propagandë, nuk jam armik, por poet… Mund të dënohet ashpër artisti brenda meje, por jo unë si armik…
(N Dragoi, Dosja Trebeshina, fq. 187, …)
Kasëm Trebeshina grabiti bibliotekën e avokatit Abaz Omari
E nderuara gazeta “55”!
Marr shkas nga një shkrim të botuar në gazetën tuaj mbi zotin Kasëm Trebeshina, për të paraqitur një ngjarje të hidhur të vitit të mbrapshtë 1945.
Zotëria i përmendur në vitin kur mbi vendin tonë po shtrihej zezona komuniste ka qenë kryetar i degës së punëve të brendshme të qytetit të Fierit.
Dhe me pushtetin e pakufizuar që zotëronte plaçkiti shtëpinë e avokat Abaz Omarit, gjithë plaçkën dhe mbi te gjitha dhe bibliotekën e cila në atë kohë çmohej nga rrethet intelektuale si një nga më të kompletuarat dhe me cilësorja.
Abaz Omari kishte kryer dy fakultete në Francë, një për drejtësi në Montpelie dhe një tjetër në Paris në Universitetin e Sorbonës.
Në jetën politike të kohës ishte në krye të Partisë Social Demokrate bashkë me Skënder Muçon dhe me Musine Kokalarin, me të cilën dhe ishte farefisni.
Gjithashtu nëna e tij ishte vajza e xhaxhait të Enver Hoxhës pra diktatori e kishte nip dhe kjo qe fatkeqësia e tij, pasi me një urdhër të këtij në kohën kur ishte kryeministër dënohet me vdekje në Berat dhe pushkatohet menjëherë. Familja e tij zotëron telegramin e dërguar nga Enver Hoxha që kërkon informacion për datën e pushkatimit. Nuk dihen rrethanat e ekzekutimit por pas çlirimit, dua të them pas vitit 1991, pas shumë kërkimesh të gjata kur ju gjet vendi i varrimit, skeleti i tij qe pa kokë. Diktatori urrejtjen e tij kundrejt këtij njeriu me një kulture fine e ka shprehur dhe ne librat e tij.
Bibliotekën, Kasëm Trebeshina e kishte ndarë me vëllanë e tij Muzafer dhe nipin e tij Fatos ndërsa sot e zotëron të tërën.
Që të pastrojë shpirtin më përpara se të hiqet si gjoja disident dhe trim i madh duhet t’ju ktheje trashëgimtarëve të të ndjerit bibliotekën dhe t’ju kërkojë falje pasi vijnë nga një fis fisnik shume i degjuar.
Abas Omari ishte dhe kushëri me Bahri Omarin dhe veç asaj dhe mjaft i afërt me të.
Letërshkruesi të ndjerin e kishte dajë pasi motra e tij qe martuar me Nexhat Peshkëpinë, një nga krerët e Ballit Kombëtar dhe kryeredaktori i gazetës “Shqiptari i Lirë” në Nju York.
Kur emri i Kasëm Trebeshinës u përmend në gazetën “Shekulli” 6 muaj të shkuara, i dërgova kësaj të përditshme një letër të tillë dhe nuk mora përgjigje. Dhe është e kuptueshme për mentalitetin që ka stafi i kësaj.
Kjo ngjarje na hidhëron dhe sot pas 60-vjetësh pasi ata që e kanë njohur e çmonin për kulturën e tij të gjerë dhe mbi të gjitha për karakterin e tij të butë shumë njerëzor.
Dhe sa herë që përmenden emrat e Enver Hoxhës dhe Kasëm Trebeshinës vetëkuptohen ndjenjat tona.
Për sa shkrova me lart, jam gati të përballohem me këdo që do të guxojë të me vejë në dyshim të vërtetën e kësaj ndodhie te kobshme
Sinqerisht,
Edmond Peshkopia.
SIGURIMI DHE TREBESHINA
Trebeshina ka qenë oficer themelues i Sigurimit. Shërbimi i Sigurimit në një vend diktatorial luan një rol shumë të rëndësishëm në jetëgjatësinë e klasës në fuqi. Njerëzit që hynin në këtë shërbim, mbeteshin përgjithmonë nën robërinë e tij, të lidhur në betim të pazgjidhur me të. Kush hynte në këtë qark, nuk dilte kurrë prej tij. Shërbimi gjithashtu kujdesej për njerëzit e tij, edhe kur ata e kishin pësuar për një arsye apo për një tjetër. Kasëm Trebeshina gjithmonë e ka pasur në krahun e tij këtë shërbim. Dhe në vitin 1981 shërbimi i Sigurimit, pavarësisht se nuk ia arritit, u kujdes që ushtari i tyre i vjetër, Trebeshina, të mos hynte në burg.
Për ta shtjelluar më tej këtë ide, më poshtë po sjellim disa fakte dhe argumente. Së pari, po japim ekspertimin mjekësor, ekspertim që u bë me porosi të këtij shërbimi.
Ekspertizat mjeko-ligjore për Kasëm Trebeshinën më 1981
Drejtoria e Punëve të Brendshme e Tiranës ka dërguar për ekspertim psikiatriko – ligjor, Kasëm Hysen Trebeshinën. Në shënimin hyrës të ekspertizës thuhet se më 1953 Kasëmi ka braktisur punën dhe më 1954 është dënuar me 3 vjet heqje lirie nga të cilat ka bërë 11 muaj. Në 1962 është internuar me 5 vjet, por është falur dhe ka bërë 2.5 vjet.
Në vitet 1965 dhe 1966 i janë gjetur dy testamente ku shprehte mendime se do të vetëvritej. Ka qëndruar vite të tëra pa punë, megjithëse një gjë e tillë i është ofruar prej pushtetit. Në krijimtarinë e tij ai ka shkruar për personazhe ireale si për mumje, për hije me nishan, etj.
Ai është tip gjaknxehtë, është diktator e fanatik në familje dhe në shoqëri. Kjo vjen ngaqë kujton se të gjithë janë kundër tij.
Ekipi i mjekëve me në krye Dr. Prof. Ylvi Vehbiun e diagnostikuan pasi e mbajtën atë një muaj nën vëzhgim spitalor. Ata mendonin se Kasëmi ishte “psikopat paranojak i dekompesuar dhe veprën penale e ka kryer nën ndikimin e ideve delirante”, “ nuk është i përgjegjshëm karshi ligjit për veprën penale që ka kryer” dhe për këtë të “dërgohej për mjekim të detyruar në spitalin neuropsikiatrik të Elbasanit”.
Në dosjen hetimore të vitit 1981 gjendet dhe një ekspertizë e dytë, e nënshkruar nga një mjeke e vetme, nga A. Peti, e cila flet për psikopati të pacientit në fjalë, por e deklaron atë krejt të përgjegjshëm para ligjit.
Trebeshina në hetuesi
Ekspertimin mjekësor të vitit 1981 e përmend dhe kryehetuesi i kohës, D. Bengasi. Ai shton se, me gjithë këtë ekspertizë mjekësore, për Trebeshinën erdhi një urdhër nga lart që ai të burgosej. Sipas Bengasit, ka pasur dy urdhra. Njëri nga Feçor Shehu, titullar i Ministrisë së Brendshme, që Trebeshina të shpëtohej nga burgu me anën e ekspertëve mjeko-ligjorë dhe tjetri nga KQ i Partisë që Trebeshina të burgosej.
Sigurimi u përpoq që ta shpëtonte Trebeshinën nga burgu, por nuk mundi. Përse? Më poshtë do të japim ndonjë ide për këtë. Tani po ndalemi në atë se si e trajtonin sigurimsat K. Trebeshinën në hetuesi.
Bengasi jo një herë në libra, në intervista dhe në mbledhjet publike flet me admirim për trimëritë e Kasëmit në hetuesi. Sipas tij, Trebeshina me një kokëkrisje të pashoqe shante dhe para hetuesve udhëheqjen e lartë. Se sa false janë këto deklarime, mjafton të kthehesh pas në kohë. Hetuesia e asaj kohe kishte përpunuar metoda që të paraburgosurit të pranonin patjetër ato krime që dëshironte ajo. I kishin përpunuar deri në shkallën më të lartë këto metoda kriminale. Të tillë punë ka bërë Bengasi. I gjithë sistemi gjyqësor i kohës ishte ndërtuar mbi parimin e ndëshkimit me çdo kusht të të pandehurit, jo mbi parimin që atij t’i jepej drejtësi.
Për vetë formimin e tyre, hetuesit e asaj kohe nuk mund ta toleronin një të burgosur që fyen udhëheqjen e lartë. Edhe sikur ndonjë hetues të ishte ndryshe ga të tjerët, nuk mund ta toleronte një rast të tillë, se rrezikonte kokën e vet. Hetuesit përgjonin të burgosurit, por përgjonin dhe njëri-tjetrin. Kështu që historitë me trimëri në birucat e hetuesisë janë trillime. Një gjë është e vërtetë. Hetuesit e asaj kohe me Trebeshinën janë sjellë ndryshe. Hetuesia e porositi ekspertizën mjekësore, që ta shpëtonte Kasëmin nga burgu. Pse të ketë ndodhur kështu me Trebeshinën?
Trebeshina, Vangjel Lezho, Astrit Delvina…
Ish-hetuesit na sjellin një situatë me kokë poshtë për gjoja trimëritë e Kasëmit në hetuesi edhe për një arsye tjetër: vetë Kasëmi nuk do të guxonte të ishte “trim”, se e dinte ç’e priste.
Vangjel Lezho dhe shokët e tij më 1977 vetëm se shkruan një letër nga burgu kundër Enverit, u ekzekutuan. Edhe sot nuk u është gjetur varri.
Mbase, duke mburrur Trebeshinën, Bengasi do të na dalë antikomunist për veten e tij. Të na thotë se i admironte armiqtë e Partisë, jo i ekzekutonte ata.
Atëherë pse i shpikin trimëritë, heroizmat e Kasëmit sot? Se ishte Sigurims? Se e dinte që ishte midis shokësh e nën mbrojtjen e tyre?
Po. Kjo lloj sjelljeje, këto rrahje gjoksi të Bengasit të sotëm, ngjajnë me ato përshëndetjet e nderimit të dy ushtarakëve, kur takojnë njëri-tjetrin. Dhe në këtë rast takohen dy breza sigurimsash. Nxënësi sigurims Bengasi jep komandën “për nder armë” ndaj ustait të vjetër sigurims Trebeshina.
E vërteta është se Trebeshina asnjëherë nuk ka qenë i pathyeshëm. Letrat e tij drejtuar partisë, komandantit, kërkesat për apelim në gjykata, deri dhe apelimi i vitit 1981, dëshmojnë se ai me shkrim gjithmonë deklarohej si qytetar që nuk i kundërvihej ligjit, autoritetit. Trebeshina ka pranuar të poshtërohet, të jetë i përunjur.
Nga halli është poshtëruar kësisoj, pra, le ta pranojë këtë edhe sot.
Ka qenë një tjetër i burgosur, Astrit Delvina (1920-1990), autor i disa romaneve të botuara pas ’90-tës, që në hetuesi e shpallte hapur se ishte kundër politikës së partisë në letërsi dhe në arte, se ishte kundër realizmit socialist. Romanet e Astrit Delvinës sot janë nxjerrë nga dosjet arkivore të hetuesisë, ku kanë qenë në ruajtje si provë e akuzave kundër tij.
Trebeshinës nuk i gjejmë ndonjë deklarim me shkrim të ngjashëm me ato të Astrit Delvinës.
Kur nuk ka qenë i tillë, pse sigurimsat sot thurin balada trimërie për Trebeshinën?
Trebeshina, S. Malëshova, Petro Markua…
Një komunist, dhe me kontribute ndërkombëtare si i tillë, Sejfulla Malëshova, nuk e ka poshtëruar veten, siç ka bërë në letrat dhe në lutjet me shkrim Trebeshina. Malëshova e humbi luftën për pushtet për pikëpamjet e tij liberale dhe nuk u zvarrit. Nuk kërkoi që t’i falet internimi, as të kthehet në Tiranë me domosdo.
Në poshtërimin e dikurshëm të vetes mbase do kërkuar agresiviteti i sotëm i Trebeshinës.
Malëshova ishte idealist komunist gjer në rrënjë, jo një ish-terrorist si Trebeshina.
Edhe një tjetër shkrimtar i majtë u burgos në ato vite, Petro Marko. Ai nuk ishte komunist. Një anarkisti Petro Markua do t’i ngjante më shumë. Pas burgut, Petro Markua, ish-luftëtari internacionalist i Spanjës, u rikthye në jetën letrare. Më pas atij iu ndaluan veprat. Iu hoq e drejta e botimit disa herë. Më e keqja: u prek në familje. Mbi djalin e tij ranë burgimi dhe torturimi me pasoja deri më sot. Kasëm Trebeshinës nuk iu prek familja. Fëmijtë e tij vazhdonin shkollën e lartë.
Po të mos u prekej familja të burgosurve – shqiptarët janë shumë të ndjeshëm në këtë pikë – sot do të kishim një ballafaqim tjetër me komunizmin.
Pse mbetej në lojë Trebeshina
Sejfulla Malëshova jetoi si magazinier në Fier dhe vdiq në një barakë. Vendimi për të ishte marrë. Çështja Malëshova ishte arshivuar. Që kur u internua, ai doli nga loja njëherë dhe përgjithmonë.
Me Trebeshinën ndryshon puna. Ka diçka që në mënyrë ciklike përsëritet dhe nuk mbyllet. Mbase ato pazaret e fshehta nën tavolinë vazhdonin ta mbanin atë në lojë. Shefat e mëdhenj të sigurimit shkonin dhe e takonin në burg dhe në internim. Porositnin ekspertiza mjekësore që ta shpëtonin nga burgu. Kjo pjesë e mbetur nën hije, pjesa e nëndheshme e jetës së tij, e cila sot për sot nuk lexohet dot, mbase e shpjegon më mirë Trebeshinën. Shpjegon atë që herë-herë ai bëhej trim e sfidonte. Dhe atë që më pas tërhiqej e përbaltej fare.
Organet e dhunës me të silleshin mirë. Librat e tij “të gabuar”, librat mbi të cilat u hartuan ekspertizat që e çuan në burg më 1981, hetuesia ia ktheu në shtëpi. Nuk u ktheheshin në shtëpi librat Astrit Delvinës dhe të burgosurve të tjerë. Si duket, ai ende duhet të mbetej në lojë. Në lojën e Sigurimit. (Dhe ka një vendim gjyqi që dorëshkrimet e Trebeshinës më 1981 të asgjësoheshin).
Po këtu mund të bëhet dhe pyetja tjetër. Kur e kishte kaq nën kujdes, kur e merr gati hapur në mbrojtje, pse Sigurimi nuk e shpëtoi dot nga burgu Trebeshinën më 1981? Pse edhe me ekspertimin mjekësor nuk ia arriti?
Vitet 1981-1982 kanë qenë katastrofike për miqtë e mëdhenj të Trebeshinës. Disa nga kokat e mëdha të këtij shërbimi, disa nga veteranët e gardës së vjetër të cilës i përkiste dhe Trebeshina, ishin duke e kafshuar gjuhën. Hysni Kapua nuk ishte më. Mehmet Shehu do ta ndiqte pas atë në fund të vitit 1981. Mihallaq Ziçishti dhe Feçor Shehu një vit pas Trebeshinës ishin në qeli. Dera e kësaj qelie po i hapej dhe Kadri Hazbiut. Kështu ushtari i vjetër Kasëm me keqardhje po braktisej nga arma e tij e dashur, të cilën gjithmonë e kishte pasur në krah.
Por prapë ai duhet të mbetej në lojë. Ishte një kartë rezervë. Atij përherë i ishin zgjatur fije që e mbanin në lojë. Ku e kanë fillin dhe fundin këto fije? Janë këputur ndonjëherë? Është ende në lidhje të tilla ai?
Faksimile VII
AQSH, Fondi 14, AP. Kasëm Trebeshina, Letër Enver Hoxhës nga Gramshi
Arkivi i KQ të Partisë. Kjo është një nga Letrat e Kasëm Trebeshinës për Enver Hoxhën. Letra e datës 8. 10. 1963 thekson lidhjet e Trebeshinës me funksionarët e Sigurimit dhe e garanton Udhëheqësin se është një qytetar i bindur.
Faksimile VIII
AQSH, Fondi 14, AP. Letra të Trebeshinës për KQ të Partisë më 1963
Arkivi i KQ të Partisë. Janë dy letra me shkrim dore të Trebeshinës për KQ të Partisë, njëra nga Vlora dhe tjetra nga Gramshi, me anën e të cilave kërkon t’i hiqet internimi.
Faksimile IX
AQSH, Fondi 14, AP. Informacion i Vangjelo Sotiriadhit mbi Trebeshinën më 1963
Arkivi i KQ të Partisë. Drejtorja e Letrave dhe Ankesve nga populli pranë KQ të Partisë jep informacion te udhëheqja e lartë e Partisë mbi vizitën e saj në Gramsh. Ajo informon në favor të Trebeshinës duke theksuar se ai në një letër Mehmet Shehut ka qenë i një mendimi me partinë për dënimin e armiqve të Konferencës së Partisë së Tiranës dhe për dënimin e kundërrevolucinit në Hungari.