Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Fitimtarë me tasa alumini

Më 21 tetor të vitit 1943, vriten pa gjyq 67-të burra. Kjo afërmendsh është masakër. Sado në kohë lufte të ketë ndodhur. Sado në situatë nga ato kur zjarri është oferta e parë. Sado për inatin tim e për inatin tënd. Dhe për më tepër kur bëhet fjalë për front të organizuar. Me struktura e të tjera si këto. Me skuadra, brigada, batalione etj. Mungesa e një gjykimi është mirëfilli krim lufte. Ose krime kundër njerëzimit. Kundër rivalit politik. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Matjan. Një vend bash në zemër të Darsisë. Malësisë në anën lindore të fushës së Myzeqesë. Janë plot 67 frymë njerëzore. Të cilët në një apo tjetër mënyrë, vendosën të radhiteshin në një front. Ashtu sikundër bëjnë sot plot e plot qytetarë. Dikush vishet blu e dikush i kuq. Kjo shpjegohet me një arsyetim të thjesht…, të gjithë nuk ishin ideatorë të Ballit, por militantë. Militues, ndjekës. Që pas kulturës shqiptare. Dikush për hatër të mikut, dikush për hatër të babës, u radhit në një front. U radhit e me zemër të hapur. Për një Shqipëri të lirë. E gjitha siç e kish bërë nëna. Kaq. Kjo ishte logjika e kohës.
Ajo që rri e rri e bëhet mollë sherri mes shqiptarëve. Të cilët ca për shkak të dështimit të tyre. Në ndërtimin e një sistemi. Në idealizmat e tyre butaforike. Larg realitetit plot miza dhe tasa alumini. Flirtonin nën një luftë klasash më mizore se ajo kundër pushtuesit.
Megjithëse duhet thënë, që, një Shqipëri tjetër. Më pragmatiste. Nuk do ta kishte humbur kurrë shancin e njohjes së saj, si nga Italia fashiste. Ashtu edhe nga Hitleri. Por që e humbi. Eshtë fakt historik reforma fashiste për arsimimin e trojeve shqiptare si Kosova, Mali i zi etj. Dërgesa e një numri të madh mësuesish. Mirëpo në këtë hullumuli, e drejta e vetshpalljes fitues, i një lufte të falimentuar në stepat siberiane, në Vollgë etj…, nuk ka domethëniense gjithkush është armik i vendit të tij. Militantët, milituesit, ndjeksit nuk ka pse futen të gjithë në vathën e thertores. Aq më tepër që në ngjarjen e msipërme përflitet që po nën këtë kulturë…, për hatër të mikut, për hatër të babës. Janë seleksionuar robtë kokë për kokë. Deri sa numri mbeti 67. Me në krye një njeri që tha, se, ”derr bëhetm dhe komunist jo”. Dhe sado tradhtar të ketë qënë ky njeri. Ky ballist nopran. Ky myzeqar kokëngjeshur. Koha i dha të drejtë. Shqipëria dështoi me ”çlirimtarët”. Dhe për më keq thelloi luftën e shfarosjes së njeriut prej njeriut. Shoh në shtyp. Në opinionin mbarë shqiptarë…, një valë indinjate. Aq më tepër burra shteti. Nga ana tjetër gra të rrëgjuara nga koha. Nga mosha, pjestarë të administratës së diktaturës. Së shfarosjes së njeriut nga njeriu. Siç ishte dhe rasti i së vesë së Hysni Kapos. Eshtë për të vënë duart në kokë. Se si një Shqipëri demokratike, pos njëzetë e kusur vjeçare. Hapjeje me botën. Që është tashmë në botë dhe që ndihet aty për shkak të lidhjes së drejt për drejtë. Fëmijët e saj, bijtë e saj kanë ngritur jetën etj. Nuk po kupton akoma se sa larg është nga rendi demokratik. Nga të kupturit se termi tradhtarë në një katrahurë kohe, nuk i shërben aspak të ardhmes. Biles në emër të ardhmes shqiptarët do bëjnë mirë të heqin termin tradhtar. Pasi me të mirat dhe të këqijat e tyre, janë të gjithë nga pak tradhtarë. Madje më keq për fituesit… nëse pretendojnë se kanë çliruar vendin. Se kanë ndërtuar atë. Si i bëhet hallit me vrasjet brenda sojit. Si t’ia bëjmë faktit, që, këta 67-të njerëz. Militantë apo ballistë… më përpara se tradhtarë janë shqiptarë. Pra, vëllezër. Dhe sado tradhtar të jetë vellai, vëllezërit… si i bëhet halli me xhelatin e vëllait? Ndaj dekoratat, medaljet dhe të tjera. Nuk janë merita, por antimerita. Faqja e zezë e jona. Ajo që nuk kurrë nuk dimë të pajtohemi. Që kurrë nuk u ndërgjegjësuam se sa të shpifur e kemi të shkuarën. Duhet të ketë qënë viti 1992. (Dhëntë zoti nuk gaboj) Megjithatë mbaj mend si sot. Ka qënë ditë gjysëm gri, shkurti. E ftohtë. Kur në sheshin e qytetit të Lushnjes. Parakaluan 67-të arkivolë. Flitej se në gropën e gjëmës, kishin gjetur kufoma duarlidhur. Flitej për një britmë nate që i prishte gjumin komandant Mehmetit. Plumbi nuk e kishte marrë siç duhej të gjorin. U fol se si një grua, e ”qetësoi” me një plumb koke. Një grua që do të bëhej nënë. E mbaj mend se si në sfond përtej, qëndronin shamikuqtë, fitimtarët e braktisur. Nomeklatura kishte ikur në kurbet. Qe një botë ku unë për herë të parë besova se do niste pajtimi. Se shqiptarët do i qanin mëkatet bashkë. Duke larë shpirtin karshi kohës dhe ardhmërisë së fëmijëve të tyre. Besova pasi një kortezh i madh shpuri arkivolët në varrezat e luftës. Nuk kisha parë deri atë mot jetë një kortezh të tillë. (Pashë ca vite më vonë, prapë shqiptarë, militantë të jetës më të mirë. Kortezhin e Otrantos drejt Vlorës. Kishte dhe disa viktima nga qyteti im.) Megjithatë shqiptarët nuk u pajtuan. Vazhdojnë edhe sot në të tyren. Në fitimtarë, humbës, e tradhtarë. Në ca dekorata pa vlerë përballë pajtimit, faljes. Kërkund nuk sheh pikën e mëshirës. Edhe pse zeniti i jetës po u perëndon. Kërkund nuk shesh ndërgjegjësimin. Dhe u gëzohen ca dekoratave kallpe të një presidence kallpe. Të një sistemi formal i pjellë nga diktatura. Dhe që ne menduam se kapëm demokracinë. Përkundrazi, tradhtarët qeverisin. Militantët vriten, përdhosen. Madje u gëzohen dekoratave kallpe sa herë që vinë në pushtet.
Martirë dhe ”fitimtarë” nuk nxirret dufi me duf.

Please follow and like us: