Italia: Votoni reformën, gjithë bota i ka sytë tek ju
Edhe ministri i Jashtëm i Italisë, Paolo Gentiloni nuk ka mundur të evitojë përfshirjen e tij në debatin për reformën në drejtësi.
I ndodhur në Tiranë me ftesë të homologut Ditmir Bushati, në kuadër të Konferencës së Ambasadorëve që mbahet në vendin tonë, Gentiloni i ka bërë një apel klasës politike shqiptare.
“Kemi kërkuar si Itali të bashkëpunojmë për reformën në drejtësi, që sot është sfida më aktuale e vendit tuaj dhe një sfidë që gjysma e botës e sheh me vëmendje të madhe. E gjithë Europa, sidomos. E dimë që ministrat e Jashtëm nuk duhet të ndalen në çështjet e brendshme të një vendi, ndaj dhe unë do të kufizohem duke thënë një gjë që juve do t’ju duket e qartë, por që e them me gjithë zemër: që për ne italianët, për ne europianët, mundësia që të ketë një reformë sa më të akorduar mes forcave parlamentare është një arritje thelbësore. Një arritje thelbësore për gjithë debatin që kemi bërë sot për perspektivën tuaj europiane. Është një objektiv për të cilin unë u bëj të gjithëve thirrje për përgjegjësi, pasi do të jetë një ndihmë për këdo që si Italia po punon për të përshpejtuar procesin e integrimit europian për Shqipërinë”, deklaroi Gentiloni.
Edhe ministri Bushati, në fjalën e tij, ku foli për paktën e re ligjore për diplomatët, nuk e shmangu reformën në drejtësi, shkruan Top Channel.
“Në këtë kontekst, paketa e re ligjore ka nisur të adresojë pikërisht ato sifda me të cilat përballen punonjësit e shërbimit të jashtëm, për t’i dhënë fund sistemit të piramidës së përmbysur të gradave diplomatike, për të rikthyer në qendër të politikës së burimeve njerëzore profesionalizmin, për të vendosur meritokracinë në themel të shërbimit nëpërmjet një konkursi pranimi dhe testeve të promovimit në gradat e larta, për ta hapur pozicionin e ambasadorit për njerëz të talentuar, duke u ndarë përgjithmonë nga praktika e kuotave partiake”, tha Bushati.
Të dy ministrat u ndalën edhe tek situata e krijuar pas daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian, por për ministrin italian, pavarësisht problemeve të brendshme, kjo gjë duhet të kthehet në një shtysë për vendet aspirante dhe vetë BE-në.
Ndërsa ministri Bushati theksoi se e ardhmja e vendeve të rajonit është në dorën e tyre. “Një instrument i tillë është edhe “Tirana Initiative, që do të shërbejë si platformë për të monitoruar procesin e integrimit europian dhe për ta përshpejtuar atë”, tha Bushati.