Një nënë heroike vdiq sot në Tiranë, dy fëmijë mbetën jetim
Sot nëna e dy fëmijëve nuk arriti dot të kthehej në shtëpi. Shkoi në një botë mbase më të sigurtë se kjo që mbizotëron këtu, nëpër rrugët e këtij vendi që prodhon vëtëm “kronikë të zëzë”.
Nga përplasja fatale që i shkaktoi një automjet i tipit “Benz” në rrugen “Asim Vokshi” pranë “Arkivës së Shtetit” në kryeqytet. Autori si në shumë raste të tjera u largua menjëherë nga vendngjarja. Në kronikat e lajmeve do të thuhet se “policia po punon për identifikimin e tij” ose edhe do të kapet kushedi kur. Kushedi kur edhe do të dënohet, por si në shumë raste mbase fajtore do të nxjerrin edhe gruan.
Kjo nuk është asgje e re por është shumë e dhimbshme. Gruaja rreth 37 vjeçare i ka shtyre fëmijët drejt anës tjetër, kur ka parë se rreziku i një “të paafti” (po e quajmë kështu si fillim), për të drejtuar një automjet po i kanosej. Por kjo nuk është hera e parë dhe as e fundit që këto aksidente po përsëriten në rrugët e Shqipërisë. Ato sa vijnë dhe shtohen.
Automjeti raportohet se i ka kaluar përsipër gruas, ndërsa fëmijët janë ende nën shok. Me siguri do jenë akoma më shumë kur të mësojnë se nëna e tyre nuk jeton më. Një heroinë ose një veprim heroik që do të bënte cilado nënë në këtë tokë.
E kujt është përgjesia, është pyetja që asnjëherë nuk merr përgjigje. A janë drejtuesit e automjeteve të aftë sa duhet për të levizur lirshëm në një qytet. A abuzohet me lejet e drejtimit të automjeteve? Rastet nuk kanë munguar që e deshmojnë këtë gjë.
A janë rrugët plot më pengesa, gropa të hapura, kanale e gjithfarëlloj problemesh? Sigurisht që janë. Sigurisht që mungon sinjalistika. Por këto duken probleme shumë të vogla për shtetarët lokalë apo qëndrorë. Sot për sot janë të zënë me gënjeshtrat e rradhës që ngrenë për “Reformën në Drejtësi”.