Albspirit

Media/News/Publishing

Të pathënat e genocidit grek në Juglindje të Shqipërisë

1 Vila Gani

Nga GANI VILA/

Drejtor i Televizorit të Shqiptarëve të Amerikës-MICHIGAN/

E  kam obligim të  shkruaj rreth krimeve  antinjerëzore të kryera nga ushtria e  rregullt e shtetit grek ndaj popullsisë shqiptare… në vitin 1914 , në zonën ku kanë lindur të parët e mi dhe unë. Jam  pikërisht nga ajo zonë ku  grekët masakruan  375 persona  nga data 2 deri në 10 Korrik të vitit 1914 , në fshatin Panarit të Korçës. Njëzet e pesë  persona i përkisnin të parëve të familjes sime,  të cilët u dogjën  të gjallë nga ushtria greke në shtëpinë e Rrape Vilës,  në lagjen Vilë. Shqetësimi im është:  përse qeveritë shqipëtare mbajnë një  qëndrimin antikombëtar dhe abuziv (deri më sot ) nëkryerjen e Genocidit Grek  në zonën  Vilë e më gjërë ?  Megjithëse ka kaluar më shumë se një shekull, jo vetëm që nuk e kanë denoncuar në organizmat ndërkombëtare genocidin e Shtetit Grek, por dhe  nuk e kanë pasqyruar saktësisht në Historinë e Shqipërisë.Ata  nuk kanë asnjë statistikë  të saktë ose të përafërt të popullsisë së masakruar nga ushtria Greke në fshatrat dhe qytetet ku është kryer ky Genocid. Më e keqja është se  nuk kanë një datë përkujtimore, një vend për të vendosur lule, për të ndezur një qiri e për t’i qarë, mungojnë varret dhe gurët e varreve në tokën tonë plotë gurë e kështu s’ka shenjë respekti për shpirtrat e të parëve tanë të masakruar. Ja këto janë arsyet që unë  po shkruaj dhe do të shkruaj deri sa shteti im i shenjtë të çojë në vend nderin, dinjitetin, dhe të drejtën e paraardhësve tanë të masakruar barbarisht në tokën tonë, në shtëpitë e vatrat tona.

Genocidi që shteti grek ka kryer ndaj popullit tonë në vitet 1913-1914 e në vazhdim, ndonëse është historia më e dhimbshme e popullit tonë ka ngelur jetime nga shteti, por që është ruajtur dhe trashëguar  brez pas brezi nga kujtesa e individëve, familjeve e fiseve dhe e zonave që kanë përjetuar këto krime antinjerëzore të grekëve. Po ashtu duhen vlerësuar dhe respektuar në maksimum shkrimet e autorëve në  gazetat  shqiptare dhe të huaja të asaj kohe, si dhe librat që kanë pasqyruar këtë periudhë si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ashtu edhe në Europe, të cilët kanë dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme duke shkruar  deri në intimitet ngjarjet maka bre të kryera nga shteti grek. Informacione dhe statistika që fatmirësisht janë dëshmi të vetme, por është një fatkeqësi e madhe për kombin shqiptar që nuk janë studiuar, hulumtuar, saktësuar dhe pasqyruar me hapësirën e nevojshme dhe me vërtetësi në Historinë e Popullit Shqiptar dhe në statistikat e Genocidit botëror. Masakrimi i popullsisë civile nga ushtria greke në qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë jug-lindore në vitet 1913-1914 në Përmet, Leskovik, Kolonjë, Korçë, Tepelenë, Memaliaj, Skrapar, Berat, Gjirokastër, Sarande, Delvine etj., pa dallim fetar, myslimanë dhe të krishterë ,të moshuar, burra dhe gra, të rinj, fëmijë e të mitur, është bërë në mënyrën  më makabre, më antinjerëzore që ka parë e dëgjuar historia botërore ndonjëherë. U kanë çarë barkun  me kama dhe thika nënave shtatzëna dhe janë tallur para tyre me fëmijën e gjallë, të pa lindur.  Me sëpata u kanë prerë kokat fëmijëve e të rriturve ,me thika e hanxharë u kanë çarë barkun për së gjalli duke u thënë se me zorrët e tyre do t’i varin, u kanë  prerë për së gjalli gjymtyrët, i kanë djegur e i kanë hedhur në pus të gjallë duke vazhduar edhe me torturime psikike. Ushtarët grekë i lidhnin me zinxhirë e litar burrat dhe në sytë e tyre u çnderonin nënat, nuset dhe vajzat e mitura ku edhe vdisnin. Dogjën me mijëra e mijëra shtëpi, në fshatra e qytete, vodhën barbarisht të gjithë pasurinë që kishte kjo zonë në shtëpitë e tyre, grabitën bagëtitë e shumta dhe prodhimet bujqësore, dëme dhe vjedhje që i kalojnë me qindra miliona dollarë. Të gjitha këto dëbime e masakrime të kryera nëpër fshatrat e qytetet  juglindore të Shqipërisë, bazuar në Rezolutat  e Asamblesë të Përgjithshme të OKB-260A që hyri në fuqi më 12 Janar 1915 , klasifikohen Genocid për pastrim etnik.

Megjithëse popullsia e Shqipërisë Juglindore në ato vite pësoi dëme të pallogaritshme ,rreth 50. 000 njerëz të vrarë e të dëbuar,  dëme materiale si: shtëpi të djegura, pasuri të grabitura që shkojnë  me qindra miliona dollarë, të kryera nga masakrat dhe vjedhjet e ushtrisë Greke, si dhe nga largimet e detyruara të individëve familjeve dhe fshatrave, në vende të tjera të Shqipërisë ,por edhe jashtë vendit, si në Bullgari, Rumani etj. , mbijetoi në këto zona për shumë dekada duke përjetuar në vazhdimësi  dhimbjet e tmerrit e fukarallëkun që këto krime u shkaktuan, por mbi të gjitha ata vuajnë indiferentizmin e pazakontë të shtetit shqiptar. Është e pabesueshme, por ka fshatra të këtyre zonave që edhe në ditët tona, siç është fshati Panarit i Korçës, të lënë plotësisht në harresë, që asnjëherë në jetën e tyre nuk kanë pasur dhe nuk kanë edhe sot e kësaj dite rrugë automobilistike . Ka kaluar një shekull e megjithëse jetojmë në kohën e globalizimit,  ngjarjet kriminale të atyre viteve ende edhe sot populli shqiptar i kësaj zone  i administron dhe i ruan brez pas brezi  në kujtesën e tij ,ndërsa Shteti shqiptar vazhdon të heshtë duke vrarë çdo ditë kujtesën kombëtare. Të gjitha regjimet jetëgjata shqiptare ,mbas kryerjes të krimeve Greke në Shqipërinë Juglindore në vitit 1913-1914 si Zogistët edhe Enveristet dhe çuditërisht edhe mbas viteve 1990, çështjen  për të cilën unë po shkruaj nuk e kanë marrë asnjëherë në konsideratë dhe nuk është pasqyruar plotësisht dhe drejtë në Historinë e Shqipërisë së regjimit komunist, por edhe ribotimi i tekstit të Historisë së Popullit Shqiptar në ditët e demokracisë është  fotokopje e faqeve të pakta të shkruara në tekstin e historisë ekzistuese të ribotuar.

Historianët shqiptarë brez pas brezi, kur shkruajnë apo flasin për situatën e brendshme  të Shqipërisë  në ato vite, vërtiten e përpëliten rreth Princ Vadit, Haxhi Qamilit, Esat Pashës e pinjollëve të tyre. Edhe ata historianë shqiptarë që kanë studiuar e pasqyruar qëndrimin  ndërkombëtar të asaj periudhe, kanë shkruar  mijëra faqe në libra, në broshura dhe në gazeta,  situatën e vështirë që Shqipëria po kalonte në ato vite mes ndarjes  dhe ekzistencës, veçanërisht nga fqinjët tanë, por është i çuditshëm fakti që asnjë historian shqiptar që ka studiuar atë periudhë, situatën e brendshme ashtu dhe atë të jashtme, nuk kanë shkruar  fare për Genocidin e ushtrisë greke që donte të realizonte pastrimin etnik ndaj popullsisë shqiptare duke dëbuar e vrarë barbarisht popullsinë civile të Shqipërisë Juglindore në vitet 1913-1914 e në vazhdim.  I vetmi ka qenë shkrimtari dhe gazetari i talentuar Bledi Fejziu , i cili  me rastin e 100 vjetorit te masakrave greke te kryera  në Panarit të Korçës, me guxim e profesionalizëm ,në respekt të  gjithë shpirtrave të vrarëve, iu kushtoi një emision “Opinion”. Ndaj e meriton një falënderim publik: Faleminderit  z. Fevziu . Në ketë emision ishte i ftuar edhe një nga historianët më të suksesshëm shqiptarë, profesor Pëllumb Xhufi ,i cili gjatë bisedës deklaroi se edhe ai nuk i dinte arsyet përse shteti shqiptar hesht për këto krime dhe bëri autokritikë që edhe ai vetë nuk ka shkruar  për këtë periudhë. Ky deklarim i historianit të shquar shqiptar Xhufi flet shumë.

Ka historianë, profesorë në universitetet shqiptare që mbas viteve 2000 kanë gërmuar në arkivat angleze, franceze etj… Kanë shkruar … më saktë  kopjuar libra për Vorio Epirin , duke  fituar ndonjë kacidhe dhe nuk kanë shkruar   asnjë fjalë për genocidin grek që është kryer në ato vite në Shqipëri. Duke shkruar  për Vorio Epirin me dashje kanë manipuluar genocidin që ushtria greke ka bërë në këto zona , pasi begraundi i këtyre historianeve intelektual ka qene i mjaftueshëm për t’i klasifikuar këto masakra si krime kundër njerëzimit.

Kohët e fundit , janë shkruar artikuj e libra  ku pasqyrojnë historinë e fshatrave të origjinës nga zona juglindore e Shqipërisë , të cilët  janë  për tu falënderuar . Por , duhet theksuar se  klasifikimi i trajtimit të krimeve që ushtria e rregullt greke ka kryer në juglindje të Shqipërisë  në vitet 1913-1914  e në vazhdim , nuk trajtohen drejtë nga autorët e shkrimeve dhe të librave të ditëve tona, si p.sh nuk mund të shkruhet “ Masakra e Panaritit ”. Emertimi në këtë formë shmang paraqitjen e aparencës të subjektit të krimit që janë grekët.  Jo gjithmonë duhet t’i përmbahesh tradicionales… Rregullat e ligjet e shkruajtjes së historisë janë dhe u përkasin historianëve për t’i zbatuar, por çështja për të cilën unë po shkruaj edhe pse është lënë nga historia shqiptare për 100 vjet në harresë, ajo tashmë është  skalitur  në memorien e popullit tonë . Për t’ ua bërë me të  kuptueshme këtë , unë po i referohem fshatit tim Panarit të Korçës , ku për fat të keq , genocidi Grek   , në raport me zonat e e tjera të shqipërisë ka  qenë në një përmasë më të madhe se në  pjesen juglindore të Shqipërisë.

Kur shkruhen artikuj në gazeta apo libra nga historian dhe njërës me potencial intelektual, influencë shoqërore dhe atdhedashës, me tituj “Masakra e Panaritit “ “Masakra e Hormovës” , ”Masakra e Përmetit“ etj., kuptohen si  Masakër mes shqiptarëve dhe pa dashur bie preh e propagandës djallëzore që kane mbjellë grekët në këto njëqind vjet, se shqiptaret janë vrarë midis tyre. Ne nuk duhet të kursejmë fjalët që plotësojnë përmbajtjen, por duhet t’i shkruajmë korrekt ato: Masakra e grekëve në Panarit, ose Masakra që grekët bënë  në Hormove, Masakrat e grekëve në Frashër, Masakrat e grekëve në Kolonjë etj. Nga ana tjetër është e vërtetë se forma e realizimit të krimit kryesisht është bërë nëpërmjet dëbimit dhe masakrimit, por të gjitha këto raste të veçanta në fshatra apo zona të ndryshme, plotësojnë qëllimin  e figurën e krimit që është kryer nga grekët në Shqipërinë Juglindore në vitet 1913-1914 ku siç e përmendem edhe më lart klasifikohet Genocid për pastrim etnik nëpërmjet dëbimit dhe masakrimit të popullsisë civile.  Pasqyrimi i krimeve greke ndaj popullsisë civile të Shqipërisë Juglindore deri në vitet 1920 nga autorë shqiptarë dhe të huaj në të gjitha titujt e artikujve, në gazeta e libra te botuara që bënin fjalë për këto krime ,gjithmonë në  titujt e përmbajtjen e tyre kanë dënuar dhe cituar dukshëm krimet e Greqisë, si p. sh.  libri i Kosta Papës “ Barbaritë Greke në Shqipëri “, artikujt e autoreve të ndryshëm që mund t’i gjeni në internet si ” Masakrat e andartëve grekë në Këlcyrë dhe Hormove “, 100 vjetori i masakrave Greke në Toskëri “ etj.

Në këto kushte qeveria Greke bënte shumë kujdes për krimet që bëri në vitet 1913-1914 e në vazhdim veçanërisht mbas punimeve të  Konferencës të Paqes në Paris kur ëndrra Greke për Vorio Epirin mori fund. Ata për të mos u përballur me ligjet ndërkombëtare filluan të manipulonin krimet e kryera ndaj shqiptarëve dhe të falsifikonin  historinë të cilën e realizuan duke intensifikuar punët agjenturore në mesin e shqiptarëve, veçanërisht me historiane ,me pagesë, me kërcënime etj. dhe formoi rrjetet informative që ekzistojnë edhe sot në arteriet e Shtetit shqiptar e për rrjedhojë shteti shqiptar jo vetëm që nuk është marrë deri tani me dokumentimin e krimeve që grekët kanë kryer në këtë periudhë në Shqipëri, por është dorëzuar para manipulimeve që kanë bërë  historianet shqiptarë të cilët kanë pasur lidhje me autorët e këtyre krimeve dhe shtetin grek, emrat e të cilëve tashmë dihen.

Kjo vërtetohet edhe nga fakti se asnjë institucion shtetëror, asnjë historian shqiptar apo individ deri me sot, nuk ka marrë në analizë të shkruaj, të studiojë e hulumtojë dhe të krijojë dosjen përkatëse për Genocidin grek të kësaj periudhe në Shqipërinë Juglindore që ne po flasim, qoftë edhe për të mbrojtur ndonjë temë apo diplomë. Këta historianë “shqiptar “ filogrek, ja arritën qëllimit. Në kohën e regjimit komunist të flisje për këto krime ishte e ndaluar e pa mundur, një tabu që e krijoi vetë regjimi i Enver Hoxhës. Bile kur binte fjala me pushtetarët e regjimit komunist për krimet e asaj periudhe, popullsisë të kësaj zone ju thoshin si nën vesh të mbyllnin gojën, të harronin këto krime dhe si me urdhër përdornin shprehjen:“ atyre krimeve u është vënë kapak “,të mos ja heqim petën lakrorit “.E pra këtu është filli i lëmshit që ngatërruan spiunët historianë. Vitet kalojnë dhe bëjnë të vetën ,harrohen emrat e shpirtrat e mbi 50.000 shqiptarëve të masakruar nga ushtria greke ,vazhdojnë të vuajnë e të rënkojnë, edhe nga vrasjet seri ale të nipërve  e stërnipërve të tyre që kanë qenë dhe janë në pushtet në Shqipëri. Demokracia menduam se do t’i çonte gjërat në vendin e vetë, por kjo nuk u realizua. Kështu edhe pse kemi një çerek shekulli në demokraci, një ditë “ kapaku “  i regjimit të Enver Hoxhës gjeti  poçen “ këtë herë  “ Poçen Rama “, që po ta hapësh bie erë tradhti.

Ministri i Punëve të  Jashtësme të Republikës të Shqipërisë z. Ditmir Bushati,  gjatë vizitës në Greqi në takimet që pati më datën 21 Mars 2016 me Presidentin e Greqisë Prokopios Pavlopoulos, Kryetarin e Parlamentit Nikos Voutsis dhe Ministrin e Punëve të jashtme Nikos Kotzias, me deklarimin e tij se shqiptarët dhe Grekët duhet t’i zgjidhin problemet dhe mosmarrëveshjet duke filluar që nga Lufta e dytë Botërore dhe ju referua në thelb çështjes Çame. Detyrën bëri që foli për Çamët, por ishte jo korrekt kur Ai si Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës të Shqipërisë që përcaktoi si dysheme kohore të përmirësimit të marrëdhënieve Shqipëri- Greqi vitet e Luftës së dytë Botërore. Kjo ishte një deklaratë e papërgjegjshme, më e rrezikshme se heshtja e ministrave të mëparshëm të shtetit shqiptar, pasi deklarime të pamenduara shtetërore dëmtojnë interesat e popullit tonë. Por çfarë ndodhi,  në kohën kur  të gjithë shqiptarët prisnim reagimin e Qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së papërgjegjshme të  z. Bushati që bëri në Athinë dhe korrigjimin e saj, vetë kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në Kongresin e PDIU-së që u zhvillua më datën 4 Qershor 2016 me fjalimin e tij, i etur për vota elektorale u paraqit si shpëtimtari i Çamëve dhe po në atë Kongres, ne “ shtëpinë “ e Çamëve tradhtoi Çamët dhe gjithë shqiptaret kur përsëriti deklaratën e ministrit të tij Bushati,  se problemet me Grekët duhet të shikohen që nga viti 1945, duke  vulosur tradhtinë dhe turpin e radhës të  qeverisë të Shqipërisë e cila shkel mbi gjakun e të parëve tanë.

Çamët vërtet duhet të kërkojnë përgjegjësinë që Shteti grek duhet të mbajë për Genocidin që ka ushtruar ndaj kësaj popullsie dhe t’ju kthej pronat e tyre që ja u ka grabitur. Ata janë shtetas shqiptarë e veçanërisht kur kemi të bëjmë me krime të rënda si ato të genocidit, shteti shqiptar duhet të përgatitë vetë dosjen dhe të përfaqësojë popullin e tij në organizmat përkatëse ndërkombëtare. Përse ju duhet partia Çameve ? Ata janë njëlloj si panaritasit, si dardharët, si dukagjinasit, si hotianët, si frashëllinjtë, si lebërit, si mitrovicasit, si preshevasit, si malësorët, si presparët etj, pra janë shqiptarë e shteti ka detyrimet e veta kushtetuese për të mbrojtur interesat e popullit të vet. Por kur të zë halli, thotë një fjalë e urtë popullore , hapi derën, pasi Çamëve nuk u ka mjaftuar halli që i ka zënë me grekët, por po paguajnë për 72 vjet me radhë e më shumë haraçin e qeverive shqiptare të cilat këtë popullsi shqiptare gjatë regjimit komunist e shikonin si të dorës së dytë. I burgosen, i internuan, i vranë dhe i mbanin nën kontroll. Mbas viteve 1990, në sistemin demokratik ,Çamët besuan shumë por ranë përsëri në “kurthin “e Partive . Këtë herë në kurthin elektoral të pluralizmit për interesat e votave. I gënjyen Çamet për çka ata kërkonin dhe i futen “aksionarë” në Industrinë e Partive që në këto 26 vjet fatkeqësisht partitë  janë kthyer në Industria më e madhe ekonomike fitimprurëse e pronarëve të tyre në Shqipëri.

Si ranë Çamët në kurthin elektoral të partive, kur ata janë njëlloj si gjithë populli ynë shqiptarë. Kujt i intereson vlerësimi ndryshe i çameve nga popullsia shqiptare, askujt veç grekeve. Boll kanë vuajtur çamet, le të aderojnë në partitë shqiptare të majta,  të djathta e  të qendrës ku ata kanë dëshirë dhe të gjithë si shqiptarët të punojmë të bashkuar për të vënë  në punë shtetin shqiptar, pasi Çështja Çame është çështje mbarë kombëtare shqiptare. Genocidi që shteti Grek ka bërë ndaj popullsisë civile Çame  duhet të ndiqet nga shteti shqiptar e jo nga Partia Çame. Shteti shqiptar duhet të jetë autor i përgatitjes të dosjes dhe avokat i çështjes Çame në Hagë, përndryshe shteti quhet “ Rrumpalle”.

Deklarata e papërgjegjshme që përmenda më sipër, të Qeverise Shqiptare dhe të vetë Kryeministrit Edi Rama krahas ofendimit dhe denigrimit që i bën kësaj popullsie sjell dëme të interesave tona kombëtare të brendshme dhe të jashtme. Këto qëndrime dilitanteske të diplomacisë shqiptare na paraqesin në botë dhe para atyre që na kanë vrarë  pa dinjitet, si një komb pa thelb, që nuk njohim të kaluarën e të pa orientuar për të ardhmen, pa histori, të pa fe, pa strategji të brendshme dhe të jashtme kombëtare

barbarë, të paditur e të pakulture, frikacake, etj. Me deklarimet tuaja keni turpëruar të vdekur e të gjallë në dije, moral, në traditë e në kulture. Respekti dhe nderimi ndaj shqiptarëve të vrarë e dëbuar nga  shteti grek që ka kryer genocid  për pastrim etnik në Shqipërinë Juglindore në vitet 1913-1914 e në vazhdim,  nuk është vetëm detyrim kushtetues që ju keni si kryeministër, por për të vrarët është edhe detyrim moral, tradicional e njerëzor, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për grekët e mbarë njerëzimin.

Keni menduar dhe folur keq, prandaj duhet të reflektoni sa me parë, sepse deklarimet e papërgjegjshme që ju keni bërë, dëmtojnë interesat tona kombëtare dhe nga ana tjetër nuk sjellin klimë të favorshme dhe as  përmirësojnë marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë. Ka kaluar me shume se një shekull Z.Rama kur janë kryer këto krime  nga ushtria greke  e udhëhequr nga homologu juaj i asaj kohe Elefteros Venizellos , i cili kur e pa se po dështonte në  rrugën diplomatike  për marrjen e Vorio  Epirit , vendosi t’i dëboje dhe t’i asgjësoje me çdo kusht shqiptarët e këtyre trevave pa dallim; myslimanë dhe të krishterë që nuk pranonin se ishin grekë.

Venizellos, kryeministri i Greqisë, i etur për të gllabëruar sa më shumë territore për realizimin  e ëndrrës së “ Megali ideas “, në vitet 1913-1914, përdori me efikasitet diplomacinë, kartën e aleancës me grupin e Antantës ,shfrytëzoi  lidhjet  me shtetet e tjera dhe gjendjen kaotike që  solli lufta Ballkanike dhe veçanërisht situatën e pasigurt të asaj kohe në Shqipëri. Venizellos ,disa vite mbasi kishte kryer krimet maka bre në Shqipërinë Juglindore , në Konferencën e Paqes më 24 shkurt të vitit 1919 dosje # 5. . . ndër të tjera lidhur me këto  krime do të shprehej. . . Vrasjet e 15. 000 shqiptareve myslimanë  janë bërë nga elementet violentë të krishterë…. Pra Venizellos pranon botërisht se ushtria e tij ka vrarë në tokat tona 15.000 shqiptarë, civile të pa fajshëm, shifër e cila në realitet është rreth 50. 000 mije.  Nga burime të sigurta është vërtetuar dhe bie poshtë teza se këto krime i kryen të krishterët shqiptarë të ndihmuar nga ish të burgosurit e Kretës. Qeveria e Venizellosit për t’i shpëtuar akuzave që mund të ngriheshin ndaj Greqisë për krime kundër njerëzimit, investoi dhe manipuloi të vërtetën duke ia paraqitur opinionit ndërkombëtar botëror sfidën, se shqiptaret janë vrarë mes tyre dhe nga kriminelë grekë të pa kontrolluar. Kjo legjendë, që edhe sot serviret si arsye për justifikim, fatkeqësisht është “ngrënë” nga të gjithë syleshët tanë pushtetarë. Çka thotë Venizellos asgjë nuk është korrekt sepse është vërtetuar me prova të sigurta, dëshmi dhe me dokumente se ushtria e Greqisë, pas tërheqjes së detyruar nga ndërkombëtaret që Ajo bëri nga tokat shqiptare në vitin 1913,u rikthye përsëri në tokat tona në Janar të vitit 1914, por ketë herë ushtria e rregullt greke ishte e veshur  me uniforma civile dhe e shoqëruar edhe nga priftërinjtë e kishës greke të cilët ishin pjesëmarrës aktivë në këto krime. Krahas armatimit personal ushtarët grekë ishin të pajisur edhe me mjete të dhunshme fizike, si kama, hanxharë, thika etj., për të masakruar e vrarë barbarisht popullsinë civile, për të mbjellë tmerr dhe frikë tek shqiptarët me qëllim që ato familje që kishin ikur nga shtëpitë ku jetonin, të mos ktheheshin më. Njëkohësisht qeveria Venizellos para ndërkombëtarëve do të justifikonte se këto krime janë kryer nga persona civilë dhe jo nga ushtria greke. Kështu grekët e realizuan gjenocidin dhe e manipuluan atë për t’ju  shmangur gjykimit të drejtësisë dhe turpit në arenën botërore. Ky “sukses “ i grekëve fatkeqësisht është ndihmuar edhe nga vetë shteti dhe qeveritë shqiptare të cilët për të qëndruar në pushtet të zhytur e të baltosur në injorance e tradhti, na kane turpëruar si komb për një shekull të terë duke harruar të vrarët dhe u kanë dhëne lavdi krimineleve dhe shtetit grek. Ndër kohë, krimet që ushtria greke i ka kryer në Shqipërinë Juglindore në vitet 1913-1914 nga studio prestigjioze ligjore amerikane, angleze, etj.,  janë klasifikuar” Genocid për pastrim etnik”.

E pra i nderuar z. Kryeministër, Genocidi që ushtria Greke kreu ndaj popullsisë civile të Shqipërisë Juglindore në vitet 1913-1914 është arsyeja dhe koha kur marrëdhëniet e mira të bashkëpunimit fqinjësor që ekzistonin me grekët u gjakosën. Në këto vite janë prishur marrëdhëniet nder vëllazërore midis Shqipërisë dhe Greqisë. Këtu në vitet 1913-1914 është koha për t’i zgjidhur problemet me Greqinë dhe jo nga viti 1945,siç deklaroni ju. Gjithçka që është bërë e folur mbas këtyre viteve edhe deklaratat tuaja kanë  qenë dhe janë  një falsitet marrëdhëniesh gjoja të “ mira “ dy paleshe.

Edhe Genocidi ndaj Çamëve nuk ka filluar ne vitin 1945, edhe Ligji i Luftës nuk është arsye veç për Çamet…Nuk është koha të heshtni z. Rama si qeveritë e mëparshme. Greket kërkojnë Vorio Epirin. Në shkollat dhe në ushtrinë greke në raste festash kombëtare nxënësit e ushtarët këndojnë këngën e Vorio Epirit përpara Parlamentit grek , në plakë guri është gdhendur harta greke që përfshin edhe Vorio Epirin, po ashtu edhe kisha greke me format e saj bekon vazhdimisht çështjen e Vorio Epirint. Ky është shteti grek që punon dhe investon, çdo orë, çdo ditë, çdo javë, muaj dhe vite, me pagesa e pensione, me korruptime, me presione, me shantazhe e agjentura. Ata kërkojnë të ndërtojnë varre në tokën tonë të përgjakur prej tyre, kërkojnë të marrin detin e favore të tjera.  Do të përmend një rast qesharak, por që flet shumë për ne shqiptaret, kur grekët guxojnë të thonë përse Parlamenti i Republikës të Shqipërisë zgjodhi si n/kryetar të Parlamentit Shqiptar, shqiptarin Shpëtim Idrizi. Të gjitha këto e shumë veprimtari të tjera antishqiptare të grekëve kanë vetëm një qellim “ Ëndrrën e Vjetër “. Ata guxojnë t’i bëjnë këto deklarime e veprime hapur, pasi shikojnë se në pushtetarët shqiptarë mungojnë ndjenjat kombëtare. Pushtimi i gjatë i Shqipërisë nga Turqia, sidomos shekulli i fundit si dhe fqinjësia

kane favorizuar Greqinë për të na vjedhur  e përvetësuar historinë tonë të lashtë kombëtare. Mbi gjakun e patriotëve shqiptarë që i dhanë Greqisë pavarsinë, grekët ngritën kombin e tyre. Nipërit dhe stërnipërit e arvanitasve ,dikur krenarë për origjinën e tyre, sot e kanë për turp të thonë se janë shqiptarë.

Edhe pse Ju z. Rama jeni pak me i ri se unë, të dy jemi shkolluar në të njëjtin regjim, edhe pse profesionet i kemi të ndryshme, kemi patur mundësinë për të mësuar të njëjtën histori për popullin shqiptar, ndaj mua nuk më çudit mungesa e njohurive tuaja për Genocidin që grekët kanë kryer në Shqipërinë Juglindore në vitet 1913-1914, pasi ajo nuk është pasqyruar në librat e Historisë së Popullit Shqiptar e këtu nuk është faji juaj kur flasim si Edi, pasi edhe unë po të mos isha nga kjo zonë që po flasim do të isha i paditur si Ju . Por Edi Rama në rolin e Kryeministrit të Shqipërisë e veçanërisht në kohën e favorshme të mandatit tij, kur mediat kanë vite që flasin e shkruajnë për ketë genocid, edhe në se nuk keni këshilltarë të aftë e të zotë, si kryeministër, vetë JU keni patuar mundësi që të merrnit njohuritë e nevojshme për këto krime e të urdhëronit fillimin e procedurave për përgatitjen e dosjes të këtij Genocidi.

Përse z. Kryeministër shteti shqiptar vazhdon të ketë këtë inferioritet ndaj shtetit grek. Keni 26 vjet që të gjitha qeveritë shqiptare i ndjek pararoja e presionit helen se mos emigrantët shqiptarë që jetojnë në Greqi, shteti grek do t’i kthejë në Shqipëri.

Emigrantët shqiptarë në Greqi,ndonse në censurë, kontroll ,trysni fizike dhe mendore të gjithanshme, vazhdojnë të punojnë e të ndërtojnë Greqinë në një kohë kur po humbasin me shpejtësi,pa e kuptuar identitetin,traditat,kulturën,gjuhën e vecanrisht prespektivën e fëmijëve dhe të familjeve të tyre.Ashtu si trajtohen në Greqi emigrantët , po shkojnë  drejt injorim- asimilimit,të cilët edhe mbas 50-100 – 200 -300 vjetëve e më shumë, edhe pse kanë marrë pashaporta Greke nuk do të quhen kurrë grekë,por shqiptarë të  prëbuzur si trashëgimni në breza,siç ka ndodhur edhe me arvanitasit.

Atëherë kurrë nuk është vonë z. Rama ,ndaj ju lutem që me autoritetin e  Kryeministrit të Shqipërisë të vini në shërbim të popullit tuaj, ministritë, institucionet, Akademinë e Shkencave, historianë  profesionistë për hartimin  e dosjes për Genocidin që Grekët kanë bërë në Shqipërinë Juglindore në vitet 1913-1914 e në vazhdim. Duke vepruar kështu z. Rama do të qetësohemi ne të gjallët dhe do të vini në vend dinjitetin e të parëve tanë që shteti grek ja u ka shkelur duke i dëbuar, torturuar, masakruar, vrarë,  djegur të gjallë, përdhunuar e rrëmbyer nënat, motrat e vajzat tona, në shtëpitë tona.. Po ashtu edhe qeveria greke e veçanërisht populli grek, kur të mësojë të vërtetën se të parët e tyre e kanë kryer këtë Genocid, do të kërkojnë falje, për krimet e do të jenë të gatshëm për të paguar dëmshpërblimin e nevojshëm ,në të kundërt Dosja  le t’i kalojë institucioneve të drejtësisë ndërkombëtare.

Nëse ndodh kështu, autoriteti i shtetit shqiptar ngrihet në nivelet e fqinjëve dhe  marrëdhëniet shqiptaro -greke do të rivendosen në baza të shëndosha.

Është e nevojshme dhe keni mundësitë z. Rama të veproni si burrë shteti e nëse kjo nuk ndodh, prapë të lutem , si piktor që jeni ,të bëni një pikturë kushtuar shqiptarëve të vrarë nga Genocidi grek. Po ashtu edhe pse feja është e ndarë nga politika në Shqipëri , ju lutem që të ndikoni edhe tek Anastasi Janullatos të mbajë një meshë për shpirtrat e të vrarëve myslimanë e të krishterë nga ushtria greke dhe veçanërisht për kolegun e tij At. Stath Melanin nga Përmeti që ushtria greke e vrau vetëm pse ishte shqiptar dhe kokën sipas urdhrit të kishës greke e çuan në Athinë.

  1. Kryeministër do të kisha dëshirë që nga mërgimi i largët ku jetoj t’ju falënderoja për punë të mirë që po bëni ndaj popullit tonë, por kjo nuk ndodhi. Në këto rrethana duhet t’ju drejtohem institucioneve më të larta kushtetuese të shtetit shqiptar.

Edhe pse unë e di që Presidenti i Republikës të Shqipërisë aktualisht ka kompetenca të kufizuara kushtetuese, edhe pse e di që Parlamenti i Shqipërisë  fatkeqësisht është i kriminalizuar dhe seancat e kuvendit ka vite që janë kthyer në humor, po i shkruaj këto rreshta për të respektuar shtetin tim, për respekt të atyre shpirtrave që nuk prehen të qetë, por edhe për t’i bërë të ditura këto krime, ketë Genocid që Ushtria Greke ka kryer ndaj të parëve tanë që edhe pse në jemi të pa kënaqur ndaj shtetit dhe qeverisë shqiptare, le të ngelen në  kujtesën e mbarë popullit shqiptar, veçanërisht për gjeneratat që do të vinë dhe  situatat ndërkombëtare që ndryshojnë aq shpejt.

I nderuar zoti President i Republikës së Shqipërisë, i nderuar zoti Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, pavarësisht se problemi për të cilën unë po shkruaj si ngjarje është më i hershëm se ardhja Juaj në pushtet, ndaj nuk ju kërkoj juve ndonjë përgjegjësi për ketë heshtje, por për pozitën tuaj institucionale e  kushtetuese që keni, unë kam të drejtë t’ju pyes: Perse ju heshtni ndaj shkeljeve flagrante të deklaratave të papërgjegjshme partiake të paraqitura në emër të kombit që bëri ministri i Jashtëm i Shqipërisë z. D. Bushati në Athinë dhe kryeministri i Shqipërisë z. E. Rama në Kongresin e PDIUS-së. Jeni edhe ju të pa ditur ose të pa vëmendshëm ??  Keni gabuar që nuk keni reaguar. Kush ia dha të drejtën Qeverisë shqiptare që t’ju falë grekëve krimet e Genocidit që ka bërë ushtria greke ndaj popullsisë së pafajshme civile shqiptare në vitet 1913-1914 dhe në vazhdim në Shqipërinë Juglindore? Ku e gjeti të drejtën qeveria shqiptare që të shkelë mbi gjakun e foshnjave të lindura e të pa lindur, pleqve e plakave, motrave dhe nënave tona shqiptare të  masakruara, të djegur të gjallë, të vrarë në shtëpitë e tyre, në tokën tonë amtare?  Të dhëmb shpirti kur mëson që nuk kanë as varre për t’i qarë dhe për të vendosur një tufë lule.

Para dy vjetësh në Korrik të vitit 2014 në fshatin Panarit të Korçës, Shoqata Atdhetare Kulturore e Trevës së Vakëfeve Korçë, për herë të parë mbas një shekulli mundësoi përkujtimin e 100 vjetorit të Genocidit  të ushtrisë greke e cila në korrik të vitit 1914 masakroi, vrau e dogji të gjallë 374 pleq, plaka, gra, djem vajza e fëmijë, mbi 100 panaritas të tjerë të dëbuar vdiqën nga uria dhe epidemia qe i zuri gjatë rrugës për në ullishtat e Vlorës dhe fshatrat e tjerë ,për rreth dhe mbi 200 familje të krishtere dhe myslimanë e lanë vendlindjen fshatin Panarit duke shkuar në fshatra e qytete të tjera të Shqipërisë, por  një pjese e madhe emigroi edhe jashtë shtetit.

Në ketë përkujtimore morën pjesë deputetë të Kuvendit Popullor të Republikës të Shqipërisë,  Arta Dade e Piro Kapurani, Ministri i Bujqësisë të Republikës të Shqipërisë, djali i këtij fshati, Edmond Panariti, përfaqësues të pushtetit lokal, prefekti i Korçës Ardit Konomi,  Kryetarja  e Qarkut të Korçës  Irena Nikaj, Kryetari Komunës Vithkuq Azis Panariti etj., të cilët janë për t’u përgëzuar pasi ishte hera e parë që të masakruarve të kësaj zone ju “afroheshin” aq shume pushtetarët shqiptarë.Por nga filmimet e plota që dy kameramanët e ALBTVUSA-s, A. B dhe R. H qe i bënë ceremonisë  përkujtimore,  të lartpërmendurit kanë folur privatisht, me dhimbje ashtu si ata e ndjenin dhe me qenë se kam rastin si bir i atij fshati unë i falënderoj. Por ajo që të bën përshtypje dhe tregon dyfytyrësinë e Shtetit Shqiptar është fakti se nuk patëm një përshëndetje, fjalë ngushëllimi zyrtare në emër të shtetit dhe të Qeverisë Shqiptare gjë që e prisnin të gjithë të pranishmit. Nuk foli askush që pasardhësit e ekzekutorëve grekë të kërkojnë falje për ketë Genocid, nuk foli askush për detyrimet që i dalin shtetit shqiptar që të krijojë dosjen e këtij Genocidi dhe të shkruhet  drejt e vërteta në Historinë e Popullit Shqiptar si pjesë e kësaj historie. Ju z. Kryeministër para se të merrnit detyrën jeni shprehur në mediat shqiptare se një nga arsyet që donit të uleshit në karrigen e Kryeministrit ishte që të ngeleshe në historinë e Shqipërisë natyrisht për mirë. Por edhe në qoftë se bën keq me atë detyrë që ju keni do të ngeleni në histori. Po ata të parët tanë njerëz të thjeshtë, bujk e blegtorë, zanatçinj e shtëpiakë, fëmije që kullosnin bagëtinë, që luanin rrugicave të fshatit e që greku i vrau, se kanë pasur fatin ,mundësinë dhe komoditetin tuaj që të uleshin në një kolltuk si ai i juaji, ndaj unë ju pyes: Si mendoni JU z. Kryeministër i Shqipërisë për cilët duhet të shkruhet në Historinë e Popullit Shqiptar më parë për 50.000 të vrarë barbarisht nga Genocidi grek në Shqipërinë Juglindore, apo për Kryeministrin Edi Rama gjallë në kolltuk ?????

Z.Rama është koha ta hapni kapakun e poçes, tija hiqni petën lakrorit grek.

 

Gani  Vila

Drejtor i Televizorit të Shqiptarëve të Amerikës

 

Miçigan  USA 5 Korrik 2016

Please follow and like us: