Vijnë në shqip pesë poetë nga ishujt britanikë
( Përkthyer në shqip nga Iva Cipuri )
- Lord Byron (George Gordon Byron), një nga poetët më të mëdhenj britanikë, lindi më 22 janar 1788 në Londër. Gjatë udhëtimeve të tij të shumta, vizitoi edhe Shqipërinë (1809) dhe për këtë shkroi edhe në poemën e gjatë rrëfimtare, “Childe Harold’s Pilgrimage”, (“Shtegtimi i Çajld Haroldit”). Vdiq më 19 prill 1824, (36 vjeç), në Missolonghi të Greqisë, ku kishte shkuar për të marrë pjesë në Luftën e Pavarësisë së Greqisë nga Turqia. Vargjet e mëposhtme i shkroi kur u largua nga Anglia për të mos u kthyer më kurrë.
- Percy Bysshe Shelley ishte një nga poetët më të mëdhenj Romantikë anglezë dhe shpesh konsiderohet si një nga poetët më të mirë lirikë dhe epikë të gjuhës angleze. Lindi më 4 gusht 1792 në Horsham të Mbretërisë së Bashkuar. Vdiq pa mbushur ende 30 vjeç, më 8 korrik 1822 në Lerici të Italisë. Shelley ishte një nga anëtarët kryesorë të një rrethi të ngushtë poetësh dhe shkrimtarësh vizionarë si: Lord Byron, Leigh Hunt, Thomas Love Peacock dhe gruaja e vetë Shelley-it, Mary Shelley.
- Robert Browning (1812, Londër, Angli – 1889 Venecia, Itali), poet dhe dramaturg anglez, radhitet mes poetëve më të mëdhenj të periudhës Viktoriane. Poezia e mëposhtme, “Takim natën”, është një nga poezitë e tij më të mirënjohura, shkruar gjatë kohës kur u dashurua me poeten e shquar angleze, 6 vjet më e madhe se ai, Elizabeth Barrett Browning, me të cilën u martua në vitin 1846. Martesa dhe historia e tyre e dashurisë është një ndër romancat më të famshme në historinë e letërsisë botërore.
- Thomas Moore (1779, Dublin, Irlandë – 1852, Bromham, Angli) ishte poet, këngëtar, kompozitor i shquar irlandez. Shpesh konsiderohet si Poeti Kombëtar i Irlandës. Shumë kompozitorë të njohur, ndërmjet tyre edhe Robert Schumann dhe Hector Berlioz, kanë shkruar muzikë për poezitë e Thomas Moore.
- John Keats (31 tetor 1795, Londër, Angli – 23 shkurt 1821, Romë, Itali) ishte një nga figurat kryesore të brezit të dytë të poetëve Romantikë anglezë, bashkë me Lord Byron dhe P.B. Shelley. Megjithëse poezitë e tij nuk u pritën mirë nga kritikët sa ishte gjallë, (Keats vdiq kur ishte ende 25 vjeç), reputacioni i tij u rrit pas vdekjes dhe sot poezitë dhe letrat e tij janë nga më të njohurat dhe më të analizuarat në letërsinë angleze.
Lord Byron: Një lamtumirë
Ja një psherëtimë për ata që më duan,
Dhe një buzëqeshje për ata që m’ urrejnë;
E çfarëdo qielli të hapet mbi mua,
Ja një zemër për çdo fat në jetë.
Percy Bysshe Shelley: Hënës
Mos vallë e zbehtë je
Prej lodhjes e mërzitjes
Së ngjitjes lart në qiell
Drejt Tokës vështrimkthyer,
Tek endesh gjithmonë vetëm fill,
Mes yjesh që kanë tjetër zanafillë –
Dhe përherë pamje tjetër merr,
Si një sy i pagëzimtë
Që s’gjen asnjë të jetë i denjë
T’i japë besnikërinë?
Robert Browning: Takim natën
Deti i hirtë dhe toka e ftohtë;
Dhe hëna e verdhë, e brejtur;
Dhe valët e vogla që zgjohen
Në harqe drite e thërrmohen,
Tek çaj me varkë drejt gjirit të fjetur,
Dhe bashi puth rërën e ngrohtë.
Pastaj një milje plazh i freskët;
Tri fusha për tek fshat i fshehur;
Një trokitje mbi xham, fërkim i shpejtë
I fijes hollake të shkrepëses,
Dhe një zë i zjarrtë – i mekur,
Tek zemrat prekin njëra-tjetrën!
Thomas Moore: Jehona
Jehona i bën aq të dlira
Tingujt e muzikës,
Kur, trazuar nga fyelli a lira,
Zgjohet, dhe larg mbi rrëpira
I përgjigjet dritës.
Po Dashuria më t’hyjshme
Jehonat i rrit
Dhe më t’ëmbla nën drit’ yjesh,
Kur me tinguj lirash, fyejsh,
Këngët përsërit.
Kur zemr’ e djalit psherëtin
Me afsh të çiltër
Për miken, e zemr’e saj regëtin
Dhe psherëtimn’ e tij përtërin
Me afsh të rritur.
John Keats: Kënga e luledeles
Dielli me syrin e madh, të verdhë,
Aq shumë sa shoh unë, dot nuk sheh;
Dhe e argjendta, krenarja hënë,
Pas ndonjë reje mund t’ jetë zënë.
Dhe, ah, pranverë – pranverë,
Jetoj si një mbret përherë!
Shtrirë mbi barin e trazuar,
Përgjoj çdo vashëzë syshkruar.
Unë shoh ku askush s’guxon
Dhe vështroj ku askush s’vështron;
E kur nata mbi tokë përkulet,
Qengjat më këndojnë ninullën.