Berisha: Nuk ka reformë me shkelje sovraniteti
Sali Berisha, ish presidenti që në vitin 1997 miratoi ardhjen e një trupe ushtarake të huaj për të vënë rregullin në Shqipëri, tani po i bie me të madhe kartës së sovranitetit. Ai ka hedhur poshtë edhe publikisht propozimin e fundit amerikan për reformën në drejtësi, duke vënë si pengesë kryesore shkeljen e sovranitetit të vendit. Në fjalën e tij sot në kuvend ish lideri i PD-së mbrojti tezën monitorim jo vendimmarrje. Ai tha se procesi i monitorimit të vettingut nga ndërkombëtarët është i një rëndësie jetike por deri në pikën kur nuk dorzohet sovranitet.
Megjithatë tha Berisha, edhe për Vetttingun, shumica do të vijë te propozimi ynë.
Ai kërkoi që të negociohet për propozimin e fundit të opozitës, i cili është i shkëlqyer.
Komenti i plotë i Berishës për monitorimin e ndërkombëtarëve:
Mbikëqyrja e vettingut nga ndërkombëtarët është i një rëndësie jetike, por jo dhënie sovraniteti. Mendoni për një moment nëse shqiptarët thonë se do t’i bëjnë letër Merkel për të qenë Landi i 18 i Gjermanisë. Do thonë jo, rrini aty ku jeni. Apo shteti i 52-të i SHBA. Amerikanët do thonë jo, rrini aty.
E ç’po thoni ju që të vijnë e të emërojnë gjykatësit? A nuk është kryetari juaj që e thotë 50 herë në ditë se vettingun ua besoj amerikanëve? Se vettingun ua besoj ndërkombëtarëve, europianëve. Unë e shpika këtë? Jo! Ne nuk jemi kundër pranisë, përkubndrazi jemi për prani dhe shumë serioze. Urdhëroni të vëzhgoni zbatimin e çdo kriteri në çdo rast, duke pasur çdo dokument në dorë në përputhje me ligjin e dekriminalizimit.
Ti si monitorues ke “arrën dhe çekiçin” në dorë, ti ke në dorë t’i thuash Komisionit Europian se ky vend është vendi më jo serioz, t’i thuash DASH se ky vend s’ka ligje. Këto të gjitha dhe pastaj përballesh me pasojat.
KE s’të hap kapitullin e negociatave. Kjo është ajo që kërkojmë ne dhe kjo është garancia më e madhe sesa ideja që një grup ekspertësh të huaj të emërojnë gjykatësit e prokurorët shqiptarë ose të përcaktojnë se cilët mund të emërohen gjykatës e prokurorë. Emërimin s’e pranojmë ne. Kjo ndodh në vendet protektorate. Nëse Kroacia dhe Rumania nuk e kanë, e kanë dy vende, e ka Bosnja që ka qenë protektorat i OKB, e ka Kosova e ka Sierra Leone. Këta duan të krahasojnë Shqipërinë me Sierra Leonen.