Britani, May zyrtarizon kabinetin e saj qeveritar. Euroskeptikët, në rolet kyçe
Kryeministrja e re britanike, Theresa May ka plotësuar të gjithë kabinetin e saj qeveritar këtë të enjte, vetëm një ditë pas ardhjes në detyrë, duke formuar një qeveri që përfshin shumë prej mbështetësve të paraardhësit të saj, David Cameron, sikurse ka vendosur edhe disa prej figurave kyçe antieuropiane në rolet ndërkombëtare.
Pasi njoftoi 6 emrat e parë të posteve kyçe gjatë së mërkurës, përfshi këtu edhe zgjedhjen surprizë të Boris Johnsonit si Sekretar i Jashtëm, May njoftoi edhe një sërë emërimesh të reja gjatë ditës së sotme. Disa prej anëtarëve të kabinetit të Cameron kanë ruajtur pozicionet e tyre, përfshi Sekretarin e Mbrojtjes Michael Fallon, ndërsa shumica e ministrive duket se janë riorganizuar teksa shihet se Sekretare e Drejtësisë është emëruar Liz Truss dhe Sekretare e Edukimit, Justine Greening. Andrea Leadsom, ish-kandidatja për t’u shpallur kryetare e konservatorëve, e cila u tërhoq nga gara pasi deklaroi se “të qenit nënë i jepte asaj avantazhe më të mëdha sesa May” për kreun e partisë dhe postin e kryeministres, tashmë ka marrë çelësat e Departamentit të Mjedisit. May ka pastruar gjithashtu një sërë rivalësh, duke nxjerrë jashtë kabinetit disa prej besnikëve të Cameronit, përfshi Sekretarin e Kulturës John Whittingdale; Sekretarin e Edukimit Nicky Morgan; e mbi të gjitha Sekretarin e Drejtësisë Michael Gove, një tjetër garues së bashku me të për kreun e Partisë Konservatore. Gove ishte ai që udhëhiqte kampin pro “Brexit”-it në referendumin mbi BE-në, së bashku me ish-kryebashkiakun e Londrës, Boris Johnson, megjithatë u duk se e tradhtoi këtë të fundit kur tentoi të garonte për udhëheqjen e konservatorëve, një post që Johnsoni e kishte synuar prej kohësh. May fitoi betejën për kryesimin e partisë së saj dhe, me të marrë frerët, ka larguar të pabesin Gove, siç e konsiderojnë shumë prej konservatorëve britanikë atë. Nga ana tjetër, Johnsonin ajo e vlerësoi duke i dhënë postin e Sekretarit të Jashtëm. Kjo lëvizje ishte surprizuese. Ish-kryebashkiaku i Londrës është i famshëm ndërkombëtarisht, por në fakt për sjelljet e çuditshme dhe gafat e tmerrshme diplomatike, më shumë sesa për sjellje si një burrë shteti. Të qenit kryediplomat i Britanisë ka habitur jo pak vetë. Në prill, Johnsoni sugjeroi se Presidenti amerikan, Barack Obama kishte një “antipati stërgjyshore” ndaj Britanisë, pasi ai ishte pjesërisht kenian. Megjithatë, Johnson është shprehur “tepër i kënaqur” që është pjesë e qeverisë së re. I pyetur se kujt do t’i kërkonte falje së pari, ai tha se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë në radhën e parë të listës”. Ja lista e plotë e qeverisë së re britanike të kryesuar nga Theresa May:
1. Kryeministre – Theresa May
2. Kancelar i Thesarit – Philip Hammond
3. Sekretar i Jashtëm – Boris Johnson
4. Sekretar i Shtetit për Daljen nga Bashkimi Europian – David Davis
5. Sekretar i Brendshëm – Amber Rudd
6. Sekretar i Drejtësisë dhe Kancelarja e Lordëve – Liz Truss
7. Sekretar i Mbrojtjes – Michael Fallon
8. Sekretar për Tregtinë Ndërkombëtare – Liam Fox
9. Sekretar i Edukimit – Justine Greening
10. Sekretar i Shëndetësisë – Jeremy Hunt
11. Sekretar i Transportit – Chris Grayling
12. Sekretar i Punës dhe Pensioneve – Damian Green
13. Sekretar i Biznesit, Energjisë dhe Strategjisë Industriale – Greg Clark
14. Sekretar i Mjedisit, Ushqimit dhe Çështjve Rurale – Andrea Leadsom
15. Sekretar i Komuniteteve dhe Qeverisjes Lokale – Sajid Javid
16. Sekretar i Zhvillimeve Ndërkombëtare – Priti Patel
17. Sekretar i Kulturës, Medias dhe Sportit – Karen Bradley
18. Sekretar për Irlandën e Veriut – James Brokenshire
Kreu i grupit parlamentar – Gavin Williamson
Kryetar i Partisë Konservatore – Patrick McLoughlin
Udhëheqës i Dhomës së Lordëve – Natalie Evans