Dokumenti i CIA/ Informatat e Mbretit Zog për ngritjen e bazave sovjetike ajrore e detare në Shqipëri dhe 2 kushte amerikanëve për bashkëpunim në rrëzimin e Enver Hoxhës
Gjatë periudhës së qëndrimit në Aleksandri, Mbreti Zog ndërmori një udhëtim në SHBA ku u prit dhe pati disa takime në Departamentin e Shtetit me disa zyrtarë që mbulonin problemet e Ballkanit Jugor. Autoritetet amerikane i ofruan Zogut ndihmë që së bashku të kordinonin planet për zbarkimin e disa besnikëve të tij në Shqipëri, të cilët do të shikonin dhe përgatisnin situatën për rrëzimin e qeverisë komuniste të Enver Hoxhës. Mbreti Zog ishte dakord, madje ofroi ndihmën e tij. Ndonëse amerikanët e mbajtën fjalën dhe me anë të CIA-s dërguan disa grupe desantësh në Shqipëri, ku ndër të fundit u dërgua ai i ish-adjutantit të Zogut, Zenel Shehut dhe Hamit Matjanit, nuk u bë e mundur që Zogu të rikthehej në Shqipëri. Korriku i vitit 1954 shënoi dhe fundin e shpresës së Mbretit Zog për tu rikthyer në Shqipëri, pasi në atë kohë në Tiranë dolën para gjyqit dhe u ekzekutuan njerëzit më besnikë të Zogut që ai i kishte nisur me misione për rrëzimin e qeverisë komuniste. Por cilat ishin bisedimet e Zogut me përfaqësuesit e CIA? Në një dokument të arkivave të CIA, tashmë i deklasifikuar, zbardhet biseda e Mbretit Zog me Drejtorin e OPC (Office of Policy Coordination), Frank G. Wisner, kërkuar nga ky i fundit më 23 gusht të vitit 1951.
Raport i bisedës me mbretin Zog
Shkova për të takuar mbretin Zog të Shqipërisë në suitën e tij në hotelin Mayfair më 15 gusht 1951, sipas dakordësisë me telefon dhe i shpjegova se i përcillja komplimentet tuaja dhe se dëshiroja të bisedonim mbi çështje që ai mund të ishte i interesuar. Meqenëse e njihja Zogun më parë prej bisedave në Egjipt, gjatë të cilave kishin diskutuar për çështje shqiptare me interes të përbashkët, ai më priti me shumë mirësjellje dhe sinqeritet. Biseda jonë zgjati rreth një orë e gjysëm dhe përfshiu një numër të madh detajesh. Mesazhi që më kërkoi të përçoj te ju ishte si më poshtë: Ka katër pika me rëndësi për SHBA, në lidhje me Shqipërinë: Një Shqipëri pro-sovjetike përfaqëson një kërcënim të madh në formën e një ushtrie prej 100 000 vetësh në kufirin jugosllav; Sovjetikët po zgjerojnë dhe përmirësojnë shtatë fusha ajrore në Shqipëri si dhe po ndërtojnë dy fusha të reja. Këto kuptohet që nuk po bëhen kundër Jugosllavisë pasi sovjetikët i kanë mjetet e nevojshme për operacione ajrore kundër jugosllavëve nga Bullgaria, Rumania e Hungaria. Prandaj rrjedhoja logjike e zhvillimeve është se po krijohen kundër bazave amerikane në Afrikën e Veriut; Gjiri i Vlorës ka struktura për një bazë detare që mund të përdoret kundër trafikut detar të Mesdheut dhe Adriatikut; Ishulli i Sazanit ka struktura për një bazë nëndetësesh, me të cilën sovjetikët mund të paralizojnë trafikun detar në Mesdhe. Pikat e mësipërme ilustrojnë rëndësinë e Shqipërisë dhe kërcënimin që ajo paraqet nën kontrollin sovjetik, për botën perëndimore. Mbreti kishte pasiguri mbi qëllimet e vërteta të Jugosllavisë pasi ata nuk kishin kërkuar marrëveshje mbrojtjeje me Greqinë, Turqinë apo SHBA, në rast sulmesh nga vendet e Cominform prej të cilave ajo rrethohet, prandaj ai mendonte se Jugosllavia duhet të vihej më qartësisht në frontin perëndimor për të reduktuar kërcënimin sovjetik në Mesdhe dhe Lindjen e Mesme. Mbreti mendonte se ishin tre mënyrat e veprimit në lidhje me Shqipërinë: Pushtimi i Shqipërisë nga SHBA, gjë që ai e konsideronte jo-praktike e jo-realiste, mendim që mund të mos e marrim parasysh; Një pushtim i Shqipërisë nga një forcë e armatosur shqiptare, e mbledhur dhe e drejtuar prej mbretit me rreth 8000 deri në 10 000 njerëz që ai mund të organizojë nga grupet e ndryshme të shqiptarëve nëpër botë. Kjo mundësi nuk është shumë e dëshirueshme pasi mund të konsiderohet nga sovjetikët si një formë agresioni nga vendet ku janë mbledhur elementët e agresionit, apo ku janë pajisur e stërvitur; Regjimi aktual komunist në Shqipëri mund të përmbyset me anë të kryengritjes së organizuar brenda vendit nën lidershipin e Zogut. Në këtë rast lëvizja do të dukej si një kryengritje spontane shqiptare e cila nuk mund të interpretohet kollaj nga sovjetikët si një akt agresioni i huaj, prandaj është më e dëshirueshme dhe praktike për zgjedhjen e problemit shqiptar; Mbreti është i gatshëm të bëjë çfarëdo që dëshiron SHBA në lidhje me situatën. Mbreti më kërkoi me ngulm t’ju siguroja se nuk kërkon mbështetje për rivendosjen e tij në fron, por e shqyrton problemin vetëm nga pikëpamja patriotike për vendin e tij. Ai kërkon të vihet në krye të çdo lëvizjeje rezistence në Shqipëri dhe si provë për mungesën e interesave personale ai pranon të ftojë OKB për mbikëqyrjen e sistemit të pas-revolucionit, sipas dëshirës së vetë popullit shqiptar. Ai sinjalizoi se Shtetet e Bashkuara ishte mirë të bënin dy gjëra në të ardhmen, të cilat forcojnë pozitën anti-komuniste dhe e bëjnë të vështirë për regjimin aktual të hiqet si mbrojtësi i vetëm i integritetit territorial të vendit. Ai mendonte se SHBA duhet të deklarojë publikisht se kërkon një Shqipëri të pavarur dhe me integritet territorial, dhe se SHBA duhet të nxisë Greqinë, Jugosllavinë e Italinë të deklarojnë edhe ato të mos pretendojnë me forcë territore apo influencë në Shqipëri. Nëse kanë pretendime të tilla ato duhet të zotohen që të kërkojnë zgjidhjet me anë të mekanizmave të njohur të Kombeve të Bashkuara. Duke u larguar, Mbreti shprehu kënaqësinë për takimin dhe përsëriti se është i gatshëm ta vërë veten në dispozicionin tonë.
6 shtator 1951
Diskutim mbi Shqipërinë, Departamenti i Shtetit, CIA/OPC
Më datën 8 gusht është mbajtur një takim në zyrën e zotit Reinhardt me qëllim rishikimin e politikave tona në lidhje me Shqipërinë. Si rezultat i kësaj, u vendos të hiqej masa e ndalimit të Departamentit të Shtetit për lëshimin e broshurave të propagandës në Shqipëri dhe kryerjen e lëshimit të broshurave nga ajri në një të ardhme të afërt. Teksti i lëshuar do të jetë një formë reagimi ndaj tekstit të lëshuar nga jugosllavët mbi Shqipëri (në emër të Lidhjes së Prizrenit) i cili sulmonte Komitetin Kombëtar për Shqipërinë e Lirë. Teksti do të hedhë dyshime mbi vlefshmërinë e Lidhjes së Prizrenit si një lëvizje demokratike dhe e pavarur, dhe do të ngrejë lart Komitetin Kombëtar të Shqipërisë së Lirë, si një lëvizje e bazuar në parimet e demokracisë, me mbështetjen e të gjitha kombeve liridashëse. U ra dakord se nëse Lidhja e Prizrenit sulmon Komitetin me mënyra më të ashpra në të ardhmen, edhe Komiteti do të kundërpërgjigjet në të njëjtën mënyrë. U pranua gjithashtu se tekste të mëtejshme për t’u lëshuar do të aprovoheshin nga Departamenti i Shtetit. Kjo nuk përfshinte lëshimet e vogla të teksteve që përdoren për të mbuluar operacione të veçanta. U përcaktua gjithashtu se dega e OPC duhet të zgjerojë operacionet e saj duke shtuar të infiltruarit dhe mbështetjen e tyre me deri 50 njerëz, deri në fund të vitit 1951, dhe më pas forca e agjentëve në vend të mbahej në këtë nivel. Agjentët do të përdoren për krijimin e grupeve të rezistencës, e pikave të sigurta si dhe detyra të tjera operacionale për të cilat do të marrin udhëzimet e nevojshme. Më tej u diskutua programi i luftës psikologjike, dhe u pranua nga të gjithë se kur ky aktivitet të përforcohej me bllokime të transmetimeve, do të kthehej në një program të plotë. Zoti .. propozoi se një seri veprimesh të vazhdueshme duhet të zhvilloheshin në mënyrë që programi të mos humbiste efektivitetin e tij, në formën e lëshimeve nga ajri të qeseve të miellit apo furnizime të tjera. U pranua nga të gjithë se ky propozim kishte merita dhe duhej të ndiqej. U ra dakord nga të pranishmit se ishte e dëshirueshme për OPC që të krijohej një kuadër prej rreth 500 trupash shqiptare të stërvitura që do të shërbenin si thelbi i rezistencës së dominuar nga SHBA, të aktivizuar në rast situatash të mundshme krize, si më poshtë: Në rast se bëhej politikë e Shteteve të Bashkuara nxitje dhe përmbysja e regjimit komunist me anë të një revolucioni; Në rast se dëshirohej të ruhej influenca e SHBA në Shqipëri, për kushtet që mund të formoheshin në rast të një agresioni nga Jugosllavia për përmbysjen e pushtetit. Një revolucion i tillë do të sillte padyshim edhe ndërhyrjen greke në jug të vendit, prandaj një situatë e tillë e rrezikshme do të sillte nevojën e një force amerikane që do të justifikonte dhe lejonte ushtrimin e influencës në situatën e komplikuar që mund të shpalosej; Në rastin e një pushtimi jugosllav e grek të Shqipërisë, prezenca e një force “parandaluese” e sponsorizuar nga SHBA do të shërbente për kontrollin e situatës; Përmendi se numri i madh i problemeve me të cilat po përballet aktualisht regjimi komunist shqiptar, e bëjnë të dëshirueshme rritjen e numrit të njerëzve të gatshëm për operacione të OPC. Zyrtari përmendi se masa e kompanisë së gardës shqiptare mund të rritej në 500 me shpejtësi, pa shtuar rreziqe sigurie, dhe OPC do të merrte hapa për arritjen e kësaj; Zoti Reinhardt sugjeroi që OPC të përgatisë një dosje me të gjithë aktivitetin e njohur të Jugosllavisë kundër Shqipërisë dhe kundër NCFA (Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë). Një tjetër mbledhje do të mbahej menjëherë si pikënisje e diskutimeve me jugosllavët, nëse sigurohemi se ata janë vërtet duke zgjeruar aktivitetet e tyre për marrjen e kontrollit në Shqipëri, në mënyrë të hapur ose të fshehtë.
Jacob T. Beam në lidhje me Shqipërinë dhe çështje të lidhura
Frank G. Wesner raportonte në maj të 1952: Në lidhje me dokumentet e strategjisë së Luftës së Ftohtë dhe për qëllime të përgjithshme operacionale, po ju kaloj disa deklarata dhe observime të bëra nga zoti Beam, i cili zyrtari i dytë i ambasadës tonë në Beograd. Ai sapo është kthyer nga Beogradi pas një mandati një-vjeçar. Beam është një observues i mprehtë politik dhe pikëpamjet e tij duhet të jenë me interes për ne. Në lidhje me Shqipërinë, zoti Beam mendon se jugosllavët i qëndrojnë politikave të tyre të një viti më p[arë. Politika e tyre është të vazhdojnë të ruajnë gjerat të ziejnë ngadalë në Shqipëri, por nuk pranojnë të bëjnë diçka që do të trazonte regjimin aktualisht, prej frikës së ndonjë reprezaljeje nga sovjetikët. Ata vazhdojnë të mendojnë se nëse Jugosllavia sulmohet nga Lindja, ata menjëherë do të pushtojnë të gjithë Shqipërinë, dhe me sa dihet, ata nuk pranojnë që në këtë pushtim të lejojnë pjesëmarrje nga Greqia apo vende të tjera. Jugosllavët besohet të kenë disa agjentë që hyjnë e dalin nga Shqipëria, të cilët janë mjaft të informuar mbi gjendjen aktuale në vend. Javët e fundit jugosllavët janë ngrohur shumë me grekët dhe janë afruar me ta. Ka pasur disa biseda sekrete bilaterale, dhe me shumë gjasa subjekti i Shqipërisë është diskutuar. Do të ishte me rëndësi për ne të mësonim çfarë është diskutuar tjetër mes tyre dhe nëse është arritur ndonjë marrëveshje. Kjo është detyrë për shërbimet e inteligjencës dhe ato të diplomacisë. Zoti Beam është i bindur se shumë pak mund të bëhet në lidhje me Shqipërinë pa u rënë dakord më parë me Greqinë e Jugosllavinë dhe pa asistencën e tyre. Kjo është një temë pune për diplomacinë amerikane e britanike. Zoti Beam është gjithashtu i mendimit se as Greqia e as Jugosllavia nuk pranojnë përfshirjen e Italisë në ndonjë marrëveshje apo veprim që mund të merret në Shqipëri. Nëse atyre u propozohet kjo, ata do të rezistojnë dhe si rezultat do të kemi vonesa të shumta e ndoshta një prishje të planeve për veprim. Jugosllavët kanë raportuar se kohët e fundit një numër i madh zyrtarësh të administratës dhe të policisë janë importuar nga sovietikët në Shqipëri nga Bullgaria për të ndihmuar në forcimin e administratës qeveritare dhe kundër-spiunazhit, ashtu si dhe të policisë sekrete.
Integriteti territorial i Shqipërisë, 15 prill 1953
Ndoshta faktori më i fortë psikologjik që i bën shqiptarët besnikë ndaj regjimit të Hoxhës është bindja se vetëm regjimi aktual komunist mund të ruajë integritetin territorial të vendit. Qeveria e Tiranës i ka shfrytëzuar me dinakëri inkursionet e mëparshme nga Jugosllavia, Italia e Greqia, për të fituar besnikërinë nga populli i saj hezitues, kryesisht ne forcat e armatosura dhe në polici. Për të bindur njerëzit se vetëm regjimi aktual me ndihmën e BRSS, do të ruajë një qasje pa kompromis për pavarësinë e Shqipërisë, regjimi i përdor në favor të tij pretendimet e Greqisë për Epirin e Veriut, vullnetin e Italisë për marrjen e dominimit politik në Shqipëri dhe qëllimet e supozuara të Jugosllavëve për kthim të vendit në republikën e shtatë të federatës. Në tentativat tona për të kundërvepruar ndaj kësaj linje politike, kemi gjetur terren në deklaratat publike të liderëve të njohur jugosllavë e grekë. Marabal Papagos arriti aq sa mund të shkonte një politikan praktik grek, në një deklaratë të 17 dhjetorit 1952 në parlament, ku tha: “Për hir të paqes dhe zhvillimit të popujve të Ballkanit, kjo qeveri dëshiron të shohë fqinjët tanë veriorë (përveç Turqisë dhe Jugosllavisë të cilat u përmendën më parë) të lirë dhe miqësorë ndaj Greqisë. Në lidhje me Shqipërinë, qeveria dëshiron të theksojë se sipas politikave të pranuara në Konferencën e Paqes më 1946, ne heqim dorë nga çdo politikë dhune, dhe kemi si qëllim të përdorim vetëm mjete ligjore ndërkombëtare për zgjidhjen e problemit të Epirit të Veriut …” Ndërsa Marshalli Tito ishte më i qartë në një intervistë të 10 nëntorit me Sulsberger:
Sulsberger: Do të desha të dija në lidhje me të ardhmen e largët, nëse Jugosllavia kërkon të zgjerojë federatën e saj, duke përfshirë edhe Bullgarinë dhe Shqipërinë.
Marshall Tito: Jugosllavia nuk ndërmend të përfshijë askënd, pasi kjo është kundër parimeve të saj. Nëse në të ardhmen populli i Bullgarisë dëshiron të bashkohet në federatën jugosllave, është e kuptueshme që ne do të pranojmë. Ne nuk do të kryejmë asnjëherë në të ardhmen veprime që shkaktojnë trazira apo psikoza lufte. Bashkëpunimi miqësor me këto vende është i rëndësishëm për ne. Jemi kundër krijimit të kushteve e kombinimeve që shkaktojnë përkeqësime të marrëdhënieve. Me qëllim që ju të mos më keqkuptoni, unë po them se këto që po flas janë në lidhje me të ardhmen e largët, në një kohë kur kushtet të jenë të tilla që çdo vend të ketë të drejtën që të vendosë vetë për fatin e tij, të vendosë nëse dëshiron të bashkohet me kombe të tjera apo të qëndrojë vetëm.
Sulsberger: Ju e dini se Greqia gjithmonë pretendon nga Shqipëria atë pjesën e quajtur Epiri i Veriut. Gjatë negociatave të Jugosllavisë me Greqinë, a keni marrë një pozitë mbi çështjen?
Tito: Kjo është tamam çështja për të cilën po ju flisja deri tani, ku po theksoja se ne nuk do pranonim përfshirjen e Shqipërisë apo Bullgarisë, për sa kohë ekzistojnë elemente keqkuptimi që mund të përkeqësojnë marrëdhëniet mes shteteve dhe të provokojnë luftën.
Sulsberger: A do të thotë kjo se Jugosllavia nuk një qëndrim zyrtar në lidhje me kërkesat greke?
Tito: po, nuk kemi asnjë qëndrim për këtë. Besimi ynë është se Shqipëria duhet të jetë e pavarur, dhe se Shqipëria aq sa është e aftë të jetojë si e pavarur. Por sot ajo nuk është e pavarur.
Ndërsa Vladimir Dodijer citohet si më poshtë nga revista Christian Science Monitor në 7 prill 1953: Odijer, një zëdhënës i njohur i qeverisë jugosllave, mohoi sugjerimet se Jugosllavia ka plane për Shqipërinë. “Jugosllavia kërkon një Shqipëri të lirë e të pavarur dhe dëshiron që populli shqiptar të jetë zot i fatit të tij duke vendosur vetë regjimin me të cilin do të qeveriset”. Deklaratat e mësipërme të liderëve jugosllavë dhe kryeministrit grek janë domethënëse deri në një farë mase, ndërsa nga pikëpamja e propagandës dhe luftës psikologjike janë shumë më mirë se asgjë fare. Ato po bëjnë diçka për t’iu kundërvënë linjës së qeverisë shqiptare, që thotë se fqinjët e vendit mezi presin rastin për të ndarë vendin mes tyre. Me rëndësi të madhe është, sipas nesh, nevoja për një deklaratë të qartë edhe nga italianët. Teksa është e mundur të thuhet se jugosllavët e grekët janë të gatshëm të respektojnë integritetin e Shqipërisë, për publikun shqiptar mbetet frika e pretendimeve italiane për dominim, për arsye të mungesës së një deklarate publike nga Roma. Ne sugjerojmë se Departamenti i Shtetit duhet ta ngrejë çështjen me Italinë, duke u sugjeruar që kryeministri de Gaspari, duke folur më mënyrë rastësore për deklaratat e liderëve grekë e jugosllave, të pranojë edhe ai vullnetin e qeverisë së tij për një Shqipëri të lirë e të pavarur në kufijtë aktualë territorialë, ku asnjë shtet tjetër të ushtronte influencë dominuese. Një deklaratë e tillë jo vetëm që do të vlente në kundërveprim të linjës politike të qeverisë shqiptare dhe propagandës së saj komuniste, por do të ndihmonte dhe ministrinë e jashtme të Italisë për t’u paraqitur si një forcë stabilizimi në Ballkan për problemin shqiptar. Një raport i Agjencisë (CIA) sinjalizonte se regjimi komunist në Shqipëri mund të shembet në çdo moment deh se Italia trembet nga një ndarje e mundshme apo zvogëlim territorial i vendit. Pozita e ministrisë së jashtme britanike është ajo e ruajtjes së integritetit të Shqipërisë jo vetëm për arsye historike por edhe për efektin që do të kishte në vende të tjera, dezertimi i një vendi satelit sovjetik. Kjo politikë përshtatet gjithashtu me politikën e Shteteve të Bashkuara, sipas citimeve të deklaratës së departamentit të Shtetit më 18 mars 1953: … Mendësia se SHBA favorizon apo pranon një Shqipëri demokratike të orientuar drejt Italisë, është e gabuar. Nuk ka asnjë orientim në politikën aktuale të departamentit të Shtetit, të njëanshme ndaj ndonjërit prej fqinjëve të Shqipërisë. SHBA kërkon që Shqipëria e re dhe e pavarur të jetë në kufijtë aktualë dhe asnjë prej vendeve fqinje të mos ketë influencë dominuese. Deklarata e mësipërme ne na duket e hartuar mirë dhe do të vlente shumë më tepër nëse bëhej publike, prandaj mendojmë se duhet të bëhet nga sekretari i shtetit në një konferencë shtypi, sipas një pyetjeje të rekomanduar. Nuk jemi ende gati të sugjerojmë që departamenti të përfshihet në deklarata për kufijtë e Shqipërisë, veçanërisht prej rezolutës së Senatit të vitit 1946, e cila fatkeqësisht nuk është harruar as në Greqi e as në Shqipëri. Prandaj do të ishte më mirë një citim publik i Sekretarit në lidhje me politikat aktuale të Departamentit. Në përfundim, ne i rekomandojmë departamentit dy hapat e mëposhtëm: Të marrë në konsideratë bërjen publike të qëllimeve të SHBA nga sekretari i shtetit, në lidhje me pavarësinë territoriale dhe integritetin e Shqipërisë; Të nxiten italianët për një deklaratë paralele, që të ketë lidhje me kryeministrin de Gaspari. Do të preferoheshin këshillat tuaja të shpejta në lidhje me çështjen dhe veprimin që mund të kryejë departamenti i Shtetit.