Albspirit

Media/News/Publishing

Emil Asdurian: Shqipëria mbi çdo gjë, një manifest jo vetëm për diasporën

 

U bënë shumë kohë në mërgim dhe këtu ku jetoj kam parë se kombësi të ndryshme kanë disa ligje të pashkruara, por që në farë mënyre kanë dhënë rezultatet e veta në përmirësimin e jetës si të diasporave, pa i lënë ato të treten në vorbullën shumëkombëshe, si dhe për përmirësimin e jetës në vendin mëmë. Ky që po shkruaj nuk ka për qëllim të jetë një pamflet nacionalist, por një ndarje mendimesh dhe përvoje, që besoj se na duhet në kushtet e sotme, duke pasur në mendje dhe zemër “Shqipëria mbi çdo gjë” po radhis pikat e më poshtme:

– Gjithmonë për një vend pune të zgjidhet shqiptari, e po ashtu nëse mundet te pushteti i fundit. (Pavarësisht nga rrethanat, të gjykohet edhe nga ky këndvështrim, diasporë e fortë do e duhet të thotë atdhe më i fortë);

– Në një mënyrë apo një tjetër pushimet apo aktivitete të ndryshme të bëhen parësisht në Shqipëri. Të paktën çdo individ të qëndrojë në truallin mëmë më shumë se dy herë gjatë jetës së tij. Detyrë e prindërve: Të krijohet një program që do quhet “E drejta e të lindurit shqiptar” që do dërgojë në atdhe për 10 ditë gjithë fëmijët e lindur në diasporë;

– Të stimulohet dhënie e parave për bamirësi në Shqipëri. Të bëhet kjo si një detyrim moral për të gjithë diasporën, sidomos për edukimin, mbajtjen e gjuhës, institucioneve kërkimore historike etj;

– Të krijohen fonde të veçanta nga diaspora dhe nga ente të ndryshme që do të përdoren për të ndihmuar në pika të ndryshme të ekonomisë, shëndetësisë, kujdesit për fëmijët, për të moshuarit etj;

– Të ndalohen me kanun gjithë vrasjet në atdhe e jashtë mes shqiptarëve;

– Të stimulohet bërja e fëmijëve si në atdhe e në diasporë, domosdoshmërisht më shumë se 3, dy për vetë një për Shqipërinë; Shërbim i detyrueshëm ushtarak 2 vjeçar për të gjithë ata që plotësojnë moshën, djem e vajza, të konsiderohet jo vetëm nder por edhe akt i kërkuar nga ligji për nënshtetësinë;

– Te krijohen rrjete sociale të bazuara në kombësinë shqiptare, për të gjitha grup moshat kudo në diasporë që dhe do ndihmojnë nga ana ekonomike të ardhurit e rinj, (që besoj që është bërë).

– Të stimulohet mbajtja e simboleve kombëtare, si plisi, sidomos në evenimente sociale a publike.

– Të krijohen qendra kulturale dhe librari, së bashku ose edhe të mbështetura nga bashkësitë fetare me aktivitet të vazhdueshëm, gjuhësor dhe kulturor aq sa dhe human, sidomos për mësimin e gjuhës shqipe.

Këtë e kërkon koha, e kërkon vendvendosja dhe e kërkon edhe e ardhmja e kombit.

Please follow and like us: