Albspirit

Media/News/Publishing

Ida Nurçe: Kostumi mashtrues!

 

 

 

Isha ulur në një nga kafenetë e Tiranës. Më kishte vajtur mendja për një gotë dhallë. Kisha gjithë ditën që rrija e piqesha nën rrezet e diellit, duke pritur të mbaroja një punë. Por më në fund, gjeta një lokal dhe u ula. Pyeta nëse kishte dhallë, por kamarieri më pa me habi, sikur donte të me thoshte “je gjë injorante?!”. Dhe unë, që po mundohesha të mbuloja injorancën time me një buzeqëshje, duke shtuar “po bëja shaka”. Ok i thashë më sill një B52, se kam nevojë për energji.

Po përpiqesha të largoja nga mendja dhallën e freskët, të cilin isha përgatitur mendërisht që do e pija në të qindtat e sekondës dhe po përpëlitesha duke e shtyrë me zor atë B52. Si fiksim që e kam, po shihja ambientin rreth e rrotull, nga forca e zakonit. Shumë tavolina të mbushura me vajza të bukura, të veshura mirë, me iPhona 6, 6+, Galaxy, celsa makinash nëpër tavolina. Kthehem nga vetja, ul sytë dhe filloj të lundroj në internetin e iPhon 4-ës tim të lodhur. Po më dukej vetja me të vërtetë injorante, shumë e varfër, shumë e dalë jashtë mode dhe aspak pjeshkë.

Nejse, po vazhdoja të lexoja kuriozitetë qe nxjerrin portalet herë pas here. Kur në një moment dëgjoj ca si “shi shi shi, ufff sa i mirëë, po dal gjasme po iki në dyqan e po ia pres rrugën!”. Kthehem nga to dhe të gjitha po shihnin nga dalja e lokalit. U bëra kureshtare dhe u ktheva edhe unë. Po kalonte një djalë simpatik. Kish veshur një kostum blu, i shtrenjtë në dukje. Këmisha e bardhë i shkëlqente nga larg. Flokët e rregulluar bukur të jepnin përshtypjen sikur ishte aktor filmash. Sa kishte dalë nga shtëpia, që mesa dukej e kishte aty afër dhe gocat aty po e ndiqnin të gjitha me sy. Ai u drejtua drejt makinës së tij. Një makinë e vogël, modeste, që nuk besoj se harxhonte shumë. Ishte gri dhe vetëm me një derë, nuk e di ca tipi ishte, sepse nuk i njoh, por kam përshtypjen që nuk ishte ndonjë makinë e mirë, sepse sapo ai hapi derën e makinës të gjitha shfrynë duke thënë “pffff ca makine koti paska, katunari”. Të gjitha ato, që deri në atë moment gati sa nuk i shqyen sytë duke i numëruar edhe hapat e qimet e kokës. Të gjitha menduan se ai mund të ishte ndonjë zyrtar, por ai thjesht mund të ishte duke shkuar në dasmën e ndonjërit nga fisi. U kënaqa duke survejuar këtë situatë kaq qesharake, qesha me vete. Pagova 1500 lekëshin e B52 dhe u largova duke i thënë faleminderit kamarierit, i cili më pa me inat, sepse nuk e vuri re 500 lekëshin që i kisha vënë në tavolinë. Sa pak vlerë paska patur ai kostum dreqi!…

Please follow and like us: