Albspirit

Media/News/Publishing

LSI, si PD: Reforma po përdoret si alibi për zgjedhje të parakohshme

Lëvizja Socialiste për Integrim ka sqaruar pozicionin e saj për reformën në drejtësi, pasi Partia Demokratike bëri një tjetër propozim pas draftit të ndihmës sekretares Victoria Nuland. Kryeministri Edi Rama dhe ambasadorët Lu e Vlahutin shprehën keqardhje për propozimin e PD, të cilin e quajtën si refuzim ndaj variantit të Nuland.

Por LSI, përmes nënkryetarit Petrit Vasili, të ngarkuar nga kryetari Ilir Meta për të shprehur qëndrimin e LSI për reformën, bëri të ditur se do të votojë vetëm një reformë parimore, konsensuale, sipas Venecias. Vasili bëri të qartë se nuk do të pranojë votimin e reformës me “deputetë të akaparuar”, duke lënë të kuptohet se tentativa nga ana e mazhorancës, ekzistojnë.

Por ai shkoi më tej, duke thënë se reforma po përdoret si alibi për të provokuar zgjedhje të parakohëshme, duke shprehur kështu një shqetësim të njëjtë me atë të bërë publik tashmë nga kreu i PD, Lulzim Basha. Kryeministri Rama pak ditë më parë, i pyetur nëse zgjedhjet ishin plani C, u shpreh se ardhja e zonjës Nuland në Shqipëri ishte plani B dhe pas tij mund të kalohej të plani C. LSI ka këtë përgjigje edhe për këtë plan:

“Lëvizja Socialiste për Integrim ka vetëm një plan, që nga fillimi i Reformës: Planin A, me konsensus dhe sipas Komisionit të Venecias. Një reformë parimore, konsensuale dhe sipas Venecias mund të realizohet vetëm si e tillë dhe përtej çdo shantazhi dhe përtej çdo tentative për të akaparkuar deputetë, pasi nuk mund të përdoret si alibi për zgjedhjet e ardhshme. Dhe ky është qëndrimi i LSI nga dita e parë. Çdo zgjidhje që përmbush çdo opinion të Venecias, ka mbështetjen tonë”.
Po ashtu si PD, LSI shprehur kundërshtinë e saj edhe në lidhje me rolin e ekspertëve ndërkombëtarë në reformë dhe shqëtësimin për cënimin e sovranitetit, duke theksuar se Shqipëria është një republikë parlamentare. Vasili tha se nuk mund të bëhen eksperimente në emër të ekspertëve dhe solli si shembull të dështimit të mitit të ekspertëve, kompaninë Crown Agents, që kryeministri Rama kontraktoi për të përmirësuar performancën në dogana, por që në fund të kontratës, rezultatet treguan se ajo dështoi.

“Një reformë e tillë konsensuale përjashton çdo lloj forme tjetër, çka është pohuar dhe pranuar nga reporterët ndërkombëtarë që ndjekin Shqipërinë, pasi nuk do të ishte reforma që do të donin shqiptarët, pasi ne bëjmë një reformë solide, që nuk është thjesht prodhim ekspertësh. Shqipëria është një Republikë Parlamentare, nuk është një republikë ekspertësh dhe në emër të ekspertëve nuk mund të bëhen eksperimente. Pasi ne kemi eksperimente të mitizimit të rolit të ekspertëve. Kohë më parë ne kemi miratuar një ligj të veçantë, Crown Agents, ku rezultoi se rezultatet qenë tepër të hidhura. Dhe ky rast flet qartë pse jo edhe për reformën në drejtësi”.

I pyetur nëse do ta votojë LSI reformën nëse PD nuk do ta votojë atë, Vasili la të kuptohet qartë se vota e LSI do të jetë kundër.

“Shinat nga e cila duhet të ecë një reformë që i duhet Shqipërisë 30 vitet në vijim, është një reformë që ecën përmes konsensusit dhe që respekton pikë për pikë opinionin e Venecias”.

Në media po përfliten këto ditë variante të ndryshme për provokimin e zgjedhjeve të parakohshme. Njëri nga variantet është mocioni i besimit që mund të kërkojë kryeministri Rama me qëllim që të provokojë rënien e qeverisë së tij dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme po me qeverinë e drejtuar prej tij. Varianti i dytë është ai mocionit të mosbesimit, të cilin mund ta kërkojnë PD- LSI për ta rrëzuar qeverinë Rama, por për të shkuar në zgjedhje me një qeveri me bazë të gjerë.

Please follow and like us: