Rama në takim me ambasadorët: Nëse nuk miratohet reforma në drejtësi, kosto të pallogaritshme për vendin
Gjatë një takimi me ambasadorët e Shqipërisë kryeminsitri Rama ka folur sërish për rëndësinë e miratimit të reformës në drejtësi dhe angazhimin e madh të faktorit ndërkombëtar. Duke mos fshehur faktin se pas një jave në Kuvend kjo reformë edhe mund të dështojë, Rama tha se ai është i vendosur për të bërë çdo përpjekje deri në minutën e fundit.
“Dua të nënvizoj përpara jush që jemi shumë të vendosur të bëjmë çdo përpjekje deri në minutën e fundit në përputhje me qëllimin dhe qëndrimin e partnerëve tanë strategjikë. Kjo është një reforme me një përmasë të trefishtë. Së pari me një përmasë të jashtëzakonshme me vetë shoqërisë dhe vendin tonë në vetëvete. Së dyti me një përmasë të jashtëzakonshme sa i përket pozicioni dhe këndvështrimit prej të cilit ne do të përcaktohemi nga partnerët tanë strategjikë në varësi të rezultatit të kësaj reforme. Por edhe me një përmasë të tretë në raport me vetë rajonin. Nga kontakte të vazhdueshme në nivele më të larta është i qartë për ne perceptimi i partnerëve tanë strategjikë se implikime pozitive apo negative të kësaj reforme nuk prekin vetëm Shqipërinë, por prekin edhe interesa me rëndësi të posaçme të komunitetit ndërkombëtar më rajon”, tha Rama.
Më tej ai u shpreh se nëse nuk miratohet reforma e nesërmja e vendit mund të vijë me një kosto të pallogaritshme.