Reforma në parlament/ Shpërthen dhe publikisht sherri PS- LSI
Sherri PS- LSI ka plasur edhe publikisht. Ndërsa gjeneralët Rama dhe Meta, megjithëse nuk komunikojnë prej kohësh me njëri tjetrin, nuk kanë folur ende për reformën në drejtësi, ajdutantët e tyre tashmë i kanë prehur thikat.
I pari sot doli Petrit Vasili i cili tha se partia e tij nuk do të votonte një reformë jo konsensuale dhe me vota të vjedhura (lexo lajme Lapsi.al). Por gjithashtu ai theksoi se kjo reformë e rëndësishme nuk mund ti lihej në dorë ekspertëve të huaj që nuk kanë asnjë përgjegjësi.
“Në fund të fundit, ne bëjmë një reformë që është solide, që nuk është prodhim i thjeshtë ekspertësh, pasi ne e kemi vlerësuar dhe e kemi respektuar punën e ekspertëve, por Shqipëria është një republikë parlamentare, nuk është një republikë ekspertësh dhe në Kushtetutën e vendit në emër të ekspertëve nuk mund të bëhen eksperimente” tha këtë të enjte Vasili.
Por menjëherë kundër tij ka rreaguar Fatmir Xhafa i cili shprehu jo vetëm gjithë tensionin mes dy partive por edhe mërzitjen e socialistëve tani që Meta po flirton hapur me Berishën për reformën.
Duke iu adresuar në formë Berishës Xhafa të gjithë nëntekstin e kishte të hapur kundër Petrit Vasilit
“E dëgjova (Berishen) që foli për grupin e ekspertëve, kam dëgjuar edhe të tjerë që thonë që kjo është republikë parlamentare s’është republikë ekspertësh. Është e vërtetë që është republikë parlametnare por mjerë ai parlament që e ndërton Kushtetutën, ligjin, mbi banalitetet, batutat, mbi paligjshmërinë e politikanëve. Republika parlamentare të forta janë ato që këshillohen nga ekspertët, vlerësojnë para së gjithash ekspertët, dhe burrat e shtetit ndahen nga cfarë janë të aftë të kenë në krahë dhe nga cilët këshillohen. Sa i takon ekspertëve, jam i nderuar që kam punuar me ta”, tha Xhafa,
Tani më nuk ka asnjë dilemë: PS dhe LSI janë edhe publikisht kundër njëra tjetrës dhe këtë nuk e fshehin as në parlament.