Sonila Meço: Çfarë kupton shqiptari me propozim ‘hibrid’?
Çfarë kupton shqiptari me propozim ‘hibrid’, vetting e numra nenesh të cituara sot në parlament?
Çfarë kupton shqiptari me metaforat e gjetjet stilistike të deputetëve për të shënjestruar djallëzinë e kundërshtarit që nuk do reformën në drejtësi?
Çfarë kupton shqiptari nga Komisioni i Venecias, paketa Nuland, zhgënjimi Lu-së, precedenti rumun e ai kroat?
Çfarë kupton shqiptari që endet me vite dyerve të gjykatave, ha burg për të njëjtën vepër për të cilën një shqiptar tjetër gëzon lirinë, qan të afërmin që shuhet nga një padrejtësi drejtësie?
Çfarë kupton babai yt, nëna ime, që lusin Zotin çdo ditë mos na bëhen havale me sëmundje që rrënojnë financiarisht fëmijë, nipër e mbesa?
A ka mundësi t’i lënë këto manifestet me tegela morali dhe të shpjegojnë shkoqur e troç çfarë e mban peng një reformë që rregullon sistemin?
Se nuk di nëse ka njeri të besojë se reforma do na bëjë më të mirë e të drejtë vetvetiu në ndërgjegje.
Madje ka mundësi të bëjë pis edhe të kulluarit ndërkombëtarë nëse sistemi ngrihet mes pluhurit të moskuptimit.
Ndaj, a ka mundësi të kuptojmë?