Albspirit

Media/News/Publishing

Kosova solidarizohet me Francën


Institucionet politike e fetare në Kosovë dënuan ashpër sulmin e së enjtes në Nicë të Francës.

Në një deklaratë të kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiut Naim Tërnava thuhet se “sulmi i mbrëmshëm në Nice është akt barbar, që në shënjestër ka atakimin e parimeve të lirisë dhe vlerave qytetëruese e humane si objektiva tona të përbashkëta. Në këto momente të rënda solidarizohemi e mbështesim shtetin dhe popullin mik francez, duke ndier e ndarë dhimbjen me ta; ngushëllojmë familjarët e viktimave dhe lutemi për shërimin e të lënduarave.

Sulmi i mbrëmshëm është kushtrimi më i mirë që bota e lirë duhet të jetë e bashkuar dhe unike kundër ekstremizmit e terrorizmit. Përballë terrorit e terroristëve bota nuk duhet të bëjë sehir, por duhet ndërmarrë masa që akte e skena të tilla të llahtarshme ku pësojnë qytetarët e pafajshëm mos të përsëritën kurrë më“, thuhet ne deklaratën e myftiut Tërnava.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa u shpreh i tronditur “me aktin barbar i cili la të vdekur dhjetëra njerëz të pafajshëm në qytetin e Nicës. Në këto çaste të rënda për shtetin dhe popullin francez, Kosova bashkëndjen dhe shprehë solidaritetin e plotë me popullin mik francez”.

Ai ritheksoi siç tha përkushtimin e Kosovës për të qenë pjesë e koalicionit global kundër terrorizmit.

Aktet e tilla terroriste nuk do të arrijnë të na ndalin në luftën tonë kundër të keqes globale“, thuhet mes tjerash në reagimin e kryeministrit Mustafa.

Ndërsa kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli tha se sulmi “ishte goditje e rëndë ndaj popullit të Republikës së Francës dhe vlerave tona të përbashkëta. Në këto momente të vështira, jemi pranë institucioneve franceze dhe ngushëllojmë familjet që humbën më të dashurit e tyre në këtë sulm të pashembullt nga egërsia, që po terrorizojnë dhe sjellin frikë tek të gjithë qytetarët, ndërsa të lënduarve u dëshirojmë shërim. Sulmi i mbrëmshëm na bën që të jemi më unik dhe më të vendosur kundër terrorizmit në nivel global”, thuhet në reagimin e zotit Veseli.

Të tronditur janë shprehur edhe udhëheqësit e partive politike të cilët theksojnë pos tjerash se terrorizmi megjithatë nuk do të arrijë t’i rrënojë vlerat e qytetërimit evropian.

Please follow and like us: