Mazhoranca në krizë për Reformën në Drejtësi; takohen Rama, Meta, Ruçi e Vasili
Reforma në Drejtësi e ka futur mazhorancën në krizë. LSI ka deklaruar hapur votën kundër draftit nëse ajo nuk merr konsensusin e PD. Në këto kushte, reforma jo vetëm nuk do të miratohej, por dështimi i saj do të çonte në çarjen përfundimtare të koalicionit qeverisës PS – LSI. I gjendur përballë presionit të LSI, kryeministri Rama u detyrua t’i bëjë një tjetër “ofertë” PD -së, duke lënë të hapur çdo variant, por me kushtin që të merrte bekimin e SHBA e BE. Kjo ofertë shihet edhe si një lëvizje taktike e Ramës ndaj Metës, për t’i përcjellë atij mesazhin se rolin e ekspertëve ndërkombëtarë në “Vetting” ia kërkojnë SHBA e BE dhe jo se kjo është këmbëngulje e tij. Një ditë më parë LSI deklaroi se ekspertët nuk mund ta bënin Vettingu-n sipas variantit të propozuar nga Rama, për shkak se cënohej sovraniteti. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe PD. Pas këtyre zhvillimeve, Rama ka kërkuar një takim me kreun e LSI, Metën. Të pranishëm në takimin që po mbahet në vilën 31 janë edhe krerët e dy grupeve parlamentare, Ruçi e Vasili.