Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Dr. Andrea GUDHA: Muzikoterapia, si pjesë e mjekësisë alternative

Muzika

Muzika është arti i të shprehurit të ndjenjave dhe të emocioneve (shpirtit) të njeriut me anë të tingujve.

Elementet bazë të Muzikës janë:

Harmonia është një grup tingujsh muzikorë ose bashkëtingëllim zërash, që na pëlqejnë kur i dëgjojmë dhe Ritmi: tregon një lëvizje të njëtrajtshme dhe të rregullt.

Ritmin njeriu e konstaton në vetë trupin e tij: zemra e njeriut rreh me një ritëm të caktuar, që mund të shprehet muzikalisht me kohën muzikore ¾.

Kinezët përdornin 100 lloje të Muzikoterapisë. Sipas tyre, një tingull muzikor ndikon në një organ të caktuar në trupin e Njeriut. P.sh. Nota “Do” ndikon tek Zemra, Nota “Re” tek Mëlçia, Nota “Mi” tek Shpretka, Nota “La” tek Veshka, Nota “Sol” tek Mushkëria.

Në Evropën mesjetare, veçanërisht në periudhën e muzikës gregoriane, për të transmetuar dhe standardizuar muzikën kishtare në mënyrë të saktë, u shkruan notat muzikore moderne (Guido d’Arezzo, shek. i XI-të). Ottaviano Petrucci (shek. XV-të) ideoi një sistem shtypshkrimi të përshtatur për muzikën në pentagram, partitura, me të cilin filloi të botonte muzikë.

Shënim. Pas shekullit të XV-të, terminologjia e përdorur në muzikë dhe në mjekësi është latinishtja, duke patur shumë fjalë të përbashkëta!

Bota shpirtërore e njeriut u shpalos në pentagram në këngën kishtare si: “Aleluja” dhe me vonë “Ave Maria”.

Në Rilindje, muzika Barok u konsolidua si muzikë instrumentale, në orkestër moderne.

Muzikoterapia është një shkencë, që ndërthuret me shkencën e mjekësisë, si pjesë plotësuese dhe ndihmuese e saj, sot e njohur si mjekësia alternative dhe e çertifikuar nga OBSH.

Ajo është një disiplinë shkencore e ndërvepruese midis shkencës së mjekësisë, psikologjisë klinike e muzikore, muzikologjisë, pedagogjisë, sociologjisë, filozofisë, etnologjisë, antropologjisë, akustikës muzikore, teorisë së muzikës dhe estetikës.

Është provuar shkencërisht tradita shumëshekullore e popujve për efektet kuruese të tingujve muzikorë. Tingujt muzikorë kanë aftësi të ndihmojnë në parandalimin e në përmirësimin e ecurisë së sëmundjes, si dhe të krijojnë një gjendje më relaksuese të pacientëve. Tingujt muzikorë (muzika) shpesh herë përdoren si shoqërues gjatë terapive të ndryshme kurative…

Shëndeti,sipas OBSH: “Shëndeti nuk është thjesht mungesë e sëmundjes, por është gjendja e mirëqënies së përgjithshme trupore, mendore dhe psiko-sociale e njeriut”.

Shënim. Sot është në diskutim dhe gjendja shpirtërore dhe emocionale e njeriut. Sipas këtij koncepti, “Trupi”, “Mendja” dhe “Shpirti” duhet të funksionojnë në harmoni të plotë, si “një e tërë”, si një orkestër.

Ashtu si dhe shëndeti, edhe koncepti i mirëqenies është në dinamikë dhe i lejon individit variabilitet. Mirëqenia mund të mendohet si balancim dinamik midis aspekteve fizike, psikologjike, sociale dhe shpirtërore të jetës së njeriut. Brenda kontekstit të kujdesit shëndetësor Holizmi ka qenë një nga temat më kryesore të njerëzimit.

Shënim. Holizëm vjen nga fjala greke “holos”, që do të thotë i plotë, i tërë. Ai është i bazuar në besimin se njerëzit nuk mund të kuptohen plotësisht në qoftë se ekzaminohen si pjesë të veçuara nga mjedisi i tij. Holizmi i shikon njerëzit si një sistem energjie në ndryshim të vazhdueshëm. Holizmi njeh dhe respekton ndërveprimin e mendjes, trupit dhe shpirtit të njeriut brenda Mjedisit.

Terapia muzikore në ndihmë të mjekësisë (Shek.XX)

Shëndeti i njeriut në konceptin metafizik është ekulibri midis energjisë pozitive dhe asaj negative.

Futja e Terapisë Muzikore, si mjekim në sektorin e shëndetësisë filloi pas Luftës së Parë Botërore. Muzikantët ofruan Muzikën në spitalepër të lehtësuar dhimbjet e plagëve fizike të mbetura nga lufta.

Terapia Muzikore moderne filloi pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe ishte rezultat i përdorimit të Muzikës në trajtimin e Neurozave të luftës tek ushtarët (Bomba atomike).

Në vitin 1944 për herë të parë u themelua klasa e Muzikoterapisë në Universitetin e Miçiganit, SHBA. Shkencëtarët filluan të studionin efektin pozitiv të muzikës mbi trupin e njeriut.

Pas viteve 1950, u ngritën institute shkencore si në Francë, Gjermani, Austri etj., për efektet e Muzikoterapisë. I njohur është Instituti “Karajan” në Salzburg, i themeluar nga dirigjenti legjendar i orkestrës virtueze së koncerteve të Vjenë, Herbert von Karajan.

Pas viteve 1960, djaloshi Elvys Presli në Amerikë dhe grupi i djemve ‘Bitëllsat’ në Angli, me muzikën e tyre me rrymën muzikore Roch-Bluz shkaktuan lëvizje të fuqishme sociale mbarëbotërore, veçanërisht tek rinia, pa dallim race e kombësie. U vërejt, se muzika ka efekt të fuqishëm tek mendja e Njeriut!

Në vitin 1974, në Spitalin ‘Salpetriere’, në Paris mbahet Kongresi i Parë Botëror i Terapisë Muzikore. U konstatua se, Muzika ndikon, jo vetëm tek Shpirti, por dhe në organet e trupit dhe në mendjen e Njeriut.

Muzika ndihmon në funksionimin normal të zemrës, të frymëmarrjes, të qarkullimit të gjakut dhe në shëndetin mendor. Diametri i enëve të gjakut zgjerohet 26% me dëgjimin e muzikës të pëlqyeshme. Diametri i enëve të gjakut me të qeshurën zgjerohet 19%.

Kujdes! Dëgjimi i një muzike jo të pëlqyeshme ngushton enët e gjakut në 6%.

“Ora biologjike” e trupit. Më 10 Tetor 2017, tre shkencëtarëve amerikanë: Jeffrey C. Hall, Michael Rosbashe Michael dhe W. Young iu dha Çmimi Nobel në Mjekësi për studimin e tyre shkencor, mbi 30 vjeçar “Ora biologjike” e trupit… Laureatët e këtij çmimi zbuluan një gjen që kontrollon ritmin normal biologjik ditor. Ata treguan se ky gjen është një proteinë që grumbullohet në qelizë gjatë natës dhe pastaj degradohet gjatë ditës. Më pas ata identifikuan, që kjo qelizë ka në brendësinë e saj një përbërës shtesë që vetrregullon mekanizmin e “orës biologjike” gjatë 24 orëshit.

“Ora biologjike” e trupit me “tik-takun” e saj, 24 orësh, ndikon në ritmin ditor të njeriut si: në gjumin, në zgjimin, në TA, në sjelljen, në ushqyerjen, në metabolizmin, në hormonet, etj. Çakordimi i “Orës biologjike” sjell sëmundje në organizmin e Njeriut. Shpesh vdekjet e pa pritura ndodhin në gjumë, në orët e para të mëngjesit. ‘Infarct Miocardi’ ndodh tek njerëzit me shpesh në orët e para të mengjesit, sepse “ora biologjike” në orët e para të mëngjesit është duke u “karrikuar” për t’i dhënë trupit të njeriut energji pozitive për fillimin e ritmit të ditës.

Kush mund të jetë një akordues universal i “Orës biologjike” të trupit të Njeriut? Mendoj, se, si akordues universal i “orës biologjike” të trupit të njeriut gjatë 24 orëshit është Muzika, e cila konvertohet në energji.

Këshillë: Në mbrëmje, para gjumit, të dëgjohet muzikë klasike dhe në orët e para të mëngjesit të dëgjohet muzikë ritmike (Roch Pop etj). Muzika ritmike në mëngjes është “fiskultura” e trurit të njeriut!

Në shek. XXI, muzikoterapia, bazuar në studime të mirëfillta shkencore në Neuroshkencë, fal dhe progresit të imazherisë, gjen një shtrirje mjaft të madhe dhe një aplikim me sukses në fushën e mjekësisë. Në shumë shtete të zhvilluara, si në Francë, në Danimarkë, në Gjermani, në Sllovaki, në SHBA etj., ajo përdoret me shumë sukses që kur fëmija është në barkun (mitrën) e nënës.

Bashkia dhe institucionet shëndetësore në Paris, duke i dhënë rëndësi kujdesit shëndetësor (parësor e dytësor), vlerësojnë kujdesin holistik ndaj pacientit nëpërmjet muzikoterapisë. Brenda projekteve organizojnë trajnime profesionale, duke angazhuar për këtë qëllim profesionistët e kujdesit shëndetësor e muzikantët e rinj.

Në trojet e Ballkanit muzikoterapia për herë të parë në mënyrë institucionale ka filluar të zbatohet në vitin 1993, në Qendrën Klinike Psikiatrike në Beograd (ish Jugosllavia), si një sektor i veçantë eksperimental në kuadrin e saj.

Shënim. Profesioni Terapeut muzikor është profesion i bazuar dhe i çertifikuar mbi formimin arsimor shëndetësor, psikologjik e muzikor! Në Francë, pas viteve 2010, ky profesion është futur ne curriculat e Shkencave humane dhe sociale, si specialitet postuniversitar MASTER Création artistique-Spécialité: Musicothérapie si në (l’Université Paris Descartes, la Sorbonne Nouvelle, l’Université Paris Diderot, l’Université Paris 13), et en dehors (Départements d’art dans différentes universités dont Paris-Sorbonne musicologie, ENSAD).

Me mijëra terapeutë muzikorë ushtrojnë sot aktivitetin e tyre në spitale, klinika, qendra shëndetësore, në shkolla, burgje, qendra riaftësimi etj.

Informacion plus

Andrea & Sara GUDHA: Muzikoterapia 2010

YouTube

Andrea GUDHA: Muzikoterapia

Andrea GUDHA: La Musicotherapie,

Andrea GUDHA: O macok, çamarrok