Revolta: “Mjaft me fotografi!” Një JO e madhe për regjisorët e vdekjes
Apeli erdhi menjëherë: sinjal i frikshëm i trajnimit, që u është imponuar reflekseve tona, për shkak të numrit të madh të sulmeve që kemi parë. “Mos postoni fotografi të viktimave”, në Tuiter, dhe në rrjete të tjera sociale, ku filluan të vërshojnë foto dhe video, pas sulmit në Nisë. “Mos i shpërndani. Jeni përgjegjës”.
E ka shkruajtur Prokuroria e Nisës, e kanë kërkuar autoritetet qeveritare franceze; por edhe qytetarë të zakonshëm, përdorues që kërkonin lajme, dhe gjenin tmerrin. Ndaluni, kërkonin ata. Kini forcën që prapa atyre pixel-ave të fotografive, të imagjinoni dhimbjen. Sepse është e vërtetë: ka tragjedi që nuk do të kishin ekzistuar, nëse nuk do të ishin filmuar.
Vdekja e Philando Castile nga një polic, në 6 korrik në Minesota, nuk do të kish hyrë në debatin publik ashtu si hyri, nëse e fejuara nuk do e kish filmuar dhe postuar, direkt në Facebook. Por ka drama që janë të ndryshme. Drama ku kaskada e fotografive dhe filmimeve është e parashikuar dhe e dëshiruar prej regjisorëve të terrorit. “Nëse shihni pamje me përmbajtje tronditëse, mos i shpërndani”, ka shkruajtur qeveria franceze. Drama ku respekti për viktimat, për familjet e tyre, të dashurit e tyre imponon frenim të instiktit, një gjë e ndërmjetme mes gazetarisë së përhapur dhe narcizizmit 2.0, për të ndarë atë që, përpara se të jetë lajm, është një jetë, një jetë e ndërprerë.
Rrjetet sociale dje kanë vënë në punë algoritmet e tyre, duke eleminuar foto mizore nga miliona faqe. E bënë me vonesë: në krahasim me lumin e pamjeve të hedhura në internet, nga ata që ktheheshin në shtëpi pas fishekzjarreve, dhe krejt papritur e gjenin veten si kameramanë amatorë të terrorit. Por me vonesë, edhe kundrejt një ndërgjegje të re kolektive: reagimi ndaj pornografisë së vdekjes, që është kulti i vërtetë i kujtdo që ka organizuar sulmet terroriste të Nisës.