Rusi: Anulohet kontrata e kompanisë që ndërtonte stadiumin
Qyteti rus i Shën Petersburgut e ka anuluar kontratën për ndërtimin e një stadiumi me 68 mijë ulëse ku ishte paraparë që të mbahen disa ndeshje të Kampionatit Botëror të Futbollit në vitin 2018.
Qyteti e ka bërë të ditur lajmin më 15 korrik duke thënë se 39 milionë dollarë që janë ndarë për stadiumin nuk dihet ku janë. Autoritetet e qytetit kanë kërkuar nga prokurorët që të hetojnë kompaninë ndërtuese “Inzhtransstroi-SPB” e cila e mbikqyrte projektin.
Stadiumi që do e ketë emrin e ekipit vendor të futbollit, Zenit po ndërtohet që dhjetë vjet, ndërsa kostoja totale deri më tash ka shkuar në 620 milionë dollarë. Kryeministri rus, Dmitry Medvedev, së fundi e ka quajtur projektin “të turpshëm”.
Në një komunikatë të publikuar dje, kompania e obliguar të mbikqyrë projektin ka thënë se dëshiron që ta përfundojë stadiumin deri në fund të vitit, “por, administrata e qytetit është duke bërë çdo gjë të mundshme që ta vonojë përfundimin e projektit në kohë”.
Vadim Tyulpanov, udhëheqës i komisionit parlamentar që mbikqyrë përgatitjet e Kupës së Botës, ka thënë se vendimi i qytetit nënkupton se Shën Petersburgu nuk do të jetë në gjendje të mirëpresë turneun “Federations Cup” në vitin 2017, siç ka qenë e planifikuar.
Ai ka thënë se stadiumi deri më tash është vetëm 85 % i kompletuar.