Albspirit

Media/News/Publishing

Shala: Dersniku shpalos Dardaninë antike

Mozaik i zbuluar ne Dersnik

 Në vazhdën e vizitave nëpër lokalitetet arkeologjike të Kosovës, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka vizituar Dersnikun, në Komunën e Klinës, ku u njoftua nga afër me gërmimet, gjetjet dhe konservimet që po bëhen në këtë lokalitet të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore të Kosovës. Me rastin e vizitës së ministrit, në Dersnik janë bërë publike gjetjet e reja arkeologjike, si: mbetjet e një pallati rezidencial, mozaikët dhe stelat. Ministri e ka falënderuar ekipin që punon aty, duke vlerësuar se punën e tyre dhe gjetjet, të cilat i ka cilësuar jashtëzakonisht të rëndësishme. “Kjo punë e jashtëzakonshme dhe gjetjet e jashtëzakonshme në këtë lokalitet të rëndësishëm të Dardanisë antike, janë vlerë e madhe për trashëgiminë kulturore të Kosovës”, ka thënë ministri. Ai ka theksuar se është e rëndësishme që në këtë lokalitet të bëhet punë sistematike, në mënyrë që të zbulohet e tërë sipërfaqja e këtij lokaliteti të rëndësishëm arkeologjik. Shala ka theksuar se është e rëndësishme që gërmimet të arrijnë deri te shtresa e parë, e cila i përket identitetit të Kosovës dhe të Dardanisë. Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës gradualisht po e bën prioritet nacional trashëgiminë e Kosovës, më saktësisht të Dardanisë Antike dhe atë Mesjetës dhe ka shtuar se institucionet e Kosovës po punojnë që interesimi për trashëgiminë kulturore të shprehet edhe me një ndihmë më të madhe financiare, me synimin që edhe ky lokalitet të shndërrohet në park arkeologjik, në të ardhmen. (r.m.)

Please follow and like us: