Albspirit

Media/News/Publishing

Viktimë e terrorit edhe qeveria Hollande

Atentati i Nisës u vë pikëpyetje masave të sigurisë në Francë dhe e fut qeverinë në Francë në një krizë. Për Presidentin Hollande atentati i ri do të thotë fundi politik, mendon Barbara Wessel.

Deutschland Francois Hollande nach Anschlag in Nizza

Atentati i Nisës e ka origjinën direkt në manualin e Shtetit Islamik: “Bëhuni ujq të vetmuar dhe kryeni atentate te ju”. Këtë ua rekomandoi organizata terroriste ithtarëve të saj në Evropë që dy vjet të shkuara. Për këtë mund të përdorësh si armë edhe automjete ose objekte të tjera të jetës së përditshme. Efikasiteti vdekjeprurës i kësaj metode mund të shihet tani në Nisë: që të turresh me një kamion të marrë me qira në një grumbull njerëzish që festojnë është një lloj vrasjeje masive, e cila është e vështirë të pengohet. Megjithatë, qeveria nën François Hollande tani ndodhet nën presion masiv, sepse forcat e sigurisë nuk qenë në gjendje ta lokalizonin më herët dorasin dhe sepse atyre me sa duket u mungon edhe më tej një vështrim më i thellë brenda qarqeve islamike.

Hollande duhet të pranojë t’i shtrojnë pyetje

Ky është atentati i tretë i rëndë në Francë brenda një viti e gjysëm, krahas disa vrasjeve të veçanta, për shembull ndaj policëve. Francezët deri tani kanë reaguar ndaj terrorizmit në një mënyrë të admirueshme të kontrolluar dhe të vendosur. Shpirti i rezistencës ishte i fortë edhe pas serisë së atentateve në Bataclan dhe në restorantet e Parisit. “Ne nuk lëmë të na e shkatërrojnë stilin tonë të jetesës” ishte mesazhi i shumicës në vend. Por si mund të rezistojë ky qendrim trim i çlirët përballë masakrës më të fundit në Nisë? Shpirti republikan i francezëve, besnikëria e tyre ndaj shtetit dhe uniteti i tyre në krizë vihen para një prove të vështirë.

Për Presidentin Hollande atentati i ri do të thotë fundi politik. Vërtet që dimrin e kaluar ai reagoi me ashpërsi, u përpoq me ashpërsim ligjesh dhe gjendje të jashtëzakonshme që ta kufizojë kërcënimin. Njëkohësisht ai nuk ia doli mbanë të reformojë rrëmujën e shërbimeve të ndryshme të sigurisë dhe të krijojë një autoritet të vetëm, të fortë antiterror. Në lidhje me atentatet e Parisit doli në pah se megjithë paralajmërimet, qenë bërë gabime, të dhënat nuk u shfrytëzuan dhe personat e dyshimtë nuk u arrestuan në kohën e duhur. Midis xhandarmërisë, policisë, ministrisë së Brendshme dhe shërbimeve të fshehta me sa duket ka një vrimë të zezë. Hollande duhet t’i kishte ndërprerë xhelozitë burokratike dhe t’i kishte përqendruar forcat nën një komandë të vetme. Familjet e viktimave të Bataclanit tani e kanë hedhur në gjyq qeverinë për shkak të mangësive të mundshme. Ndoshta Presidenti Hollande mund ta shfrytëzojë krizën e re për ndryshime. Por idenë që të kandidojë për t’u rizgjedhur vitin e ardhshëm ai duhet ta heqë nga mendja. Rreziku politik tani vjen nga Front National radikal i djathtë. Frika se atentati i ri mund t’i çojë zgjedhësit në kampin e kësaj partie nuk është pa baza.

Barbara Wesel Barbara Wesel

Nevojitet bashkëpunimi me myslimanët

Çfarëdo që të ndërmarrë tani qeveria franceze, asaj i duhet ndihma e bashkësive myslimane. Nuk bëhet fjalë që ato të tregohen me gisht dhe të bëhen përgjegjëse. Por edhe atentatori i Nisës ka një familje, miq, fqinj. Dhe askush nuk vuri re diçka, askujt nuk i lindi një dyshim? Këtu duhet të vijë urgjentisht një ndryshim mentaliteti – sepse edhe ky doras qe francez. Rreziku terrorist vjen nga brenda, jo nga jashtë Francës.

Ka ardhur koha që t’i jepet fund çdo solidariteti fals me “vëllezërit e besimit”. Terrori i kërcënon të gjithë në Francë, ai kërcënon të ardhmen e sigurinë edhe të myslimanëve në të gjithë botën. Zëdhënësit dhe imamët e bashkësive duhet t’u tregojnë më në fund vendin me të gjitha mjetet predikuesve të urrejtjes në xhamitë e tyre dhe në internet. Ata kanë detyrim që të veprojnë, njësoj si shteti francez.

Please follow and like us: