Turqi, mbi 2.800 ushtarë të arrestuar për grushtin e shtetit; viktimat rreth 200
Janë 2.893 ushtarakët e arrestuar deri tani nga autoritetet turke, pas dështimit të grushtit të shtetit ndaj presidentit Erdogan.
Kryeministri turk Binali Yildirim ka deklaruar se në kushtetutën e vendit nuk parashikohet dënimi me vdekje, por qeveria do të shqyrtojë ndryshime ligjore për t’u siguruar që përpjekje të tilla të mos përsëriten më.
Ndërkohë, organizmi shtetëror turk që ka nën kontroll gjyqtarët dhe prokurorët ka shkarkuar nga detyra 2.745 funksionarë në të gjithë vendin.
Lajmin e bën të ditur agjencia “Anadolu”, sipas të cilës vendimi është marrë në një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Lartë Gjyqësor, këtë të shtunë.
I njëjti burim shton se mbledhja kishte si qëllim marrjen e masave disiplinore ndaj gjyqtarëve të dyshuar për lidhje me figurën fetare myslimane Fethullah Gulen, që jeton në SHBA dhe që është akuzuar për nxitje të grushtit të dështuar.
Ndërkohë, të dhënat e fundit sa i takon bilancit të viktimave flasin për më shumë se 190 persona të vdekur. Sipas një zyrtari të lartë të policisë, viktimat janë 41 oficerë policie, 2 ushtarë, 47 civilë dhe 104 persona të tjerë të cilësuar si komplotistë. Ndërsa të plagosurit janë 1.154.