Albspirit

Media/News/Publishing

Blendi Fevziu: Ç’po ndodh mes Metës dhe Ramës?

Ilir Meta konfirmoi atë që flitet prej javësh në Tiranën politike informale. Koalicioni i majtë, ai mes PS dhe LSI, i formuar jo pa zhurmë dhe habi mediatike në një ditë gënjështrash, më 1 Prill 2013, ka rënë. Shumë vetë e kanë paralajmëruar meditikisht këtë që ndodhi sot. Ka pasur mjaft komentatorë që kanë parashikuar edhe atë që pritet të ndodhë nesër dhe dy javët në vijim. Edhe pse në shtyp e kanë konsideruar si presion të Metës ndaj Ramës për të marrë më shumë mbështetje brenda koalicionit, në realitet duket se ndodhi pikërisht ajo që Meta kishte artikuluar me qetësi. Një thyerje mes të dyve, që ende nuk ështe qartë nëse e ka bazën tek reforma në drejtësi apo shumë më gjerë se sa kaq. Tek ideja e një marrëveshje mes dy personash që asnjëherë në këto 17 vite nuk kanë besuar dhe as pëlqyer njëri – tjetrin.

Në fakt, ajo që pritet të ndodhë ndahet në dy pjesë.

E para reforma në drejtësi!

E dyta, marëdhënia PS – LSI.

Jo detyrimisht të dyja kanë lidhje me njëra – tjetrën.

E para ngjan më e thjeshtë. LSI është konsideruar në media si një forcë që pengon reformën edhe pse Meta gjithnjë është shprehur publikisht pro saj. Eshtë folur për një marrëveshje të fshehtë me PD dhe një garanci që Meta ka dhënë se nuk do të votojë asnjë reformë ku nuk përfshihet edhe PD. Por duket se kanë qenë ndërkombëtarët ata që nuk e kanë llogaritur shumë Metën. Arsyet i dinë vetëm ata. Në vizitat ekskluzive në Tiranë Nuland ka takuar Ramën e Bashën, por jo Metën. Në fakt brenda mazhorancës Meta ka qenë garant i 71 votave, por ai nuk është konsideruar si i tillë. As nuk është dëgjuar për mendimin që ka. Edhe Kerri e shmangu një takim me të. Megjithëse reforma është një reformë parlamentare. Pardje, Lu ishte edhe më konkret. Ai u bëri thirrje Ramës e Bashës të takohen e të gjejnë zgjidhje për reformën, por Metën as e zuri në gojë. Nuk është çudi që e gjitha kjo, bashkë me deklaratat që edhe mazhoranca bënte tek ndërkombëtarët se reforma pengohej nga Meta të kenë provokuar zemërimin e këtij të fundit. Meta ka vendosur të mbyllet edhe ai në dhomën ku figurativisht do mbyllej Rama me Bashën dhe ka bërë thirrje që reforma të kalojë. S’ka dhënë asnjë shpjegim si dhe me çfarë kushtesh, por ka deklaruar prerë që do jetë edhe ai aty me PO – në e tij. Duket se ja ka arritur sepse Lu dhe Vlahutin i janë përgjigjur direkt pozitivisht. Pra Meta ka rihyrë në lojë.

E dyta është raporti brenda mazhorancës. Meta ka përdorur formulën “edhe edhe” në fjalën e tij. Ai është shprehur, që edhe nëse kalon reforma, edhe nëse ajo dështon, vendi duhet të ndërtojë një qeveri të re. Një Qeveri teknike që të përgatisë zgjedhjet. Burime zyrtare brenda LSI i kanë thënë opinion.al se Meta parashikon tërheqjen e të gjithë ministrave dhe figurave politike nga qeveria, rrëzimin e saj dhe ndërtimin e një qeverie teknike që të çojë vendin në zgjedhje të paakohshme brenda një kohe shumë të shkurtër. LSI beson se vendi nuk ka kohë për reformën elektorale dhe votimin elektronik dhe si garanci e vetme për opozitën që zgjedhjet do të jenë pa influencë politike, është një qeveri pa përfshirjen e PS, PD dhe LSI. Pra një qeveri tranzitore me mandat përgatitjen dhe organizimin e zgjedhjeve. Kjo formulë shtë e ndryshme nga ajo që flitej në forumet informale politike të Tiranës, ku shihej një bashkim i votave të LSI dhe PD për të rrëzuar Ramën. Ky version ishte i vështirë sepse PD nuk mund të mbështeste një aksion të tillë që mund të viktimizonte Ramën dhe ti jepte përgjegjësinë e qeverisjes një vjeçare PD, pa pasur mundësi të zbatonte programin e saj. Ky do ishte një gabim fatal i PD. Por bashkimi i votave për një qeveri teknike, është ekzakt ajo që vetë Basha ka kërkuar në 6 muajt e fundit. Në këtë aksion LSI dhe PD mund t’i bashkonin votat pa asnjë problem. Dhe me gjasë, ka pasur edhe negociata konkrete në këtë drejtim.

Pritet që Meta të veprojë konkretisht në javën që vjen, deri në datën 28 Korrik. Edhe në këtë veprim ai duket një hap përpara të tjerëve.

Ndërkohë burime brenda PS i thanë Opinion.al se Meta nuk synon zgjedhjet e parakohshme, por kërcënon me to, për të arritur një marrëveshje riformatimi të qeverisë. Burime të PS, shprehen se Rama ka arritur të sigurojë 71 vota, të cilat më shumë se sa për të mbajtur atë në krye të qeverisë deri në fund të mandatit, do të shërbejnë për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme pa një qeveri teknike. Pra thënë ndryshe, Rama kërkon 71 vota për të rrëzuar qeverinë dhe për ta çuar vendin në zgjedje të parakohshme me këtë qeveri dhe me të në krye të saj. Burime të sigurta i kanë thënë opinion.al se PS ka nisur negociatat me Blushin që ka 3 vota dhe me emra konkretë brenda opozitës për të siguruar votat e mundshme. Edhe pse PS deklaron se i ka votat, kjo duket e vështirë në kushtet kur edhe dy deputetë të saj, Kosta dhe Shehu i janë bashkuar Koço Kokëdhimës që është aktiv kundër vijimit të qeverisë në këto kushte që është.

Llogaria e votave duket se është kryefjala e javës politike. Të dyja palët po merren me kalkulimin e tyre, me bindjen se zgjedhjet e reja janë të derë. Dhe të bindur se koalicioni i bujshëm i 1 Prillit, ka përfunduar si 3 martesat e mëparshme Rama – Meta, një dështim!

Please follow and like us: