Albspirit

Media/News/Publishing

Drejtësia, sfida ndaj Lu-Vlahutin/Meta: Ose miratojmë reformën, ose ne të 5-të ikim nga politika

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta ka ftuar Kryeministrin Edi Rama, kreun e PD-së Lulzim Basha, dhe Ambasadorët Donald Lu dhe Romana Vlahutin në një takim lidhur me reformën në drejtësi.

“Të pestë të mbyllemi në një dhomë dhe të gjejmë zgjidhjen për reformën në drejtësi, ose të 5-të të dalim para shqiptarëve dhe t’ia bëjmë të qartë çfarë kemi arritur ose çfarë na pengon për të arritur”, u shpreh Meta.

Duke sqaruar këtë ftesë, Meta tha se Kryetari i Kuvendit, drejtuesit e dy forcave politike, si dhe dy Ambasadorët Lu dhe Vlahutin të takohemi të gjejmë një zgjidhje brenda orës 10:00 të datës 21 Korrik, pasi të gjithë kemi deklaruar se reforma do të miratohet.

Kryeparlamentari theksoi se nëse nuk miratohet reforma, atëherë ne të 3 si politikanë kryesorë, por edhe dy Ambasadorët të mos merremi me politikë dhe diplomaci.

Meta u shpreh se i ka sosur durimi në lidhje me reformën, sikundër edhe Ambasadorit amerikan Lu.

“Nuk më ka pëlqyer aspak mënyra sesi ka filluar reforma në drejtësi dhe këtë ia kam bërë të qartë qoftë faktorëve vendas qoftë ndërkombëtarëve. Përpjekje për të finalizuar reformën, ndonëse ka gjasa që ajo të asfiksohet me ikjen e vapës. Duhet t’i japim fund përpjekjeve për tu shmangur dhe ta kthejmë reformën një histori suksesi.

Kjo reformë nuk bëhet thjesht për të futur disa poolitikanë në burg, por ti japë përgjigje problemeve që ka sistemi i dështuar i drejtësisë.

Nuk bëhet reforma dhe nuk arrihet konsensusi duke thënë do shkosh ti në burg, apo do shkojë ky politikan në burg. Por reforma duhet të niste duke thënë duhet të shkoj unë në burg nëse kam shkelur ligjin, apo nëse kam bërë këtë veprim të paligjshëm”, tha Meta.

Referuar ndryshimeve kushtetuese, Meta tha se nuk kemi të bëjmë thjesht me disa ndryshime, por me një Kushtetutë të re, me institucione të reja, në sistemin e drejtësisë.

“Ekziston rreziku serioz i dështimit të Reformës dhe mazhoranca aktuale nuk i ka këto vota dhe në rast të miratimit të saj pa konsensusin e opozitës, në mënyrë të diskutueshme, pa integritet, mund të na japi një situatë krejt të re për vendin, e cila nuk do të jetë ajo e institucioneve të vendit, por përkundrazi mund të sjellë një kapitull afatgjatë për destabilitetin politik në vend.

20 votat e LSI janë për reformën, mjafton që PD-PS të arrijnë konsensusin dhe për të arritur një konsensus të pakontestueshëm, duhet të kemi në referencë Komisionin e Venecias”, tha Meta.

Please follow and like us: