Grabitja në Rinas, të implikuar njerëz të Saimir Tahirit, gati publikimi i provave
Sipas Partisë Demokratike më 30 qershor ra çdo standard i sigurisë publike e sigurisë kombëtare në vend, kur në mesdite aeroporti i vetëm ndërkombëtar që kemi, u pushtua nga një grup i armatosur e me maska.
“Grabitja e miliona eurove, dhe tronditja që kjo ngjarje shkaktoi në mbarë opinionin publik, u shoqërua nga përpjekjet e Edi Ramës e Saimit Tahirit për ta larguar përgjegjësinë nga vetja. Sot që kanë kaluar 18 ditë nga sulmi me armë në pistën e avionëve në territorin më strategjik të vendit, ende askush nuk ka mbajtur përgjegjësi, dhe Rama e Tahiri po luajnë çdo gur që kanë në dorë për të dalë të larë nga kjo histori”, është shprehur deputeti demokrat Alban Zeneli.
Për PD gjithkush e di se në grabitjen me armë e me maska në shkallët e avionit, pati bashkëpunim të policisë, të shefave të pikave kyçe të aeroportit të Rinasit e më lart.
“Është provuar se policia edhe pse gjendej në pistën e avionëve, edhe pse kishte prezencë të shtuar pas sulmeve në aeroportin e Stambollit, nuk reagoi ç’ka bëri të mundur grabitjen dhe largimin e qetë të autorëve, asnjë prej të cilëve ende nuk është ndaluar”, ka vijuar më tej Zeneli.
Deputeti ka lajmëruzr se Partia Demokratike do të publikojë nesër fakte dhe të dhëna që vërtetojnë katërcipërisht bashkëpunimin e njerezve të Saimir Tahirit në polici, në këtë grabitje e sulm të armatosur në Rinas.
“Prova që dëshmojnë dhe një herë, inkrimimin tronditës që ka ndodhur në policinë e shtetit me Ramës e Tahirin në këto 3 vite.
Nesër, prova e fakte, foto dhe filmime për përfshirjen e njerëzve të Tahirit në graditjen më të rëndë të këtyre viteve në Shqipëri”, ka thënë Zeneli.