Isida Mollaymeri dhe një puhizë rrëfenjash nga jeta e një balerine
- Balerina rrëfen emocionet që përjetoi në Itali, së bashku me trupën e baletit, gjatë marrjes së çmimit “Arrëthyesi i Artë” nën prezencën e Carla Fraçi-t. Teksa ka nisur pushimet e verës, tregon edhe për raportin e saj me librin. Ëndrra e saj është që në të ardhmen të interpretojë Mjelmën e Zezë
Nga Valeria Dedaj
Lëvizjet e saj plot elasticitet në skenë të mbesin gjatë në kujtesë, qofshin këto të realizuara në role joprotagonistë dhe vetëm në pak minuta interpretim. Kjo ndodh kur në skenë shfaqet balerina Isida Mollaymeri, e cila, edhe pse ka nisur pushimet e verës, nuk heziton që të na takojë për të rrëfyer se ku do t’i kalojë ato. Teksa na tregon këtë, rrëfen edhe për librat që preferon të lexojë, për marrëdhënien e saj me miqtë dhe me prindërit, apo edhe për emocionet që ka përjetuar gjatë momentit të dorëzimit të çmimit “Lo schiaçanoci d’oro” (Arrëthyesi i artë), nën praninë e artistes së mirënjohur në balet Carla Fraçi në Itali. Balerina Isida Mollaymeri, e cilësuar shpeshherë edhe si balerina më seksi në vendin tonë, pas interpretimit të roleve kryesorë tek “Ëndrra e një nate vera”, “Carmina Burana”, “Arrëthyesi” etj., të vetmen ëndërr, që do të realizojë në balet është të jetë “Mjelma e zezë”.
Isida, sapo ke përfunduar punën për këtë sezon në Teatrin e Operës dhe Baletit. Çfarë mund të na thuash përsa i përket prezencës tënde në skenë?
Realisht ka qenë shumë i suksesshëm. Përveçse një muaj e gjysmë, që u dëmtova në këmbë gjatë shfaqjes, dëmtim që u bë edhe më i rëndë, sepse unë vazhdova shfaqjen, mendoj se ka qenë i suksesshëm.
Tek “Arrëthyesi” kisha katër role, si Princesha e Borës, Princesha e Luleve, Kolumbina, kukulla e Klarës dhe vajza arabe. “Arrëthyesi” është një balet që pëlqehet shumë. Nëse në të gjithë botën vihet në kohën e Krishtlindjeve (në prag të Vitit të Ri), ne e vendosëm në shkurt dhe salla ka qenë plot për katër net. Ky ka qenë një sukses për ne.
Po takimin me Carla Fraçi-n, si e përjetove?
Në Romë u vlerësuam me çmimin “Arrëthyesi i Artë”. Ishte një eksperiencë shumë bukur, por surpriza më e madhe për ne ishte që takuam Carla Fraçi-n. Ajo na ndoqi gjatë provave, por edhe pas shfaqjes në skenë e pa se sa të dashuruar ishim ne me këtë zanat. Kujtoj se në fillim të shfaqjes nisën të binin ca pika shiu, kur ajo plot autoritet u tha përgjegjësve të skenës:“Unë nuk dal të shikoj shfaqjen nëse nuk e thani skenën. Ata nuk mund të kërcejnë mbi shi, sepse i kanë këmbët e arta”. Ne u ndiem shumë të vlerësuar. Kur përfundoi shfaqja na tha se, për të ishte fat që pati mundësinë të shihte nga trupa jonë, një pjesë klasike dhe një pjesë moderne. Me ne ishte edhe Kledi Kadiu, i cili i foli për njohjen që kishim ne ndaj punës së saj. Kjo ishte mëse e vërtetë, sepse ne jemi rritur në shkollë me frymën e balerinës së madhe Carla Fraçi. Na premtoi se do të vinte një ditë në Shqipëri. Shpresojmë shumë për këtë.
Ke menduar se ku do t’i kalosh pushimet e verës?
Ne sapo kemi i kemi marrë pushimet. Mbyllëm kontratat për këtë sezon që vjen dhe çdo të shtunë dhe e diel, që kemi punuar do të na rimbursohet tani. Nisim punë më 1 shtator dhe jemi shumë të lumtur. Urojmë që kur të kthemi mos të kemi shtuar asnjë kile dhe sezoni që vjen të jetë akoma më i pasur artistikisht. Ndërsa përsa u përket pushimeve, për mua është shumë e rëndësishme shoqëria. Një javë apo 15 ditë do t’i kaloj te motra në Itali. Këto bashkë me prindërit i kemi çdo vit si paketë. Por pjesën tjetër, ndoshta dhe me shoqërinë. Në Shqipëri, të them të drejtën, nuk kam dëshirë që t’i kaloj, sepse më duket shumë shtrenjtë realisht. Unë kam shkuar në Monte Karlo, në Francë etj., por këtu çmimet janë shumë të larta. Prandaj nuk e mendoj të arsyeshme që t’i bëj këtu.
Cilat vende pëlqen të frekuentosh më shpesh?
Më pëlqen shumë Monte Karlo, Amsterdami, Madridi, Firence, Verona, Venecia, Milano, ndërsa Parisi nuk më ka lënë ndonjë mbresë për shkak të papastërtisë.
Gjatë pushimeve, është koha më e përshtatshme për t’i kushtuar vëmendjen e duhur dhe leximit. Sa lexon dhe cilët janë librat e t’u të preferuar?
Edhe pse me periudha me leximin marrëdhëniet i kam mirë. Për shembull, në një periudhë të shkurtër mund të lexojë dy apo tre libra, ndërsa nga marsi deri tani kam lexuar librin “Shpirti i egër”, të cilin ja bëra edhe një shoqeje dhuratë për 1 Qershorin. Unë kam shumë dëshirë që si dhuratë miqve t’ju bëj libra. Kur doli filmi “50 hijet e Greit” u acarova pak, sepse realisht historia në libër (anglisht) është më e bukur. Pra i kam lexuar vëllimet e tij, si “E zhveshur para teje”, “E pasqyruar tek ti” dhe “E lidhur ngushtë me ty” nga Sylvia Day. Të tre librat i kam lexuar gjatë pushimeve dhe tërë kohës më mbanin të lidhur, ndërsa filmi nuk më ka la të njëjtat mbresa. Nga librat filozofik më pëlqen të lexoj nga Gandi, po ashtu dhe nga Bukovski. E kam lexuar Bukovskin për një koreografi, që mund ta bëjmë në fundvit. Por, edhe për ta pasur të qartë se si e nxjerr ai figurën e femrës. E bukura ishte që çdo femër që ai kishte e tregonte ndryshe. Kam lexuar edhe “Vajzat e Princeshës Sulltana” dhe “Princeshën me shumë lot” nga Jean Sasson, të cilët trajtojnë figurën e femrës.
Të qenit e lirë dhe e çiltër të kanë penalizuar ndonjëherë?
Po. Më thonë shpeshherë se jam shumë e dashur, por dashurinë time njerëzit e marrin për dobësi. Realisht në teatër më konsiderojnë të egër, sepse qysh e vogël e kam ushqyer këtë pjesë. Për t’u mbrojtur tregohesha e sertë. Përherë u thoja të tjerëve atë që mendoja në sy. Ka pasur dhe raste që e kam përjetuar shumë këtë. Por realisht unë nuk jam kështu. Njerëzit që më njohin nga afër e dinë sesa e brishtë jam. Këtë e ndiej edhe vet, sepse pasi grindem me dikë shkoj në shtëpi “e diskutoj” me veten time. Edhe pse mendoj se në këtë profesion që jam, duhet të jesh e tillë, ndryshe të shtypin me këmbë pa e kuptuar. Unë nuk kam shoqe në profesion, përveçse Adela Lamin (e cila punon me projekte) dhe Alisa Gjonin. Të tjerat i kam thjesht kolegë.
Cila është pjesa, në të cilën do të doje të ishte protagoniste kryesore?
Të them të drejtën te baletet “Ëndrra e një nate vere” nga Uilljam Shekspiri, te “Carmina Burana” e Carl Orff etj., kam qenë protagoniste. Por, kam shumë dëshirë që të isha protagoniste te “Mjelma e Zezë”. Nuk e di përse e dua atë pjesë, qoftë kontermporane apo edhe klasike, kam dëshirë që ta kem në repertorin tim.
Marrëdhënia me prindërit
Është shumë e ngushtë! Fakti që nuk kam jetuar vetëm, apo që ende nuk jam fejuar apo martuar, më ka bërë të jem shumë e lidhur me ta. Shpeshherë ata qeshin dhe më thonë: “Ti do ta marrësh burrin kollovar” (qesh). Realisht jam shumë e përkëdhelur, sepse babi dhe mëngjesin ma bën gati. Ka raste që mendoj se pa ata nuk do të jem e aftë të bëj asgjë vetëm. Por, nuk është e vërtetë, sepse gjatë muajit të Ramazanit rrija gjithë kohës në shtëpi dhe gatuaja vetë. Doja të bëja çdo gjë me qetësi. Ndërsa sekretet e mia ua rrëfej të dyve, sepse prindërit e mi janë si Loli me Colin, sepse nëse i thua mamit diçka ai ja thotë babit dhe e anasjella. Me babin jam pak më e lidhur, sepse ka durim të dëgjon deri në fund. Ndërsa, mami pa mbaruar fjalën të thotë: “Gabim, përse e kë bërë!”
Besimi yt fetar
Stërgjyshi im ka qenë turk. Ai ka qenë hoxhë. Prandaj sa herë që unë shkoj në Turqi, ku është edhe Almeda Abazi, të cilën e kam shumë shoqe shkoj në xhami. I vetmi vend që shkoj në xhami është Turqia, asnjë vend tjetër. Kur isha e vogël lodhesha kur im atë më fliste për gjyshin e tij, por kur lexova në libra ato që kishin shkruar për të, mësova se ai kishte qenë turk dhe ishte dashuruar me një vajzë nga fshati Mollas i Korçës. Ndërsa Ymeri është fjalë e shenjtë. Teksa mësova se si ishte bashkuar mbiemri im më lindi dhe dëshira për t’u marrë me fe. Jam natyrë kurioze dhe shumë gjëra i bëj thjesht nga kurioziteti. Mund të lexosh shumë libra, por feja është personale, njëlloj si dashurua, të cilën duhet ta besosh, jo ta shohësh. Këtë e bëj me shumë dëshirë prej tetë vjetësh, jo me sakrificë.
Planet e tua për të ardhmen
Këtë pyetje ma bën mami gjithmonë (qesh). Kur lahem më thotë: “Kush do ta sjellë rrobdishanin kur të martohesh? Vjehrri apo vjehrra, sepse je mësuar shumë keq?!” Unë mendoj shumë për të ardhmen, por plane nuk bëj, sepse mendoj se asgjë e mirë, nuk vjen me letër dhe me laps. Nëse e bëj këtë, i bie që të bëj kompromis me veten, por jam shumë njeri i dashur dhe i lirë. Nuk kam dashur asnjëherë që të bëj plane bam-bam.