Lubonja: Lapsi dhe Tema, përtacë ose të korruptuar (teksti i plotë)
Fatos Lubonja ka sqaruar në profilin e tij në “Facebook” shtrëmbrimet që i janë bërë sipas tij një interviste që ai ka dhënë për Ora News. Kryesisht ai ankohet për titullin qe sipas tij është nxjerrë jashtë kontekstit dhe që nuk përbën thelbin e mendimit që ai do të shprehë. (intervistën sic është zbardhur nga Ora News mund ta lexoni në rubrikën lajme Laps.al).
Megjithëse thelbi i argumentit të tij është se ai nuk mund ti thotë dikujt i korruptuar pa fakte edhe në këtë sqarim Lubonja nuk nguron të përmendë fjalët e koridoreve për gazetarë të lekut të Ramës dhe oligarkëve të tij që shtrëmbërojnë të vërtetën.
Gjithësesi, pa marrë përsipër të tjerët, neve të Lapsit, Lubonja na lë tre mundësi: ose jemi të paaftë, ose dembelë, ose të korruptuar?
Për ta zgjidhur sejcili vetë këtë dilemë, ne po ia lëmë lexuesit tonë në dorë të gjykojë duke e botuar të plotë reagimin e Fatos Lubonjës….
Pas një interviste që dhashë të enjten në mbrëmje tek Ora News mbi qëndrimi tim ndaj reformës në drejtësi të futur në online edhe nga Ora News me titull: “Pse Lu mbështet Ramën dhe pse opozita ka rezerva” mbeta paksa i habitur kur pashë tek Lapsi.al se titulli ishte konvertuar në: “Lubonja: Rama ka korruptuar ambasadorin amerikan për Reformën në Drejtësi”. Duke e ditur se këtë stil të deformimit shpifës të çfarë shkruaj e ka Tema hapa edhe Temën dhe gjeta të njëjtin titull.
I çova me këtë rast Bushatit një sms, ku i vija në dukje se kjo është gazetari alla Baze, që kërkon jo të informojë, por të manipulojë dhe të delegjitimojë atë çka thotë një koleg në shërbim të padronit të rradhës. I thoja gjithashtu se nuk ishte e saktë, çfarë kishin shkruar, se ajo që po jepnin ishte intervista e plotë pasi qe një shkurtim, i zbardhur keq madje. Ndërkohë që prisja që kolegu Bushati të harxhonte pak kohë për ta ndjekur intervistën vetë në faqen e Orës, qoftë edhe për miqësi, jo vetëm për profesionalizëm, pashë se, si përgjigje, Lapsi.al kishte vënë një lajm me titull: “Muç Nano: Lubonja dhe Ylli Rakipi bëjnë muhabet mejhanesh” ku lexova, se, duke iu referuar intervistës së një nate më parë, Muçi shkruante: “Rakipi ironikisht pyet: “Pse vallë ambasadori amerikan po na e jep këtë ndihmë të madhe?” Lubonja seriozisht i përgjigjet: “Ambasadori amerikan është i korruptuar nga Rama; kështu pëshpëritet nëpër korridore”. E duhet thënë se kur diskutimi zbret në nivele të tilla mejhanesh, nuk ke as ç’të thuash”.
Jo Muçi, edhe ti Bushat, ky nuk është muhabet mejhanesh, është shpifje, sepse të thuash që një x person është korruptuar nga y person, cilëtdo qofshin ata, duhet ta shoqërosh me prova. Por problemi është se cili shpif dhe cili ka shkruar nga mejhania, (pasi ka marrë ndonjë porosi), pa marrë mundimin as të dëgjojë se çfarë ka thënë realisht kolegu, por duke u vënë edhe thonjëza citimeve të shpifura. Që Muçi shpif nga mejhanja e vërteton fakti se as ka marrë mundimin të pyesë, ata që e kanë porositur, se cili ishte intervistuesi, sepse Ylli Rakipi e ka mbyllur emisionin me kohë, dhe pyetjet mua m’i drejtoi gazetari i lajmeve, po Bushati, që edhe e kisha informuar, pse ngulmon në këtë shpifësirë?
Sepse intervista është aty: http://www.oranes.tv/…/lubonja-pse-lu-mbeshtet-ramen-dhe-…/
I pyetur nga gazetari të jap mendimin tim se pse Lu mbështet reformën, duke u nisur nga mendimi im për këtë reformë, që e shtjelloj gjere e gjatë, midis shumë gjërash, kam thënë edhe këto fjalë ku është mbështetur shpifja:
“Është pyetje me vend që duhet ta ngremë. Hipotezat janë të shumta, […] Njëri version, që mund të them, është gabimi. Mosverësimi si duhet i një situatës. Gabim ka bërë Rajersoni kur mbështeste Berishën në mënyrë të pakufizuar, ndërkohë që ne brenda e dinim shumë mirë se po rritej një autokrat. Gabim ka bërë edhe Limprehti kur i jepte rezerva pa fund Nanos. Gabim bëri Arvizuja kur donte të na sillte armët kimike për interesat e SHBA (sepse një tjetër arsye janë interesat e SHBA) apo kur mbështeti Berishën tek Gërdeci në formë të pakursyer. [Këtu kam dashur të them 21 janarin, jo Gërdecin. F.L.]
Pra për mua një nga arsyet [e mbështetjes] është gabimi në vlerësim. […]”
Më tej, duke dashur të shpjegoj edhe mosbesimin e opozitës, vijoj:
“Mbi Lunë, edhepse opozita nuk e thotë, qarkullojnë nëpër korridore shumë hipoteza. Që nga, po themi, hipoteza më banale, korruptim personal, deri tek lobingje të Ramës që vijnë nga Washingtoni etj., etj. Nuk di të them tani saktë, por mendoj se ne, përtej kësaj, duhet të vlerësojmë atë se çfarë mendojmë ne shqiptarët se është më e drejtë lidhur me këtë reformë, se cili është problemi themelor që kemi me të, jo pse ambasadori e mbështet apo jo.”
Tani unë i pyes këta kolegë: pse ky raport kaq i shtrembër me të vërtetën? Unë flas për hipoteza, duke e vënë theksin tek gabimi e duke e ilustruar më tej me shumë gabime që kanë bërë amarikanët, ata thonë: “Lubonja: Lu-në e ka korruptuar Rama”. Pse e kanë deformuar dhe banalizuar në këtë farë feje intervistën, që mendoj se kishte shumë argumente serioze për tu bërë oponencë nëse nuk ishin dakort? Kemi të bëjmë me paaftësi, me dembelizëm apo me atë që flitet “nëpër koridore” se kemi të bëjmë me gazetarë të lekut të Ramës dhe oligarkëve të tij, jo të së vërtetës?