Albspirit

Media/News/Publishing

Majlinda Andrea/ Si e nisi karrierën dhe si u emërua në Gjykatën e Lartë nga Bamir Topi. Zbardhet pasuria e saj

Gjyqtarja e Gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea, e pezulluar nga detyra një ditë më parë pasi akuzohet për korrupsion (ndërsa bashkëshorti i saj është shpallur në kërkim për të njëjtën çështje), ka lindur në Durrës. Me Bashkëshortin Odhise Andrea ajo ka dy fëmijë. Ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë, në vitin 1991. Nga viti 1992 deri në 2008 ka punuar si Gjyqtare pranë Gjykatës së Durrësit. Më 8 korrik 2008, me dekretin nr.5795, President i Republikës, Bamir Topi e emëroi gjyqtare pranë Gjykatës së Lartë. 8 vjet më vonë e sheh veten të akuzuar për përfshirje ne një aferë korruptive nga e cila do të përfitonte 50 mijë euro, me ndërmjetës bashkëshortin e saj, Odhise Andrea, që mbante detyrën e këshilltarit pranë Komisionit Parlamentar të Sigurisë.

Pasuria e gjyqtares dhe familjes

Për vitin 2015, gjyqtarja Andrea ka deklaruar të ardhura nga pagat dhe shpërblimet shumëm 1 576 316 lekë. Interesa bankare janë në shumën 162 euro për një vit. 68 euro janë shtesë e një depozite bankare. Bashkëshorti ka pagë në vlerën 1 129 734 në vit, si këshilltar në Komisionin e Sigurisë Kombëtare.

Djali i saj, K. Andrea, administratori i shoqërisë “GranitImport-AL”, të themeluar nga babai i tij, ka një pagë vjetore prej 789 000 lekë në vit. Bashkëshorti ka deklaruar për vitin 2014 një fitim vjetor prej  2 150 000 lekësh, të ardhura nga dividenti si ortak pasiv i shoqërisë “GranitImport-AL”.

Sipas deklaratës së pasurisë të depozituar në ILDKP dhe të publikuar nga Open Data, gjyqtarja Andrea rezulton të ketë 22 mijë euro të shtuara në një llogari bankare, 71 800 euro depozita dhe tërheqje 30 mijë euro nga depozita për të blerë një apartament në shkurt të vitit 2015.

Please follow and like us: