Albspirit

Media/News/Publishing

Martirët shqiptarë

1 Portretet e martireve

Imzot Massafra: pas 38 të parëve do të kërkojmë njohjen e martirëve të tjerë/

I dënuar me burg, ku edhe vdiq më 1949 pas torturave komuniste, pa pranuar të formojë një Kishë kombëtare të ndarë nga Vatikani, siç i pati kërkuar Enver Hoxha: ky është imzot Vinçenc Prennushi, françeskan e kryeipeshkëv i Durrësit, njëri nga 38 martirët, që do të shpallen të lum më 5 nëntor, në sheshin para katedrales së Shën Shtjefnit në Shkodër. Lajmi, siç ju kemi njoftuar, u dha këto ditë nga Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë. Vetëm dy muaj pas shenjtërimit të Nënë Terezës, tjetër bijë e popullit shqiptar, lartohen kështu në nderimet e elterit 38 dëshmitarët e parë, që derdhën gjakun për fenë në Krishtin. Por si u prit ky lajm nga besimtarët? Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Angelo Massafra, në mikrofonin e Radio Vatikanit tha se lajmi u prit me gezim dhe se pas 38 martireve do te vijne emrat e tjere.….

Zoti, shikon, dëgjon, vonon… por nuk harron kurrë. Lumnimi i martirëve shqiptarë

Kemi pritur shumë, prandaj Zoti po na dhuron dy festa të mëdha njëra pas tjetrës: Shenjtnimin e Nënë Terezës e lumnimin e 38 martirëve, viktima  të komunizmit.

Fatbardhë, për të martirizuarit, viti 2016. Pritën shumë. Po Kisha është mësuar të martirizohet, e të presë, me bindjen e plotë se Zoti vonon, por nuk harron kurrë.

Zoti nuk na harroi!

Kemi pritur me shekuj, për të pasur një shenjtore, një figurë të njohur botërisht që, duke qenë bijë e zgjedhur e Krishtit, pohoi para gjithë botës “me gjak jam shqiptare!”.

Kemi pritur me vjet. Më se 70. Vite tragjike, që nisen me luftë e vijuan me martirizim, deri në asgjësimin e plotë – besonin kryqëzuesit – të Kishës katolike në trojet shqiptare. Po kush dinte veç të kryqëzonte, nuk mund ta merrte me mend se Kisha, që ata u munduan ta shkulin – i shtriu rrënjët e veta në dy drejtime, krejt të panjohura për vrasësit e saj: nën dhe, ndër katakombe, ku u detyrua të zbresë, e në qiell, ku u ngjitën shpirtrat e të martirizuarve, që  derdhen gjakun me brohorinë “Rroftë Krishti Mbret!”. E   nisën të ndërmjetësojnë, që pasardhësit e tyre të munduar të jetonin, për ta kremtuar këtë ditë!

E gjithë kjo do të tingëllonte si legjendë sot, po të mos ishin ende të freskëta gjurmët e gjakut të tyre.

Shumë vite kaluan, aq sa ndokush kujtoi se Zoti i kishte, na kishte, harruar.

E kishte harruar motrën imcake, që e kaloi jetën ndërmjet të varfërve më të varfër, duke i kujtuar botës etjen e Krishtit për shpirtra, me lajtmotivin: “Ma keni bërë mua!”. Harruar Atë, që vendi i vet ia mohoi edhe një lot mbi varr të s’ëmës.

E e kishte harruar gjakun e derdhur te Zalli i Kirit, në rrethinat e shkreta të Tiranës e në baltën e kënetave, nga veriu, në jug të Shqipërisë.

E si mund ta kuptonin kryqëzuesit, që s’ngopen kurrë me gjak, se Zoti shikon, dëgjon, vonon… por nuk harron kurrë.

Ndoshta edhe ata mund të jenë të pranishëm në këtë festë të vonuar, por kurrë të harruar. Janë gjallë e shëndosh, aq sa t’i kujtojnë të torturuarit, të cilët i shanë, i pështynë, i pushkatuan, i varën, duke mos harruar t’i pyesin sa e sa herë: “Hë, ku është Zoti yt!?!”. Ndokush mund të mendojë se do të duhej të shpërbleheshin me të njëtën monedhë! Po jo ne, katolikët. Ne urojmë të jenë të pranishëm në festën e 5 nëntorit. Ngaqë kështu do të binden plotësisht se Zoti ishte aty, në qelitë qelbura, para plotoneve të ekzekutimit… E do të jetë edhe më 5 nëntor, për t’u kujtuar: “Ma bëtë mua!”. Se Zoti është kudo! Se shikoi, dëgjoi, vonoi… por nuk harroi t’i naltojë të pështyrit e të gjakosurit, në nderimet më të larta, që mund të mendojë njeriu: në nderimet e elterit. T’i kurorëzojë me aureolën e martirit,  e cila ia kalon çdo dekorate a urdhëri njerëzor. Sepse është burim drite për gjithë njerëzimin, të cilit i kujton edhe një herë se Zoti shikon, dëgjon, vonon… por nuk e harron kurrë kalvarin e shqiptarëve, të cilët i falën botës një Nënë Terezë, e po i shtojnë aradhet e Kishës katolike me 38  të Lum të rinj!

Kemi pritur shumë, o Zot! Zot, shiko, dëgjo, vono… por mos na harro kurrë!

Portretet e 38 martirëve, viktima të komunizmit në Shqipëri

Kush janë 38 martirët e  krishterë të Kishës shqiptare, që do të Lumturohen më 5 nëntor 2016:

Imzot Vinçenc Prennushi: françeskan, ipeshkëv i Durrësit, poet i ëmbël. U burgos e u torturua sepse nuk pranoi ta shkëpuste Kishën shqiptare nga Selia e Shenjtë; dha shpirt me 19 mars 1949 në burg, i shtrirë në dheun e lagësht, të ftohtë, këmbëzbathur, si Shën Françesku, bir të cilit ishte.

Imzot Frano Gjini: ipeshkëv, martirizimi i të cilit ia kaloi çdo fantazie kriminale njerëzore: i papërkulur para torturave, si nuk pranoi ta shkëpusë Kishën nga Papa, u dënua me vdekje e u pushkatua më 11 mars 1948.

Imzot Jul Bonati: meshtari i madh intelektual, si u mbyll, për torturë, në çmendinë e si provoi tmerre të padëgjuara në qeli të ndryshme të sigurimit famëkeq, nga Vlora në Durrës, vdiq në burgun e Durrësit, pranë Imzot Prennushit, i cili i jepte shûjtën për shtegtimin e mbram: Vojimin Shenjt.

Dom Alfons Tracki: prifti gjerman, më shqiptar se shqiptarët, bir i Breslaut, u torturua dhe u pushkatua më 25 qershor 1946, në moshën 50 vjeçe.

Dom Anton Muzaj: u torturua në mënyrë çnjerëzore, vetëm sepse nuk pranoi të mohonte fenë: si i thyen këmbë e duar, e liruan nga burgu dhe e nisën në shtëpi, ku vdiq mes dhimbjeve të tmerrshme mbas pak ditësh, në moshën 29 vjeçare.

Dom Anton Zogaj: famullitar i Durrësit, sekretar i Imzot Prennushit, meshtar jashtëzakonisht i përgatitur në të gjitha drejtimet, u burgos e u torturua mizorisht. E lanë të mbyllur disa ditë në një banjo të qelbur, në sa priste ditën e pushkatimit: 31 dhjetorin e 1946-tës.

Dom Dedë Maçaj: i akuzuar si spiun i Vatikanit, u torturua, u gjykua dhe u pushkatua për rezistencën e tij heroike fetare, në moshën 27 vjeç.

Dom Dedë Malaj: mbeti i paharruar në kujtesën e popullit për mbrojtjen heroike që i bëri fesë së krishterë në gjyqin e organizuar kundër tij, që e dënoi me vdekje. U pushkatua në breg të Liqenit të Shkodrës më 12 maj 1959. Ishte 39 vjeç.

Dom Dedë Plani: dha shpirt në spital më 30 prill 1949, mbasi nuk pranoi asnjë akuzë e u bëri ballë heroikisht torturave mizore.

Dom Ejëll Deda: famullitar i Bushatit, i arrestuar vetëm pse ishte prift, vdiq më 12 maj 1948 në spitalin e burgut, mbas torturash çnjerëzore.

Dom Jak Bushati: e akuzuan se ndihmonte diversantët, se bënte agjitacion e propagandë: pretekste të cilat e çuan në pushkatimin pa gjyq më 12 shkurt 1949.

Papa Josif Mihali: Njeri i Zotit, arrestuar e torturuar veç me këtë akuzë, u mbyt për së gjalli në baltën e kënetës, në kampin e shfarosjes të Maliqit.

Dom Zef Maksen: meshtar gjerman, pushkatuar me 1946, duke shqiptuar fjalët: “Des i lumtun, tue mendue se do të kujtohem prej shqiptarëve si meshtár i fesë së Krishtit”.

Dom Lazër Shantoja: meshtár i ndritur, njeri i kulturës, i letërsisë e i artit, u masakrua deri në atë gradë, sa vetë e ëma kërkoi nga xhelatët komunistë ta  pushkatonin një orë e më parë, gjë që s’munguan ta bënin në fushat e shkreta të Tiranës, në sa ishte në moshën 54 vjeç.

Dom Lekë Sirdani: personalitet i shquar i Kishës katolike: prift, patriot, shkrimtar. U torturua mizorisht dhe u mbyt për së gjalli në një gropë ujërash të zeza.

Dom Luigj Prendushi: u arrestua, u torturua dhe u pushkatua si spiun i Vatikanit më 24 janar 1947.

Dom Marin Shkurti: i shuguruar meshtar më 1961, shërbeu pak kohë në Kishën me dyer të hapura e shumë, në atë të heshtimit: guxoi ta vijojë heroikisht shërbimin meshtarak në kohën e terrorit. U arrestua, prandaj, u torturua e u pushkatua në vitin 1969.

Dom Mark Gjani: u arrestua për veprimtarinë e tij meshtarake dhe u shua gjatë torturave të tmerrshme në duart e salvuesve të tij në qeli, me 1945.

Dom Mikel Beltoja: u pushkatua më 10 shkurt 1974, mbasi mbrojti heroikisht e haptas idealet e veta fetare në gjyqin që iu bë pas gjashtë muaj torturash, i cili e dënoi me vdekje.

Dom Ndoc Suma: vdiq 2 vjet mbasi ishte liruar, i shkatërruar, nga burgu, ku u torturua me akuza për të cilat thoshte: “Vetëm kur dola në gjyq e mora vesht pse isha arrestue”.

Dom Ndre Zadeja: prift e poet, pushkatuar pa gjyq në qytetin e Shkodrës, duke u bërë martiri i parë, viktimë e diktaturës komuniste.

Dom Pjetër Çuni: prift; vdiq i varur me kokë poshtë mbi gropën e ujërave të zeza.

Dom Shtjefën Kurti: prift, pushkatuar para banorëve të Gurëzit. Sigurimi e akuzoi se deshi të helmatiste popullin duke shfrytëzuar për këtë, furrat e bukës.

Atë Bernardin Palaj: frat e poet i madh, do të vdiste ne Kuvendin e Françeskanëve në Shkodër, shndërruar në burg për 700 vetë. Nën torturat e Sigurimit mori tetanozin. Qe mbledhësi i parë i Eposit të Kreshnikëve, mitolog i shquar, por edhe muzikant e pianist i talentuar. Gjeni i letrave shqiptare, pasardhës i denjë i Fishtës së madh, i mbytur e i harruar.

Atë Çiprian Nika: françeskan, vdiq nën akuzën e rëndë e shpifëse se kishte fshehur armë në elterin e Shëna Ndout, në Kishën françeskane të Gjuhadolit.

Atë Gaspër Suma: rregulltar, pinjoll i një familjeje, që u shua nga komunistët, u arrestua më 1947 dhe vdiq në burg.

Atë Gjon Shllaku: frati i madh filozof, u pushkatua së bashku me jezuitët Atë Gjovani Fausti (misionar italian) e Atë Daniel Dajani si dhe me seminaristin Mark Çuni, në fillimet e masakrës komuniste kundër klerit katolik. U akuzuan për “tentativë arratisjeje” dhe për formimin e Partisë Demokristiane. Që të katërtëve shteti shqiptar u ka dhënë dekoratën “Martir i Demokracisë”.

Atë Karl Serreqi: frati që nuk pranoi të kallëxojë rrëfimin e një të plagosuri në ndeshjet me komunistët në mal, e kaloi jetën burgjeve. Vdiq në Burrel më 4 prill 1954. Është një ndër martirët e rrallë të sekretit të rrëfimit në historinë e Kishës universale.

Atë Mati Prendushi: frati që mori pjesë në ngritjen e flamurit në Deçiq, u përndoq dhe u fal nga krajl Nikolla e nga mbreti Zog, por u dënua me vdekje nga i ashtuquajturi “gjyq” komunist. Nuk i dihet as varri.

Atë Serafin Koda: frat françeskan; dha shpirt mbasi hetuesit komunistë, duke mos u ngopur me torturat e zakonshme, ia shqyen fytin me thonj.

Vëlla Gjon Pantalia: jezuit; u arrestua ndër të parët e vdiq në spital, mbasi vuajti tmerre të papërshkrueshme.

Fran Miraka, Qerim Sadiku e Gjelosh Lulashi, të rinj që edukoheshin ndër jezuitë; u vranë pse deshën Krishtin.

Rishtarja stigmatine Maria Tuci: u torturua e mbyllur në një thes, së bashku me një maçok, të cilin e godisnin me shkop.  Virgjër e martire, vasha dha shpirt me mundime të jashtëzakonshme.

Njoftimi zyrtar për ditën e lumnimit të 38 martirëve shqiptarë/

NJOFTIM ZYRTAR

Nga Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë

Lënda: Dita e Lumnimit të “Martirëve” tanë

Pas një kohe relativisht të gjatë, me një punë voluminoze dhe me angazhimin e palodhshëm për të arritur deri në përmbylljen e procesit kanonik, në njohjen dhe në pranimin zyrtar të dëshmisë flijuese për Fe dhe Atdhe të Imzot Vinçenc Prennushit dhe 37 Shokëve të tjerë, erdhi momenti që tani, solemnisht, të shpallim datën historike të Ritit të Lumnimit e të Naltimit në altar të 38 bijve tanë. Procesi dioqezan i filluar me 10 nëntor 2002 e mbyllur me 8 dhjetor 2010…u analizua nga ekspertët e Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve…dhe me dekretin që Papa Françesku firmosi më 26 prill 2016 u dekretua se mund të shpallen të Lumë.

Më në fund, me letrën që Ati i Shenjtë, Papa Francesku, na ka dërguar përmes Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, na konfirmon se data e Kremtimit do të jetë 5 NENTOR 2016. Vendi i kremtimit do të jetë: Sheshi i Katedrales së Shën Shtjefnit, Shkodër. Riti i Lumnimit do të udhehiqet nga Prefekti i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, Hirësia e Tij, kardinali Angelo Amato.

Me këtë shpallje, kemi plotësuar  të gjitha detajet e nevojshme. Tashmë, na takon neve t’i naltojmë e të përgatitemi për t’i nderuar me festën tonë të hareshme shpirtërore. Si Arqipeshëv që ka çuar përpara proçesin e Martirëve, me ekipin e gjyqit kishtar, të cilin e falënderoj, si Arqipeshkëv i Vendit ku do të kremtohet Mesha e Lumnimit dhe në emër të Konferencës Ipeshkvore, ju bëj thirrje dhe ju nxis për të kremtuar sa më denjësisht këtë moment historik për Kishën dhe Kombin.

Zoti Ju bekoftë!

Shkodër, 12/07/2016

+ Angelo Massafra OFM

Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër-Pult

President i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë

Don Gjergj Meta: 5 nëntori nuk u zgjodh rastësisht për lumnimin e martirëve

Me 5 nëntor 2016 Dita e kremtimit të lumnimit të 38 martirëve shqiptarë. Është simbolike, dita e kremtimit të lumnimit të 38 martirëve shqiptarë. Pikërisht më 4 nëntor 1990, në Shkodër, u kremtua Mesha e parë pas komunizmit e në këtë muaj, katolikët përkujtojnë gjithnjë, së bashku me të dashurit e vdekur, sidomos martirët e tyre. 5 nëntori, na thotë përgjegjësi i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë për komunikimin, don Gjergj Meta, nuk u zgjodh rastësisht.(Kortezi-Radio Vatikani)

Please follow and like us: