Albspirit

Media/News/Publishing

Meta “imponohet” si pjesë e tryezës: Konsensus politik, unë Basha, Rama dhe ambasadorët e SHBA dhe BE

 

Kreu i Kuvendit Ilir Meta, ka “imponuar” sot një pjesëmarrje më “aktive” të tij, në tryezën e mundshme për gjetjen e një konsensusit polik për reformën në drejtësi.
Në një dalje publike, ai ka propozuar “zgjerimin” e tryezës dhe ngujimin deri në gjetjen e një zgjidhje, midis atij, kryeministrit Rama, kreut të opozitës Basha dhe ambasadorëve të SHBA e BE, respektivisht Donald Lu dhe Romana Vlahutin.
“Të takohemi të pestë. Unë si kryetar parlamenti, dy kryetarët e forca kryesore politike që kanë përgjegjësi para popullit. Dy ambasadorët e nderuar nëse kanë propozime të tjera janë të mirëpritur. Dhe të mos dalim e të mbyllemi përgjithmonë këtu nëse nuk japim zgjidhje dhe nuk votojmë ndryshimet kushtetuese të enjten në orën 10:00.
Sepse të gjithë kemi premtuar këtë gjë dhe të gjithë duhet të sakrifikojnë këtë gjë. Dhe për ti hequr kujtdo çdo lloj meraku.
Të mos dalim nga Kuvendi e të mbyllemi përgjithmonë këtu. Të gjejmë konsensus, përndryshe të ikim të pestë nga politika dhe diplomacia”, u shpreh midis të tjerave Ilir Meta.
Në emër të një konsensusi, meta ka shprehur gatishmërinë të japë edhe dorëheqjen si kryetar Kuvendi, ndërsa ka propozuar që pas miratimit të reformës, të krijohet një qeveri ekspertësh dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
“Absolutisht miratimi i kësaj reforme është i domosdoshëm dhe duke e parë se mosbesimi është kaq shqetësues i lodhshëm dhe i rrezikshëm për të ardhmen jam i bindur se rruga më e mirë do të jetë ndërtimi i një qeverie ekspertësh e cila pas miratimit të reformës e çon vendin në zgjedhje demokratike dhe të pakontestuara nga askush.
Unë personalisht jam gati që për hir të këtij kompromisi të jap dorëheqjen nga ky moment nga kryetar i parlamentit nëse i shërben kompromisit. Ministrat e forcës politike që unë përfaqësoj të bëjnë të njëjtën gjë në mënyrën që ne të detoksikojmë këtë klimë helmuese të egër e të papranueshme”, u shpreh më tej Meta.
Sipas Metës, reforma ka rrezik te asfiksohet.
“Nuk më ka pëlqyer aspak mënyra se si ka filluar historia e reformës në drejtësi. Këtë ua kam bërë të ditur të gjithë aktorëve vendas dhe ndërkombëtarë. Ja ku jemi, reforma që duhet të kalonte në pranverë ka rrezik të asfiksohet nga stina e vapës. Përpjekjet për të shpikur fajtor për mos-gjetjen e konsensusit duhet të marrë fund. Edhe mua si Lu mu sos durimi. Shoh rrezikun serioz të dështimit të saj dhe mazhoranca aktuale nuk i ka këto vota, por dhe në rastin e miratimit të saj pa konsensusin e opozitës them me bindje të plotë se nëse mosmiratimi është hap prapa, miratimi në mënyrë të diskutueshme mund të hapë një situatë krejt të re. Shqipëria nuk duhet të shndërrohet në Maqedoni. Miratimi pa konsensus rrezikon të kthehet në një burim destabiliteti”.
Meta e quajti situatë kritike dhe kjo është përpjekja e tij e fundit për miratimin e reformës
“Ia kam thënë dhe Ramës dhe Bashës, që ia kam dhënë fjalën ndihmës sekretarit të shtetit se do të bëj çdo gjë për të kaluar reforma me konsensus dhe sipas Venecias dhe ai më ka kërkuar të bëj çdo përpjekje. Kjo është përpjekja ime e fundit.
Jam pak pa gjumë sepse vërtet kam menduar këto ditë se kjo është një situatë kritike sesi vendi për teka ka rrëshqitur për hiçgjë në kaos dhe destabilitet, dhe ne të majtëve na takon të jemi shumë të përgjegjshëm”, vijoi Meta.
Please follow and like us: