Meta konfirmon përplasjen me Donald Lu: Kam vetëm raporte zyrtare dhe me dëshmitarë
Ajo që përflitej prej kohësh në korridoret e politikës dhe medias në Tiranë, për një krisje të raporteve mes Ilir Metës dhe ambasadorit amerikan Donald Lu është konfirmuar indirekt sot nga kryeparlamentari.
Në konferencën për shtyp që mbajti para minutash Ilir Meta u pyet nga gazetarët se çfarë raportesh ka me ambasadorin amerikan.
“Vetëm marrëdhënie zyrtare dhe me dëshmitarë”, tha shkurt kreu i LSI-së duke pranuar kështu raportet e tensionuara me diplomatin amerikan, sidomos për çështjen e reformës në drejtësi.
Përveç të tjerave ajo që ra në sy gjatë konferecës së Metës ishte fakti se kryeparlamentari dukej larg qetësisë që e karakterizon zakonisht. Ai fliste me një ton të lartë zëri dhe mimika e tij nuk e fshehte nervozizmin që ka përbrenda, sidomos me Ramën e pastaj me ndërkombëtarët.