Thaçi: NATO mirëpret aspiratën e Kosovës
Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi shprehet sot se, Deklarata e Samitit të NATO-s në Varshavë është e mirëseardhur për Kosovën dhe tërë Ballkanin Perëndimor, pasi rithekson se rajoni mbetet me rëndësi strategjike për Aleancën dhe se NATO mbetet e përkushtuar për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë.
“Na vjen mirë që NATO mirëpret aspiratën e Kosovës që të ofrojë siguri për të gjithë banorët e saj dhe të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin e tërë rajonit. Por, veçanërisht na gëzon fakti që Aleanca do të vazhdojë të përkrahë zhvillimin e organizatave të sigurisë në Kosovë dhe deri në ministerialin në dhjetor do t’i japë përgjigje edhe kërkesës sonë shtetërore për marrëdhënie më të avancuara me NATO-n”, thekson Thaçi.
Ai vijon se, vlerësimi që na bëhet nga NATO është mirënjohje për neve dhe na bën të përkushtohemi edhe më shumë për të themeluar Forcat e Armatosura të Kosovës, të trajnuara dhe të përgatitura sipas kritereve të NATO-s.
“Forcat e Armatosura të Kosovës do të jenë multietnike, me përfaqësim të duhur etnik e gjinor, në shërbim të sigurisë për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe rajonit”, përfundon Thaçi postimin në ‘facebook’.