Albspirit

Media/News/Publishing

Cezar Ivanesku, poeti i madh rumun me origjinë shqiptare 

Një “In memoriam”, për nder të poetit të madh, njërit prej personazheve më të njohura të kulturës rumune, Çezar Ivanesku është mbajtur në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. Ky aktivitet u organizua nga Instituti Kulturor Rumun në bashkëpunim dhe me Muzeun Kombëtar.

Nëndrejtori i këtij Muzeu, z.Dorian Koçi, në çeljen e aktivitetit përshëndeti dhe në emër të drejtorit të institucionit z. Melsi Labi i cili ndodhej në një konferencë shkencore jashtë vendit. Nga ana e tij z. Dorian Koçi vlerësoi si shumë të rëndësishme eventin në nderim të Cezar Ivaneskut duke thënë gjithashtu se Shqipërinë dhe Rumaninë e lidhin fate të përbashkëta historike dhe kulturore.

Ndërmjet art-eventit “Ut pictura poesis”, organizatorët rumunë duan ta njohin publikun shqiptar me veprën e poetit Çezar Ivanesku, duke kontribuar kështu në përforcimin e marrëdhënieve tradicionale midis Rumanisë dhe Shqipërisë. Ekspozita kushtuar poetit të madh rumun është e shoqëruar me dokumente dhe objekte nga arkivi i tij personal.

Më pas gjatë ceremonisë, folën edhe Aurelia Calinesku, e cilla është autore e konceptit dhe artiste gjithashtu, Maria Dobresku gazetare, Marius Dobrekskiu shkrimtar dhe gazetar si dhe përfaqësues nga ambasada rumune në Tiranë. Cezar Ivanesku ka vizituar Shqipërinë dhe vendlindjen e nënës së tij dy herë.

Poeti Çezar Ivanesku (1941-2008) ka qenë një nga zërat më autentikë të letërsisë rumune të ditëve tona. Nga nëna kishte origjinë arumune dhe shqiptare, që e bëri të lidhur fort me Shqipërinë. Poezia e tij është përkthyer në gjuhën shqipe, antologjia Lojë Dashurie / Jeu d’Amour (perth. Luan Topciu) u botua në Tiranë në vitin 2007.

Ka publikuar shumë vëllime me poezi, prozë, teatër dhe përkthime nga frëngjishtja, nga autorët francezë më të mëdhenj. Po përmendim disa prej veprave të tij: “Rod”, “Baaaad”, “Rosarium”, “Doina”, “Jeu d’Amour” etj.

Ka organizuar shfaqje ku poezia mpleksej me muzikën, duke kënduar vetë nga krijimtaria e tij dhe të poetëve të botës: Pindar, Villon, Lorenzo de Medici, Baudelaire, E.A.Poe, Eminescu, Bacovia.

Gjatë jetës së tij u gëzua nga respekti dhe dashuria e disa personaliteteve të kulturës rumune, por në të njëjtën kohë u konfrontua me autoritetet komuniste dhe postkomuniste. U nderua me çmimet më të larta të letërsisë dhe të shtetit rumun.

 

Please follow and like us: