Albspirit

Media/News/Publishing

Greqia mes dy zjarresh, të shmangë incidentet me Turqinë apo të respektojë Konventën e Gjenevës?

 

Ishte thjesht çështje kohe përpara se Greqia të përfshihej në krizën që shpërtheu në Turqi pas tentativës për grusht shteti. Vetëm se qeveria greke shpresonte që kjo të mos ndodhe kaq shpejtë.

Autoritetet greke u vendosën menjëherë në gjendje vigjilence pas uljes së helikopterit ushtarak turk me 8 ushtarë në Aleksandropolis me kërkesën për azil politik.

Nga mesdita e së shtunës, Greqia po përjeton rrezikun e një incidenti të papritur diplomatik, sepse Turqia këmbëngul për rikthimin e puçistëve Ankarasë, me argumentin e ruajtjes së fqinjësisë së mirë mes dy vendeve, ndërsa Greqia nga ana e saj, është e detyruar që të respektojë kërkesat e Konventës së Gjenevës, por edhe ligjet e Europës, të cilat i kërkojnë dhënien e azilit politik për personat që hyjnë ilegalisht në vend për çështje sigurie.

Por pasi kryeministri turk njoftoi se Turqia do të rishikojë rivendosjen e dënimit me vdekje, edhe kërcënimeve të Erdoganit se puçi do të goditet pamëshirë, Greqia është e detyruar që t’i vendosë oficerët turq në regjimin special (suplementar) të mbrojtjes, jo vetëm për t’u siguruar atyre azil politik, por është e detyruar t’i pajisë ata edhe me dokumente udhëtimi për të qenë në gjendje të shkelin në vend të tjera nëse ata dëshirojnë.

Por nëse kjo ndodh, atëherë qeveria greke do ta njihte Turqinë si një vend të pasigurt, një lëvizje që do të provokonte zemërimin e Erdoganit dhe diplomacisë turke.

Për të qenë më të saktë, dilema e qeverisë helene është të zbatojë apo jo konventën që ka firmosur në 1951, e cila parashikon azil për ata që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare dhe që kanë frikë të shkojnë në vendin e tyre: Sipas Konventës së Gjenevës, një kërkesë aplikimi për azil mund ta dorëzojë kushdo që është larguar nga vendi dhe nuk mund të kthehet më për shkak se do të përndiqet për arsyeje racore, fetare, etniciteti, pjesëmarrjeje në një grup specifik social, apo opinioni politik. Mjafton që ai të plotësojë vetëm një nga këto kritere dhe atëherë e fiton të drejtën e azilit.

Në rastin e oficerëve turq, është e qartë që ata e plotësojnë një nga këto kritere, i cili është rrezikimi i jetës së tyre në vendin e origjinës. Nëse ata rikthehen në Turqi rrezikojnë dënim me vdekje, ose tortura çnjerëzore.

Ashtu siç përsëritet nga ministria e Jashtme greke dhe ministria e Mbrojtjes së Qytetarit, legjislacioni grek e ka obligim zbatimin e Konventës së Gjenevës ashtu si edhe direktivat dhe ligjet e BE-së. “Garantimi i azilit nuk është një akt bamirësie, por një detyrim i vendit bazuar në konventat ndërkombëtare dhe legjislacionin grek”, thuhet në broshurat që lëshohen prej muajsh për refugjatët në Greqi.

Dilema që qeveria greke përballet sot me diplomatët turq është si ajo e qeverisë Simitis 18 vite më parë me Oçalanin. Vetëm se këtë herë, Ankaraja duket shumë më agresive, ndërsa Greqinë e qeverisin të majtët, të cilët e konsiderojë mëkat shkeljen e konventave ndërkombëtare për personat që përndiqen prej opinioneve të tyre politike…

Please follow and like us: