Kokëdhima i jep një tjetër thikë pas shpinës Ramës
Ata i kanë premtuar njëri tjetrit se do të plaken bashkë në Vuno, por tani në moshë të mesme duket se i ndan gjithcka. Koço Kokëdhima i ka futur një thikë të fortë pas shpine , ish mikut të tij Edi Rama sot në një nga ditët më të vështira për të. I distancuar prej tij nga paranoja se ai e shiti në Gjykatën Kushtetuese, që i hoqi mandatin e deputetit Kokëdhimës, ai tashmë është afruar me Ilir Metën. Një shenjë të qartë e ka dhënë edhe këtë të hënë. Pronar i gazetës “Shekulli”, përmes kësaj të përditshmeje ka goditur sot draftin e Reformës në Drejtësi, duke e cilësuar si cënues të Kushtetutës. Dhe ai e ka bërë këtë duke nënvizuar pikërisht ato që thonë Berisha dhe Meta: shkeljen e sovranitetit të vendit.
“Reforma në drejtësi parashikon se në Shqipëri do të vendoset një Operacion Ndërkombëtar Monitorimi, i udhëhequr nga Komisioni Evropian së bashku me partnerët, për të mbështetur procesin e rivlerësimit (të gjyqësorit, në kuadrin e integrimit Europian dhe të bashkëpunimit Euro-Atlantik. Afati i operimit është i pacaktuar. Misioni ndërkombëtar do të funksionojë në Shqipëri deri në vitin 2027. Por sipas juristëve, vendosja në Shqipëri e një Operacioni Ndërkombëtar të Monitorimit nuk mund të rregullohet me anë të Kushtetutës, por vetëm sipas normave të së drejtës ndërkombëtare, nëpërmjet një marrëveshjeje ose Traktati dypalësh ose shumëpalësh midis Republikës së Shqipërisë, Bashkimit Europian dhe shteteve të tjera”, shkruan gazeta “Shekulli”.
Pikërisht ky shqetesim shprehet edhe ne titullin kryesor të gazetës “Reforma në Drejtësi”, si dhunohet Kushtetuta dhe Shkelet Sovraniteti vendit”, ndërsa në brendësi të saj janë gjashtë faqe kushtuar drafit të plotë të reformës në Drejtësi, që kuvendi pritet të votojë këtë të enjte në seancën plenare të rradhës. Përmes neneve dhe argumentave ligjor, në shkrimin në fjalë theksohet fakti se roli të huajve rregullohet në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe jo përmes Kushtetutës, siç dhe referon drafti. Shekulli vë re se jo vetëm me këtë draft shkelen nenet 2 dhe 3 të kushtetutës por se sovraniteti i vendit u ofrohet në pjatë të argjendtë ndërkombëtarëve.
Pas këtij qëndrimi radikal duket sikur Kokëdhima, jo vetëm rrezikon të mos i japë Ramës dy votat që ai kontrollon brenda së majtës për kalimin e reformës(në fund të fundit ata tanimë nuk kanë rëndësi sepse reforma në drejtësi vështirë të miratohet) por punët kanë shkuar edhe më larg.
Botuesi i Shekullit është hedhur me sa duket në kampin kundërshtar dhe ai i bën jehonë tezave të dyshes Berisha Meta, gje që për shkak se kontrollon dy deputetë, mund ta bëjë Kokëdhimën rrëzuesin vendimtar të qeverisë të së majtës.