Nis me incidente gjyqi i 8 “puçistëve”, grekët nuk lejojnë avokaten turke dhe diplomatët turq të hyjnë në gjykatë
Ka nisur pak çaste më parë gjyqi ndaj 8 ushtarakëve turq që u arratisën në Greqi pas tentativës për grusht shteti në vendin e tyre. Veç medieve greke të shumta në numër, përpara gjykatës së qytetit verior të Aleksandropolisit, kishin ardhur dhe shumë gazetarë dhe televizione turke, përfshirë edhe diplomatë të konsullatës turke në Athinë dhe një avokate turke, të cilëve iu ndalua hyrja. Avokatja greke e ushtarakëve bëri një kërkesë për një afat 3 ditor që ata të kërkojnë ndjesë për shkeljen e paligjshme të kufirit dhe gjykatësi e pranoi atë. Ushtarakët kanë kërkuar azil politik dhe Greqia do ta shqyrtojë atë brenda këtyre 15 ditëve me procedurë të përshpejtuar. Sipas avokates së ushtarakëve, ata janë justifikuar se nuk e kanë ditur që në Turqi po bëhej grusht shteti më 15 korrik dhe se vetëm kanë zbatuar urdhrat e eprorëve të tyre. Ndërkohë që Ankaraja i akuzon ata për puçistë dhe kërkon rikthimin e menjëhershëm të tyre.