Albspirit

Media/News/Publishing

ORIELA NEBIJAJ: POLITIKA MË KA NDRYSHUAR JETËN


Enida Himaj

Zëdhënësja e Partisë Demokratike vijon të mbetet ndër imazhet më pozitive në vendin tonë. Oriela në intervistën dhënë për “Summer Pages”, rrëfen sesi ia ka dalë që ndër vite të mbetet një imazh i pacenuar. Karakterin duket se nuk ia ka ndryshuar as përfshirja në politikë, duke thënë se është vendimi më i mirë që ka marrë. Nuk i pëlqen të promovojë veten, por kauzat me të cilat ajo ndeshet çdo ditë në terren. Nga ana tjetër ka zbuluar më shumë detaje për restorantin e ri që do të hapë në shtator. E duke qenë një vit impenjativ, për të natyrisht që pushimet do të jenë të shkurtra, por të mbushura me shumë emocione dhe miq të mirë afër…

Gjithë këto vite një imazh publik, çfarë mendoni se e ka bërë të famshme Orielën?
Nuk besoj në të qënurit i famshëm apo jo! Të gjithë janë, në jetën e tyre, në rrethin e tyre, në profesion a familje! Unë disi kam qenë pjesë e medias që në moshën 18 vjeç e kjo më ka ndihmuar të kem sot shumë miq e të njohur. Kam lindur, jam rritur, shkolluar e punuar në Tiranë. Gjithçka kam lidhet me Tiranën dhe vendin tim. Hapat i kam hedhur me kujdes dhe e sigurt për limitet e mia duke mos iu lodhur punës. Kështu sot jam po Ori që të gjithë njohin, e thjeshtë dhe sociale.
Sa e lehtë ka qenë të ndërtoni një karrierë të pacenuar, ka pasur kosto për ju?
Gjithnjë ka kosto. Rëndësi ka të duash atë që bën duke mirëpritur dhe dështimin. Asgjë nuk ndodh rastësisht. Kostoja më e madhe është koha! Aseti më i çmuar që kemi. Koha është në thelb lufta dhe sfida e përditshme.
Ndërkohë kohët e fundit është thënë se do ti hyni edhe rrugës së biznesit, si ju erdhi kjo ide?
Kam qenë gjithmonë pjesë e biznesit. Që e vogël gjatë verës punoja në biznesin e familjes. Pas studimeve nuk kam ndaluar asnjë ditë së punuari në kompani private kryesisht, e ndërthurur dhe me angazhimet në televizion, por gjithmonë si një pjesë plotësuese e jo si profesion primar. Gjithnjë kam dashur diçka që përmbledh më së miri konceptin tim mbi shërbimin. Projekti me Renaton është më shumë se thjesht biznes. Është harmoni përbërësish për një produkt final të konceptuar me shumë dashuri.
Çfarë lloj bizneswomen është Oriela?
Nuk e di! S’di si ti ndaj në lloje në fakt. Unë jam e edukuar me punën dhe di të marr më të mirën nga kolegët apo bashkëpunëtorët e mi. Korrekte dhe e drejtpërdrejtë. Deri më sot nuk kam pasur konflikte të mëdha apo të pazgjidhshme me askënd në punën time. Andaj dhe kam shumë miq. Por është shumë e rëndësishme të krijosh një terren të denjë ku të gjithë të japin më të mirën e tyre sipas përgjegjësive të mirëpërcaktuara. Në fund të ditës së punës jemi miq.
Keni ndryshuar shpesh rrugët tuaja, nga televizioni në politikë, tashmë në biznes, cili nga këto kalime ka qenë më i vështirë për ju?
Në fakt nuk kam ndryshuar rrugë, vijoj të jem në po të njëjtin rrugëtim. Më pëlqejnë sfidat, e di tani si kam thënë jo as punës e as përgjegjësive. Kjo ka sjellë dhe që unë të kem rezultat në çdo hap që kam hedhur. Politika është pjesë e ditës sonë kudo jemi. Unë vendosa të angazhohem në mënyrë direkte. Ka qenë një vendim të cilin e mendova gjatë për përgjegjësinë dhe detyrimet që përmban, ama sot them me bindje se ka qenë një nga vendimet më të mira që kam marrë.
Duket sikur jeni distancuar disi nga PD, përse kjo zgjedhje?
Duket. Sepse në fakt është e kundërta. Që prej momentit kur pranova të mbaj postin e zëdhënëses së PD iu dedikova plotësisht punës me terrenin, strukturave politike, njerëzit në parti dhe të gjithë qytetarët apo të rinjtë që kam takuar e punuar. Ishte një vendim i imi të mos shpenzoja kohë në promovimin e emrit tim. U angazhova maksimalisht në formësimin e përgjegjësisë që më jepte posti i zëdhënëses. Kjo ka qenë dhe një ndër arsyet pse më pas, për një kohë të shkurtër unë vendosa të hyja në garë për forumin. Garë nga e cila gjithashtu jam mëse e kënaqur për rezultatet e mia.
Sa e ndryshoi Orielën pjesëmarrja në politikë?
Nuk më ka ndryshuar. Si çdo individ dhe unë kisha perimetrin tim nga ku rutina shpesh herë s’na le të dalim. Pjesëmarrja aktive në PD, më bëri të kem kontakt me situatat reale në të gjithë Shqipërinë. E realiteti që ne krijojmë me atë që në fakt është përtej këtij perimetri ka një ndryshim të madh. Sot, pritshmëritë dhe dëshirat për të dhënë kontributin tim kudo dhe sadopak qoftë prevalojnë krahasimisht me kohën kur nuk isha aktive në jetën politike. Ka shumë për të bërë, ka shumë për të dashur.
Flitet shpesh për deputetë apo politikanë që ngacmojnë femrat e showbizit, ju që i njihni nga afër, sa xhentilë janë ata, i besoni këto deklarata?
(Qesh) Në fakt ata janë thjesht më të ekspozuar apo në lupën e medias. Kudo në botë raportet meshkuj femra janë në të njëjtat linja. Ka ngacmime e ka tërheqje. Askush nuk të ngacmon nëse ti nuk do të ngacmohesh e nëse ndodh ka gjithmonë një mundësi delikate ose jo, për të dhënë përgjigjen e merituar. Unë jam kundra dhe do ta luftoj maksimalisht abuzimin me postin, mundësitë apo pamundësitë të dikujt.
Ka raste kur ju ka dëmtuar pjesëmarrja në politikë?
Deri sot nuk ka pasur raste ku unë të jem ndjerë e dëmtuar për shkak të pozicionit apo përfshirjes politike. Ka gjithnjë momente delikate ku balancat janë të vështira për tu ruajtur, por kjo sigurisht që lidhet drejtpërdrejtë me atë se çfarë ti ke vendosur si objektiv.
Ndërkohë gjithnjë shfaqeni e vetme në rrjetet sociale, a ka një partner Oriela?
Në fakt jam gjithnjë mes miqsh apo me familjarët e mi. Nuk kam një partner, në mos nuk do ta kisha evituar dot të bërit publik.
Përse jeni kaq hermetike sa i përket jetës private?
Nuk jam hermetike, unë jetoj në Tiranë, frekuentoj vende apo gjendem në hapësira si të gjithë miqtë e mi. Por jeta private, ajo pjesë që quhet private, është mirë që të mbetet e tillë, për mua dhe për këdo që i pëlqen të ketë privatësi brenda mureve të shtëpisë.
Jemi në stinën e verës, ku do të pushojë Oriela këtë sezon?
Për shkak të angazhimeve në punë si dhe projektit me Renaton ende nuk kam mundur të planifikoj ditët e pushimeve. Kjo verë do të më gjejë në Shqipëri e udhëtimet do të jenë vetëm për punë.
Si janë pushimet tuaja, të zhurmshme apo të qeta?
Kryesisht janë të qeta, por me sasinë e nevojshme të zhurmës që krijojnë miqtë e mi të ngushtë rreth meje. Unë jam pak sportive si tip e s’më pëlqen të vegjetoj, ama sigurisht që shijoj ato orët e qeta teksa lexoj buzë detit.
Ku do t’ju gjejë shtatori?
Në Tiranë, duke punuar në selinë e PD si dhe për restorantin që në fund të shtatorit shpresojmë të jetë drejt përfundimit.

Please follow and like us: