Albspirit

Media/News/Publishing

Përgjimet për gjyqtaren: Sa më shpejt se është vapë dhe njerëzit ikin

 

majlinda andreaGjyqtarja Andrea refuzon tokën në këmbim të vendimit, kërkoi para. Grupi i vëzhgimit fiksoi momentin kur bashkëshorti i gjyqtares ka marrë shumën e 50 mijë eurove nga shtetasi Petraq Dashi, i cili sapo e kishte tërhequr këtë shumë parash nga një pikë e këmbimit valutor në qytetin e Fierit dhe e ka dorëzuar në një lokal në Tiranë.

Hetimi i gjyqtares së Gjykatës së Lartë Majlinda Andrea dhe bashkëshorti të saj Odhise Andrea ka zbardhur një skemë të mirëfilltë korruptive duke provuar se janë paguar para në këmbim të vendimit.

Ndërmjetësi në këtë çështje, Petraq Dashi, tashmë i arrestuar për shkak të njohjes me bashkëshortin e gjyqtares ka marrë përsipër të ndërhyjë tek ai që bashkëshortja të jepte një vendim në favor të palës së interesuar.

Për këtë çështje është ofruar edhe tokë në këmbim të vendimit, por ky propozim është refuzuar nga bashkëshorti i gjyqtares.

Për të zgjidhur çështjen, ndërmjetësi ka ofruar t’i jap ai paratë për llogari të Ilia Çabirit dhe Eleni Lino, të cilët janë pala përfituese në proces gjyqësor.

Dashi ka ofruar paratë e tij dhe ka nënshkruar një kontratë noteriale me përfituesit e pronës, të cilët ishin në pritje të njohjes së pronësisë për 40 ha tokë në Sarandë.

Sipas prokurorisë, provohet se tre shtetasit Ilia Çabiri, Eleni Lino dhe Petraq Dashi do të jenë përfitues të sipërfaqes së tokës që kërkohet të kthehet në favor të trashëgimtarëve të ish pronarit të pretenduar dhe se këta persona janë interesuar drejtpërdrejt në lidhje me ecurinë e procesit gjyqësor në Gjykatën e Lartë.

Nga hetimi provohet se këta persona bisedojnë në mënyrë të qartë në lidhje me shumën që duhet të paguhet për efekt të procesit gjyqësor, për shumën që duhet të kontribuojnë edhe personat e tjerë trashëgimtarë të ish pronarit.

Në datën 10.07.2016 ata janë njoftuar nga shtetasi Petraq Dashi se duhet që të paguajnë shumën 50, shumë e cila nga kronologjia dhe konteksti i bisedave të tyre është shuma prej 50.000 euro.

Dyshohet se shuma e mësipërme është siguruar nga shtetasi Petraq Dashi dhe se dy personat e tjerë kanë nënshkruar deklaratat noteriale, sipas të cilave ata ia njohin pjesën e detyrimit të tyre si borxh shtetasit Petraq Dashi.

“Shtetasi Petraq Dashi gjatë kësaj kohe ka qenë në pritje të përgjigjes së mikut të tij që nga kronologjia e veprimeve është shtetasi Odhise Andrea. Ai ka folur për kostot e procesit me shtetasin Ilia Çabiri menjëherë pasi ka takuar shtetasin Odhise Andrea në datën 07.07.2016. Ka konfirmuar faktin se personi i mësipërm nuk dëshironte tokë por vlerë monetare. Dashi tha se iu ka ulur nga 60 në 50 shumën e kërkuar që është sipas tij diçka e madhe”, thuhet në dosjen e prokurorisë.

Tre përfituesit e tokës më pas kanë vazhduar takimet mes tyre për të siguruar shumën e parave dhe për të pritur momentin e dhënies së parave pak përpara se të jepej vendimi në Gjykatën e Lartë.

Nga hetimet e prokurorisë duket qartë se ka një lloj nxitimi nga përfituesit e tokës për ta mbyllur këtë çështje sa më shpejtë për shkak dhe të pushimeve që po afrojnë, pasi përgjatë muajit gusht gjykatat nuk punojnë.

Në përfundim të negociatave dhe takimeve mes tyre është rënë dakord që paratë do i paguaj shtetasi Petraq Dashi, i cili ishte në rolin e ndërmjetësit në këtë çështje dhe në këmbim të parave ai do të përfitonte një sipërfaqe toke pasi të njihej e drejta e pronësisë në Gjykatën e Lartë.

Sipas prokurorisë pasi ka marrë shumën e caktuar nga zyra e një pika këmbimi në Fier, në datën 11.7.2016 Petraq Dashi ka komunikuar menjëherë me shtetasin Odhise Andrea me të cilin kanë lënë takimin për në Tiranë.

Në këtë bisedë që është përgjuar me urdhër të prokurorisë, Dash i ka thënë bashkëshortit të gjyqtares Andrea: “sa më shpejt aq mirë se është vap dhe njerzit ikin”.

Ky takim është mbajtur në mbikëqyrje nga grupi i vëzhgimit të policisë i cili në raportin e shërbimit të hartuar për këtë çështje thotë se në takimin midis tyre shtetasi Petraq Dashi i ka dhënë shtetasit Odhise Andrea të njëjtën qese që kishte marrë nga pika e këmbimit në Fier.

Një ditë pasi janë dhënë paratë, trupi gjykues pjesë e të cilit ishte gjyqtarja Andrea ka dhënë vendimin  në favor të përfituesve Ilia Çabiri dhe Eleni Lino.

 

 

Dekonspirimi i hetimit për gjyqtaren Andrea, të gjithë të dyshuar

Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla ka urdhëruar nisjen e një hetimi pas dyshimeve se është dekonspiruar dosja e gjytqtares së Gjykatës së Lartë Majlinda Andrea bashkëshortit të saj Odhise Andrea.

Mësohet tashmë është regjistruar procedimi penal për akuzën e nxjerrjes së sekretit hetimor dhe çështja i është përcjellë për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Tiranës.

Sipas burimeve të akuzës mësohet se në këtë hetim janë të gjithë të dyshuar.

Në hetime do përfshihet institucioni i prokurorisë, personat që kanë patur dijeni për çështjen.

Por jashtë vëmendjes nuk do ngelen as efektivët e policisë, veçanërisht grupi i vëzhgimit dhe eprorët e tyre që kanë patur dijeni për çështjen, pasi kanë qenë të angazhuar për ndjekjen në terren të veprimeve të të dyshuarve.

Gjithashtu sipas prokurorisë në hetime do përfshihet edhe Gjykata e Lartë edhe pse nga të dhënat paraprake nuk rezulton se mund të ketë patur dijeni për çështjen.

Kjo edhe për faktin se kërkesa për masën e sigurimit pezullim nga detyra për gjyqtaren dhe kërkesa për arrestimin e bashkëshortit të saj janë dërguar në Gjykatën e Lartë mesditën e së premtes.

Ndërsa gjyqtarja dhe bashkëshorti janë larguar ngas Shqipëria në orët e para të mëngjesit të së premtes.

Kur Gjykata e Lartë shpalli masën e sigurisë pezullim nga detyra të gjyqtares Majlinda Andrea, ajo kishte të paktën 12 orë që kishte lënë Shqipërinë.

Sistemi Tims tregon se gjyqtarja Majlinda Andrea, e dyshuar për korrupsion pasiv, ka dalë nëpërmjet portit të Durrësit me bashkëshortin gjatë orës 02:00 të mesnatës së të premtes, ndërsa vendimi është dhënë nga kolegji penal në orën 16:30 të së shtunës.

Sipas burimeve, në sistemin Tims është regjistruar se 48-vjeçarja ka dalë e shoqëruar nga familjarët me një automjet.

Ka dyshime të forta se ka rrjedhje të informacionit dhe se gjyqtarja Andrea është vënë në dijeni për hetimet e Prokurorisë së Përgjithshme e cila po përgjonte të paktën pesë persona për aferën korruptive. Burimet shpjegojnë se emri i gjyqtares së lartë ka dalë rastësisht në përgjime.

Grupi i hetimit po përgjonte në fund të qershorit për një çështje tjetër korruptive dhe sapo është përmendur emri i Andreas dosja i ka kaluar Prokurorisë së Krimeve të Rënda që nga ana e saj po ashtu ka shpallur mos kompetencën duke ja deleguar Prokurorisë së Përgjithshme.

E ndërsa me këtë dosje është marrë prokurori Arben Kraja, në përgjime dhe sipas raportit të vëzhgimit, del se i pandehuri Petraq Dashi pas nënshkrimit të një kontrate fiktive me të dyshuarit Ilia Çabiri dhe Eleni Lito, e ka tërhequr këtë shumë në një “exchange” në qytetin e Sarandës dhe më pas ka udhëtuar drejt kryeqytetit duke ja dorëzuar në një lokal 50 mijë eurot bashkëshortit të gjyqtares, Odisea Andrea.

Burimet shtojnë për Top Channel se kanë nisur gjithashtu hetimet edhe për dekonspirim të dosjes.

 

Ja pasuria e gjyqtares Andrea për vitin 2015

Gjyqtarja e Gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea, e cila tashme është shpallur në kërkim pasi akuzohet se ka marrë ryshfet 50 mijë euro për të dhënë një vendim gjyqësor, rezulton se ka një pasuri në vlera normale, madje ka edhe borxhe.

Në deklaratën e saj të pasurisë për 2015 rezulton se ajo ka përfituar nga paga e saj 1.5 milionë leke nga rroga e saj, ndërsa bashkëshorti, Odhise Andrea, që është anëtar i komisionit të sigurisë ka përfituar nga paga e tij për vitin 2015 rreth 1.1 milionë lekë.

Sakaq bashkëshorti i gjyqtares ortak pasiv në kompaninë GranitImport–AL sh.p.k ka marrë dividend prej 2.1 milionë lekësh nga fitimi i kësaj kompanie.

Djali i gjyqtares, Kristi Andrea, rezulton të ketë marrë nga paga si administrator i kësaj firme rreth 790 mijë lekë.

Djali i gjyqtares, Kristi Andrea, si administrator pranë shoqërisë GranitImport–AL sh.p.k ka marrë 7.9 milionë lekë të vjetra.

Në 2015 Majlinda Andrea ka përfituar rreth 5 mijë euro nga shitja e një automjeti, ndërsa bashkëshorti i saj në 2014 gjithashtu ka shitur 500 mijë lekë një makinë Volkswagen.

Djali i çiftit posedon një autoveturë BMW vlera e së cilës shkon në 5 milionë lekë.

amilja Andrea rezulton se ka depozitë bankare në vlerën e 20 mijë eurove, ndërkohë Majlinda Andrea ka tërhequr nga një depozitë në vlerën 30 000 euro për blerje të një apartamenti në kryeqytet.

Ndër të tjera në deklaratën e pasurisë gjyqtarja e gjykatës së lartë deklaron se është pronare e 60 % të shoqërisë, “BESIMI GRANIT” sh.p.k që operon në Kosovë.

Please follow and like us: